19 Prill 2024

Rrugëtimi i Kosovës drejt stabilizimit apo drejt shpërbërjes

Shkruar nga  Behxhet Sh. Shala - Bajgora

Situatë e re, sfida të reja: Procesi zgjedhor i 6 tetorit 2019 ishte teknikisht në rregull, një hap afër standardeve të përcaktuara ndërkombëtare.

Kontaminimin apo ndotjen e këtij procesi e bënë disa komisionerë të papërgjegjshëm, të korruptuar dhe të kompromituar sikur edhe në të gjitha zgjedhjet paraprake.

Lufta apo më mirë të them hajnia është bërë brenda llojit, brenda të të njëjtit subjekt politik për faktin se nuk është lejuar hajnia midis subjekteve të ndryshme.

Më shumë se 35 % të vendvotimeve shkuan në rinumrim. Pati veprime kriminale gjatë votimit ; Lista Serbe i dërgoi në arkivë serbët e Kosovës që janë integruar apo që duan të integrohen në institucione të Kosovës me ndihmën e shantazhit, kërcënimeve dhe, sidomos me ndihmën e Aleksandar Vuçiqit, presidentit të Serbisë sikur edhe me ndihmën e ndërkombëtarëve në Kosovë që nuk ndërmorrën asnjë veprim për të siguruar  kushte të barabarta për të votuar dhe për t’u votuar aq më parë që prania e institucioneve kosovare në lokacionet ku jetojnë serbët ka qenë thuaja simbolike dhe jodomethënëse.

Për këtë arsye “ serbët e Albinit “, sipas Beogradit nuk kishin as gjasa teorike të kalojnë Rubikonin.

Në anën tjetër edhe kandidatët për deputetë të PSD –së e pësuan keq pasi u “ rrahën fort “  nga votuesit. Po të shkonte e vetme në zgjedhje PSD –ë do të ndahej shumë më mirë sikur që edhe AAK-ë do të ndahej më mirë po të mos shkonte bashkë me PSD-ë. Më së keqi e ka pësuar Nisma që përkundër të gjitha rregullave kombëtare dhe politike u “ martua “ me AKR-në dhe PD-në e që ndikoi që pjesa më kombëtare e Nismas të mos votojë këtë koalicion.

Jam shumë i sigurt se po të shkonte Nisma e vetme në zgjedhje, pa asnjë problem do ta kalonte pragun zgjedhor, kështu, gjatë bërjes publike të rezultateve, herë vdesë ( kur është nën 5% ) dhe herë ngjallet (kur mendon se është mbi 5 %).

Pas zgjedhjeve të 6 tetorit 2019 e kemi një situatë shumë relaksuese hiç këtu Nismën dhe disa kandidatë për deputetë ; LVV doli fituese e zgjedhjeve, e dyta ishte LDK-ë, e treta PDK-ë si dhe e katërta AAK-ë.

Partia e pestë ishte Lista Serbe kriminale që i fitoi të gjitha mandatet në Kuvendin e Kosovës. Dy partitë që ishin në pushtet, PDK-ë dhe AAK-ë, me një shpejtësi të pabesueshme deklaruan se i pranojnë rezultatet e zgjedhjeve dhe se do të kalojnë në opozitë duke kundërshtuar çdo mundësi të bëhen pjesë e pushtetit e që paraqet një standard të ri në Kosovë e që ka munguar më parë.

Gjithashtu, dy të “ dashuruarit “ e kahmotshëm, LVV dhe LDK u deklaruan se do të lidhin kurorë politike dhe kanë mbetur disa çështje teknike për kushtet e martesës.

Duket se kumbara kryesorë i kësaj martese do të jetë ambasadori Kosnnet, i cili do të përcaktojë përfundimisht kushtet e martesës apo do ta noterizojë këtë martesë, më herët të paimagjinueshme !

Nëse më parë ndërkombëtarët këmbëngulnin që LVV të mos jetë pjesë e pushtetit tash kanë filluar të bëhen nervozë pse LVV dhe LDK nuk po nxitojnë të shkojnë në “ shtratin e Prokrustit “, të quajtur pushtet.

Nuk ka asnjë arsye që të vonohet në jetësimin  e koalicionit që fitoi zgjedhjet dhe këtë vonesë mund ta bëjë LVV nëse votat e diasporës i dërgon në Gjykatë Kushtetuese. Janë bërë grupet teknike për ndarje të pushtetit midis LVV dhe LDK ku hurin dhe burgjet i do LVV kurse kuletën LDK.

