28 Mars 2024

Rizgjimi i çështjes shqiptare

Shkruar nga Ramiz Bojaj

Lidhja Shqiptare e Prizrenit, (njëra ndër ngjarjet më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar), mbetet sinonim ‘besëlidhje dhe betim’ mbi të cilën duhet ndërtuar platforma e unitetit nacional. LSHP-ja, ishte program i bërjes së shtetit real shqiptar. Me rastin e 133 vjetorit, pikërisht nga Shtëpia e Lidhjes, është dashur të shpallet platforma nacionale për unifikimin e shtetit shqiptar, sipas hartës së LSHP-së. Ngase mbi konceptin historik shkruhen e tashmja dhe e ardhmja, ku përgjegjësia na mbetet ne se si duam ta shkruajmë këtë.
 
 
Lidhja Shqiptare e Prizrenit, pa dyshim na përkujton njërën nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së kombit shqiptar në të gjitha dekadat. Në një eveniment kaq të rëndësishëm për historinë e vjetër dhe të re të kombit shqiptar, nuk janë të mjaftueshme vlerësimet nga këndi i vizitave ditore (zyrtare e jo zyrtare), për të nxehur kush më shumë e kush më pak qytetarinë. Po, nga kjo ditë, nga ky vend është dashur të shpallet platforma nacionale për unifikimin e shtetit shqiptar, sipas hartës së LSHP-së.

Betejat politiko-ushtarake e nisur nga Lidhja e Prizrenit, akoma tingëllojnë si çështje të pazgjidhura (çështja shqiptare në Ballkan). Organizimi i luftës së  armatosur për mbrojtjen e tokave shqiptare (nga aneksimi i vazhdueshëm sllavo-helen), duke përfshirë, Dardaninë (Kosovën me Luginën e Preshevës), Shkupin, Plavën e Gucinë me Ulqinin, ishte domosdoshmëri kohe për t’u mbrojtur nga aspiratat ekspansioniste të fqinjëve grabitçarë.

Në këtë kontekst mëtohej mbrojtja fizike e gjenezës shqiptare, ngase programet e memorandumet antishqiptare, kishin për synim ndryshimin etnik e demografik të hartës ballkanike.  Çdo tkurrje e kufijve etnik shqiptar, ishte e përshkruar me tmerret me çnjerëzore (masakra, dëbime dhe spastrime etnike), që serbomalazezët dhe grekët (të ndihmuar edhe nga otomanët) i bënin kundër popullatës civile shqiptare.

Spastrimi i Çamërisë kishte ndodhur me pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të taborreve ushtarake turke, të cilat luftonin përkrah forcave greke. Në këtë kontekst, bërja e shtetit shqiptar mbi konceptin nacional, lindur si ide shtetformuese në vitet (1878-1882), kishte edhe qëllim tejet human, e cila përfshinte mbrotjen nga masakrat e vazhdueshme që binin mbi kurrizin e shqiptarëve. Ky fakt rrjedh nga vet nisma e ndërtimit të platformës nacionalshqiptare, pa cënuar interesat e asnjë nacionaliteti tjetër, me të cilët fati ka dashur që të jetojmë në fqinjësi.

Ndryshe, anatemimi dhe shpërfillja e LSHP-së,  nga interesat e fuqive të mëdha, kishte shkelur pacipërisht të drejtat njerëzore shqiptare, për t’i bërë mish për top në gjashtë shtete, që kufizohen me shtetin administrativ shqiptar( Shqipërinë e sotme). Përpos copëtimit të tmerrshëm të tokave shqiptare, për shumë dekada, komunikimi ndërvellazëror dhe familjar ishte ‘mollë e ndaluar’. Çëllim i gjithë kësaj ishte tjetërsimi deri në asimilim i vëllezërve të një gjaku, gjuhe, kulture e historie.

Prandaj, që nga ato vite e gjer më sot, historia e Ballkanit është e mbushur dhe e stërmbushur me gjakun e shqiptarëve. Masakrat e Tivarit, Shkupit, spastrimi etnik i Nishit me rrethinë, masakrat e hershme dhe këto të fundit në Kosovës, ishin rrjedhojë e shkruarjes artificiale të kufijve në Ballkan.

Përgjegjësinë për këto tmerre makabre mbi supet e veta i mban edhe vet bashkësia ndërkombëtare, e cila vetëm pas 120 vjetësh, përmirësoi pjesërisht padrejtësinë historike qe iu bë kombit shqiptar (dëbimi i forcave pushtuese serbe nga Kosova).    
 
