15 Prill 2021

Rugova: Shkrimtari President

Shkruar nga Sabri Hamiti

Në shekullin modern, disa herë, shkrimtarët (krijuesit) kanë provuar të kalojnë në veprimtarë (politikanë), në rrethana të ndryshme për vendet dhe popujt e vet. Rugova u bë President i Kosovës, ashtu si Vaslav Havel President i Çekisë.

Ekziston një lidhje dhe një ngjashmëri e këtyre dy rasteve të fundit, edhe pse misioni i tyre dallohet: Haveli kërkoi liri, kurse Rugova edhe liri, edhe shtet.

Pra, si bëhet e pse bëhet homo politicus një homo poeticus; dhe ky kalim a është produkt personal apo produkt i rrethanave të një vendi e të një populli?

Rugova poeticus (krijues) shtrihet në kohë në dy decenie: nga viti 1968, kur rimori Ismail Qemalin dhe pavarësinë e Shqipërisë, deri në vitin 1987, kur refuzoi pushtetin e dhunës. Rugova politicus (veprimtar e udhëheqës) kap dy decenie kohë, nga viti 1987 deri në vitin 2006. Mirëpo, dramatika e kalimit nuk ngjet përnjëherë. Rugova i parë ishte poet, kritik e mendimtar.

Rezistenca e tij nis e zhvillohet si rezistencë artistike e kulturore, atëherë kur kultura merr një rol themelor social. Kjo disidencë kulturore në fillim duket njëherësh e errët dhe ndriçuese. Është një “zonë gri” ndërmjet asaj që është e lejuar dhe asaj që është e ndaluar, do të nënvizonte Haveli. Kjo është kohë e jashtëzakonshme, kur në gjysmëdiktaturë, krijuesit u drejtohen lexuesve, të cilët lexojnë për mrekulli ndërmjet rreshtave dhe kjo bëhet jehonë.

Prandaj kuptohet kaq lehtë në Prishtinën e kohës, refuzimi estetik i Rugovës (ndaj Njëshit e diktaturës), për të pohuar mendimin e lirë dhe alternativën. Prandaj Rugova vetë insiston që krijimi është dhe mbetet autonom.

Mirëpo, krijuesi, nëse duhet të ketë përkatësi, atëherë ai duhet të jetë i popullit e jo i oborrit. Kjo do të thotë që refuzimi estetik bën të mundur qerthuj të rezistencës, pa u larguar nga kreacioni letrar i rezistencës. Kjo bën strukturimin e butë të rezistencës, vetërregullimin e jetës në rezistencë dhe filozofinë e jodhunës si hyrje në çlirim.

Rugova, me heshtje krijuese, e mbyt zhurmën rreth vetes, në mënyrë që të dëgjohet gjuha e tij e pëshpëritjes (dhe lutjes njerëzore), me shprehje të buta e qëndrime të forta.

Dramatika e kalimit të Rugovës ishte e dyfishtë: dramë e mbrendshme dhe e jashtme. Grindja e brendshme ndërmjet ëndrrës dhe kreaturës reale bëhet jopaqëtore. Grindja e jashtme, me rrethin e me kundërshtarët bëhet e egër, e rrezikshme.

Kjo ka të bëjë me kolegët sederhollë e joveprues, gjendje të cilën Rugova e përkufizonte me figurë: Me hangër gurë të nxehtë. Ndeshja me dhunën e jashtme ishte e rrezikshme dhe pa barazpeshë; gjendje të cilën Rugova e përsëriste shpesh edhe me rezignim: Ne kemi fjalët, ata kanë plumbat. Këtu duhet të kapet filozofia e jodhunës dhe e durimit, sepse urtia popullore po i fliste me zërin e Fishtës: Sepse trimi kurrë nuk ngutet, prej urtie, jo prej tutet.

Prandaj Rugova u bë një me të vetët, u pranua nga mbrenda, u pranua e u adhurua nga jashtë. Ai shumë më herët u bë President i popullit të vet, e pastaj President i shtetit, për ta fituar cilësimin kohor President Historik i Kosovës. Sepse ai u bë veprues e bashkues, por kurrënjëherë militant, duke mbetur mbrenda shpirtit të kreatorit e të vizionarit.

Rugova u bë prijës shpirtëror, që kapërcen kohët e hapësirat. Ai mbeti lundërtar lirie, që nuk ka kapërcim, i gjerë si deti, i qëndrueshëm si mali (mal e det), që nuk tronditet as kur gjuhet me gurë: kjo është filozofia e durimit të tij, e cila niset nga dëshira për t’u bërë shpresë, sepse shpresa në të vërtetë është besim, kurse besimi gjithmonë është i lidhur me një vizion.

Rugova krijoi ide e libra dhe bëri veprime. Librat  dhe veprimet e tij tashmë janë trashëgimi e kulturës dhe e humanizmit të kombit shqiptar, që shumëzohet i shenjuar në mendimet e lexuesve të tij, duke e ribërë prapë e prapë Rugovën e letërsisë. Vizioni i tij pra është vepër e papërfunduar, ai mbetet lundërtar lirie i përjetshëm.

Pamja e Rugovës mbetet unike, me flokët e gjatë të (rock) rebelimit, lidhur në fyt një shall, si shenjë identifikuese poetike apo si shenjë e një trashëgimie autentike dhe një kravatë, si shenjë të përfaqësuesit, Presidentit.

Kjo pamje është bërë kaq identifikuese e punës dhe e veprës së tij edhe mbrenda edhe jashtë vendit. Dhe kujtimi i tij na çon në kujtimin shpirtëror të Rugovës, që unë do ta bëja me figurën e ikonës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 15 Prill 2021 - Handikos dhe The Balkan Forum tashmë kanë nisur kampanjën ‘Thuaj Jo Qeseve të Plastikës’  përmes një aktiviteti simbolik zyrtarisht do të prezantojmë strajcat e ri-përdorshme të punuara tash e disa muaj nga personat me aftësi të kufizuara. (Sheshi ‘Skënderbeu’ dhe ‘Nënë Tereza’, ora 10:00)

- Këshilli Gjyqësor i Kosovës mban mbledhjen e radhes. (Platforma Zoom, ora 10:00)

- Mbahet seanca gjyqësore kundër të pandehurit Agim Hamdija për vepren penale 'Organizimi i skemave piramidale'. (Gjykata Themelore në Ferizaj, ora 10:00)

- Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim nis shpërndarjen e pakove ushqimore dhe higjienike për familjet në nevojë, me rastin e muajit të Ramazanit. (Qendra për Promovimin e Drejtave të Grave në Drenas, ora 10:30)

- Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapsinor dhe Infrastrukturës  Hysen Durmishi do të mbajë konferencë per media. (Objekti i MMPHI-së, salla B201, oa ora 10:30,

- Kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Ekonomisë dhe Ambientit, Artane Rizvanolli, vizitojnë ekipin e kampanjës 'Thuaj jo Qeseve të Plastikës'. (sheshi ‘Skënderbeu’ , ora 12:00)

- Pronarët e sallave të dasmave mbajnë takim lidhur me masat anti-Covid. (Golden Imperial në Veternik, ora 14:00)

- Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim nis shpërndarjen e pakove ushqimore dhe higjienike për familjet në nevojë, me rastin e muajit të Ramazanit. (Palestra Sportive “Tota” në Vushtrri, ora 14:30)