29 Mars 2024

Predikimi atipik i religjionit në shoqërinë kosovare

Shkruar nga Labinot Kunushevci 

Në një shoqëri që ka një shkallë të lartë të analfabetizmit klasik dhe funksional, mundësitë e manipulimit janë të mëdha.

Sidomos kur ka vetëm dy dekada që e ndajnë nga lufta, e cila pashmangshëm ka prodhuar pasoja që do të mbeten në vetëdijen, perspektivën dhe orientimin e njerëzve.

Duhet shtuar kësaj edhe faktin e ndryshimeve që ndodhin në sistemin e vlerave dhe ndikimin e madh, sidomos kulturor, që kanë mediet moderne.

Këtu do të trajtoj thelbet e diskurseve dominuese në komunikimet publike për Islamin në shoqërinë tonë, në veçanti qasjen e predikuesve religjioz, hoxhallarëve.

Problemi fillon me formimin e tyre teologjik, nëpër vende ku mungon liria e hartimit të programeve kritike, ku mungon debati shkencor dhe faktorizimi i shkencave shoqërore.

Për ta vërtetuar këtë, po i referohem njërit prej sociologëve që e njeh shumë mirë botën dhe sociologjinë arabe, aktualisht profesor në Universitetin Amerikan të Bejrutit dhe i sapo zgjedhur President i Shoqatës Ndërkombëtare të Sociologjisë – ISA (2018-2022) në Kongresin e mbajtur në Toronto të Kanadasë, Sari Hanafi, i cili në një intervistë speciale për revistën ''Global Dialogue'', përkthyer në 17 gjuhë, Vëll. 6.2,  e shpjegonte realitetin me këto fjalë: ''Bota arabe ende duhet ta pranojë rolin e rëndësishëm të shkencës shoqërore në racionalizimin e debatit shoqëror dhe zgjidhjen e problemeve me të cilat ballafaqohet moderniteti ynë.

Në rajonin arab, ne rrallë dëgjojmë për një "letër të bardhë" të shkruar nga shkencëtarët socialë me kërkesë të autoriteteve publike dhe pastaj të debatohet në sferën publike.

Takimet shkencore trajtohen si çdo mbledhje tjetër publike dhe mbahen nën mbikqyrjen e policisë.

Në të njëjtën kohë, sociologët nuk e kanë ndihmuar veten: ata nuk kanë arritur të krijojnë një komunitet shkencor që mund të zhvillojë një zë me ndikim ose të mbrojë ata që janë kritikë ndaj pushtetit.

Ekzistojnë vetëm tri shoqata aktive sociologjike (Liban, Tunizi, Marok) dhe, interesant, ka shumë më pak shtypje shtetërore në këto tri vende sesa në vende të tjera arabe.

Komuniteti shkencor duhet të organizohet për t'u përballur jo vetëm me shtetet represive, por edhe me ato forca që kërkojnë të delegjitimojnë shkencën shoqërore.

Autoritetet fetare shpesh janë ndier të kërcënuar nga shkencëtarët socialë, pasi dy grupet konkurrojnë në diskursin publik.

Kam shikuar një debat të tensionuar televiziv që përfshinte një udhëheqës religjioz dhe një aktivist: Sheikh Mohamed Said Ramadan al-Bouti (i cili ka argumentuar se Islami është kundër çdo forme të planifikimit familjar) dhe një aktivist anti-klerik nga Unioni i Përgjithshëm i Grave Siriane, një organizatë e sponsorizuar nga shteti.

Edhe pse planifikimi familjar bie në mënyrë të drejtë brenda sferës së sociologjisë dhe demografisë, asnjë shkencëtar social nuk është sjellë kurrë në këto debate publike. Një shembull tjetër vjen nga Katari.

Autoritetet e Katarit i kanë kërkuar degëve të universiteteve të huaja të Katarit të japin mësim me të njëjtin planprogram që mësohet në selinë e tyre universitare.

Pra të gjithë përpiqen të parandalojnë debatin, në një kontekst problematik ku liria e shprehjes është shumë e kufizuar.''

