26 Janar 2021

Rimëkëmbje apo kolaps ekonomik? Çfarë do të thonë historianët për ne

Shkruar nga Nora Hasani

Në çdo krizë ka një mundësi. Kosova para vetes ka mundësi unike të cilën po nuk e kapi tani nuk do ta ketë më.

Plani i rimëkëmbjes ekonomike nuk duhet të shërbejë vetëm si levë për të rifilluar ekonominë, por për ta ndërtuar një ekonomi të së ardhmes, që mbështetet në digjitalizim dhe ekonomi të gjelbër. 
 
Pandemia e ka zhytur botën në kohën më të errët e më sfiduese me të cilën është ballafaquar ndonjëherë.

Në ekonomi ka shkaktuar turbulenca të përmasave aq të mëdha, sa që pritet të lër pasoja më të thella se ato të “Depresionit të Madh” të viteve të 30-ta.

Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon tkurrje të ekonomisë botërore prej 3 për qind këtë vit - një zbritje prej 6.3 pikë përqindje vetëm për katër muajtë e fundit.

Sipas Financial Times, borxhi i qeverive në nivel global ka arritur tashmë nivelin e tij më të lartë në kohë paqeje e krahas saj po rritet edhe papunësia.

Si pasojë e pandemisë por edhe e masave të ndërmarra për parandalimin e saj, shumë punëtorë kosovarë humbën vendet e tyre të punës. Instituti GAP në raportin “Ndikimi i pandemisë COVID-19 në tregun e punës” thotë se vetëm në muajin prill 2020 janë regjistruar 32,377 punëkërkues të rinj.

Për t’u përballur më lehtë me ndikimin negativ të COVID-19 në shëndetësi e ekonomi, kërkohet qeverisje më e ndërgjegjshme dhe efektive, kërkohen veprime të shpejta por të menduara mirë dhe mbi të gjitha bashkëpunim gjithpërfshirës dhe konstruktiv.

Duke lënë anash kritikat, dallimet në ideologji, inatet e ndasitë – të gjithë duhet të ulen rreth një tavoline për ta përkrahur shëndetësinë dhe ekonominë.

Në një situatë të rënduar politike, ku politikëbërësit dhe ligjvënësit janë përqëndruar në diskutime të ashpra rreth dialogut me Serbinë, ekonomia është në prag të kolapsit.

Shumica e bizneseve janë duke operuar nën pikën e rentabilitetit. Me rifillimin e pagesave të kësteve, kamatave dhe tatimeve është rënduar edhe më shumë likuiditeti edhe i kompanive më të mëdha në vend - e mos të flasim për bizneset e vogla.

Kriza e vërtetë i ka goditur bizneset tani. Tre muajtë e ardhshëm do të jenë vendimtare për mbijetesën e bizneseve.

Deri më sot përkrahja qeveritare për sektorin privat ishte e zbehtë, pa ndonjë efekt të dukshëm.

E patëm një pako emergjente, me karakter kryesisht social, që nuk u implementua në tërësi dhe tani në Kuvend ndodhet projektligji për rimëkëmbje ekonomike.

Duke i ditur problemet në funksionimin e Legjislativit, mbretëron një pasiguri nëse projektligji që është i ndërlidhur me rishikimin e buxhetit dhe që parasheh një intervenim prej 1,2 miliardë eurosh do të marrë miratimin e përfaqësuesve të popullit.
 
Si doni që të mbaheni në mend?

Një gjë tanimë është e qartë - bota siç e njihnim para virusit nuk ekziston më. Kjo pandemi ka goditur aq fortë, saqë nuk ka se si të mos lë pasoja afatgjata.

Duhet të adaptohemi me normalitetin tonë të ri dhe të bashkëjetojmë me virusin. Rruga për t’iu përshtatur këtij normaliteti duhet të ketë një drejtim të qartë, përndryshe do të gjykohemi nga historia. 

Çfarë do të thonë historianët për ne? A do të thonë që kjo periudhë ishte momenti vendimtar i rimëkëmbjes së ekonomisë së Kosovës? A do ta vlerësojnë qeverisjen aktuale si qeverisje me vizion që arriti të riorientojë Kosovën dhe ekonominë e saj?

Apo do të mbahet në mend si një Qeveri që nuk e pati fare fokusin tek ekonomia? Apo ndoshta do të mbahet mend vetëm si Qeveria që e lejoj tërheqjen e 10 për qind nga Trusti Pensional për të rritur kërkesën agregate në përpjekje për ringjallje të ekonomisë?

Në çdo krizë ka një mundësi. Kosova para vetes ka mundësi unike të cilën po nuk e kapi tani nuk do ta ketë më. Plani i rimëkëmbjes ekonomike nuk duhet të shërbejë vetëm si levë për të rifilluar ekonominë, por për ta ndërtuar një ekonomi të së ardhmes, që mbështetet në digjitalizim dhe ekonomi të gjelbër.

Ky është çasti kur duhet t’a definojmë Kosovën që duam. Të kthejmë fokusin në shpëtimin e ekonomisë sonë edhe ashtu të brishtë. Të mendojmë në mënyrë strategjike duke ndryshuar strukturën e ekonomisë sonë përmes politikave të mirëfillta ekonomike dhe stimujve fiskalë. E çfarë kemi për të humbur, nëse së paku nuk provojmë?

