29 Mars 2024

Privatizimi i ndërmarrjeve publike nga (pu) shteti privat

Shkruar nga Isa Mulaj

Para se të mendojmë dhe ta bëjmë transformimin e ndërmarrjeve publike në private, së pari kërkohet dhe duhet ta transformojmë (pu)shtetin e tanishëm privat në (pu)shtet normal sikur në çdo cep të botës, pra në (pu)shtet publik.

Privatizimi i ndërmarrjeve publike (NP) në Kosovë, sidomos i atyre në sektorët strategjik, është duke u propozuar në një kohë të pakohë dhe nga një (pu)shtet privat. Në fakt, nuk është as propozim në kuptimin e duhur e fjalës, por ide pas të cilës qëndron vetëm përfitimi i pushtetit të tanishëm privat në Kosovë dhe disa të huaj të paidentifikuar nëpërmjet jo transparencës. Çdo gjë rreth kësaj ideje deri më tani mbetet enigmë, me përjashtim të synimit të disave në pushtet. Banka Botërore madje ka paralajmëruar se nuk është momenti për privatizimin e PTK-së në këtë kohë krize kur ka rënë interesimi i investitorëve, dhe ka shprehur skepticizëm për qëllimet e qeveritarëve të tanishëm.

Privatizimi i monopoleve në sektorët strategjik si KEK-u dhe PTK-ja zakonisht nuk parapëlqehen duke i ditur rreziqet për konsumatorët dhe klientët në mungesë të alternativave tjera. Edhe në shumicën e shteteve të zhvilluara me ekonomi të tregut ku ka disa ndërmarrje dhe konkurrencë në këta sektorë, shteti ose është pronar dominant i shumicës së aksioneve, ose në rast ndërmarrjet e tilla publike janë privatizuar në masën më të madhe tek blerësit privat, atëherë shteti ka një institucion të veçantë rregullues ose rregullator që përkujdeset për të mos lejuar diskriminimin ndaj konsumatorëve dhe klientëve, sepse energjia elektrike dhe telekomunikimet janë produkte të domosdoshme dhe të ndjeshme.

Mbi këtë bazë teorike shumë ekonomistë shprehin me të drejtë shqetësimin e privatizimit të sektorëve strategjik, e aq me tepër dhe me të drejtë në rastet kur ndërmarrjet publike janë në pozita monopoliste. Jo rastësisht, edhe në Kosovë u ngrit shqetësimi kundër idesë së hedhur nga Qeveria dhe synimin e saj për shitjen e ndërmarrjeve publike si KEK dhe PTK.

Privatizimin e tyre nëpërmjet deklarimeve e përkrah edhe ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Christopher Dell, me arsyetimin se këto dy NP të mëdha janë bastioni kryesor i ndërhyrjeve, korrupsionit dhe keqpërdorimeve të shumta nga (pu)shteti i Kosovës (sidomos i sotshëm, por edhe i kaluari, e ndoshta edhe i ardhshmi) dhe se privatizimi do t’ua ndalonte qeveritarëve keqpërdorimet e shfrenuara dhe vjedhjet në KEK dhe PTK.

 Pikërisht këtë po e kërkon edhe (pu)shteti i tanishëm – marrjen ose vjedhjen e përnjëhershme të këtyre ndërmarrjeve në emër të privatizimit që qeveritë e ardhme të mbeten pa pronë publike (por edhe private) dhe të mos kenë të drejtë t’iu përzihen në hise private (pu)shtetit të tanishëm i cili nuk kurrfarë arsye të qëndroj në pushtet pos synimit së pari për vjedhjen aq sa mundet fshehurazi dhe haptas për momentin, dhe përvetësimin e saj në të ardhmen. 

Në mesin e shumë kritikuesve kundër idesë së Qeverisë dhe ambasadorit Dell për privatizimin e këtyre dy NP-ve, më të zëshmit ishin organizata “Çohu” dhe “Lëvizja Vetëvendosje”. Që të dyja paralajmërojnë për rrezikun që Kosova dhe popullsia e saj të zhveshët nga prona publike që i ka mbetur.