Shqiptarët nuk mund të funksionojnë të ndarë
 
Historia ka dëshmuar se shqiptarët nuk mund të funksionojnë si komb i ndarë. Këtë e fuqizon edhe akademiku ynë i njohur, Esat Stavileci, i cili vlerëson se coptimi i trojeve shqiptare ka nxitur “oreksin” e të tjerëve për të zgjëruar territoret e tyre në dëm të kombit tonë. “Shqipëria kombëtarisht e cunguar, shteti i Kosovës është me sovranitet të kufizuar, shqiptarët në Maqedoni me të drejta të privuara, shqiptarët në Kosovën Lindore jetojnë të sunduar. Të gjitha këto çështje kërkojnë trajtim dhe zgjidhje të drejtë”.

Shqiptarët e Kosovës Lindore, vazhdojnë të mbesin nën kërcënim serioz të ultranacionalizmit serb, politikë e programuar në memorandumet famëkeqe sllave, por e proklamuar zëshëm nga Beogradi zyrtar. Ky territor etnik shqiptar, ishte pjesë e Dardanisë antike, territor të cilin në masë tepër të tkurrur e ka trashëguar Republika e Kosovës. Shpifjet dhe trillimet që maqedonasit bëjnë kundër historisë shqiptare, (ndërtimet fshehura mbi kalanë ilirodardane, shpifjet në enciklopedinë famëkeqe, e gjer tëk keqtrajtimi shoqëror), kërkon reagim më të fuqishëm të autoriteteve shqiptare në Tiranë dhe Prishtinë.

Po ashtu, spastrimi i heshtur etnik i shqiptarëve në Mal të zi, si dheversulja serbe kundër Kosovës (propaganda e shpifur dhe opsionet për ndarje), janë shtytje tjera që na detyrojnë të mobilizohemi për një të ardhme më të mirë nacionale. Shqipëria mban autoritet jo shumë kredibil në kontekstin ndërkombëtar, në kontekst të të cilit kohë pas kohe zgjohen tendencat helene për territore shqiptare. Heqja e gjymtyrëve të kombit (copëtimi territorial) e kishin po këtë qëllim, defaktorizimin e shqiptarëve në rajon.

Shqiptarët e shtrirë gjeografikisht në Luginën e Preshevës, Republikën e Kosovës,  Maqedoni, Plavë, Guci dhe Ulqin përbëjnë etnikumin më të vjetër në rajon. Në këtë kontekst, vizioni i LSHP-së, duke ndërtuar platforme ideologjike me program politik e ushtarak nacional, të shtrirë në të gjithë viset shqiptare, mbetet i vetmi segment real për zgjihjen e çështjes shqiptare në Ballkan.

Organizimi mbi interesa të ngushta politike e ideologjike(1878-1882), bëri që zëri shqiptar të tremb fuqitë e mëdha (kongresi i Berlinit)  të cilat me ngut e me pahir, copëtuan dhunshëm tokat shqiptare. Andaj, Lidhja e Prizrenit, si kryeqendër shqiptare, hartoi projektin për të mbrojtur interesat e veta nacionale, dhe tërësinë territoriale të atdheut dhe formimin e shtetit shqiptar. Pra, shteti shqiptar sipas LSHP-së, mund të ndërtohej pa shkrepur asnjë plumb kundër popujve të tjerë.

Kjo dëshmon se shteti unik njënacional, ishte bazuar mbi kontekstin realhistorik, gjeografik dhe etnik, pa cënuar interesat e të tjerëve. Nga këndi i sotëm, mendoj se me rastin e 133 vjetorit, pikërisht nga shtëpia e lidhjes, është dashur të shpallet platforma nacionale për unifikimin e shtetit shqiptar, sipas hartës së LSHP-së. Mbi konceptin historik shkruhen e tashmja dhe e ardhmja, ku përgjegjësia na mbetet ne se si duam ta shkruajmë këtë. Figura të shquara si Abdyl Frashëri, Sylejman Vokshi, Iljaz Pashë Dibra, Ymer Prizreni etj., mbetën emblemë të përjetshme të bërjes së shtetit unik shqiptar.
 
