06 Gusht 2020

Protestë për jetësimin e ndarjes apo çfarë

Shkruar nga Gani Qarri

Ata të cilët nuk e kanë ngritur zërin kurrë për zbardhjen e mijëra vrasjeve të pasluftës në Kosovë, digjnin para mëngjesit flamujt e Dardanisë në mes të Prishtinës, nuk u pengoi asnjëherë defilimi i strukturave paralele serbe as valimi i flamujve të Serbisë, gati në të gjitha pjesët e Kosovës, që nga Leposaviqi, Graqanica e deri në Shterpcë, tani dashkan të ngritën edhe kundër Gjykatës Speciale, për të shpëtuar “heroin” e tyre, ideatorin e ndarjes së Kosovës, kinse Gjykata atakuaka UÇK-n dhe Luftën Çlirimtare, gjë që nuk është aspak e vërtetë.

Në fakt siç dihet tanimë botërisht nga të gjithë edhe nga OVL-t, e famshme, detyrë e Gjykatës Speciale për Kosovën në Hagë, është që të merret me persona të veçantë dhe të trajtojë vetëm përgjegjësitë e tyre individuale, por jo edhe me organizata të caktuara dhe as me gjykimin e UÇK-s, siç ngritët tym e mjegull pa asnjë arsye dhe bëhet zhurmë kaq e madhe pa argumente fare, nga të ashtuquajturat OVL, qëllimi i të cilave shihet qartë se është vetëm mbrojtja e të inkriminuarve, pa të cilët edhe atyre do tu dobësohen benifitet pa djersë.

Madje duke pasur parasysh se Hashim Thaçi nuk ka qenë kurrë komandant i përgjithshëm i UÇK-s, por vetëm udhëheqës i një dikasteri të saj, si drejtoria politike, nga 9 sosh sa ka pasur gjithsejtë UÇK, shpallja e aktakuzës ndaj tij, nuk nënkupton në asnjë mënyrë, që Gjykata Speciale akuzon edhe UÇK-n, si organizatë, por vetëm Thaçin & CO si individ të dyshuar, për veprime kriminale të cilat pas miratimit të saj nga Kuvendi i Thaçit, pardon-i Kosovës, Gjykata e ka për detyrë ti shqyrtojë se janë apo jo, aktakuzat të vërteta.

Nëse dikush që nga paslufta e këtej,shkeli me të dy këmbët mbi statusin e UÇK-s dhe theu çdo rregull etik e moral, fajtorët duhet ti kërkoni brenda vetes,juve të plotfuqishmëve për të cilët nuk vlente asnjë ligj, sepse askund në programin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk figuron që pas lufte, të gjithë ju, medoemos duhej të bëheshit milioner, secili ti mbante nga pesë-gjashtë apo edhe shtatë vendpunime, kur papunësia në Kosovë arrinte nga 40 deri në 50% dhe varfëria e skajshme deri në maksimium, ndërsa për të gjitha këto, derisa ju uzurponit e grabisnit gjithandej pa mëshirë, për skamnorët dhe të varfërit e lënë pa asnjë mbështetje,të cilëve u hiqej edhe ndihmesa e vogël sociale prej vetëm 70 eurosh, duhej të përkujdesej populli dhe diaspora, tu ndihmonte me miell e gjëra tjera ushqimore dhe tu ndërtonte edhe shtëpi për strehimin e tyre, përderisa ju trashnit milionat tuaja në mënyrë të paligjshme.

Par në prizmin e të drejtës juridike, siç shprehet edhe avokati i mirënjohur nga Shqipëria, z.Spartak Ngjela, pas deklaratave publike të ish këshilltarit për Siguri Kombëtare të Presidentit Trump, z. John Bolton i cili dëshmoi në mënyrë të përsëritur se vet Thaçi është ai që ka kërkuar ndarjen e Kosovës, edhe  Prokuroria e Kosovës, sikur Kosova vërtetë të kishte një prokurori dhe gjyqësi të pa-kapur e të njëmendtë, do duhej të ngriste padi menjëherë pas dëshmive të z. Jon Bolton kundër Hashim Thaçit për tradhti kombëtare, e jo të organizohen tani edhe protesta në mbrojtje të tij, gjë që do ta vej gjithë popullin në lajthitje se për çfarë kauzash vërtetë, "luftohet" në Kosovë.

