29 Mars 2024

Serbia, ndotësi më i madh i Evropës

Shkruar nga Remzi Ejupi

 Bllokada ajrore që Serbia vendosi ndaj Kosovës nuk përkufizohet vetëm me rritjen e kohës së fluturimit dhe të kostos së saj. Ajo para së gjithash  është në kundërshtim me trendet globale të mbrojtjes së ambientit dhe parandalimin e ngrohjes globale.

Aviacioni civil është njëra nga çështjet e rëndësishme që po diskutohet apo që do të diskutohet në detaje gjatë procesit negociator mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim apo lehtësim të Bashkimit Evropian.

Një problematikë kjo evropiane po aq edhe sa shqiptaro-serbe, që po mbahet e mbyllur në kontekst rajonal. Përkundër rëndësisë, pak është dëgjuar nga pala kosovare rreth asaj që do të bisedohet, por edhe rreth strategjisë që do të ndiqet, duke u mbajtur me dyer të mbyllura edhe kjo çështje sikur edhe të gjitha të tjerat.

Në esencë, moslejimi qe më shumë se 10 vjet i hapësirës ajrore të Serbisë nga ky shtet, po aq sa vetë Kosovën, është një çështje që do të duhej të brengosë vetë Bashkimin Evropian, si dhe raportet e tij me Serbinë.

Për më shumë se dhjetë vjet tashmë avionët që fluturojnë përmes Aeroportit të Prishtinës për destinacionet evropiane, nuk lejohen të kalojnë nëpër hapësirën ajrore të shtetit serb, duke shtuar kohën e fluturimeve përafërsisht 1 orë në shkuarje dhe ardhje, duke shtuar kostot për aviokompanitë dhe në fund për vetë udhëtarin.

Këtu edhe përfundojnë brengat e mëdha të Kosovës, të udhëtarëve dhe aviokompanive lidhur me këtë bllokadë jocivilizuese të imponuar nga shteti serb, por jo edhe problemi në tërësi.

Në mesin e atyre udhëtarve që përditë fluturuan nga Prishtina, ishin edhe shefa e të punësuar të UNMIK-ut dhe tash të prezencës vendimëmarrëse të Bashkimit Evropian përmes EULEX dhe ICO si dhe ambasadorëve të shteteve.

Shumë prej tyre edhe sot vazdhojnë të bëjnë këtë rrugë të gjatë dhe të shtrenjtë ajore pëmes aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Ajo që nuk u ra ndërmend deri më sot as përfaqësuesve tanë shtetërorë dhe as atyre ndërkombëtarë ështe se bllokada ajrore që Serbia vendosi ndaj Kosovës nuk përkufizohet vetëm me rritjen e kohës së fluturimit dhe të kostos së saj.

Ajo para së gjithash është në kundërshtim me trendet globale të mbrojtjes së ambientit. Trende këto shumë të rëndësishme për Bashkimin Evropian, SHBA´-të dhe për secilin njeri të përgjegjshëm të këtij globi.

Bllokada serbe bën pikërisht të kundërtën. Ajo kontribuon në shtimin e ndotjes së ajrit dhe përmes kësaj bëhet pjesëmarrëse në fenomenin kërcënues të ngrohjes globale. Kerozina është një lëndë djegëse përmes djegies dhe lirimit të së cilës bëhet i mundshëm fluturimi i avionëve.

Zgjatja e fluturimit nënkupton rritjen e sasisë së kerozinës që digjet dhe dioksidit të karbonit që lirohet në ajër, duke ndikuar kështu në ndotje të panevojshme dhe të paarsyeshme të ajrit.

Ndotje kjo e cila sanksionet nga shtetet e Bashkimit Evropian dhe të tjerat, të cilat vazhdimisht kërkojnë zvogëlimin e nivelit të ndotjes së ajrit nga fluturimet për të kufizuar ndikimin në ngohjen globale.

Për këto dhe shumë arsye të tjera, që nuk po i përmendim këtu, përdorimi i hapësirës ajrore serbe për fluturimet nga Prishtina është më tepër çështje e cila do të duhej të diskutohej mes qeverisë sonë me Bashkimin Evropian.

Do të duhej të ishte BE-ja ajo që do duhej të ndikonte te Serbia për të mos shkelur parimet e saj për mbrojtjen e ambientit si dhe ato të lirisë tregtare, sidomos tash kur ky shtet po aspirion integrimin.

Në 10 vitet e shkuara ne nuk i thamë BE-së për asnjë moment këtë gjë, sot duhet ta bëjmë këtë. Si pasojë e neglizhencës sonë, tash kjo çështje po na shtrohet për zgjidhje gjatë dialogut Kosovë-Serbi, duke rrezikuar që marrëveshja e mundshme të konsiderohet si një lëshim të cilin Serbia po i bën shtetit tonë.

Një lëshim inekzistent i saj që do të përcillet nga lëshime tona, që ndoshta janë të një pasoje më të madhe. Prandaj Edita Tahiri dhe delegacioni kosovar duhet të kenë kujdes që gjatë negociatave këtë çështje tta trajtojnë më shumë si problem evropian se sa problem shqiptaro-serb.

Pra, një zgjidhje evropiane për një problem evropian.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)