01 Qershor 2020

Rugovizmi

(Një tentim dëshpërues për t’i bindur nënën dhe fëmijët e mi)

Shkruar nga Dr. Murteza Osdautaj

Në këto kohëra karantinimi dhe të ngjarjeve të vrullshme politike të cilat u shfaqen në vendin tonë si një rrufe në qiellin e kthjellët, kisha një kërkesë interesante nga fëmijët e mi dhe nga nëna ime për ta sqaruar pa terma filozofikë dhe teorik përkatësinë time politike dhe për të dhënë një shpjegim të pranueshëm për ta se çka paraqet ajo me të cilën unë gjithmonë jam krenuar para tyre: Rugovizmin.

Po të më kërkonin që këtë ta bëja nga aspekti teorike-letrar, ndoshta filozofik dhe sociologjik e politik , edhe mund të bëjë spekulime të kësaj natyre për ta shpjeguar atë që mund ta quajmë si vlerë të rugovizmit brenda këtyre koncepteve që i përmenda.

Por nëna ime që nuk i njeh këto koncepte dhe fëmijët e mi që janë pragmatikë dhe dëshirojnë t’i kuptojnë gjërat në mënyrë instante nuk do të ishin të kënaqur më atë që do t’ua thosha në lidhje me refuzimin estetik, letërsinë, teoritë letrare dhe filozofinë, lidhur me gandizmin, lidhur me politikën paqësore dhe në lidhje me institucionalizimin rugovist.

Prandaj, në një situatë të tillë kur nëna ime dhe fëmijët e mi kërkojnë një shpjegim të kuptueshëm menjëherë dhe aty për aty, u vura para një vështirësie bukur të paparashikueshme.

Si do ta shpjegoj unë, para nënës dhe fëmijëve të mi, rugovizmin si politikë dhe si koncept që paraqet dhe kultivon vlera kombëtare dhe humane por edhe një politikë që, në rangje botërore, paraqet politikë moderne, dinjitoze dhe të respektuar?

Gjëja e parë që u mundova t’ia shpjegoj nënës time në lidhje me rugovizmin ishte angazhimi i shtresës më të ngritur intelektuale të shoqërisë tonë për ta zhvilluar, mbrojtur, kultivuar dhe zhvilluar vendin dhe kombin.

I shpjegova nënën se Ibrahim Rugova nuk ishte një politkan i lindur dhe nuk ishin politikanë të lindur as bashkëpunëtorët e tij.

Ata u futen në politikë jo për të bërë karrierë politike por për ta vënë në rrugë përpjekjen historike të vendit drejt lirisë. I tregova nënës time dhe fëmijëve të mi se Ibrahim Rugova nuk kishte asnjë aparat force dhe dhune për ta bërë këtë gjë.

Ai arriti që kauzën e tij dhe të popullit të tij, ta udhëheq me autoritetin e tij moral dhe duke i paraqitur dhe duke i shfaqur vlerat më sublime intelektuale, humaniste dhe kombëtare të cilat e bënë udhëheqësin e vetëm të botës që pa shtet dhe pa aparatet e shtetit ta udhëheq një vend dhe një popull dhe ai popull t’i bindet atij në të gjitha mënyrat dhe në të gjitha kohërat.

Gjëja e dytë që u mundova t’ia shpjegoj nënës time dhe fëmijëve të mi ishte se Ibrahim Rugove ishte personi i cili në mënyrën më magjike arriti që vlerat tradicionale të kombit të tij t’i bartë dhe t’i paraqesë nëpër botë dhe të njëjtat ti bëjë të pranueshme si vlera perëndimore për të gjitha shtetet dhe popujt të botës.

Duke i paraqitur vlerat kombit të vet dhe duke i bërë ato të pranueshme dhe të inkorporueshme në sistemin e vlerave perëndimore ai arriti ta largojë përherë dhe përgjithmonë aureolën ideologjike dhe propagandistike me të cilën ky popull

konsiderohej se ishte një mbetje otomane diku në një copë të largët të Evropës dhe, si e tillë, të konsiderohej e parëndësishme botërisht.

Ibrahim Rugova, ishte një intelektual i lexuar, ishte një erudit i heshtur, ishe një dijetar i paimponueshëm dhe pa arrogancën më të cilën thuaja të gjithë intelektualët aktualë mundohen të imponohen jo jashtë vendit, por brenda vendit.

Ibrahim Rugova ishte një intelektual që ishte konkurrent më intelektualët dhe akademitë evropiane, prandaj ai, përveçse në botën politike, ishte i pranueshëm dhe i respektuar edhe në botën akademike dhe intelektuale të botës. Ai i bëri ta respektojnë të gjitha akademitë dhe universitetet e botës.

Ibrahim Rugova e bëri çështjen e tij jo duke u servilosur kancelarive evropiane dhe amerikane por duke e arsyetuar lirinë e vendit të tij.