Një njeri si Thaçi i cili edhe në postin e presidentit të shtetit të Kosovës, për zëdhënës të parë, tash e sa vite mbanë kryespiunin e Serbisë Baton Haxhiun-Stanishiqin dhe për këshilltar të preferuar kishte pjesëtarin e sigurimit të fshehtë shtetëror serb BIA- Branisllav Nikoliqin, i cili në një video të publikuar vite më parë nga RTK, shihej qartë se si paguante qytetar të Kosovës, për të dëshmuar rrejshëm kundër UÇK-s, obligon secilin qytetar përfshi edhe OVL-t e hardisura, ti kërkohet drejtësisë që të merret me të, jo të bëhet propagandë se kinse po akuzohet UÇK dhe të hidhen në mbrojtje të tij.

Argumenti më bindës se vet Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë si organi më i lartë juridik i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ka respektuar në plotëni UÇK-n, dhe nderuar në mënyrën më të fuqishme luftën tonë çlirimtare, ishte vendimi i saj historik në korrik të vitit 2010, se: "Deklarata e shpalljes së pavarësisë së Kosovës është në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare", duke vendosur në favor të pavarësisë tonë dhe vulosur përgjithmonë legjitimitetin e të drejtës së Kosovës për shpalljen e saj Shtet i Lirë dhe i Pavarur.

Ndërsa z.Thaçi fatkeqësisht ka shkuar aq larg, sa përveç kërkesës për ndarjen e Kosovës, ka kërkuar amnisti edhe për krimet makabre serbe, si dhe faljen e gjenocidit të Serbisë të ushtruar ndaj shqiptarëve në Kosovë, duke shpresuar se të gjitha këto edhe do të votohen në Parlament nga po ata 82 deputet palaço, që rrëzuan një Qeveri legjitime, për të sjellë në pushtet një Qeveri Kukull e cila jo vetëm se varet nga Lista serbe e kriminelit Goran Rakiq, por pas hyrjes në qeveri dhe zgjedhjes nënkryetar i parë i saj, Rakiq e ka kthyer Veriun e vendit tonë, në shtet të vetin privat ku pa lejen e askujt, vendosë për çdo gjë.

Një qeveri marionetë e Thaçit, që nuk mbështetet nga populli as nuk e ka legjitimitetin e votës së lirë, lëre që nuk mund ta udhëheq shtetin,por nuk guxon as edhe të zhvilloj bisedimet me Serbinë, kur dihet fakti se nuk mund ti sigurojë-jo 61, por as 58 vota në Kuvend.

Në shtetet normale dhe me drejtësi të njëmendtë, kudo në botë tradhtia kombëtare, shkelja e Kushtetutës dhe cenimi i integritetit territorial të vendit, konsiderohet si tradhtia më e lartë dhe gjykohet e dënohet në formën më të rëndë, ndaj është shumë e habitshme se si Hashim Thaçi edhe pas dëshmive të z.John Bolton mund të qëndrojë edhe më tej në pushtet i cili në bashkëpunimin me Aleksandër Vuçiqin, tash e sa vite kanë bërë pazare të fshehta për toka të Kosovës dhe ndryshimin e kufijve në dëm të shtetit tonë.

Kjo vërtetë është e pakuptueshme dhe vetëm injorantët që duan të shkelin qëllimisht me të dy këmbët mbi të kaluarën e dhimbshme e tragjike të popullit të shumëvuajtur shqiptar mund ta bëjnë një veprim të tillë antikombëtar, në vend se, në këtë moment historik, ti drejtohen me një thirrje publike edhe Kuvendit të Kosovës që Hashim Thaçit urgjentisht  t`i hiqet imuniteti dhe votoj një rezolutë për arrestimin e tij.

Për aq më tepër, ngritja e aktakuzës kundër Hashim Thaçit dhe të tjerëve dihej dhe është pritur që nga miratimi i raportit të Dick Marty-it, në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës me 26 janar të vitit 2011, ku të parin në listë, Dick Marty akuzonte Hashim Thaçin & CO për rrëmbime, trajtim brutal, vrasje tortura etj, kundër të cilit Thaçi pati paralajmëruar edhe ngritje padie, por që nuk ngriti padi kurrë, megjithëse senatori famëkeq zviceran Dick Marty, i nxitur nga diplomatë të shërbimit të fshehtë rus dhe serb, ngriti akuza tepër të rënda dhe kërkoi pikërisht ngritjen e një Gjykate Speciale për gjykimin e krimeve të supozuara.