Një shoqëri që së fundi përparimin më të madh e bëri kur lejoi gratë të vozisin veturë, tregon sa të vonshëm janë në procesin e emancipimit.

Një botë që ka konzervuar probleme, të cilave s’ka arritur t’iu jap zgjidhje dhe si rezultat, i kulturës së dominuar me fise, sekte dhe grupacione të ndryshme, në pamundësi të unifikimit, në pamundësi të tejkalimit të dallimeve të theksuara, përmes rivalitetit kanë prodhuar agresivitet dhe luftra ndërmjet vete, të cilat, veçmas ekstremizmin e dhunshëm, nuk e promovon Islami si fe monoteiste.

Në sociologji të kulturës dhe të migrimeve njohim disa forma të integrimit, si: adoptimi, akulturimi dhe asimilimi.

Akulturimi është një koncept i studiuar që nga viti 1918, që nënkupton interiorizimin e elementeve kulturore përmes të cilave njerëzit absorbohen dhe ndryshojnë në aspektin e modeleve vlerore gjatë raportit me kulturat e ndryshme, gjë e cila është e shfaqur tek disa hoxhallarë.

Shumë nga vendimet dhe gjykimet e dijetarëve arabë, që quhen ''fetva'', për çështje të caktuara religjioze, transmetohen dhe predikohen njësoj edhe tek ne, pa bërë asnjë përpjekje për të shikuar nëse u përshtaten rrethanave dhe specifikave tona, kontekstit gjeo-politik dhe gjeo-kulturor, kulturës tonë nacionale dhe mbi të gjitha a u përgjigjen nevojave dhe pritshmërive të besimtarëve shqiptarë.

Problemi kryesor është leximi sipërfaqësor dhe literal që u bëjnë teksteve të shenjta dhe moslejimi i formimit të një vetëdije kritike nga frika se mos po cenohet religjioni.

Në fakt, vetëdija kritike pamundëson çdo lloj interpretimi përmes të cilit politizohet religjioni, përmes të cilit nxitet izolimi dhe frustrimi social, përmes të cilit prodhohet gjuha e urrejtjes dhe intoleranca, përmes të cilit religjioni shpjegohet jashtë kontekstit kulturor, politik e social dhe si i tillë predikohet me arrogancë.

Ne si shoqëri kemi shkallë të lartë të analfabetizmit funksional, shkallë të lartë të konsumimit të internetit dhe të rrjeteve sociale, shkallë të lartë të vetëvrasjeve, shkallë të lartë të papunësisë dhe varfërisë, shkallë të lartë të frustrimit që vjen nga izolimi, shkallë të lartë të abuzuesve me drogë, shkallë të lartë të dhunës e të gjuhës së urrejtjes, prandaj kërkohet qasje specifike.

Janë disa aksioma kuranore (po parafrazoj) sipas të cilave shpëtimi i një njeriu është vepër humane me vlerë sikur shpëtimi i mbarë njerëzimit dhe vrasja e një njeriu është krim sikur vrasja e tërë njerëzimit (5/32).

Ose me një rast tjetër thuhet që lajmet të cilat vijnë në mënyrë të pasigurtë nga njerëz të papërgjegjshëm dhe jokompetentë, duhet të verifikohen dhe të konfirmohen, një vlerë dhe standard ky në krizë edhe në gazetarinë moderne të implikuar në trendin e senzacionalitetit dhe komercialitetit për shkak të lajmit të rremë dhe logjikës së tregut (49/6).

Ose se si ne duhet të jemi të drejtë dhe të dëshmojmë drejtësi qoftë edhe nëse kjo është kundër nesh apo kundër familjes tonë (4:136).

Këto janë disa vlera koherente dhe pozitive sociale që burojnë nga shpallja hyjnore, të cilat do të duhej të dominoheshin në temat publike.

Ndërsa ne gjejmë disa hoxhallarë që marrin disa versete kuranore që flasin për luftën, për disa beteja të kohës profetike, në kontekste historike, dhe i afirmojnë sot si vlera religjioze, gjë që nxisin keqkuptime dhe u japin material atyre që duan ta paraqesin lidhjen e Islamit me ekstremizmin e dhunshëm.