Ai zuri miq jo pse i nënshtrohej çdo ambasadori dhe politikani nga vendet evropiane dhe nga Amerika por duke iu dëshmuar dhe arsyetuar atyre pse vendi i tij duhej të ishte i pavarur.

Ibrahim Rugova ishte politikan i respektueshëm jo pse iu nënshtrua çdo ambasadori të huaj por pse, kur ishte nevoja, ai i kundërshtonte ata me pedantëri por e arsyetonte me dëshmi dhe arsye kundërshtimin e tij.

Vetëm në këtë mënyrë ai u bë personaliteti i vetëm i Kosovës dhe vetëm në këtë mënyrë ai arriti që ta arsyetojë lirinë e pavarësinë e vendit të tij dhe e fitoi përkrahjen nga të gjitha superfuqitë perëndimore.

Ibrahim Rugova e ndiqte në hollësi rregullin shqiptar për mikun e vërtetë. Ai krijoi miq të vërtetë për popullin e tij dhe miqtë e tij e respektuan në nivelin që i respektonin burrështetasit më të mëdhenj të kohës.

Ibrahim Rugova ishte i hapur me miqtë dhe prej tyre dinjitetshëm kërkonte ndihmë. Ibrahim Rugova dinte t’u thoshte jo atyre dhe dinte që, edhe në këto raste, t’i kishte miq edhe më tutje.

Ibrahim Rugova mendonte se pa miq nuk mbahej dhe nuk bëhej shtëpia por kërkonte prej miqve që ata t’i përmbaheshin kodit të besnikërisë dhe nderit.

Ibrahim Rugova në diskursin e tij i përmbahej në mënyrë të plotë dhe pa asnjë shkarje kodit të etikës së lashtë të popullit të tij.

Ai kurrë nuk ndërtoj kauza dhe ide mbi bazën e denigrimit dhe të dëmtimit moral dhe kombëtar të tjetrit.

Ai i përmbahej me shumë xhelozi maksimës sipas së cilës fjala vret më shumë se plumbi prandaj, gjithkah, gjithkund dhe kurdoherë, gjuha e tij, narrativa e tij, dhe diskursi i tij bazohej në humanizmin kombëtar që ishte mbjellur dhe kultivuar për shekuj ndër ne.

Ibrahim Rugova, ishte një politikan që nuk shprehej nëse ishte i djathtë apo i majtë. Ibrahim Rugova i ndiqte traditat më të mira kombëtare por edhe traditat më të mira demokratike të botës.

Për të prona, morali dhe dinjiteti i njeriut ishin te pakontestueshme. Ai e respektonte pronën e shtetit dhe pronën e njeriut.

Ai donte që në shtetin e tij gjithkush të ndihej njeri prandaj e mbronte moralin individual njerëzor.

Ai donte që njerëzit e vendit të tij të ndiheshin pjesëtarë të barabartë të këtij vendi dhe prandaj e mbrojti përjetë dinjitetin njerëzor të individit por edhe të komuniteteve dhe bashkësive të ndryshme etnike dhe sociale.

Ibrahim Rugova ishte njeri i Zotit. Me të, myslimani ndihej i bekuar për besimin e tij dhe i krishteri ndihej i shpëtuar nga Jezusi.

Me Ibrahim Rugovën të dy komunitetet fetare, në rend të parë, ndiheshin shqiptarë dhe në këtë pikë nuk kishte asnjë fuqi mbi dhe që ta bënte të ndryshëm. Për këtë, me Ibrahim Rugovën në mendje e në shpirt, për lirinë e këtij vendi vdiqën myslimanët dhe të krishterët,

priftërinjtë dhe hoxhallarët, ateistët e deistët, demokratët e komunistët, monarkistët e republikanët.

Prandaj kur i tërë populli i bënin homazhe trupit të tij, të gjithë këta që i përmenda e përshëndetnin dhe i faleshim emrit të tij.

Për këtë arsye, Ibrahim Rugova nuk mund të trajtohet i djathtë, po nuk mund të trajtohet i majtë, po as nuk mund të konsiderohet kundërshtarë i asnjë rryme dhe ideologjie nëse ajo do të ishte në funksion të lirisë dhe vendit të tij.

Ibrahim Rugova ishte promovues i lirisë dhe sipas asaj që ai rrezatonte, liria nuk është një proces që mund të përfundojë.

Sipas Rugovës Liria ishte një frymë që duhej të kultivohej mbi të drejtën, mbi humanizmin, mbi dijen dhe mbi zhvillimin.

Ibrahim Rugova pretendonte që për lirinë të luftohej dhe ajo duhej të mbrohej mbi atë që e quajmë demokraci dhe demokracia, sipas tij, ishte kur konsiderohej mendimi dhe vota e çdo individi.

Ibrahim Rugova nuk ishte një politikan që futej dhe bëhej pjesë e krimit të organizuar, që dëmtonte dhe vidhte paratë dhe pasurinë e popullit të tij, që përdorte pushtetin për ta mbytur zërin kundër apo alternativat tjera politike.