Kjo ndarje, nëse është e vërtetë i jep atribute LVV si parti hakmarrëse dhe që dhunën do e përdorë në vend të politikës aq më parë që “ skifterat” e LVV, ndonëse pa kthetra dhe të lodhur fare për shkak të moshës, vuajtjeve dhe mbushjeve negative, çdo ditë dërgojnë porosi të dhunës, dikur nga opozita dhe pa pushtet kurse tani nga pozita dhe me pushtet.

Pastaj po ka përgënjeshtrime por se nuk po e kanë forcën e kërcënimit. Realisht, sot askujt nuk ia ndien nëse kërcënohen nga dikushi apo, më mirë të them nga askushi për faktin se, sa më i lartë të jetë intensiteti i kërcënimeve, aq më e shkurtër do të jetë jeta e koalicionit qeverisës.

Albin Kurti, si Hudini po barazpeshon me këto kërcënime duke mbajtur një qëndrim më pajtues me opozitën, ndryshe do ta kemi gjendjen aktuale të Shqipërisë në Kosovë, madje me pasoja më të rënda.

Shpresoj të mos jetë kjo vetëm një retorikë e Albinit që, për një periudhë të shkurtër “parakryeministrore“ ka bërë më shumë takime se disa kryeministra gjatë mandatit të tyre.

Dhe kryesisht po takohet me ata që më së shumti e kanë sulmuar dhe nuk e kanë përkrahur, me personalitete të deklasuara njerëzore, politike dhe kombëtare.

Nuk keni nevojë të konsultoni arkivat e Stambollit, të Vjenës apo të Venedikut e të bindeni për këtë që e shkrova më lartë, mjafton të rilexoni shtypin e disa viteve më parë!

Ndërkombëtarët përfundimisht kanë vendosur të eliminojnë nga skena politike krahun e luftës por jo edhe njësinë paramilitare të Serbisë në Kosovë e quajtur dhe kamufluar si parti politike, Listen Serbe.

Axel Luta dhe shot – gun Albini: Lutfi Haziri është politikani legjendar i LDK-së i cili, në mënyrë stoike, heroike por edhe historike ka përballuar çdo vështirësi, qoftë personale e që për të nuk ka qenë ndonjë problem për t’u përmendur, sidomos me sfidat me të cilat është ballafaquar LDK – për të cilën Axel Luta, si Feniksi shumë herë ishte bërë shkrumb dhe hi por se gjithmonë ishte ringjallur dhe ringritur në kierarkinë e LDK-së.

Kur kishte “ kundërshtime “ për koalicion me PDK-në, Luta thoshte se ky koalicion i përngjanë bendit Gunns and Roses ku, PDK ishte Gunns ( pjesa e dhunshme ) kurse Roses, kush tjetër pos LDK-së.

Por kjo nuk iu pengonte aspak që të bëhen bashkë në seanca të orgjive politike, ku secili partner e gjente interesin, qoftë për arsye ekskluzivisht institucionale, qoftë për materializim të luftës çlirimtare.

Edhe në koalicionin e ardhshëm LVV – LDK, Luta parasheh që Albini do të jetë përfaqësues politik i Gunns –ave kurse Vjosa Osmani, përfaqësuese e trëndafilave apo Roses.

 Në çdo kontekst dhe në çdo situatë apo koalicion, Luta dhe LDK janë trëndafila e që në shumë raste kanë përfunduar edhe si karajfila ! Të vyshkur, pa asnjë dilemë !

Perceptimi publik dhe personal mund t’ju ndihmojë ta sajoni një arsyetim që ju nxjerrë nga një situatë e çastit mirëpo, nëse ky perceptim përsëritet pas të gjitha zgjedhjeve, jo që nuk iu ndihmonë por krijon rrethana rënduese e që iu japin rolin inferior në çdo orgji politike të quajtur koalicion prandaj LDK gjithmonë e ka pësuar dhe është keqtrajtuar nga partnerët e koalicionit. 

LDK duhet të lirohet nga virgjëria e ndershmërisë dhe drejtimi i akuzave drejt partive tjera për kapje të shtetit për faktin se edhe vet ka qenë pjesë aktive e kapjes së shtetit hiç këtu kohën kur Ramush Haradinaj e përfundoi 50 % të mandatit, si kryeminister.

LDK nuk do ta ketë aspak lehtë me LVV, shumë do të sfidohet sidomos për bisedime me Serbinë.