Ose shohim që disa hoxhallarë trajtojnë disa tema të kota, imagjinare dhe narrative, detaje që nuk prodhojnë asnjë avansim kulturor, duke ndërhyrë edhe në çështje private intime, me arsyetimin se Islami është sistem i jetës. Në fakt, hoxhallarët nuk mund të shpjegojnë gjithë kompleksitetin e jetës.

Aq më pak nuk kuptohen disa pyetje të besimtarëve për çështje intime, familjare, drejtuar hoxhallarëve.

Si nuk arrijnë të vetëvendosin kurrë për asgjë me vetëdijen dhe ndërgjegjen e tyre, me formimin e tyre arsimor dhe kulturor, me rrethanat e tregut dhe shoqërisë, me nevojat e kohës dhe me trendet moderne, duke i njohur pasojat dhe efektet e një fenomeni nga përvojat e të tjerëve?

Nganjëherë nga përgjigjet e hoxhallarëve më shumë krijohen konfuzione sepse për një çështje pyeten hoxhallarë të ndryshëm që japin verzione të ndryshme, pastaj besimtarët e papërgatitur ngatërrohen dhe polemizojnë koti, se cila është më afër apo më larg të vërtetës.

Kjo rikujton hulumtimin e njohur anketues me mbi 50 mijë respodentë anembanë botës për koncentrimin e besimit të qytetarëve, që nxori të tilla rezultate, në pyetjen e hulumtimit se kujt i besojnë njerëzit më shumë: në vendet e zhvilluara njerëzit u deklaruan se iu besojnë institucioneve, ndërsa në vendet e pazhvilluara u deklaruan se iu besojnë medieve dhe intelektualëve (ku përfshihen edhe predikuesit).

Pse? Sepse suksesi varet nga institucionet, prandaj njerëzit në vendet e zhvilluara investojnë dhe iu besojnë më shumë institucioneve të pakorruptuara dhe shtetin e identifikojnë si institucion, shteti u asocon në institucione, jo në liderë e në pushtet, sepse në institucione merren vendimet, nga vendimet caktohet standardi i qytetarëve dhe nga standardi varet mirëqenia. Kështu ata krijojnë vetëdije institucionale.

Bota e qytetëruar mendon si ta lehtësojë dhe ta bëjë më interesante jetën me sofistikime teknologjike, duke sfiduar shumë ligje të natyrës.

Hoxhallarët trajtojnë tema dramatike, për shembull, për fundin e botës (shenjat e kijametit), për një krijesë misterioze dhe sfiduese të njerëzimit, që e quajnë ''Dexhall''.

Kujt i intereson sot ky ''Dexhalli'', kurse njerëzit ballafaqohen me krizë sociale dhe ekonomike, me luftë për ekzistencë, me pasiguri për të ardhmen, ku vetëm migrimi shihet si zgjidhje, ku shumë iluzione po thyhen dhe jeta po shtron tjera kërkesa, në një rivalitet dhe konkurencë të ashpër për vende pune, ku njerëzit duan të krijojnë karrierë profesionale, t’iu vlerësohet studimi, t’iu shpërblehet kontributi, t’iu njihet statusi i merituar, të jenë të integruar, të barabartë?!

Janë rrjetet sociale ato të cilat i japin më së shumti mundësi analfabetëve funksionalë që t’i shprehin mendimet, emocionet dhe ndjenjat e pakontrolluara. Umberto Eko thoshte se rrjetet sociale u kanë ofruar mundësi edhe budallenjve t’i shprehin mendimet e tyre, sikur që bëjnë disa në emër të religjionit.

Ne hasim shumë ligjërata në YouTube që vijnë nga njerëz jokredibil, të cilat do të duhej t’iu nënshtroheshin një vlerësimi dhe kontrolli institucional.

Ato ligjërata që përmbajnë gjuhë të urrejtjes dhe gjuhë linquese, që paraqesin një formë ekstreme të Islamit që është joadekuate me nevojat e kohës, nuk do të duhej të ngarkoheshin në internet, madje disa prej tyre do të duhej të fshiheshin.

