28 Mars 2024

Pse po falimenton Telekomi i Kosovës?

Shkruar nga Ali Mehmeti

Të arrish të zbresësh të hyrat e Telekomit të Kosovës nga 182.5 milion euro  në 70.2 milion euro, kurse fitimin prej 97.7 milion euro ta shndërrosh në  humbje prej 51 milion euro, duhet të jesh vërtet talent !
 
Edhe njëherë, në mënyrë ciklike, po rikthehet tema e shitjes së Postë-Telekomit të Kosovës (PTK).

Herën e fundit, në vitin 2011 ky operacion dështoi (qëllimisht apo jo?) dhe shkaktoi një dënim gjyqësor në dëm të PTK-së prej mbi 8 milion euro.

Në atë kohë PTK-ja kishte fitim prej 51.5 milion euro, kurse në vitin 2016 shënoi humbje prej 51.1 milion euro! Diferenca 102.6 milion.

Për vetëm 5 vjet. Me këtë bilanc financiar, a thua, sa do vlerësohet kjo ndërmarrje, sa mund të shitet dhe kush mund ta blej? Për të kërkuar alternativat për shmangie të shitjes së ndërmarrjes që do duhej të ishte më fitimprurëse, duhet ta dimë se si arritëm gjer në këtë nivel ?

Në grafikun e parë mund të shihen lëvizjet e të hyrave dhe të fitimit gjatë viteve 2007 – 2017, nga i cili shihet se të hyrat kanë qenë duke u zvogëluar nga viti në vit, me oscilime të vogla.

Fitimi po ashtu, nga 97,7 milion euro fitim, në 51,1 milion humbje. Edhe pse tendenca ishte tërë kohën e njëjtë, arsyet në periudhat e ndryshme nuk ishin të njëjta.
 
Gjatë viteve 2007-2011 të hyrat kanë qenë relativisht të qëndrueshme, por raporti ndërmjet të hyrave dhe fitimit ishte tërë kohën në zbritje. Gjersa në vitin 2007, nga të hyrat e përgjithshme, 53,5% ishte fitim, në vitin 2011 ku raport ra në 31,7%, Pse ndodhi kështu?

Mjafton të shikoni grafikun e dytë dhe do shihni se gjatë këtyre viteve të gjitha shpenzimet u ritën, por shpenzimet për pagat e punëtorëve u ritën shumë, nga 31,8 milion në 48,5 milion euro.

Telekomi u shfrytëzua për “rahatimin” e familjarëve dhe bashkëpartiakëve, madje edhe të kundërshtarëve, vetëm e vetëm për t’ua mbyllur gojën.    

Nga viti 2012 fillon epokë tjetër. Nga PTK-ja u nda Posta, me ç’rast u “hoqën qafe” afër 1000 punëtorë.

Ky veprim rezultoi me uljen e shpenzimeve për paga të punëtorëve dhe u stabilizuan rreth shifrës 26 deri 28 milion euro.

Por, ky zvogëlim dhe stabilizim i shpenzimeve për paga nuk rezultoi as me rritje as me stabilizim të fitimit.

Fitimi vazhdoi të bie edhe më tutje, madje edhe më me shpejtësi, në vend që të ndodh e kundërta, pas ndarjes së Postës!

 Fitimi prej 44,1 milion euro në vitin 2012 u shndërrua në humbje prej 51 milion euro në vitin 2016. Po ashtu, të hyrat zvogëloheshin me shpejtësi.

Nga viti 2012 gjer në vitin 2017 ato shënuan ulje prej 52,47%, respektivisht ranë nga 147,7 milion euro në 70,2 milion.

Pra, mund të nxjerrim një përfundim: Falimentimi i Telekomit të Kosovës nuk ka ardhur si pasojë e numrit të madh, edhe pse të panevojshëm, të punëtorëve (por gjithsesi ka ndikuar në uljen e fitimit). Pse atëherë?

Në të njëjtën periudhë (2012-2017) shpenzimet operacionale ishin relativisht stabile, me oscilime të vogla. Shpenzime që pandërprerë janë rritur gjatë kësaj periudhe janë ”shpenzime tjera”. Për vetëm një vit, nga viti 2014 në vitin 2015 ato u rritën nga 17,6 milion euro në 26 milion. Të njëjtin vit, fitimi prej 18,6 milion euro u shndërrua në humbje prej 8,1 milion! Cilat janë këto “shpenzime tjera”?


Kryesisht ato shpenzime që kanë të bëjnë me kontraktorët e jashtëm: pagesa e qirasë, marketingu, dënimet gjyqësore, shpenzimet e udhëtimit, të mjeteve motorike e tjera. Në grafikun e tretë shihet se me çfarë shpejtësie janë rritur shpenzimet e qirasë dhe të marketingut.

Për këtë periudhë dhjetëvjeçare për marketing janë harxhuar 28,8 milion euro, madje edhe në kohën kur PTK ishte i vetmi operator. Për qira, shumë herë të panevojshme, abuzive, apo edhe fiktive, janë shpenzuar 48,8 milion euro.

