10 Prill 2020

Raport me përmbajtje raciste

Shkruar nga Dr. Jakup Krasniqi

Këto ditë, opinioni shqiptar, evropian dhe ndërkombëtar është bombarduar, do të thosha barbarisht nga Projektraporti i Dick Martyt, anëtar i Asamblesë Parlamentare të KE-së, i cili është i  mbushur me shpifje, me trillime dhe me denigrime për gjënë më të shenjtë për shqiptarët, idenë e lirisë dhe të çlirimit, vlerë kjo e krijuar me lumenj gjaku, e përcjellë me flijime të shumta njerëzore, materiale dhe shpirtërore, me të cilat autori nuk u mor asnjëherë.

Akuzat për trafikim të organeve njerëzore, me trafikim të drogës dhe me kontrabandim të armëve nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, janë të pabaza dhe të padëshmuara, kurse vetë  Raporti është politikisht i njëanshëm, tendencioz, qëllimkeq dhe me përmbajtje tmerrësisht raciste dhe antishqiptare.

Ky Raport është vazhdim i deklaratave shpifëse dhe të papërgjegjshme të ish-kryeprokurores së Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për Krime të Luftës në ish Jugosllavi, zonjës Del Ponte, në librin e saj, për të cilat hetuesit nuk kanë gjetur prova të bazuara për t’i vërtetuar këto akuza.

Ky Raport përfaqëson përpjekjet e qarqeve të caktuara antishqiptare për ta barazuar luftën e drejtë dhe heroike të popullit të Kosovës dhe të Ushtrisë së tij Çlirimtare me masakrat e regjimit serb të Milosheviqit. Tentativat për t’i ngatërruar viktimat me xhelatin hedhin hije dyshimi për të gjithë aktivitetin dhe paanshmërinë e raportuesit të Këshillit të Evropës.

Populli i Kosovës dhe luftëtarët e tij janë ndier tepër të fyer dhe të indinjuar nga spektaklet e ulëta, të luajtura turpshëm, kësaj radhe jo në librushka të zonjës Ponte, por në foltoren e një institucioni të lartë dhe shumë të nderuar evropian, në Këshillin e Evropës.

Anëtari i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, zoti Dick Marty, një njeri me ndjenja të pakontrolluara urrejtjeje ndaj Kosovës së lirë dhe pavarësisë së saj, që na asocionon në disa qarqe të pakta antikosovare në botë, po luan një dramë të rrezikshme dhe të pandershme mbi kurrizin e një populli liridashës, paqësor dhe të shumëvuajtur.

Populli i Kosovës asnjëherë nuk ka bërë luftëra pushtuese, asnjëherë nuk i ka rënë në qafë kujt. Popullsia serbe, gjithmonë ka qenë komunitet pakicë në Kosovë, por kurrë nuk është dëmtuar nga shumica shqiptare dhe aq më pak nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila ka kontrolluar gjatë Luftës territore të tëra me popullsi serbe, por civilët nuk kanë pësuar asnjë dëm të vetëm.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk do t’i bënte kurrë veprimet që i përshkruhen në Raport, sepse ishte betuar në pastërtinë e luftës së saj çlirimtare, sepse lufta e saj kishte për qëllim idealet e popullit që e lindi, çlirimin e Kosovës,  vendosjen e paqes, ndërtimin e rendit demokratik dhe jo ambiciet profitere, sepse ajo respektonte ligjet humane të luftës, sepse mishëronte traditën dhe kulturën e popullit të vet që nga antika, sepse ashtu do ta dënonte veten e saj dhe aspiratat që i përfaqësonte. Së fundi duhet thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës as mund t’i kishte kushtet teknike për ta realizuar një veprim të tillë të shëmtuar.

Në emër të drejtësisë së luftës së shenjtë të Kosovës, të ish-ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare dhe të institucioneve dhe të qytetarëve që përfaqësoj, në emër të së drejtës dhe të së vërtetës, them me bindje dhe përgjegjësi se pandehmat e zotit Dick Marty, për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, në Raportin e tij të fabrikuar pa asnjë fakt, kurrë nuk do të mund të argumentohen, sepse nuk janë të vërteta.

Njerëzit që apostrofohen në Raportin famoz dhe denigrues, të zotit Dick Marty, janë në krye të shtetit modern dhe demokratik të Kosovës, i cili komuniteteve pakicë, duke e përfshirë në radhë të parë komunitetin serb, u ka siguruar me Kushtetutë, me ligj dhe në praktikë mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive civile dhe njerëzore, demokratike e kombëtare, përtej standardeve më të avancuara ndërkombëtare.