Por në anën tjetër, ai që mjerisht jetësoi kërkesën e Dick Marty-it, tamam ashtu siç kërkonte ai për formimin e Gjykatës Speciale, ishte vet Hashim Thaçi, madje duke bërë presion të pashembullt tek të gjithë deputetët për votimin e saj në parlament, e për aq më keq, edhe që ajo të vendosej në një shtet të tretë, në vend se qysh atëherë, të insistohej që Gjykata në fjalë, të paktën ta kishte selinë në Kosovë dhe të mos merrej vetëm me krimet e supozuara të shqiptarëve por edhe me krimet e dëshmuara të serbëve, si dhe gjenocidin e paprecedent të Serbisë të shkaktuar në mënyrë sistematike shtetërore ndaj shqiptarëve të pambrojtur në Kosovë.

Kështu që rreth gjashtë vite pasi Këshilli i Evropës, me pretendimet e Dick Marty-it se nga individ të caktuar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishin kryer krime gjatë dhe pas luftës së viteve 1998-99,deri në vitin 2000, me vendim të Kuvendit të Kosovës u aktivizua Gjykata Speciale me detyrë që të gjykojë personat përgjegjës për krimet e supozuara, por jo edhe UÇK-n, si organizatë.

Madje edhe vet Kryetarja e dhomave të specializuara në Gjykatën Speciale për Krime Lufte, Ekaterina Trandafilova, e cila e shoqëruar nga administratorja e Dhomave të Specializuara, Fidelma Donlon, me 23 nëntor të vitit 2017 vizituan Kosovën, pati deklaruar publikisht, se "Gjykata Speciale do të trajtojë vetëm pretendimet për krime lufte të individëve të cilat bien nën juridiksionin e Gjykatës Speciale, kushdo që ka kryer ato, por nuk do të merret me organizata, apo etni, duke siguruar edhe se kjo Gjykatë, do të jetë e paanshme dhe e pandikuar politikisht”.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës, siç dihet nga të gjithë, zhvilloi veprime mbrojtëse në vend të vet, luftoi për dëbimin e okupatorit serb dhe çlirimin e Kosovës nga Serbia, ndaj pas përfundimit të suksesshëm me ndihmën e NATO-s, të misionit të saj çlirimtar, ajo si organizatë, me të drejtë gëzon status të veçantë jo vetëm në Kosovë por edhe më gjerë, dhe nuk ka asnjë arsye që për fajin e supozuar të disa individëve, qoftë edhe nën emblemën e saj, të mbaj përgjegjësi apo edhe gjykohet nga kushdo qoftë.

Ajo që habitë më tepër, me këtë rast, është fakti se OVL,ka paralajmëruar protestë më 9 korrik në Prishtinë, qëllimi i së cilës qenka ndryshimi i ligjit për Gjykatën Speciale, ndaj lind pyetja se ku ishin këta njerëz deri më tash dhe nga kush duhet të kërkohet përgjegjësi tani, kur dihet që Kosova me insistimin e Hashim Thaçit, vet ka votuar krijimin e një Gjykate të tillë,për të ndjekur krimet e supozuara të shqiptarëve, praktikisht të shqiptarëve të shtyrë për vetëmbrojte nga agresioni gjenocidial i Serbisë gjatë kohës së okupimit të Kosovës. 

Ndaj protesta e paralajmëruar "gjithëpopullore" në Prishtinë kinse “Në mbrojtje të Luftës Çlirimtare”, për të kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që të ndryshojë ligjin për Gjykatën Speciale në mënyrë që të gjykohen të gjitha krimet dhe gjenocidi i kryer nga Serbia në Kosovë”, duke pasur parasysh faktin se autoritet i formimit të saj, ishte vet Kuvendi i Kosovës, duket se mbahet kot dhe nuk mund të ketë asnjë sukses në kërkesën e saj.