 Ai nuk ishte politikan që do ta grabiste vendin duke i privatizuar me çmime banale asetet e tij. Ai nuk vrapoi pas pasurisë kombëtare dhe nuk mblodhi asnjë pasuri për vete e për klanin e tij. Ai nuk privatizoi toka, nuk privatizoi fabrika e hotele, nuk bleu çka mund të blihej nga pasuria e vendit të tij.

Ai nuk pati kurrë qasje në fondin e 3%, nuk e shpenzoi asnjë cent nga ai fond dhe nuk e keqpërdori gjatë luftës dhe pas luftës.

Ibrahim Rugova nuk krijoi grupe të interesi dhe nuk krijoi grupe e klane as në parti e as jashtë saj. Ibrahim Rugova e vlerësonte secilin dhe e respektonte secilin në bazë të vlerave njerëzore, intelektuale dhe politike që përfaqësonte secili.

Ibrahim Rugova nuk bënte kompromise ‘të dhimbshme, dhe për asnjë arsye nuk e dëmtonte kauzën e tij politike. Për të shteti, integriteti, liria, drejtësia, demokracia dhe barazia ishin koncepte dhe kauza, ishin udhërrëfyes dhe parime.

Në kohë të Rugovës nuk ndodhte të ndiheshe i anashkaluar dhe nuk ndodhte të të hidhnin anash edhe pse mund të kishe një alternativë tjetër ideore.

Me Rugovën ndiheshe i nderuar dhe i respektuar. Rugova nuk bënte pazare me të vdekurit e partisë së tij dhe nuk merrte vota me tragjedinë e tyre.

Me Rugovën nuk ndiheshe ne mjegull se çdo të bëhet me vendin tënd dhe me atdheun tënd. Me të e dije se Kosova do të bëhet shtet normal ku do të kishte të ardhme dhe perspektivë. Me Rugovën nuk të vinte turp të quheshe kosovarë apo tëtregoje se je prej Kosove.

Se Rugova kishte një qëllim. Lirinë dhe demokracinë. Kishte qëllim Kosovën dhe të ardhmen e saj, kishte ëndërr ndërtimin e shtetit demokratik dhe të lirive njerëzore.

Me Rugovën ndiheshe se je pjesëtar i një shteti të vogël e të varfër por ishe krenar dhe me plot shpresë.

Pak a shumë këto ishin ato që me fjalë të thjeshta u mundova t’ua shpjegoj nënës dhe fëmijëve të mi. Këto ishin disa nga ato që, në moment, mu kujtuan për prijësin e madh.

Derisa fëmijët më përqeshnin sikur po tregoja një rrëfim nga përrallat e njëmijë e një netëve, nëna ma bëri një pyetje të thjeshtë: Xajë, ku jon t’gjitha kto qi mi the??? Rugova ka dek me t’gjitha qato qi mi kallxove, s’ka mbet kush mo mas Rugovs! K’nellu, djali jam!

Unë ende dua të besoj se ka njerëz që rugovizmin e kanë ide dhe parim por ata nuk shihen dhe nuk dëgjohen, përndryshe s’do të vrapoja pas një ideje të vdekur që se përfaqëson askush, ashtu siç mendon nëna ime dhe me të cilën, meqë nuk e besojnë, qeshin fëmijët e mi!

Kalendari

Ngjarjet e datës 1 Qershor 2020

- Për nder të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve 1 qershorit, kompania ndërtimore “Qami Construction” do të dhurojë gjak në Qendrën e Transfuzionit të gjakut dhe bën shpërndarjen e dhuratave për fëmijët të cilat janë të shtrirë në Klinikën e Pediatrisë. (Qendra e Transfuzionit të gjakut në QKUK, ora 9:00)

- Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, KOMF organizon konferencën për media për publikimin e Raportit të Monitorimit “Komuna Ime, e Drejta Ime Sociale”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Në kuadër të Javës së Gjelbër, Komuna e Prishtinës do të organizojë mbjelljen e drunjëve. (Kampusi Universitar të Universitetit të Prishitnë, ora 11:00)

- Komisioni për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike, shqyrton Raportin vjetor të Agjencisë Kosovare të Privatizimit – AKP për vitin 2019. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:00)
 
- Instituti për Zhvillimin e Politikave Sociale (IZHPS), me financimin nga FES, publikon hulumtimin “Qasja në mësimin online dhe kushtet e jetesës për familjet përfituese të Skemës së Asstencës Sociale gjatë Covid-19. (Hotel Sirius, ora 11:45)

- Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale dhe Hulumtime prezanton hulumtimit “A po ndryshon koncepti i atësisë në Kosovë?”. (https://docs.google.com/forms/d/e/1FAIpQLSdlUfSJPvTqynWzbxg2lXiq2Csq7vFeKnBg_kVgfvyHCkfpkQ/viewform,  ora  16:00)