Me përfshirjen e një agjende të gjelbër në rimëkëmbjen ekonomike, Kosova mund të përmbushë objektivat e saj për shfrytëzimin e burimeve të rinovueshme. Kjo do të krijonte më shumë vende të reja pune, siç bëri Gjermania gjatë Energiewende.

Një shtytje e madhe do të mund t’i jepej sektorit të energjisë së ripërtëritshme me disa hapa shumë konkretë: zvogëlimi apo heqja e TVSH-së për panele solare dhe eliminimi i barrierave burokratike që kompanitë e këtij sektori i hasin tek autoriteti rregullator i energjisë dhe autoritetet komunale.  

Mundësi tjetër të madhe paraqet edhe fakti se, për shkak të pandemisë, korporatat ndërkombëtare po hasin në vështirësi përgjatë zinxhirëve të tyre të furnizimit.

Ato janë në kërkim të furnitorëve të rinj dhe njëkohësisjt po punojnë në zhvendosjen e linjave të tyre të prodhimit nga Azia në Evropë.

Me mekanizma mbështetës të tilla si: stimuj tatimorë, lehtësira doganore, pushime tatimore dhe masa specifike për kompanitë prodhuese e në veçanti eksportuese do të mund të përkraheshin jo vetëm furnitorët potencialë, por edhe të krijohen stimuj shtesë për tërheqjen e investimeve të huaja direkte (IHD).

Për tërheqjen e IHD nuk duhet nënvlerësuar potencialin e madh që ka diaspora jonë. Ky potencial, qoftë për të sjellë investitorë, qoftë për ta rritur eksportin e prodhimeve vendore, asnjëherë nuk është shfrytëzuar si duhet.

Përveç krijimit të urave lidhëse dhe qasjes në tregje të huaja, kompanitë prodhuese kanë nevojë për qasje të lehtë në financa me qëllim të rritjes së kapaciteteve të tyre të prodhimit dhe përmbushjes së kërkesave të tregut. Kjo mund të bëhet përmes kredive favorizuese dhe skemave të granteve me kritere të qarta.

Masa konktete dhe politika të qarta lipsen edhe për sektorët me potencial, e këtu favorit absolut është ai i teknologjisë informative, që do të mund të çonte tutje digjitalizimin e sektorit publik dhe privat.

Në një periudhë afatmesme, një element shumë i rëndësishëm pa të cilin asnjë reformë rrënjësore nuk do të jetë e mundur, është fuqizimi i shkollave profesionale dhe universiteteve, që do të aftësonte kuadro teknike të përgatitura për tregun e ri të punës.

Kosova ngadalë, por në mënyrë të qëndrueshme mund ta ndryshojë strukturën e saj ekonomike dhe të zhvillohet fuqishëm pas recesionit – mirëpo vendimet për këtë duhet të merren tani.
 
(Ky editorial është pjesë e projektit të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) “Promovimi i transparencës dhe llogaridhënies publike në kohën e pandemisë Covid-19” i financuar nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS). Pikëpamjet e shprehura në këtë shkrim nuk i paqyrojnë medoemos ato të KFOS-it.)
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 26 Dhjetor 2020 - Punëtorët teknik  te cilët punojnë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” do të  protestojnë për pagën e tyre të muajit dhjetor 2020 të cilën ende nuk e kanë marr dhe për  mos  pajisje me kontratës së punës. (Para Rektoratit të UP-së”, ora 9:00)

- Kryeministri në detyrë Avdullah Hoti pret në takim përfaqësuesit e shoqatës “Down Syndrome Kosova”, SOS Fshatrave të Kosovës, OJQ “Handikos” dhe përfaqësuesit e strehimoreve të Kosovës. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 9:00 - vetëm pamje)

- Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj.Meliza Haradinaj-Stublla dhe Ambasadorja e Francës në Kosovë, znj.Marie-Christine Butel do të nënshkruajnë një memorandum bashkëpunimi. (Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ora 9:00)

- Instituti GAP dhe Kosovo 2.0 organizojnë diskutim virtual me temë "Rekrutimet jo meritore në sektorin publik: a do ta ndryshojnë institucionet e reja rrethin vicioz në rreth të virtytshëm?”. (https://zoom.us/j/93876352348, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e Komitetit për Politikë dhe Financa në Komunën e Prizrenit. (Shtëpia e Bardhë, ora 10:00)

- Këshillit Gjyqësor të Kosovës mban mbledhjen e radhës. (Mbledhja mbahet përmes aplikacionit ZOOM, ora 10:00)

- Grupi për Studime Juridike dhe Politike organizon tryezën e diskutimit me temë “Reforma zgjedhore në Kosovë: Sa është prioritet në programet e partive politike?”. (https://zoom.us/j/92385065303, ora 10:30)

- Promovohet libri i autorit Faton Mehmetaj ''Deçani Nëpër Shekuj'' - Promovimi i Trashëgimisë  Kulturore. (Salla e Asamblesë Komunale në Deçan, ora 11:00)

- Partia Socialdemokrate do të mbaj një aktivitet afër teatrit kombëtar. (Sheshi Skënderbeu, ora 12:00)
 
- Kryeministri në detyrë Avdullah Hoti merr pjesë në Inaugurimin e Qendrës Kulturore në Vushtrri. (Shtëpia e Kulturës në Vushtrri, ora 13:00)

- Kryeministri në detyrë Avdullah Hoti takon menaxhmentin e Trepçës dhe viziton flotacionin e mineraleve. (Miniera e Trepçës- Stantërg, ora 15:00)