13 Gusht 2020

Seanca politiko-gjyqësore, që u kthye në seancë policore

Sot u mbajt seanca e dytë politiko-gjyqësore e EULEX-it kundër Albin Kurtit, proces ky që as që do të duhej të kish nisur ndonjëherë. Por kjo seancë e procesit të montuar gjyqësor kundër Albin Kurtit, u kthye në seancë policore. Seanca filloi në orën 10:00 në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë. Në fillim u paraqit Paneli Gjykues në përbërjen e Ferdinando Buatier de Mongeot (kryesues), Vladimir Kanev dhe Fllanza Kadiu (anëtarë). 


Avokati mbrojtës, Ramiz Krasniqi, i cili në seancën e kaluar më 15 shkurt, dha dorëheqje nga rasti, sot lëshoi një deklaratë në të cilën ia kujtoi trupit gjykues të EULEX-it vendimin e tij. Në këtë deklaratë ai tha se jep dorëheqje nga ky gjykim i padrejtë dhe me motive politike, duke theksuar se “EULEX-i nuk është palë neutrale në rastin e Kurti, por është i interesuar ta heshtë atë, siç është dëshmuar nga fakti se EULEX-i ka zgjedhur ta rifillojë rastin me të njëjtë akuzë politike me të cilën e kishte nisur atë UNMIK-u”. Ramiz Krasniqi e përmbyll letrën e tij kështu: “Unë jam bërë pjesë e nismës për mbylljen e rastit ndaj Albin Kurtit, duke nënshkruar peticionin, dhe nuk do të marr pjesë në procesin politik kundër z. Kurti”.  


Ashtu siç  kishte treguar në këtë deklaratë të lëshuar, Ramiz Krasniqi nuk u paraqit në seancë. Pasi konfirmoi mungesën e avokatit mbrojtës, kryesuesi i Panelit, Mongeot, i bëri thirrje trupit gjykues për një tërheqje për të marrë vendim, gjë që zgjati gjysëm ore. Në të vërtet, më pas u kuptua se takimi i ndarë i trupit gjykues nuk ishte tjetër veçse urdhër për sjelljen me trysni të Ramiz Krasniqit në seancë. Ramiz Krasniqi u soll në gjykatë, siç tha vetë Mongeot, “përkundër vullnetit të tij”. Ndërkohë që EULEX-i ka ndërruar edhe vetë prokurorin e rastit, Lulzim Sylejmanin. Tash prokuror i çështjes është Ali Rexha.  


Pasi siguruan pjesëmarrjen e Ramiz Krasniqit në seancë, Paneli Gjykues mori urdhër për sjelljen e Albin Kurtit në gjykatë nëpërmjet arrestimit nga Policia e Kosovës. Mongeot e kumtoi këtë urdhër në orën 11:00, duke kërkuar nga policia për arrestimin e Albinit deri në orën 12:30 për kur u caktua pjesa e dytë e seancës së sotme. Policia e Kosovës pak minuta pas marrjes së këtij urdhri nga EULEX-i filloi fushatën për ndjekjen e Albin Kurtit. Ata shkuan te banesa e Albin Kurtit si dhe në zyret e Lëvizjes VETËVENDOSJE!. 
Në pjesën e dytë të seancës në orën 12:30, Paneli Gjykues rikonfirmoi mungesën e Albin Kurtit në seancë, gjë të cilën Albini e ka paralajmëruar që prej fillimit. Në fund të seancës nga Paneli Gjykues u tërhoq e vetmja anëtare shqiptare, Fllanza Kadiu. Sipas kryesuesit të Panelit, Mongeot, znj. Kadiu ishte tërhequr për shkak të “disa shqetësimeve”. Paneli e shtyu seancën për nesër në orën 10:00.  


Sjellja policore e Panelit Gjykues me Ramiz Kelmendin si dhe vendimi për arrestimin e Albin Kurtit, tregon për natyrën e vërtetë të këtij procesi të padrejtë. Po ashtu kjo tregon se nën komandën e kujt mbetet ende Policia e Kosovës, e cila tash është në kontrollin e plotë të EULEX-it, ashtu sikurse që dikur si SHPK ishte nën tutelën e UNMIK-ut. Për çfarë pavarësie dhe sovraniteti po flasin politikanët e Kosovës, kur EULEX-i na i kontrollon gjykatat dhe policinë? 


Këtu po ashtu nuk ka nevojë për ndërrimin e prokurorit, por për anulimin e rastit. Jo kërcënim për avokatët, por hedhje poshtë e akuzave të pambështetura dhe absurde kundër Albin Kurtit.

 

Lëvizja VETËVENDOSJE! i bën thirrje Ramiz Kelmendit t’i bëjë ballë trysnive të EULEX-it, si dhe thërret të gjithë avokatët e Kosovës të mos bëhen vegël e EULEX-it në procesin e montuar gjyqësor kundër Albin Kurtit. 


Po ashtu përshëndesim tërheqjen e Fllanza Kadiut. Nëse arsyet e mosdëgjimit dhe bojkotimit ndaj Panelit të EULEX-it, janë shëndetësore, ne u bëjmë thirrje të emëruarve të ardhshëm që të sëmuren. Populli i Kosovës nëpërmjet peticionit po e kërkon mbylljen e përndjekjes tashmë edhe policore të Albin Kurtit. Por ai tashmë është i gatshëm që me gatishmëri edhe më të madhe të ngrihet kundër kësaj padrejtësie, por edhe kundër të gjitha padrejtësive që po na ndodhin kolektivisht. 

Komiteti i VETËVENDOSJE!-s për Politikë  dhe çështje Juridike
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 13 Gusht 2020

- Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Rrahman Rama raporton para Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 9:00)

- Vazhdimi i seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Salla e Kuvendit, ora 10:00)

- Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, viziton Komunën e Deçanit. (Objekti i Komunës se Deçanit, ora 10:00)

- Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, do të nënshkruaj memorandum bashkëpunimi për financimin e projekteve infrastrukturore me kryetarin e komunës së Istogut, Haki Rugova. (Komuna e Istogut, ora 10:00)

- Policia e Kosovës organizon ceremoninë e prerjes së shiritit të objektit të Stacionit Policor për Mbikëqyrje të Kufirit në Radavc ku pjesëmarrës do të jenë Drejtori i Përgjithshëm i PK-së, përfaqësues të ICITAP-it Amerikan dhe personalitete të larta vendore, përfshirë epror të PK-së. (Radavc, rruga Vitomiricë - Kullë, ora 11:00)                                              

- Drejtoria e Shëndetësisë e Komunës së Prizrenit do të bëjë hapjen e pjesës së renovuar të QKMF-së, ku do të punojë ndërrimi i tretë ku i pranishëm do të jetë kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe drejtoresha e DSH-së, Narqize Arënliu Hoxhaj. (QKMF në Prizren, ora 12:00)