29 Mars 2024

Paralajmërimi i fundit për tu këndellur nga SHBA-ja nëpërmjet Grenellit

Shkruar nga Gurakuç Kuçi

“Nëse të dy palët nuk lëvizin dhe të arrijnë një marrëveshje, në do të tërhiqemi”, ky ishte paralajmërimi që dha i dërguari special i Presidentit të SHBA-së për negociatat Kosovë-Serbi, Richard Grenell, gjatë vizitës së tij që i bëri Serbisë.

Ai këtë paralajmërim e dha në një konferencë për media së bashku me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, me 24 janar pasi me 23 janar kishte tërhequr vërejtjen ndaj politikanëve në Kosovë për orientim nga zhvillimi ekonomik.

Mesazhin ndaj politikanëve në Kosovë e kemi shpjeguar me artikullin e botuar me 24 janar me titullin: “Nga Rubini dhe Klintoni e deri tek Grenelli, dhe prapambetja e politikanëve kosovarë që nga koha e UNMIK-ut” mesazh që i drejtohej vetëm Kosovës, përderisa ai në Serbi të dyja palëve dhe do ta shpjegojmë këtu.

Grenell me mesazhin e parë për politikanët në Kosovë për orientim nga zhvillimi ekonomik dha orientimin se duhet larguar politikanët të cilët nuk kanë mundur dhe dashur ta zhvillojnë Kosovën deri me tani por përkundrazi e kanë shkatërruar dhe se nuk ka gjasa për ndryshim të rezultatit zgjedhor, po ashtu është më se e nevojshme trancizioni i gjeneratave politike.

Për më tepër ky mesazh ishte udhëzimi se çka duhet të bëjë Kosova që të vazhdoj ekzistencën e saj si shtet dhe të mos vazhdoj të mbetet barrë e SHBA-së dhe BE-së.

Me mesazhin nga Serbia për të arritur drejt marrëveshjes të dyja palët si Kosova dhe Serbia, Grenell tha se është mundësia e fundit për të dyja vendet që të fitojnë të ardhme drejt zhvillimit ekonomik dhe paqes.

Në të kundërt, SHBA-ja do të tërhiqet si faktor i cili merret edhe me çështjet bilaterale lokale të Ballkanit dhe do të ndjek vetëm vijat gjeopolitike që krijojnë balancat ndërmjet fuqive të mëdha.

Në një artikull tjetër të quajtur: “Përfitimet e Serbisë në Kosovë nga ftohja e marrëdhënieve SHBA-Turqi” shpreha frikën se vijat gjeopolitike të fuqive të mëdha për të shkuar drejt paqes dhe krijuar balanca gjeostrategjike nuk e kanë shumë problem që të lëvizin vija jo të vogla gjeopolitike të cilat nuk e ndryshojnë status quo-në. Ndryshimi i këtyre vijave gjeopolitike dhe lëvizjeve të kufijve kilometrikë dërgon në zhdukjen e shtetit të Kosovës dhe ndarjen e territorit të saj ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë.

Grenelli me mesazhin e tij që nëse Kosova dhe Serbia nuk gjejnë zgjidhje atëherë SHBA-ja do të tërhiqet, kjo më së paku i konvenon Kosovës dhe është krejtësisht në të mirë të Serbisë.

Serbia duke dëshmuar se është një qenie shtetërore serioze qoftë për të mirë apo për të keq arrin të ruaj aleancat e saj sllavo-ortodokse si ajo me Rusinë dhe nëpërmjet kësaj të vazhdoj me shtrirjen e interesave ruso-serbe dhe diplomacinë e dy karrigeve, përderisa arrin ta ndajë Kosovën.

Ndërsa një tërheqje eventuale e SHBA-së është katastrofale për shtetësinë e Kosovës, dhe kjo ndodh për faj të Kosovës, d.m.th. zhdukja e projektit të Kosovës, pasi Kosova është treguar e paaftë që të ruajë shtetësinë, ta zhvillojë atë dhe të mos bëhemi vrimë e zezë për aleatët perëndimor por një hapësirë lojale për ta.

Kosova mund të vijë në pozicionin si dikur Shqipëria me 1878 kur Bizmarku shprehej se “Shqipëria nuk është asgjë më shumë se sa një nocion gjeografik”  dhe tani mund të del dikush ekuivalent i Bizmarkut dhe të thotë se “Kosova nuk është shtet por vetëm një nocion gjeografik”.

Projekte të tilla vetëm sa po formësohen si ajo me minishengenin ballkanik dhe krijimin e rrethanave që paqja mund të vijë në Ballkan edhe me një format tjetër.

SHBA-ja gjeostrategjikisht duhet të mbetet përherë në Kosovë dhe Ballkan por është krejtësisht jashtë interesit të tyre dhe çdo shteti tjetër që të mbajnë edhe barrën e rregullimit të çështjeve të brendshme të një vendi si ajo me zhvillim ekonomik, luftim të korrupsionit, politika lokale, etj., të cilat drejtpërdrejtë po e pengojnë edhe Kosovën drejt integrimit ndërkombëtar por edhe që aleatët e Kosovës ta mbrojnë këtë të fundit.

Andaj, me këtë mesazh SHBA-ja nëpërmjet Grenellit po ia jep edhe një mundësi këndellje rajonit e sidomos Kosovës që të përmbledh forcat e saj intelektuale dhe të krijoj qasje për zhvillim ekonomik, qasje adekuate ndaj Serbisë dhe krijimin e një shteti stabil që integrohet në organizatat ndërkombëtare nëpërmjet marrëveshjeve, ndryshe heqja dorë e SHBA-së është zhdukja e shtetit të Kosovës.

Kosova tanimë është rrethuar nga të zezat e saj së brendshmi nga politikanët e korruptuar që punojnë vetëm në interesa grupore dhe së jashtmi nga armiqtë e saj që po ndihmohen edhe nga Gjykata Speciale dhe materialet e këqija që po i marrin nga brenda Kosovës.

Paralajmërimet janë serioze dhe mbetet tek Kosova nëse i merr apo jo seriozisht, është koha e fundit e këndelljes, ndryshe që nga vendimi në Gjykatën Ndërkombëtare për çështjen e pavarësisë, Kosova nuk ka arritje tjera por vetëm ngecje dhe hapa prapa.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)