Fushata më e re antishqiptare, që po shohim dhe po e dëgjojmë, nuk është vetëm kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk ka të bëjë vetëm me të kaluarën dhe nuk drejtohet vetëm kundër Kosovës, sepse ajo si në lojë bilardoje, synon të rrëzojë shumë figura përnjëherë, duke i dëmtuar të ardhmen e Kosovës dhe miqtë e saj, që u solidarizuan me të, në kohë të vështira të luftës dhe në kohë paqeje të shtetndërtimit.

Jemi të vetëdijshëm, se as fabrikuesit e tyre, nuk i besojnë këto akuza, por edhe ata janë të vetëdijshëm, që derisa të vërtetohen si shpifje, në sytë e opinionit publik ndërkombëtar, imazhi i shtetit të ri të Kosovës do të jetë dëmtuar rëndë. Nuk ka më rëndë se kur të ndershmit i kontestohet ndershmëria. Kosova është prekur në palcë, në ndershmërinë e saj të shenjtë, në vlerat më të çmuara historike dhe aktuale.

Ne kërkojmë nga drejtësia që urgjentisht të merret me trajtimin e kësaj lënde, sepse sa më parë që ajo ta thotë fjalën e vet përfundimtare, aq më i vogël do të jetë dëmi publik, që na është bërë dhe aq më shpejt do të vendoset në vend dinjiteti ynë i nëpërkëmbur.

Unë besoj në drejtësinë, prandaj jam i bindur që ajo një ditë do të hedhë dritë të plotë mbi këto kualifikime arbitrare, denigruese dhe shpifëse. Jam i sigurt se akuzat e Dick Martyt kurrë dhe në asnjë gjykatë  ndërkombëtare,  të asnjë niveli, nuk do të konfirmohen.

Kosova, deri në qershorin e vitit 1999, ka kërkuar nga vendet e Demokracisë Perëndimore ta shpëtonin nga politika shfarosëse serbe e Milosheviqit, e cila asnjëherë nuk u dënua nga Dick Marty, përkundrazi u mbështet, kurse tani është e detyruar të kërkojë ta mbrojnë nga  njeriu i veshur me petkun e anëtarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Në rrethana të tilla na imponohet një pyetje për Senatorin Dick Marti dhe mbështetësit e tij:

Nëse themeluesit dhe drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me gjithë rrezikun e madh për jetën e tyre, të familjeve dhe të fëmijëve të tyre, të popullit, që rrezikohej për dëbim dhe për shfarosje, u paska pas rënë në mend deri dhe trafikimi me organet e njerëzve, me armë dhe me drogë, ai duhet të tregojë, në cilën klinikë zvicerane apo vendi të KE-së, në cilët individë u transplantuan ato, nga cili vend apo nga cili trafikant u blenë armët dhe ku u shitën ato, pasi UÇK nuk kishte armatim të mjaftueshëm, cili ishte rrjeti i trafikimit të drogës, prej nga merrej ajo dhe ku përfundonte? S'do mend se diçka e tillë dhe fantastike mund të ndodhë vetëm në filmat me supermen, por kurrë jo në kushtet tona të vështira, të kufizuara, që shpesh duhej të luftohej për jetë a vdekje.

Nëse Senatori zviceran përgjigjet në këto pyetje, ne, kemi gatishmërinë të përgjigjemi në cilëndo gjykatë zvicerane ose në cilindo vend tjetër të Këshillit të Evropës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 9 Prill 2020

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, do ta pret në takim Kryeministrin në detyrë të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, për të diskutuar lidhur me situatën aktuale të krijuar nga pandemia COVID-19. (Shtëpia e Bardhë, ora 10:30)

- Shkolla Finlandeze organizon Konferencën Virtuale “Si të regjistroheni në universitetet më të mira në botë” e hapur për të gjithë nxënësit në Kosovë. (Google Meet, ora 14:00)

- Komuna e Prishtinës promovon tunelin dezinfektues, i vendosur si masë shtesë për parandalimin e përhapjes së COVID 19. (Oborri i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, ora 14:30)

- Studentët e arteve të AAB-së, sjellin ekspozitën e parë virtuale të studentëve në Kosovë. (Transmetim live në faqen e Kolegjit AAB në facebook, ora 17:30)