19 Mars 2024

Shpirti çlirimtar i një intelektuali

Shkruar nga Nuhi Bytyçi

Lajmin për vdekjen e intelektualit, profesorit universitar dhe komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Ana Drini Prof. Dr. Sabahajdin Cena, ishte ndër lajmet më të dhëmbshme, jo vetëm për familjen, por edhe për bashkëveprimtarët e bashkëluftëtarët e tij në mbarë Kosovën dhe më gjerë.

Që në fillim të këtij shkrimi në përkujtim të jetës dhe veprës së tij, mund të them me plot gojë se të rrallë janë intelektualët, sikur ishte Profesor Sabahajdin Cena, i cili përherë ishte në mesin e popullit dhe në shërbim të popullit.

Fati ka deshtë që ta njoh nga vitet 70-ta. Fillimisht mbaj mend shkrimet e tij në revistat e kulturës së kohës, veçmas në atë “Fjala” dhe në botimin shkencor të Institutit Albanologjik “Gjurmime Albanologjike” për trashëgiminë kulturore të popullit shqiptar në Ana Drini, Llapushë e Drenicë, për mbledhjen e folklorit shqiptar, për Ninullat në Ana Drini, Llapushë dhe në rajone tjera.

Mbaj mend në veçanti hulumtimin e Prof. Sabahajdinit botuar në “Gjurmime albanologjike” me titull “Disa elemente të gjuhës shqipe në të folmen e popullsisë së Rahovecit”, “Analiza e Këngës për Halil Hamzën” dhe shumë shkrime tjera me rëndësi të posaçme për letërsinë popullore, folklorin shqiptar në përgjithësi.

Ndërkaq, në vitet 80-ta kam pasë nderin që ta takoj disa herë në Prishtinë dhe Rahovec edhe fizikisht dhe të këmbej mendime për pozitën tejet të vështirë të popullit shqiptar në Kosovë e në viset e tjera shqiptare në ish-Jugosllavi.

Ai përherë kishte guxim që të shprehte opinionin e tij për të dhe rolin e intelektualëve shqiptarë për çlirim e bashkim kombëtar.

Prof. Sebahajdini iu jepte kurajo luftëtarëve të lirisë

Pas shpërthimit të luftës frontale midis Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave pushtuese serbe në Drenicë, Profesor Sabahajdini ishte ndër intelektualët e parë që iu bashkangjit radhëve të UÇK-së në Ana Drini.

Si Udhëheqës i Drejtorisë për Marrëdhënie Civile dhe publike në Zonën Operative të Pashtrikut, Prof. Sabahajdini arriti të kontribuojë shumë në ngritjen e moralit te luftëtarët e lirisë.

Duke marrë pjesë edhe vet në shumë beteja frontale me forcat serbe në Ana Drini, ai me guximin dhe vlerat e larta prej intelektuali, përmes vargjeve të rilindasëve shqiptarë iu ka dhënë kurajo edhe më të madhe luftëtarëve të rinj e të reja të UÇK-së që të luftojnë me tërë fuqinë kundër atyre që mundoheshin që ta thyejnë vullnetin e popullit tonë për liri e pavarësi.

Vërtetë ai ka prezantuar me dinjitet tfigurën shembullore të një intelektuali dhe luftëtari-eprori të UÇK-së.

Profesor dhe Komandant Sabahajdin Cenën e kam takuar disa here edhe gjatë periudhës së luftës.

Në vjeshtë të vitit 1998 në malet e Kleçkës legjendare më kujtohet fytyra e tij e buzëqeshur dhe optimiste, i bindur se UÇK-ja do ta fitojë luftën.

Ai këtë e argumentonte me faktin se asaj iu kishin bashkangjitur të rinjtë dhe të rejat nga të gjitha viset etnike shqiptare dhe diaspora, si dhe që e mbështetnin intelektualët dhe mbarë populli ynë liridashës.

Madje, kur më pa mua dhe kameramanin Abaz Zeka duke xhiruar imazhe të luftëtarëve të lirisë nuk e la pa u shprehur me këtë fjali: “Nuhi, kur të pash ty dhe Abazin, po e shoh edhe civilizimin, sepse si intelektualë dhe gazetarë e keni lënë Prishtinën dhe me punën tuaj profesionale po e prezantoni para botës luftën e UÇK-së. Kjo të gjithë neve na inkurajon, na jep zemër se liria është e pashmangshme!”.

Edhe unë ia kthej: Prof. Faleminderit për këtë vlerësim të çmuar tëndin. Ne jemi pjesë e këtij populli dhe e kemi obligim që ta jemi pranë luftëtarëve të lirisë. Mirëpo, edhe angazhimi yt, si profesor dhe intelektual i jep imazhin e një ushtrie gjithëpopullore dhe që ka mbështetjen e plotë edhe të intelektualëve tanë.”

Fjalët e Profesorit Sabahajdin edhe mua e Abazit na impresionuan dhe na kanë shërbyer si udhërrëfim deri në fund të luftës që me emisionet tona ta mbajmë gjallë shpirtin liridashës dhe çlirimtar të të gjithë luftëtarëve të Ushtrisë sonë Çlirimtare.