Për aq më tepër, marrë parasysh faktin se si u cekë edhe më lartë, detyrë e Gjykatës Speciale për Kosovën në Hagë, është që të mos merret me organizata të caktuara, por me persona të veçantë dhe vetëm për përgjegjësitë individuale të tyre, vet motoja e kësaj proteste, me apo pa qëllim, parashtrohet në mënyrë shumë të gabuar dhe bëhet përgjithësim i papranueshëm, për shqiptarët dhe bashkësinë ndërkombëtare, sepse Gjykata Speciale, nuk ka ngritur asnjë padi kundër UÇK-s, si organizatë dhe kurrsesi aktakuzë kundër Luftës Çlirimtare të shqiptarëve.

Përkundrazi aktakuza është shpallur kundër individëve të caktuar, që as në atë kohë, por edhe më vonë, nuk ishin kurrë komandantë të përgjithshëm dhe kanë udhëhequr vetëm ndonjë dikaster të saj, por jo gjithë organizatën e UÇK-s, ndaj krejt ajo që Kuvendi mund të bëjë në këtë situatë, nëse vërtet bën diçka në këtë drejtim, është votimi i një rezolute parlamentare, për zhvendosjen e Gjykatës Speciale nga Haga në Kosovë dhe tu parashtrojë kërkesë të gjitha instancave relevante ndërkombëtare që kjo Gjykatë të përfshij trajtimin e të gjitha krimeve të kryera pa dallim etnie, megjithëse tanimë duket të jetë bërë tepër vonë për çdo gjë. 

Kështu që nëse nuk arrihet të paktën,që Gjykata në fjalë të vendoset në Kosovë dhe ti trajtoj të gjitha krimet pa dallim etnie, do të ishte mese e drejtë dhe shumë korrekte, që për një ligj të tillë i cili amniston krimet serbe dhe gjenocidin e Serbisë ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Kosovë, të kërkohet sqarim dhe përgjegjësi nga vet Hashim Thaçi. 

Sepse pikërisht nën presionin e tij, janë detyruar edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, ta votojnë ligjin në fjalë dhe të formohet Gjykata Speciale, me detyrë që të ndjek vetëm dyshimet për krimet e supozuara të shqiptarëve, duke lënë krejtësisht jashtë trajtimit juridiko-gjyqësor krimet që kanë bërë serbët dhe gjenocidin që ka kryer Serbia në mënyrë të organizuar sistematike, si shtet okupator në atdheun tonë.

Madje nga frika se mund ti hidhërohet Vuçiqi, Hashim Thaçi ka detyruar edhe gjykatat vendore që ti hedhin poshtë të gjitha padit private të shqiptarëve, kundër kriminelëve serb dhe gjenocidit që ka kryer Serbia në Kosovë, duke shkuar deri atje, sa së fundmi të kërkoj jo kërkim falje dhe dëmshpërblim nga Serbia, por faljen e gjenocidit dhe amnistinë e të gjithë kriminelëve serb, përderisa Serbia e Aleksandër Vuçiqit mban edhe sot, pas 21 vitesh nga përfundimi i luftës e këndej, trupat e mbi 1643 të kidnapuarve shqiptar, të cilët qysh atëherë, ende i presin familjet me varre të hapura në Kosovë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 6 Gusht 2020 - Mbahet mbledhja e rregullt e Kuvendit të Komunës së Prizrenit. (Tek Shtëpia e Kulturës “Xhemajli Berisha”, ora 10:00)

- Ministri i Punëve të Brendshme Agim  Veliu, Ministri i Infrastrukturës Arban Abrashi dhe Ministri i Bujqësisë Besian Mustafa vizitojnë komunën e Istogut. (Zyra e Kryetarit të Istogut, ora 11:00)

- Lëvizja Vetëvendosje! mban konferencë për media. (Oborri i Kuvendit të Kosovës, ora 12:00)

- Nënshkruhet Memorandum Bashkëpunimi mes drejtorëve të organizatave ETEA dhe The Library Project Kosovo dhe drejtorëve të Drejtorive Komunale të Arsimit te Prishtinës, Gjilanit dhe Obiliqit. (Hapësirat Qendrës për Edukim dhe Kulturë "Libart", objekti i bibliotekës "Hivzi Sulejmani" në lagjen "Dardania", ora 14:00)