Ndonëse ideja e ambasadorit Dell është kuptuar si e njëjtë me atë të Qeverisë (në fakt si ide është e tillë), për nga qëllimi kanë dallim rrënjësor. Shqetësimi kryesor i ambasadorit Dell dhe SHBA-ve nuk qëndron te korrupsioni dhe keqpërdorimet marramendëse në KEK dhe PTK, por te garnitura kriminale e Kosovës në bashkëveprim me biznesmenët e Millosheviqit që shfrytëzojnë dhe keqpërdorin KEK-un dhe PTK-në, si dhe udhëheqin disa firma të mëdha private.

Nga KEK-u përfiton biznesmeni i Millosheviqit, Damir Fazlliç, nëpërmjet kompanisë së tij Rudnap e cila fiton miliona euro nga tatimpaguesit kosovarë si rezultat i kontratës që ka ajo me KEK-un të cilit i shet rrymë. Fazlliç në Serbi njihet si shef i mafisë së cigareve. Për me tepër, ai është nip i ish-shefit të UDB-së gjatë regjimit të Millosheviqit, Jovica Stanishiç. Në Bosnjë Fazlliç cilësohet si pjesë e “nëntokës”. Pra, është një person kontrovers në Bosnjë dhe Serbi, por mirëpritet në KEK.

Një biznesmen tjetër i Millosheviqit me ndikim të drejtpërdrejtë në PTK, është Mirosllav Mishkoviç. Ai nëpërmjet PTK-së arriti ta blejë licencën e operatorit të katërt të telefonisë mobile në Shqipëri. Shumë qytetarë në Kosovë nga emocionet mendonin se kështu po bashkohet Kosova me Shqipërinë dhe nuk e dinin se po bëhet vetëm bashkimi i kapitalit të Mishkoviçit në Kosovë dhe Shqipëri.

Prejardhja e kapitalit të tij është kryesisht nga privatizimet në Serbi gjatë regjimit të Millosheviqit. Gjatë gjysmës së parë të viteve 1990-ta ai e kishte zhvendosur selinë e kompanisë së tij në Moskë, Kiev dhe Qipro. Lidhjet me këto tri vende ende vazhdojnë dhe ky mund të jetë shkaku pse dokumente konfidenciale sugjerojnë se PTK-ja është bastion i shpëlarjes së parave nga mafia ruse. Duke e ditur garniturë mafioze, SHBA-të kanë futur Mishkoviçin në listën e njerëzve që iu ndalohet hyrja në SHBA shkaku i lidhjeve me Millosheviqin.

 Hyrja në SHBA i ndalohet poashtu se Mishkoviç synonte të bëjë një marrëveshje City Bank. Këtë SHBA e sheh si rrezik duke i ditur lidhjet e tij me rusët, ukrainasit dhe grekët, por fatkeqësisht edhe me PTK-në (edhe dikush nga një Ministri përkatëse është në listë të zezë të SHBA-ve), disa qeveritarë dhe biznesmenë shqiptarë të Kosovës.

Prandaj, PTK-ja me status ligjor është ndërmarrje publike, por në realitet është private dhe dihet fare mirë se kush qëndron prapa kësaj. Ideja e SHBA-ve për privatizimin e PTK-së pikë së pari është e lidhur me shqetësimin se atë e kanë në dorë privatët me lidhjet e trashëguara nga strukturat kriminale të Millosheviqit. Me privatizimin e PTK-së SHBA-të nënkuptojnë se ajo duhet të de-kriminalizohet nga mafia ruse dhe serbe, e pastaj t’i jepet mundësia të kaloj në status pronësor të çfarëdoshëm (p.sh. të përzier ose privat) në duar më të pastra, sepse SHBA dhe Millosheviqi ishin armiq ndërmjet vete, por KEK-un dhe PTK-në vazhdon ta rjep klika post-millosheviqiane.