Gërmimi nëpër këto shpenzime do mund të ishte “minierë e arit” për policinë dhe prokurorinë. Megjithatë, goditja përfundimtare erdhi nga dënimet gjyqësore që arritën vlerën prej 42,7 milion euro.


Në fakt, pyetja më e rëndësishme që duhet shtruar është: pse të hyrat e përgjithshme u zvogëluan për 52,47% nga viti 2012 gjer në vitin 2017, kurse për 61,53% nga viti 2007?

Arsyetimi se të ardhurat po zbresin ndër vite për shkak të përdorimit të teknologjive /aplikacioneve të reja (“Viber”, “WhatsApp”, ...) nuk qëndron, sepse ato përdorin internetin, kurse interneti nuk është falas.

Por, ofrimi i shërbimeve të internetit (qëllimisht ose jo?) është neglizhuar, madje edhe ka degraduar ndër vite.

 Në vitin 2012 25% të tregut të internetit është furnizuar nga Telekomi i Kosovës, për të rënë në vetëm 14% në vitin 2016, ku përfshihet qasja fikse dhe ajo mobile.

Për arsyen e mëparshme edhe numri i abonentëve fiks ka pësuar ulje nga 75.645 në 42.186 abonent (burimi: ARKEP - Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare – raporti 2016).

Sikur shërbimi i internetit të ishte në nivel të duhur do të tërhiqte pas vetës edhe shërbimet e tjera: telefoninë fikse dhe sidomos shpërndarjen e programeve televizive, të tre këto shërbime që do mund të ofroheshin në paket.

Megjithatë, pësimin më të madh ka shënuar telefonia mobile, e cila krijon shumicën e të ardhurave, ndërmjet 81 – 85% (shihe grafikun e parë).

Dhe pikërisht këtu qëndron problemi. Në vitin 2010, PTK e atëhershme nënshkroi një kontratë me Devolli grup për krijimin e një operatori virtual (Z Mobile) me të cilin do të ndante fitimin 78 : 22% në favor të operatorit virtual.

Sipas kësaj kontrate të gjithë infrastrukturën do e ofronte PTK, kurse operatori virtual do e bënte shitjen dhe marketingun?!

Kjo kontratë mundësoi që në vitin 2012, ky operator të zotëroj 9% të tregut të telefonisë mobile, që përkthyer në numra absolut bën 150.200 abonentë.

Në të njëjtën kohë Telekomi i Kosovës kishte 1.068.092 abonentë (burimi: ARKEP) dhe të ardhura nga telefonia mobile 127,4 milion euro (grafiku 1).

Pra, i bie që PTK ia fali Z mobile këta 150.200 abonent dhe humbi 14 milion euro vetëm në vitin 2012.

Sipas kësaj llogarie, në bazë të shënimeve të qasshme nga raportet e ARKEP dhe raportet financiare të auditorit të pavarur i bie që humbjet e Telekomit të Kosovës nga viti 2012 gjer në 2017 janë 82 milion euro për shkak të kësaj kontrate.

Dhe në vend që kjo kontratë të anulohet menjëherë nga gjyqësori i vendit, si e dëmshme për vendin, ajo zgjatë sot e kësaj dite.

Për më tepër, PTK paditet për shkak të shkeljes së ndonjë neni të kësaj kontrate dhe dënohet me rreth 28 milion euro në vitin 2016.

Ky vendim ende nuk është ekzekutuar, por në momentin që ekzekutohet Telekomi i Kosovës shkon në falimentim. Pra, humbjet e gjithmbarshme të shkaktuara nga kjo kontratë janë rreth 110 milion euro.

Të arrish të zbresësh të hyrat e Telekomit të Kosovës nga 182.5 milion euro në 70.2 milion euro, kurse fitimin prej 97.7 milion euro ta shndërrosh në humbje prej 51 milion euro, duhet të jesh vërtet talent !

Konkluzion:


As punësimet e tepërta dhe të panevojshme, as harxhimet e panevojshme dhe abuzive, as mos investimi në zhvillim dhe modernizim, as aplikacionet “Viber” dhe “WhatsApp” nuk e falimentuan Telekomin e Kosovës.

Atë e falimentoi kontrata e dëmshme me operatorin virtual Z mobile, që Telekomit të Kosovës i shkaktoi dëmin prej 110 milion euro.

Të shpresojmë se edhe kjo kontratë të bëhet “minierë” për policinë, prokurorinë dhe gjyqësorin, një ditë kur këto institucione do janë të pavarura, kur do përgjigjen jo vetëm ekzekutuesit por edhe ideatorët, urdhërdhënësit dhe përfituesit e kësaj kontrate !

/Autori është inxh.i dipl.i telekomunikacionit dhe Ish punëtor i PTK-së/

 

Shkarko te plote

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)