Analfabetët funksionalë janë viktimë e lloj lloj ligjerateje që gjejnë në internet, të lloj lloj libri të librarive religjioze dhe të lloj lloj emisioni të televizioneve religjioze.

Kjo nuk duhet të kuptohet si tendencë për cenzurë, as si islamofobi, por si përpjekje që predikimet të plotësojnë standarde racionale, profesionale dhe intelektuale.

Me përfundimin e shpalljes hyjnore fillon kapitulli i konsolidimit, i interpretimit, i pragmatizmit, i shkollave juridike dhe udhëheqjeve politike, nga ku burojnë versione të ndryshme, sipas konteksteve të ndryshme politike dhe kulturore, të cilat meritojnë t’i nënshtrohen qasjes dhe vlerësimit kritik shkencor, ani pse dogmatikët nuk lejojnë kritikë sociologjike dhe historike sepse sipas Sari Hanafit kanë mungesë afiniteti për debat.

Sipas trajtimit që i bëhet, kontestimi apo kritikimi i gjithë atij kompleksiteti e trashëgimie, cenon besimin e njeriut.

Gabimi më i madh që bëhet është ky: kushtëzimi i besimit në Zot dhe religjion me besimin në hoxhallarë dhe interpretimet e tyre, kushtëzimi i raportit të njeriut me Zotin me raportin e besimtarit me klerin.

Në fakt, hoxhallarët janë vetëm studiues dogmatik të religjionit islam dhe nuk meritojnë të trajtohen të pakontestuar, të pagabuar apo tejet të rëndësishëm në raportin me Zotin.

Një ndër qasjet e tyre të gabuara është përdorimi i miteve, legjendave, narracioneve, ëndrrave, tregimeve pa sens dhe pa shije, pa logjikë dhe pa autenticitet, irracionale, të së kaluarës, në kontekst të një ngjarjeje, rituali apo praktike, dhe përpjekja për ta imponuar atë si një fakt historik që dëshmon një vlerë religjioze apo që legjitimon një veprim të caktuar religjioz edhe sot.

Si mund t’iu japin përgjigje dilemave, problemeve dhe çështjeve moderne për teknologjinë, për shembull për ''njeriun medial'' të epokës digjitale që e ka prodhuar moderniteti ose për trendet më të reja globale, duke përdorur kategori mesjetare të shpjegimit?!

Përdoren narracionet për ngjarjet e para 500 apo 1000 viteve, që nganjëherë janë krejt individuale, imagjinare, primitive, jodomethënëse?!

Apo përdoren gjykimet e dijetarëve të vjetër të Mesjetës, dija e të cilëve faktikisht ka qenë adekuate për nevojat e asaj kohe, por jo domosdoshmërisht edhe për sot, përveçse për ndonjë çështje të caktuar?!

Kjo sepse ata nuk kanë bërë as hulumtime empirike siç bëhen sot me metodologji shkencore të cilat po sjellin prova të reja që po avansojnë botëkuptimet e njerëzve. Me fragmentarizimin e dijes nuk shpjegohet shoqëria.

Dijetarë të kohës kur s’ka ekzistuar Strukturalizmi, Funksionalizmi, Empiricizmi, Epistemologjia, teoritë sociale dhe humane moderne, nuk mund të kenë dhënë përgjigje koherente për shek. 21, sidomos në disa probleme që janë specifike.

Nuk shpjegohet bota vetëm me Ebu Hanifen, Ibn Kajimin, Imam Gazaliun dhe dijetarë të këtij tipi.

Asnjë hoxhë sot nuk përdorë referenca të dijetarëve të sociologjisë së religjionit apo të teorive sociale moderne dhe kjo i bën temat e tyre të varfra dhe dogmatike.

Nuk përdorin qasje multidimenzionale dhe multidisiplinare. Nuk dëgjon të përmendet Max Weber, Emile Durkheim, Emmanuel Kant, Jürgen Habermas, Marshall McLuhan, Charles Taylor, Peter Berger, Zygmunt Baumann, Anthony Giddens, etj., në ligjërimet e tyre. Sikur kanë një aversion ndaj perspektivave që ata përfaqësojnë.

