26 Prill 2024

Prijësit fetar ndërmjet njerëzores dhe hyjnizimit

Shkruar nga Dr. Shefqet Krasniqi

Njeriu, nga vet natyra e tij, është i prirë që të besoj në ekzistencën e të madhit Zot, andaj edhe është vërtetuar se i gjithë njerëzimi, që nga njeriu i parë e deri më sot, kanë besuar në një fuqi absolute apo mbinatyrore. Ndërsa ata që e kanë mohuar, kanë qenë nga radhët e mendjemëdhenjve dhe përbuzësve, apo edhe atyre që kanë pretenduar të madhërohen në vend të Zotit, siç ishte rasti i Faraonit në kohën e Musait a.s., apo Marksit e Engelsit, dhe disa të tjerëve pas tyre.

Kështu siç thamë, njerëzit me një natyrshmëri të pastër, kanë ardhur në përfundim për ekzistimin e diçkaje mbi ta, një force që menaxhon me gjithësinë, por nuk kanë mundur të vijnë deri tek besimi i pastër. Për këtë gjë, për të shmangur devijimet e mundshme, Allahu i Madhëruar ka dërguar Pejgamberë, për tua sqaruar njerëzve formën e saktë të besimit.

Këta Pejgamberë kanë qenë ndërmjetësues mes Zotit dhe njerëzve,  ngase atë që ka dashur Zoti tua thotë apo tua shpallë robërve të Tij, ua ka thënë nëpërmjet tyre. Pejgamberët janë njerëz shumë autoritativ, të famshëm, të dashur, në tokë dhe qiell, por megjithëkëtë, janë njerëz të rëndomtë. Në lidhje me Muhammedin a.s., krijesën më të zgjedhur dhe profetin më të dashur të Allahut të Madhëruar, në Kur’an qëndron:

“Thuaj: \"Unë jam vetëm njeri, sikurse edhe ju, mua më shpallet se vetëm një Zot është Zoti juaj, e kush është që e shpreson takimin e Zotit të vet, le të bëjë vepër të mirë, e në adhurimin ndaj Zotit të tij të mos e përziejë askënd.\" ( el-Kehf: 110). E kjo vlen edhe për të gjithë Pejgamberet tjerë që nga Ademi e deri tek Muhamedi.

Kjo nënkupton, se me gjithë pozitën e lartë, me gjithë prestigjin, ata prapë nuk kanë qenë të shenjtë dhe as që kanë poseduar ndonjë fuqi mbinatyrore, sikur të Zotit xh.sh., madje as që kanë mundur t’i bëjnë vetes mirë apo ta largojnë ndonjë të keqe. Zoti na flet për këtë e thotë:

“Thuaj: \"Unë nuk kam në dorë për veten time as ndonjë dobi, as ndonjë dëm, pos çka do All-llahu. Sikur ta dija të fshehtën, do t\'i shumoja për vete të dobishmet, e nuk do të më prekte gjë e keqe. Unë nuk jam tjetër vetëm se qortues dhe përgëzues për njerëzit që besojnë.” (el-A’rafë: 188)

Fatkeqësisht, me kalimin e kohës disa popuj kanë shtrembëruar parimet fetare dhe kanë lajthitur nga mësimet e profetëve të tyre. Në fakt, ata bënë atë që po të ishin gjallë profetët e tyre, do t’i urrenin shumë: shenjtëruan vet profetët dhe disa pasardhës të tyre, madje duke i ngritur deri në atë shkallë saqë iu atribuan tipare hyjnore dhe i adhuruan për zota. Allahu i Madhëruar ka urryer një gjë të tillë ngase, jo vetëm që është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me misionin e kumtuar nga profetët, porse është një lloj rivaliteti ndaj vet Atij, duke vënë ligje që vetëm Allahu ka të drejtën e vënie së tyre.

“Ata i konsideruan \"ahbarët\" (priftër jehudi) të tyre, \"ruhbanët\" (murgjit e krishterë) të tyre dhe Mesihun (Isain) birin e Merjemes, për zota pos All-llahut, ndërsa ata nuk janë urdhëruar për tjetër (nga pejgamberët) pos për adhurimin ndaj All-llahut një, e që nuk ka të adhuruar tjetër pos Tij. I lartë është Ai nga çka i shoqërojnë.” (et-Teube: 31)

Se ç’domethënie fshihen në këtë ajet dhe çfarë kuptimesh përmban ai, na dëshmon rasti i njërit prej shokëve të Muhammedit a.s., Adij Ibn Hatemit, një i krishterë i konvertuar në Islam, i cili kur dëgjoi këtë ajet, u habit dhe tha: “O i Dërguar i Allahut! Ne nuk i kemi marrë për zota të parët tanë”! Pejgamberi a.s. i tha: “A nuk ua kanë lejuar atë që ka qenë e ndaluar tek ju dhe ua kanë ndaluar atë që ka qenë e lejuar ndërsa ju i keni respektuar!?” Adiu i tha: po, o i Dërguar i Allahut. Atëherë ky është adhurimi i tyre- tha Muhammedi, alejhi\'s selam a.s.”[1]

Pra, adhurim konsiderohet kur ti respekton dikë për diç që do të duhej respektuar vetëm Allahun e Madhëruar, e dhe nëse nuk je gjunjëzuar para tij. Mjerisht, kjo formë adhurimi e njerëzve ka vazhduar përgjatë gjithë historisë. Janë të krishterët, ortodoksë e katolikë, ata që janë viktima e këtyre bindjeve të gabuara.

Vatikani pati shenjtëruar Papa Gjon Palin II ndërsa koptët ortodoksë në Egjipt, tash ende pa u mbushur një javë nga vdekja e Papa Shenudes dhe ende pa u varrosur, e trajtojnë atë sikur të ketë qenë mbinatyror.

Ata mund ta marrin e vlerësojnë për të mirë, por në histori ai do të përmendet për ngulfatje të tolerancës ndërfetare, për mohim të lirisë fetare. Rasti i Kamilias, një krishtereje të re, të martuar për një prift dhe më pas të kthyer në Islam, e cila pas publikimit të ndërrimit të fesë është zhdukur, do të mbetet njollë e pashlyer në veprimtarinë e tij.

Personalisht ai ka dhënë urdhër që të gjithë ato vajza të krishtere të cilat konvertohen në Islam të kidnapohen, të mbyllën dhe me dhunë të detyrohen të kthehen në ortodoksizëm, gjë që bie ndesh me të drejtën dhe lirinë fetare.

Fatbardhësisht, jo vetëm që Islami është i pastër nga këto devijime dhe shtrembërime, por edhe muslimanët janë distancuar nga veprime të gabuara, siç është madhërimi i njerëzve apo gjësendeve. Kjo e bën këtë fe më njerëzoren, më të natyrshmen, më të lehtën.

Kurrë nuk është mohuar se ka shumë mundësi që xhemati (njerëzit) e rëndomtë të jenë më të mirë se prijësit e tyre, ngase, ndërmjet njeriut dhe Zotit nuk ka ndërmjetësues. Hoxha, si trashëgimtar i profetit, e ka për obligim të kumtojë me sinqeritet, por nuk gëzon favore kundruall xhematit. A nuk është madhështore kjo fe! Atëherë pse të mos themi me gojën plot: Falënderimi i takon Allahut të Madhëruar që na udhëzoi në këtë fe?!  

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)