08 Prill 2020

(Pa) përgjegjësia e BQK-së me IBAN-in dhe SWIFT kodin

Shkruar nga Isa Mulaj

Dhjetë vite pas themelimit dhe konsolidimit të Bankë Qendrore të Kosovës (BQK), e cila fillimisht u themelua dhe funksiononte si Autoriteti Bankar dhe i Pagesave të Kosovës me një shkurtesë si BPK që nuk i përgjigjej emërtimit as në shqip, e as në anglisht (Banking and Payment Authority of Kosova), në Kosovë ende shfrytëzohet IBAN-i (International Bank Account Number – Numri Ndërkombëtar i Llogarisë Bankare) dhe SWIFT (Society for Worldwide Interbank Financial Telecommunication – Shoqata për Telekomunikim Financiar Ndërbankar Mbarëbotëror) kodi i Serbisë.

Zyrtarë të BQK-së, si për shembull zëdhënësi i saj, Besnik Kada, e identifikojnë problemin ose mungesën e SWIFT kodit dhe IBAN-it të veçantë me Kombet e Bashkuara rreth statusit politik të Kosovës, dhe një ekspert bankar, Flamur Keqa, disponimin e tyre e sheh si njohje ndërkombëtare të shtetit të Kosovës edhe në aspektin e transaksioneve dhe shërbimeve financiare.

Këto deklarime ndoshta janë forma për t’i bishtnuar papërgjegjësisë së institucioneve të Kosovës, më konkretisht BQK-së, që vazhdon të përdor SWIFT kodin e Serbisë.

Po të ktheheni prapa, hiç më larg se para shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, shumica e raporteve dhe analizave e identifikonin çështjen e statusit politik si një ndër pengesat kryesore për ekonominë e Kosovës, pra duket se disa ende po lozin me kartën e statusit politik edhe për çështjet që duken më shumë teknike dhe do të zgjidheshin me një përkushtim të vendosur.

Nëse ka qenë e pamundur të fitohet kodi i veçantë për Kosovën, atëherë Besnik (Tradhtar!) Kada dhe Flamur Keqa (Famuri i Keq!) kanë mundur të rekomandojnë shfrytëzimin e SWIFT kodit të Shqipërisë apo të ndonjë shteti tjetër me përjashtim të Serbisë.

Ç’është e vërteta, arsyetimi që jepej më herët për përdorimin e SWIFT kodit të Serbisë, ishte se Kosova nuk është shtet i pavarur, prandaj nuk kishte të drejtë në kodin e saj. Përdorimi i SWIFT kodit të Serbisë e identifikon BQK-në si bankë serbe në të gjitha transferet dhe marrëveshjet e jashtme bankare.

Mungesa e këtij kodi i kushton Kosovës dhe i sjellë përfitime Serbisë në transaksione. SWIFT kodin bankar e kanë mijëra institucione të ndryshme financiare nëpër botë, ndërsa Kosova si shtet i pavarur nuk e ka një të vetin.

Qysh në vitin 2002 kur BQK kishte status më të ultë si BPK, punëtorët kishin paralajmëruar se do ta ndërprenë punën nëse UNMIK-u, që mbikëqyrte punën e BPK-së, nuk e anulon vendimin për SWIFT kodin e Serbisë dhe Malit ë Zi.

Por, tash kur UNMIK-u nuk ka kurrfarë kompetencash ekzekutive dhe administrative, Kosova është shtet i pranuar në Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, dhe statusi i BPK-së është avancuar në BQK, atëherë përgjegjësinë duhet kërkuar vetëm tek institucionet e Kosovës dhe papërgjegjësinë e tyre, dhe askund tjetër.

Kjo është punë e lehtë që mund ta rregulloj BQK-ja në Organizatën Ndërkombëtare për Standarde – ISO. Mirëpo, duket se jo kompetenca dhe neglizhenca e menaxhmentit të BQK-së është e atillë që në marrjen e SWIFT kodit për Kosovën më shumë mund të jenë njerëzit e zakonshëm jashtë saj se të punësuarit aty.

Atyre u intereson një rrogë aty, mundësisht sa më e madhe, sikurse edhe shumicës së zyrtarëve tjerë nëpër institucionet e Kosovës, dhe të mburren se i kanë zënë, që do të thotë okupuar, ato vende të punës, dhe t’i tregojnë dikujt se kush janë dhe ku punojnë, por jo edhe çfarë përgjegjësish dhe kompetencash konkrete kanë.
 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 Prill 2020 - Ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së Klinikës Infektive, dr. Lindita Ajazaj- Berisha dhe prof.Sali Ahmeti, do të  prononcohen për medie ku do të  jepen informatat e fundit lidhur me trajtimin e pacientëve me Covid-19. (Para Klinikës Infektive, ora 11:00)

- Ministri i Financave dhe Transfereve Besnik Bislimi dhe drejtori i Zyrës së KfW-së për Kosovë Rene Escheman me pjesëmarrës ambasadorin gjerman në Kosovë Christian Held nënshkruajnë dy marrëveshje grant “Rritja e Kapitalit Garantues për Fondin Kosovar për Garanci Kreditore” dhe “Fondi i Sfidave të Kosovës - Arsimi Profesional dhe Trajnimi”. (Ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, ora 11:45)

- Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli viziton mulirin "NTP Vali" në Sllatinë të Fushë Kosovës, për t'u informuar për kapacitet prodhuese të miellit në kohë pandemie. (Sllatinë, ora 13:40)

- Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, mban takim me kryetarin e Komunës së Fushë Kosovës. (Ndërtesa e komunës, ora 14:00)

- ANP 'Adem Jashari' së bashku me Minsitrin e Shëndetësisë Arben Vitia, organizojnë konferencën për shtyp në lidhje me donacionin që do të dhurojë Aeroporti në luftimin e pandemisë!  (Ministria e Shëndetësisë,  ora 14:30)

- Mbërrin kontingjenti i parë i masave mbrojtëse dhe pajisjeve mjekësore, donacion i Republikës së Turqisë, për institucionet e Kosovës për menaxhimin e situatës epidemiologjike me Covid-19. (ANP “Adem Jashari”, ora 15:45)