Janë dy botëkuptime krejtësisht të kundërta politike  prandaj do të ketë  sfida e sfida, deri në fund të rrugëtimit, nëse do të ketë kondicion të mjaftueshëm për këtë rrugëtim, me asnjë të panjohur dhe me epilogun e njohur dhe të imponuar, arritja e Marrëveshjes me Serbinë që, për bindjen time edhe është e shkruar dhe vetëm duhet të nënshkruhet.

Arkitektuar qeverisëse e koalicionit LVV – LDK : Albin Kurti, ende po flet si përfaqësues i opozitës, deri sa të ulet në postin që ua ka djegur prapanicën politike të gjithë kryeministrave të mëparshëm.

Ka qëndrim të fort për dialog me Serbinë dhe, nëse vetëm 50% të këtyre premtimeve i materializon politikisht, do të bëhet kryeministri më i përkrahur në Kosovë.

Me Listen Serbe po luan koçe për faktin se ajo mund të defaktorizohet por le të harrojë se me këtë Kushtetutë të Ahtisarit, do ta bëjë minister Nenad Rashiqin apo Slloben kurse do t’i dërgojë në recycle been, serbët e Aleksandar Vuçiqit dhe Goran Rakiqit.

Albin Kurti do të ishte më mirë që serbët që janë integruar në institucione të Kosovës e që në mënyrë kriminale janë eliminuar nga Lista Serbe, Aleksandar Vuçiqi, disa ndërkombëtarë konformistë dhe politikanë të kriminalizuar kosovarë, të krijojë kushte që të udhëheqin ndonjë agjension apo ta kenë ndonjë vend pune ku do të kishin mundësi të kontribuojnë për komunitetin e tyre me ç’rast do të rritej edhe fuqia elektorale.

E mira e këtyre zgjedhjeve është se ka përfunduar me sukses procesi i deratizimit politik me ç’rast janë eliminuar nga skena politike kosovare shumë minjë të tokës dhe nëntokës dhe brejtës të tjerë që kanë dëmtuar dhe infektuar çdo gjë në këtë vend duke e turpëruar Kosovën dhe qytetarët e saj në tërë botën, madje edhe në Afrikë.

 Është larguar ndryshku njerëzorë dhe moral me një proces lavazhi të pjesërishëm. E keqja e kësaj situate është se si shumë po përmenden burgjet pikërisht nga ata që shumë më heret është dashur të vendosen në burgje.

Është e pabesueshme lehtësia me të cilën po kërcënohen me burgje dhe hakmarrje dhe, për këtë Albin Kurti duhet të ketë me vete qetësues për një numër të falangistëve që kërcënojnë, në emër të Albinit dhe LVV sikur edhe qeverisë, e cila ende nuk është formuar.

Po harrojnë se në kohën kur tomisllavët e Serbisë dhe të Jugosllavisë na e mohonin lirinë të cilët tomisllavët e sotit e konsideronin si liri, nuk kishim asnjë problem të futemi në burgje apo të bëjmë çdo sakrificë që kërkohej nga ne por që frytet e kësaj sakrifice po e gëzojnë sot kryesisht mohuesit e lirisë dhe bashkëpunëtorët e mohuesve të lirisë.

Nëse ne u detyruam ta vazhdojmë rrugën e prindërve tanë për ta jetësuar ëndrrën dhe këngën e tyre të lirisë, pa asnjë dyshim këtë do ta bëjnë edhe fëmijët tanë sepse janë edukuar në këtë frymë. Lirinë ende nuk e kemi të plotë, për shtet as mos të flasim. 

Nuk është shtet kur 20 vjet pas përfundimit të luftës jeni të kufizuar të lëvizni lirisht nëpër vendet e botës së lirë. Nuk është shtet ky kur detyroheni të bisedoni për realizimin e kësaj lirie të lëvizjes duke ofruar dhe pranuar bisedime për koncesione materiale.

Nuk është shtet i mirëfilltë nëse shteti që ka shkaktuar aq shumë vuajtje, dëme dhe që ka bërë krime në Kosovë, me ndihmën e ndërkombëtarëve dhe donkishotëve kosovarë bëhet aksionarë me të drejtë pronësie në tokat e Kosovës dhe proceset politike të Kosovës.

Është zbehje e shtetit  situata kur detyroheni ta pranoni dhe votoni, në kushte të terrorizimit, një gjykatë Speciale që ndjekë viktimat kurse falë kriminelët.

Nuk ka ndonjë kuptim shteti ku paragjykimi në baza fetare është përcaktues për ardhmërinë politike, ekonomike etj.