Dhe vërtetë, në qershor të vitit 1999 Kosova përfundimisht u çlirua dhe nga ajo u larguan të gjitha forcat pushtuese dhe administrata serbe.

Kronikani i heronjve të UÇK-së

Pas luftës Profresor Sabahajdinin e kam takuar në Rahovec e Malishevë, duke drejtuar tubimet gjithëpopullore në përkujtim të përvjetorit të betejës së UÇK-së në korrik të vitit 1998 në Rahovec dhe në tubimet përkujtimore për nder të dëshmorëve të Ana Drinisë. Prof. Sebahajdini ishte në krye të protestave gjithëpopullore të qytetarëve të Rahovecit kundër vendosjes së forcave të ushtrisë ruse në kuadër të Misionit të KFOR-it në Rahovec.

Ai në një intervistë që e kisha zhvilluar lidhur me këtë protestë dhe barrikadat në mallet afër Rahovecit deklaronte: “Për shkak se në Rahovec dhe rrethinë ende ka kriminelë serbë, të cilët kanë bërë masakra mbi popullartën civile shqiptare në këtë qytet, forcat ruse janë të padëshirueshme. Ne jemi të vendosur që pa dhunë, por në mënyrë civilizuese të kundërshtojmë dhe pengojmë vendosjen e forcave ruse në Rahovec. Rusia ka interesa strategjike për të vendosur ushtarët e vet në Rahovec dhe për të bashkëvepruar me kriminelët serbë, duke e destabilizuar Rahovecin dhe Kosovën.”

Me që fshati im i lindjes – Shkoza është afër Rahovecit dhe Prof. Sebahajdini gjatë luftës  kishte bashkëpunuar edhe me Njësitin e UÇK-së në Shkozë dhe me familjarët e mi, pas luftës ai mori pjesë edhe në tubimet përkujtimore për dëshmorët e këtushëm, që u mbajtnin në Shkozë çdo 2 prill. Madje, disa herë ka qenë edhe në odën e babait tim - Malushit dhe kishin një respekt të ndërsjellë.

Kur realizoja një seri dokumentarësh për Radiotelevizionin publik të Kosovës kushtuar heronjve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kam pasë nderin që të bashkëpunoj edhe me Prof. Sebahajdin Cenën, duke e intervistuar lidhur me kujtimet e tij si bashkëluftëtar për figurat qëndrore të luftës në Ana Drini, Llapushë, Dukagjin e Drenicë.

Ai gjithmonë ishte i gatshëm që me mburrje të rrëfente për heroizmin e Komandant Tonit e Micit, të Agim Çelës, Sadik Shalës, Hamdi Berishës, Avdullah Bugarit, Sheh Myhedinit, Feim e Bedrush Gashit, Mensur Zyberajt, Brahim Morinës, Salih Bytyçit, Muharrem Hoxhës dhe dëshmorëve tjerë.

Herën e fundit Prof. Sabahajdinin e kam takuar bashkë me djalin e tij shumë të edukuar Samedinin (avokat) në prill të vitit 2021, kur në Lugun e Gjeraqinës me kameramanin Bekim Qyqallën në prani të birit të dëshmorit Brahim Morina – Islamit, e kam intervistuar atë lidhur me kujtimet e tij për kontributin dhe sakrificën sublime të dëshmorit Brahim Morina nga Drenoci i Malishevës.

Si rëndom, modest dhe i drejtpërdrejtë Prof. Cena rrëfente me pietet edhe për shumë detaje për këtë figure të ndritshme të luftës për liri.

Prof. Sabahajdin Cena ishte autor i mëse 20 veprave të ndryshme, ku dominojnë monografitë kushtuar atdhetarëve shqiptarët të të gjitha kohërave. Pra, Profesor Sabahajdini vërtetë ishte njeri i penës dhe i pushkës për liri e pavarësi.  

Ai kurrë nuk u ndal së punuari, duke u bërë kronikan i palodhur i luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të Ushtrisë për Çlirimin e Preshevës, Bujanovcit e Medvegjës, si dhe të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoninë veriore, veçmas duke pasqyruar sakrificën dhe gjakun e dëshmorëve dhe martirëve të kombit tonë.

Ai ishte edhe autor i biografive të shumë dëshmorëve  që ranë për lirinë dhe bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare botuar në “Feniksët e lirisë”.

Vepra e Prof. Sabahajdinit është e pavdekshme, sepse ai përherë si intelektual ishte në shërbim të plotë të interesave të popullit. Emri i tij padyshim do të shkruhet  në historinë më të re kombëtare.

Shkrimet e Prof. Sabahajdin Cenës  për UÇK-në do të vazhdojnë të jehojnë edhe më fuqishëm dhe do ta kompletojnë historinë e lavdishme të UÇK-së dhe të popullit shqiptar në Kosovë e më gjerë.

Lavdi e përjetshme bashkëvendasi dhe miku im Profesor Sabahajdin Cena!
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)