Jo rastësisht dhe jo rrallë herë nga disa besimtarë dilematikë kanë ardhur në adresë të hoxhallarëve pyetje absurde të tipit: ''A lejohet të studiohet Juridiku, Ekonomiku, Sociologjia, Filozofia...?''

Kjo sepse duke menduar që shkenca të tilla janë në kundërshtim me doktrinën islame dhe frika mos me studimin e tyre cenohet integriteti religjioz. Do të thotë nga ndikimi dogmatik u është errësuar horizonti i dijeve dhe shkencave tjera.

Sociologjia si një ndër shkencat më në trend në kohën bashkëkohore është një perspektivë shumë e mirë për religjionin.

Paradigmat dhe teoritë e shkencave sociale mund të reflektojnë në shpjegimin e religjionit në dinamikat sociale, në kontekstin politik, kulturor, historik.

Religjioni ka potencial të luajë një rol pozitiv në organizimin dhe shpjegimin e jetës shoqërore, por jo në mënyrën që përdorin disa predikues dhe besimtarë ekstremistë.

Meqenëse jeta shoqërore po bëhet gjithnjë e më shumë komplekse, veprimet, dukuritë dhe fenomenet do të duhej të shpjegoheshin nga këndvështrime të ndryshme sepse asgjë nuk ndodhë rastësisht dhe asgjë nuk ndodhë nga vetëm një faktor.

Disa hoxhallarë, jo vetëm që glorifikojnë veten duke pretenduar se janë ''eruditë të dijes'', se janë në gjendje t’i përgjigjen çdo pyetjeje e të trajtojnë çdo temë, por mjaftohen shpeshherë duke cituar vetëm versete kuranore apo thënie profetike së bashku me disa komente, në mënyrë retorike, me plot klishe, në një stil mjaft të vjetër, aspak tërheqës, me qasje populliste dhe në mënyrë të pastrukturuar.

Disa prej tyre nxisin imitime, të imitohet çdo veprim, fjalë a të menduar nga e kaluara, në njëfarë mënyre të aktrohet Islami dhe të zbatohet në mënyrë dogmatike, gjë që flet për logjikën atipike të predikimit.

Nëse analizohet struktura e disa ligjëratave, vërejmë logjikë primitive, logjikë seksiste, logjikë moralizuese, logjikë nënçmuese, që mund të kalojë deri në racizëm.

Para disa jave dëgjova një hoxhë në YouTube teksa u shpjegonte njerëzve në xhami për begatitë e një besimtari të shpërblyer në Parajsë.

Kur erdhi tek statusi i dëshmorit, para se të tregojë, tha se nuk po guxoj t’ju them se sa gra (hyrija) do t’i ketë dëshmori në Parajsë sepse ndoshta gjysma prej juve keni m’u çu tash nga ligjërata dhe me shku në Siri!

Tipi në fjalë, që fliste shqip, mendon se të shkosh e të vritesh në Siri e fiton statusin e dëshmorit dhe 70 gra në Parajsë!

T’i konsiderosh njerëzit të prirë seksualisht për të sakrifikuar jetën për seks me shumë gra, për ta lënë jetën dhe familjen e tyre për shumësinë e grave në Parajsë, është nënçmimi dhe absurditeti më i madh.

Ngjashëm sikur gjuha ofenduese e disa hoxhallarëve drejtuar grave që shkojnë në deti, duke iu thënë atyre: ''Duke u zhveshur në deti ju po e shndërroni trupin tuaj në objekt ku meshkujt mund t’i shfryejnë epshet e tyre''!

 Në fakt, këtu ofendohen burrat, thuase ata qenkan të prirur dhe frustruar seksualisht, me ''epshe të pashfryera'', që shkojnë t’i shikojnë vetëm gratë e huaja!

Një nga efektet e disa ligjëratave është ndjenja e fajësisë, e frikës, e pasigurisë, duke përdorur dhe provokuar emocionet e publikut.

Disa hoxhallarë nën ndikimin e emocioneve tmerrojnë besimtarët duke iu folur vetëm për gabimin, mëkatin, vdekjen, ndëshkimin, varrin, ferrin, me të qara e me bërtitje, nganjëherë edhe duke mallkuar e duke thirrur për bojkote familjare.