 
Politika që braktisë historinë nuk ka ardhmëri
 
 
Prizreni qytet i ndërgjegjës shqiptare (kryeqyteti i Shqiptarisë etnike), pas 133 vjetësh, sërish mblodhi numër të vogël intelektualësh shqiptar, të cilët me kumtesa ditore vlerësuan rolin historik e politik që pati LSHP-ja. Duhet vlerësuar qëndrimet e  Kreshnik Spahiut, Kim Mehmetit, Esat Stavilecit, Adem Demaçit e Albin Kurtit etj., të cilët prekën nevojën urgjente për hartimin e një platforme mbarëkombëtare për zgjidhjen e çështjes shqiptare në Ballkan. Kreshnik Spahiu, vlerëson se shteti i Kosovës, nuk e ka zgjidhur përfundimisht çështjen shqiptare, por është vetëm një hap i madh, ose përmirësim i padrejtësisë së madhe historike që BN-ja bëri në kurriz të të kombit tonë.

“Ajo që ka munguar historikisht për popullin shqiptar, por që vazhdon të mungojë edhe sot, është një platformë mbarëkombëtare, një vështrim i përgjithshëm për të ardhmen, një vlerësim për situatën kombëtare dhe për zgjidhjet që duhet t’i jepet kësaj situate”.

Në këtë kontekst është fuqizuar bindja se kombi dhe shqiptaria duhet vënë mbi interesat e partive politike, dhe se flamuri kuq e zi, është betim për çdo shqiptar. Ndërkaq, Kim Mehmeti, vlerëson se çdo ngjyrim që shkon përtej ngjyrave nacionale nuk është asgjë tjetër përveqse një leckë e pavlerë.

“Vitet e fundit të gjithë ne e ngjyrosëm kombin me blu, rozë, të verdhë, me të gjitha ngjyrat, dhe të gjithë tentonin që sa më pak shqiptaria të jetë kuqezi. Kuqezi do të thotë që edhe kur valvit flamurin partiak ta dish që ai flamur është vetëm një leckë e pavlefshme pa flamurin kuqezi”.

Shqiptarët aktualisht jetojnë në disa shtete dhe është nevojë imediate për formimin e një shtet të ri. Ky vlerësim i lidërit të “Vetëvendosjes”, Albin Kurtit, mbetet, pothuajse i vetmi zë institucional si program politik për Shqipërinë unike.

“Ne jemi për bashkimin kombëtar shqiptar dhe mendojmë se ai nuk është në kundërshtim me integrimet evropiane, por jemi të vetëdijshëm se integrimet evropiane nuk mund të jenë zëvendësim për integrimin kombëtar. Vullneti i popullit duhet të mishërohet në referendume, të cilët e bashkojnë kombin në një shtet”. Referenca politike e LSHP-së dhe platforma e saj për unifikimin e kombit shqiptar, mbetet sinonim për të gjithë udhëheqësit e politikës nacionale. Kështu vlerëson simboli i rezistencës shqiptare, Adem Demaçi.

“Politika që e braktisë historinë nuk mund të ketë ardhmëri. Është domosdoshmëri që ne ta kthejmë historinë kombëtare në politikën tonë. Jemi i vetmi popull që padrejtësisht jemi nda në gjashtë copë”. Shqiptarët janë kombi më i përgjakur dhe më i prekur nga padrejtësitë historike në Ballkan, prandaj është koha të flasim në vetën e parë për rrugën dhe qëllimin tonë.

“Kosova është kompromisi më i madh që bënë shqiptarët këtyre viteve të fundit, sepse rruga e lirisë shqiptare ende mbetet e gjatë”, thoshte arkitekti i shtetit modern të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova. Për këtë shtet të ri është derdhur gjak brez pas brezi, prandaj askush s’ka të drejtë të na detyrojë që të heshtim për të drejtën tonë historike. Këtë na mesuan herionjtë tanë si Adem e Hamëz Jashari, Zahir Pajaziti, Agim Ramadani, vëllezërit Haradinaj e shumë e shumë të tjerë, të cilët mbesin emblemë përjetësie të historisë sonë të re. Lidhja Shqiptare e Prizrenit, njëra ndër ngjarjet më të rëndësishmene në historinë e kombit shqiptar, mbetet sinonim ‘besëlidhje dhe betim’ mbi të cilën duhet ndërtuar platformën e unitetit nacional, si funksion gjeostrategjik dhe  ekopolitik.
 
 
(Autori është publicist, analist dhe drejtor për marrëdhënie me publikun në Institutin për Hulumtime dhe Analiza të Politikave Ekonomike).
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)