23 Tetor 2019

Pse ndodhemi në këtë gjendje?

Shkruar nga Bayram Pomak

Shteti i Kosovës qe 20 vite është i lirë dhe 11 të tjera, i pavarur. Shumë gjëra kanë ndryshuar gjatë viteve të fundit, e shumicën prej të cilave, as që kemi imagjinuar që mund të ndodhin.

Këtu mund ta veçojmë sidomos fushën e ndërtimtarisë dhe atë të infrastrukturës rrugore. Por gjatë kësaj periudhe, ndryshime ka pësuar edhe rajoni, e sidomos bota. Janë ndryshuar edhe gjeneratat...

Dikur gjithsecili ka shpresuar se e ardhmja, në secilin aspekt, do të jetë më e mirë. Por së fundi kjo logjikë ka filluar të përmbyset, nga “gjithçka do të jetë më e mirë në të ardhmen” në: “çdo gjë po përkeqësohet edhe më shumë”. Ky tip i të menduarit, nuk i takon ekskluzivisht vetëm kosovarëve, por edhe qytetarëve të tjerë në tërë botën.

Por cili është shkaktari i tërë kësaj? Ku ndodhet problemi? Për të gjitha këto pyetje mund t’i gjejmë përgjigjet adekuate, por për ta kuptuar problemin nga këndvështrimi ynë, ne po përpiqemi t’i trajtojmë me më kujdes faktorët që ndërlidhen me çështjen. Në përgjithësi, për hir të kësaj gjendjeje, barra e akuzave u hidhet institucioneve shtetërore.

Mbretëron një opinion i përgjithshëm, sipas së cilit, për shkak të paaftësisë së politikanëve, ne kemi përfunduar këtu ku jemi – në këtë situatë. Por në këtë rast, gjendja aktuale e institucioneve, qoftë edhe politike, a është një arsye apo një rezultat?  

Natyrisht, ‘institucioni politik’ luan një rol shumë të rëndësishëm në rregullimin e ‘institucioneve publike’, por këtë publikun a nuk e popullojnë individë që kanë dalë nga publiku? Prandaj, pikëpamja e përgjithshme për këtë çështje të cilën e ruan publiku karshi fenomenit me politikanin, na del si një argument i gjallë.

Por përpara se të dalim te politika, fillimisht duhet ta shikojmë situatën e institucioneve më të rëndësishme të shoqërisë kosovare, e të cilat janë: arsimi, shëndetësia dhe drejtësia.

Kur e shikojmë sistemin arsimor në Kosovë, si një nga fushat më të rëndësishme të shtet-ndërtimit, e vëmë re se ai i shëmbëllen në një kopjeje.

Madje që nga shkolla fillore deri në universitete dhe nga universiteti në punën e përgatitjes se tezave të pedagogëve, formula më e rëndësishme e ngritjes dhe mbijetesës në hierarkinë e sistemit është: kopja/vjedhja.

Çfarë mund të prodhoj një ideologji e cila konsideron punën si diçka pa rëndësi, dhe për më tepër nuk i njeh as parimet morale.

 Çfarë mund të prodhojë kjo, ndërsa e vetmja gjë që mendohet është posedimi i një titulli sa më parë që të jetë e mundur? Këto fenomene mund të jenë të pranishme në të gjithë botën, por rastet janë vetëm përjashtime.

Kurse në Kosovë, puna e përkushtuar për tezën dhe notat e merituara janë përjashtime. Çfarë lloj edukimi mund të bëhet në një mjedis të tillë ku shkelen të gjitha rregullat etike?

Nëse bëjmë një anketë me arsimtarët e shkollave të mesme dhe profesorët e universiteteve, ndërsa pyetja do të ishte: Cilin libër e keni lexuar për herë të fundit dhe a mund të na flisni, ose të shkruani diçka rreth tij?

Jam i sigurt se rezultati i saj do të ishte i tmerrshëm. Si mund të shpresohet për brezat e ardhshëm, të cilët edukohen në një mjedis ku mësuesit nuk bëjnë pothuajse asnjë përpjekje për ta përmirësuar vetveten?

Ndërsa në sektorin e shëndetësisë, ku funksionojnë institucionet po kaq të rëndësishme për shoqërinë, ju mund ta vëreni se është pothuajse e pamundur të flitet për të ashtuquajturën ndërgjegje.

Duket që qëllimi kryesor i stafit mjekësor që punon në sektorin publik është që, duke e shfrytëzuar këtë hapësirë, t’i tërheq pacientët/ klientët në sektorin privat.

Madje këta përfitojnë edhe nga kompanitë farmaceutike për sa herë u përshkruajnë pacientëve ilaçe, pa çka që ata mund të mos kenë fare nevojë për to.

Me fjalë të tjera, sektori që nuk i ka lënë vend ndërgjegjes, rregullohet sipas interesave dhe përfitimeve të këtyre akterëve.

Ne po flasim për një sektor çnjerëzor i cili e ka vendosur paranë në qendër të vëmendjes edhe për ta arritur atë, nuk njeh kurrfarë etike.

Sepse kur jeton pacienti, të ardhurat prej tij rrjedhin gjithmonë. Po flasim për një sektor të paskrupullt, filozofia themelore e të cilit është që: mos t’i vras e as t’i shërojë të sëmurët, por t’i lë të zvarriten.

Kështu ilaçet do t’u përshkruhen pacientëve, e kur ato përshkruhen nëpër receta, bonuset do të rriten dhe kështu rrota e mullirit do të vazhdojë të rrotullohet.