''Mos shkoni në deti!'', ''Mos shkoni në dasma!'', ''Mos e festoni Vitin e Ri!'', leksione këto që kanë prodhuar izolime dhe distancime familjare, prishje të harmonisë tradicionale.

Në këtë mënyrë ata e kanë prodhuar besimtarin e dëshpruar, inferior, të izoluar, duke ia humbur atë pak vetëbesim që ka, duke e bërë të ndjehet i pasigurtë në çdo veprim a fjalë dhe kjo vërehet kur shumë pyetje iu adresohen hoxhallarëve për çdo veprim a fjalë të tyre: ''A është kjo mëkat?'', ''A është kjo mëkat?''.

Njerëzit janë të lirë të vendosin, të gjykojnë me dijen dhe vetëdijen e tyre, të pranojnë apo të refuzojnë një vlerë religjioze, andaj më duket i pakuptimtë predikimi publik në rrugë, për shembull, i një grupi që e quajnë veten ''Dëshmitarë të Jehovait'', që i ndalin njerëzit në rrugë apo shkojnë u trokasin në shtëpi dhe mundohen t’i indoktrinojnë në frymën e një sekti që ata përfaqësojnë.

Të tërheqim një paralele: Ndër shoqëritë më barbare dhe më johumane në historinë e njerëzimit ishte shoqëria arabe paraprofetike.

Aty vajza e posalindur varrosej e gjallë! Varrosej e gjallë nga ndjenja e inferioritetit që arabët kishin për vajzat dhe nga dëshira që të lindin vetëm meshkuj me të cilët krenoheshin.

Qasja e profetit Muhamed ishte humane e cila iu dha fund dukurive si varrosja për së gjalli e vajzave të posalindura.

Historia islame tregon se profeti Muhamed nuk i ka mallkuar njerëzit edhe përkundër dehumanizmit total që e karakterizonte shoqërinë e tij idhujtare, siç mallkojnë disa hoxhallarë.

Kuptimi dhe interpretimi i Kuranit nuk është ekskluzivitet dhe monopol vetëm i hoxhallarëve, disa prej të cilëve pretendojnë se Kurani nuk mund të kuptohet mirë pa iu referuar interpretimeve të tyre.

Në fakt, në këtë mënyrë, ata e paraqesin paaftësinë e njerëzve që me dijen dhe vetëdijen që kanë ta kuptojnë religjionin. Edhe studiuesit e shkencave të sociologjisë, të komunikologjisë, të psikologjisë, të filozofisë, të së drejtës, të historisë, të edukimit, mund ta kuptojnë dhe interpretojnë religjionin nga perspektiva e tyre.

Tema më e keqpërdorur religjioze është tema e shamisë. Qasje e gabuar e shtetit, e predikuesve religjioz, e medieve dhe e shoqërisë civile, përmes së cilës kanë ushqyer plot ekstreme tjera, duke treguar kështu naivitet dhe papjekuri. Shteti në emër të ruajtjes së sekularizmit i ka përjashtuar nga shkolla disa vajza të reja vetëm pse kanë vijuar mësimin me shami.

Duke e konsideruar këtë si cenim të laicitetit institucional, me qasje përjashtuese dhe paragjykuese, u ka dhënë material dhe hapësirë demagogëve religjioz që të prodhojnë histerizëm publik përmes lëvizjeve politike religjioze që mbetën në margjina për fatin e mirë, të cilat mobilizuan njerëz, nxitën protesta dhe reagime vullgare në shenjë revolte.

Kjo qasje pastaj ka prodhuar ekstremin e islamofobisë, paragjykimeve religjioze, intolerancës agresive ndaj ndjenjave dhe bindjeve të myslimanëve të pafajshëm.

Nëse analizohet diskursi dhe debatet e kota për të kaluarën e shqiptarëve në Perandorinë Osmane, se si e shajnë njëri-tjetrin për dhe kundër Sulltanit, për dhe kundër vlerave osmane, vëren një obsesionim absurd ku kritika nuk ka vend.

