25 Prill 2024

Roli i medieve në shtet-ndërtim, Shqipëria, shembull për Kosovën

Shkruar nga Muhamet Jahiri

Kosova po e shënon përvjetorin e saj të katërt të pavarësisë, një festë e madhe dhe një arritje  e llogaritur ndër më të mëdha për shqiptarët për rreth një shekull. Megjithëkëtë kjo festë mbetët nën hijen e një feste tjetër, asaj të njëqind vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptarë.

Zakonisht në raste të tilla, përveç asaj që është mbresëlënëse, i kthehemi edhe historisë për t’i kujtuar ato momente të lavdishme dhe i përulemi atyre që e realizuan një gjë të tillë. Edhe Shqipëria në kohën e saj kur u formua si shtet ndonëse e copëtuar, kishte shumë sfida të cilat i imponoheshin si rezultat i politikave dhe i rrethanave shoqërore të asaj kohe.

Ajo që është e veçanta në këtë rast për të cilin po flasim është roli i medieve, gazetarëve, publicistëve dhe i intelektualëve në ndërtimin dhe konsolidimin e shtetit shqiptarë.

Shtypi shqiptarë i asaj kohë ndonëse me dekada para shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë kishte luajtur një rol kyç për shqiptarët dhe Shqipërinë, duke e vendosur para çdo gjëje, madje edhe para interesave personale idealin kombëtarë dhe nevojën e meritën për krijimin e shtetit, me të drejtë të shqiptarëve.

Shumica e publicistëve, gazetarëve të cilët iu përkushtuan shkrimeve gazetareske qenë figura të shquara iluministë të cilët kishin një interes të lart kombëtarë.

Ndonëse në atë kohë nuk mund të saktësohet për zhanret e raportimit të gazetarisë, këta njerëz përmes “korrespodencave” dhe “letrave” të asaj kohë, nga krahina të ndryshme, pasqyronin gjendjen e shqiptarëve, problemet me të cilët ballafaqoheshin si dhe me shqetësimet e tyre.

Ndonëse në rrethana shumë të vështira, shumë herë me veprimtari ilegale për shkak të rrezikut, me kërcënime e shantazhe nga dashakeqës të shqiptarëve, këta iluminist shtrinë veprimtarinë e tyre në qendrat më të rëndësishme të kohës, me qëllimin e vetëm që kishin idealin nacional e kombëtarë.

Në njërën nga korrespodencat publicisti dhe shkrimtari i asaj kohe Pashko Vasa, duke u munduar t’i bind të tjerët se shqiptarët janë vetëm shqiptarë shkruante: “në të gjitha ndërrimet, qi u banë, ata nuk ndrruen as gjuhën, as zakonet, as mendimet e të parëve  të veht, por ndejnë e mbetne gjithmonë shqyptarë...”
 
Nga Egjipti, Rumania, Turqia, Bullgaria, Italia, e deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, këta publicistë e gazetarë arritën ta imponojnë idealin e tyre kombëtarë, arritën që të japin kontributin e tyre për ditën më të madhe për shqiptarët, ta shohin Shqipërinë e pavarur.

Edhe pas shpallës së pavarësisë së vendit (1912), shtypi, publicistë, gazetarë e intelektual të asaj kohe, ideal të tyre kishin njohjen e pavarësisë politike të Shqipërisë, njohjen e kufijve në arenën ndërkombëtare si dhe mobilizimin e opinionit publik për ta nxjerr Shqipërinë nga prapambetja.

Mediet, vazhduan gjurmët e paraardhëseve të tyre duke u munduar që ta pasqyronin vendin sa më mirë, e që do të ishte në interes të Shqipërisë dhe shqiptarizmës...

Por, në rastin e pavarësisë së Kosovës a po ndiqet rruga e publicistëve, gazetarëve dhe e medieve në përgjithësi nga paraardhësit tanë?

Cili është atributi i medieve në Kosovën e pavarur?

Në kohën e sotme, kur regjimet ideologjike kanë përfunduar dhe fjala e lirisë dhe e shprehjes është e garantuar po thuajse në çdo vend i cili frymon lirshëm, cili është deduksioni medieve në shtet-ndërtimin e vendit.

Mjafton të shohim kontributin e medieve dhe personaliteteve të shquara të Shqipërisë në kohën e shpalljes së pavarësisë dhe ta analizojmë e gjykojmë me të tashmen e Kosovës, në të njëjtën periudhë kohore.

Nis nga krahasimi dhe kontributi i paraardhësve dhe rolit të tyre në idealin e një Shqipërie të lirë, mund të themi se Republika e Kosovës në këtë periudhe në të cilën po thuajse ka kaluar shteti ëmë para një shekulli po çalon shumë dhe në vend se të ketë progres, çdo ditë shihet regres në këtë drejtim.

Kosova kur po shënon katër vjetorin e shtetësisë së saj, nuk e ka ndihmën dhe idealin kombëtarë medial siç e kishte Shqipëria, në të njëjtën periudhe të pas pavarësimit.

Problemet dhe gjendja e rëndë në të cilën kanë kaluar dhe po kalojnë mediet, kjo nuk duhet të arsyetohet me mos idealizimin dhe rolin në shtet-ndërtim. Kosovës në këtë periudhë kohore vërehet qartë se po i mungon një kontingjent i tillë, i cili do të jepte kontribut të jashtëzakonshëm në konsolidimin dhe zhvillimin e Kosovës në periudhën e shtet-ndërtimit.

Me gjithë sfidat e deritanishme Kosovës i nevojitet më shumë se kurrë kontributi medial e publicistik pozitiv, e cili do ta kishte për qëllim interesin kombëtarë.

Shumë herë kemi parë e kemi lexuar me dhjetëra artikuj të cilët me apo pa dashje i kanë sjell më shumë dëme shtetit katërvjeçarë, sesa që i kanë sjell informata e saktësi opinionit publik.

Roli i medieve në asnjë mënyrë dhe në asnjë rrethanë nuk duhet ta humbas pavarësinë e saj, mirëpo, nuk duhet harruar rëndësinë, idealin dhe interesin kombëtar, sidomos në rrethanat e shtet-ndërtimit.
 
Prandaj sot, kontributin për Kosovën nuk duhet ta japin vetëm politika, gjyqësori, e mekanizmat e tjerë,  por një gjë të tillë duhet dhe e kanë për obligim ta bëjnë edhe MEDIET, sepse ndoshta nesër apo edhe në shënimin e njëqind vjetorit të pavarësisë së Kosovës një gjë të tillë pasardhësit tanë nuk do të na FALIN!
 

(Autori është asistent në Degën e Gazetarisë së Universitetit të Prishtinës)  

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)