Kjo po e brengos SHBA-në, e cila mban trupa në Kosovë për të ofruar siguri, ndërsa (pu)shteti i Kosovës dhe NP-të strategjike vazhdojnë biznesin me Mishkoviçin dhe Fazlliçin. SHBA-të duket se e kanë humbur durimit rreth korrupsionit dhe shpëlarjes së parave në Kosovë që janë duke ndodhur në bashkëpunim me klikat post-millosheviqiane. Ambasadori Dell së fundi u deklarua: “Luftojeni vetë korrupsionin”, dhe ishte mjaft i qartë kur i përcolli shoqërisë sonë shurdhmemece se “ju ende shikoni kah bashkësia ndërkombëtare për të kërkuar drejtësi”.

“Nëse ju vareni në ne, që ne të bëjmë atë thirrje - kjo nuk do të jetë e shëndetshme për Kosovën.” Këto janë sinjale serioze se SHBA-të mund t’i çojnë duart nga Kosova. Nuk kanë arsye të përkrahin Kosovën dhe Qeverinë e saj që bashkëpunon fshehurazi dhe haptas me post-millosheviqianët, dhe shoqërinë e saj e cila di vetëm të hesht. Kur themi bashkëpunim fshehurazi me post-millosheviqianët, duhet përmendur takimet sekrete të Qeverisë me rrjetin e biznesmenëve kontravers serbë. Në një rast, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ishte zënë në flagrancë nga televizioni i TVA2 në takime të tilla sekrete në një shtëpi të dyshimtë në rrethinat e Shkupit. Aq sekret kishte qenë ai takim sa që për të nuk dinte gjë as zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi, e as ndonjë nga Qeveria e IRJ të Maqedonisë.

Ai video incizim u mor nga shumë njerëz dhe u hodh në Youtube me tituj të ndryshëm si “Thaqi n’puf”, “Hashim Thaqi viziton shtëpitë publike në Shkup”, e të ngjashme. Në aso vende është diskutuar, e ndoshta diskutohet edhe sot, çështja e blerjes së licencës për operatorin e katërt të telefonisë mobile në Shqipëri, privatizimi i KEK-ut, PTK-së, Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, dhe shumëçka rreth Kosovës. Ne në Kosovë jemi në terr të plotë informativ se çka po planifikohet për këto ndërmarrje me mafinë ruse, serbe dhe greke në shtëpi të dyshimta në takime sekrete.

Kur jemi te privatizimi i KEK-ut dhe PTK-së, nuk jemi të njoftuar fare se si do të privatizohen ato, por duke e ditur qëllimin e Qeverisë, kuptohet se do të përdoret modeli i shitjes në mënyrë sekrete. Në shtetet tjera, kur privatizohet telekomi, edhe qytetarëve të moshës madhore u shpërndahen aksione. Për shembull, kur është privatizuar British Telecom, në fillim kishte mbi 1 milionë aksionarë, që do të thotë se çdo i pesti banorë ka poseduar aksione.

Nëse Qeveria përnjëmend ka vendosur ta privatizoj PTK-në, atëherë duhet t’ia ofroj dhe shpërndaj 35% të aksioneve qytetarëve, 20% ndonjë fondi, dhe pjesa tjetër e pronësisë të mbetet ashtu si është. Por këtë skemë dhe modele tjera Qeveria nuk i ka në plan fare. Planet e saj më mirë i dinë shtëpitë e dyshimta në shtetet ku mbahen takimet sekrete të Qeverisë, madje pa lejen dhe njohurinë e qeverive të atjeshme, ndërsa për teori të (mos)privatizimit dhe koncepte shkencore mund të bisedojmë ditë e natë por ato nuk kanë kurrfarë kuptimi derisa shumica prej nesh e kemi humbur kontaktin me realitetin. 

Para se të mendojmë dhe ta bëjmë transformimin e ndërmarrjeve publike në private, së pari kërkohet dhe duhet ta transformojmë (pu)shtetin e tanishëm privat në (pu)shtet normal sikur në çdo cep të botës, pra në (pu)shtet publik.              

 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)