Shohim që për këtë temë diskutojnë njerëz që janë dentistë apo ushtarakë me profesion, duke e luajtur ''ekspertin dhe eruditin e dijes enciklopedike'', të vetëshpallur si ''përfaqësues dhe mbrojtës të myslimanëve'', fatmirësisht politikisht të dështuar.

Kështu ka rrjedhur edhe debati për figurat historike, me veprime e fjalë degraduese, për kontributin e tyre historik të pranuar në kontekstin e sotshëm. Një historian përballet me një dentist dhe debatojnë për Skënderbeun! Kjo ndodhë vetëm në televizionet e Kosovës, debate atipike, jo për shëndetin oral të arbërve që kaluan në shqiptarë, por për aspekte gjeo-politike e gjeo-strategjike!

Nëse bazohemi në teorinë për racizmin të Franc Nojmanit vërejmë disa shkallë të rrezikshme. Pika e parë e kësaj teorie është pika e dallimeve ''ne, ju'', pra ''ne besimtarët, ju mëkatarët'', duke i dhënë vetes kompetencë vlerësimi e cila i takon ekskluzivisht Zotit.

Pika e dytë është vlerësimi i dallimeve ''ne besimtarët jemi në rrugë të drejtë dhe të mirë, ju mëkatarët jeni në rrugë të gabuar dhe të keqe, prandaj kemi predestinime të ndryshme edhe në botën tjetër'' (disa hoxhallarë në këtë pikë i kanë dhënë vetes kompetencë duke përmendur fatin e keq që i pret në botën tjetër disa personalitete historike).

Pika e tretë është marrja e masave ndaj atyre që janë ndryshe, ku intoleranca arrinë nivele ekstreme ku mund të përdoren metoda hakmarrëse.

Gjuhë raciste gjejmë edhe tek disa priftërinjë shqiptarë të cilët vetes ua atribuojnë ''shqiptarizmin e pastër'' gjoja janë ''shqiptarët e parë'', ndërsa myslimanët janë ''renegatë dhe tradhëtarë të fesë së baballarëve''.

Këto elemente raciste dhe predispozitat që çojnë drejt tyre, duhet të luftohen dhe parandalohen nga vet predikuesit e religjionit, duke mos lejuar që interpretimi i religjionit të konsiderohet si problemi kryesor i shoqërisë.

Krijimi i një kulture të kritikës sociologjike nuk e mohon meritën dhe kontributin pozitiv në aspektin shoqëror, që kanë disa hoxhallarë, sado pak që janë të tillë, në pajtimin e gjaqeve, në ndihmat humanitare, në afirmimin e vlerës së respektimit të familjes, etj.

Një ndër fjalët më mbresëlënëse që kam lexuar së fundi janë këto të historianit Noel Malcolm: ''E vetmja zgjidhje e problemit të islamizmit radikal do të vijë nga myslimanët e zakonshëm të cilët nuk dëshirojnë të radikalizohen për arsye se ky proces do t’i eliminonte aspektet të cilat janë vet Islami. Për pyetjen se ‘cili është Islami i vërtetë?’ ekziston vetëm një përgjigje: është ai që myslimanët e zakonshëm mendojnë se është. Është sikur kur pyetni ‘çfarë zëri nxjerr violina e mirë?’, ku përgjigja është: çfarëdo që beson violinisti i mirë.''

Ashtu sikur edhe sociologu Sari Hanafi thoshte se sociologjia na kujton se rinia nuk i është bashkuar ISIS-it thjesht për shkak se kanë lexuar libra të veçantë ose kanë ndjekur mënyra të caktuara të interpretimit të Kuranit, por sepse ata kanë jetuar në një kontekst të përjashtimit politik dhe shoqëror.

Që do të thotë se përjashtimi politik dhe shoqëror mund t’i izolojë njerëzit, t’i frustrojë, t’ua humb ekuilibrin shoqëror dhe kulturor dhe t’i futë rrugëve të ekstremizmit të dhunshëm, të cilat janë joadekuate me Islamin dhe me shoqërinë moderne që bazohet në vlera humane dhe që problemet e kontradiktat nuk i zgjidhë me intolerancë, me dhunë e me anarki, por me dialog, me procedura dhe me ligje.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)