Pas këtyre zgjedhjeve kemi një standard apo disa standarde që kanë munguar më herët nga opozita ; pastrimi i listave nga të korruptuarit e që autorësinë e ka te Kadri Veseli dhe pranimin e rezultatit të zgjedhjeve e që bashkautorë janë Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli.

Asnjëherë më parë nuk kemi pasur situata kur ka pasur deklarime aq të shpejta dhe aq të vendosura për pranim të rezultateve nga opozita dhe zotim se do të jenë opozitë konstruktive në të gjitha proceset nëpër të cilat do të kalojë Kosova.

Ky qëndrim i opozitës, nëse nuk ndryshon në ndërkohë, do ta margjinalizojë krejtësisht Listen Serbe andaj pozita duhet ta vlerësojë këtë.

Albin Kurti  e ka shtrirë kosën pak si gjerë ; po premton reforma në drejtësi, polici, shëndetësi, arsim, ekonomi etj.

Sikur të gjithë opozitarët para se të veshen me pushtet. Krejt këto premtime tingëllojnë bukur për veshin e dhunuar të qytetarit të Kosovës por, në rrethana aktuale është vështirë të materializohen, së paku në masën e premtuar.

Problemi kryesorë është Serbia dhe nuk do të ketë përparime në asnjë fushë deri sa të eliminohet ky problem.

Serbisë nuk i intereson se a kanë serbët e Kosovës të drejta ( kanë madje më shumë se vet shqiptarët që përbëjnë 93% të popullatës e mos të flasim për pakicat tjera që në raport me serbët diskriminohen brutalisht ).

Sebisë nuk i interesojnë serbët e Kosovës por i intereson territori i Kosovës prandaj deklaron se nuk ka njohje të Kosovës në kufijtë aktual.

Ndërkombëtarët, përjashtuar Gjermaninë janë të gatshëm ta përkrahin Serbinë në riokupim të territorit të Kosovës të ambalazhuar si marrëveshje detyruese për të gjitha palët e që do të nënshkruhej në oborrin e Shtëpisë së Bardhë në Washington, në prani të presidentit Tramp i cili po shërben si katalizator i proceseve politike në Kosovë e që, nuk kam asnjë dyshim do ta lënë Kosovën pa një pjesë të territorit të saj.

Nuk është ndërrimi i territoreve ide e Hashim Thaçit – Shimës por se atij i është imponuar. Nuk e di nëse do ta pranonte por jam i sigurt se Ramush Haradinaj,  duke e penguar përkohësisht këtë proces, e ka ngadalësuar një gjendje faktike siç ishte ndërrimi i territoreve.

Kosova është deklaruar se nuk ka aspirata territoriale ndaj asnjë shteti e që e ka futur si kategori kushtetuese prandaj, është më mirë edhe një herë, nëse është e pashmangshme të hyjë në një luftë të re me Serbinë se sa vullnetarisht ta jep edhe një milimetër të vetëm të territorit aktual.

Nëse Albin Kurti, me Vjosa Osmanin arrijnë ta mbrojnë integritetin territorial të Kosovës atëherë mund, me të drejtë të thuhet se Kosova po shkonë drejt stabilizimit.

Nëse Kosovës i merret edhe një milimetër i vetëm i territorit aktual atëherë nuk mund të thuhet ndryshe përveç se Kosova po shkonë drejt shthurrjes, si vend, si shtet dhe si popull! Në mbrojtje të integritetit territorial të Kosovës opozita duhet të sillet më pozitë se vet pozita duke e përkrahur 100% .

Në Kosovë më heret flitej për lozhën e masonëve apo Muratorëve të Lirë dhe në çdo kontekst përmenedeshin emrat e Veton Surroit dhe Blerim Shalës, si masonë. Gjithashtu flitej se arkitektë të politikës dhe politikave në Kosovë janë; Veton Surroi që qëndron prapa Albin Kurtit – Mr. Beanit dhe Blerim  Shala që qëndron prapa Hashim Thaçit – Shimës.

As nuk e pohoj e as nuk e mohoj ! Por, disi po besoj se këto bisedime me Serbinë do të jenë shumë të kushtueshme për Kosovën dhe se nuk do të ndahemi mirë.

Aspak nuk i besoj Donald Trampit se është qëllimmirë në këto bisedime sepse disi si shumë po ngutet. Filozofia e popullit qartë thotë se : “ kush ngutet, do të përmutet ... “ Qofsha i gabuar !
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)