Dikush mund të mendojë se unë jam shumë mizor me këto kritika, por asnjë nga këto nuk i kam mësuar duke i dëgjuar, por duke i përjetuar vet, personalisht!

Një tjetër sektor i cili mund të konsiderohet si ndër më të rëndësishmit, është ai i drejtësisë. Drejtësia pra, ia siguron një shoqërie qëndrimin në këmbë.

Por sot gjendja e institucioneve të drejtësisë në Kosovë është e mjerueshme. Shumica e parimeve të drejtësisë nuk funksionojnë kundër ''të fortëve” dhe mund të themi se ky institucion është kapur nga shfrytëzuesit e këtij vendi.

Duke i pasur të gjitha këto në konsideratë, mund t’i vlerësojmë më mirë e më drejt institucionet politike. Politik-bërësit e këtij vendi kanë dalë, janë edukuar e janë kalitur nga njerëzit e sektorëve të lartpërmendur, ku kultivohet ky lloj i të menduarit.

Në thelb, arsyeja themelore për gjendjen aktuale të këtij populli është çështja e zhvlerësimit të vlerave.

Thënë më ndryshe, ky mozaik është krijuar nga ata të cilët për ta arritur në një qellim të caktuar, kalojnë nëpër rrugët ku nuk funksionojnë rregullat, ku nuk hasen vlerat e as nuk nevojitet morali. Deri sa kjo gjendje do të mbretërojë, gjithçka do të vijë duke u përkeqësuar.

S’mund të ndodhë diçka tjetër me fatin e një populli, përderisa njerëzit bashkëjetojnë me mendësinë: “O Zot jepna hallall e haram, sepse kulli yt do të ushqehet!”.

Pikërisht për këtë shkak, njerëzit që vazhdimisht flasin për politikën dhe politikanët, nuk duhet të harrojnë se ata që i qeverisin, janë soj që kanë dalë nga mesi i tyre, pra janë reflektim i tyre.

Ekziston vetëm një rrugë për të dalë nga kjo gjendje. Secili duhet ta heqë qafe idenë se dikush nga jashtë duhet të vijë dhe të na e korrigjojë situatën, diçka e tillë nuk ka ndodhur dhe as që do të ndodhë në të ardhmen. Nëse nuk e ndryshojmë pikëpamjen tonë rreth vlerave të mirëfillta, asgjë nuk do të ndryshojë, e për më keq do të mbesim në vendnumëro. Ashtu siç do të jemi, ashtu edhe do të menaxhohemi!!!

Shënim: Dëshiroj t'ua kujtojë këtu dy vargje nga Kur'ani:

Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata të ndryshojnë vetveten.” (Rad, 11)

Çfarëdo e keqe që mund të ju godasë, është pasojë e veprave të juaja (të këqija)! (Surja Shura; Ajeti nr. 30).

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 23 tetor 2019 - Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Rexhep Hoti, do të vizitojë Shkollën Fillore të Mesme të Ulët "Eqrem Qabej" në Mitrovicë, ku do të takoj drejtoreshën e kësaj shkolle, Remzije Alidemaj, për të parë procesin e zhvillimit të Garës Nacionale në Sport dhe Kreativitet Kulturor e Mendim Kritik. (Objekti i shkollës, ora 9:50)

- Mbahet mbledhja e rregullt e Komitetit për Politikë dhe Financa të Komunës së Mitrovicës. (Salla e mediave të Komunës së Mitrovicës, ora 10:00)

- Mbahet dita e parë e panairit ndërkombëtar të Agrobiznesit dhe Ushqimit AGROKOS. (Salla 1 Tetori, ora 10:00)

- Klubi i Prodhuesve të Kosovës dhe SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosova organizon ceremoninë inauguruese të Punëtorisë “Made in Kosova”. (SOS Fshatrat e Fëmijëve në Prishtinë, Rr. 1 Tetori p.n, Velani, ora 11:00)

- Organizatat joqeveritare Community Building Mitrovica, Mundësia, 7 Arte, Civil Development Organisation, Iniciativa Qytetare Skenderaj organizojnë konferencën e përbashkët të në të cilën do të prezantohet Raporti i monitorimit të aktivitetit të prokurimit: Qendra e riciklimit industrial për mbeturinat paraprakisht të klasifikar ose të përziera.  (Community Building Mitrovica, pas ëmbëltorës “Ballkan, ora 11:00)

- Lansohet platforma digjitale në rajon me koncept të "ekonomisë së përbashkët" e cila ju mundëson individëve të përfitojnë nga mjetet e tyre motorike duke i lëshuar ato me qira, si dhe personave të interesuar të marrin makina motorike me qira me cmime më të arsyeshme se nga format trandicionale të makinave me qira. (Objekti i Inovation Center of Kosova, ora 11:00)

- Bëhët promovimi i librit "Me Mall dhe Lot nga Stambolli" të autorit Hamdi Thaqi dhe Nazife Prebreza- Thaqi, që flitet për shpërnguljen e familjes Prebreza nga Toplica. (Biblioteka Kombëtare, ora 12:00)

- Agjencia Kosovare e Privatizimit mban ceremoninë e hapjes së ofertave të shitjeve përmes Likuidimit nr.51. (Hoteli Grand, ora 12:30)

- Takohen dy grupet punuese të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. (Selia e LDK-së, “Qafa”, ora 15:00)

- Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës me në ceremoni solemne shënon vitin e 10-të Jubilar Gjyqësor. (Hotel Emerald, ora 17:00)