20 Prill 2024

Outsourcing si mundësi e madhe për zhvillim ekonomik

 Shkruar nga Arbnor Bajraliu

Në epokën e globalizmit shumica e korporatave gjigante vazhdimisht janë në kërkim të transferimit të shumë funksioneve të prodhimit apo të shërbimeve në vendet më pak të zhvilluara ekonomikisht, në mënyrë që të ulin kostot e prodhimit, të operimit dhe t’i mundësohet qasje në talent.

Përveç kësaj, vendet e zhvilluara shpesh herë përballen edhe me mungesën e kuadrove në profesione të caktuara.

Kërkesa e madhe për punëtorë sidomos në fushën e IT-së, ka krijuar një mundësi të mirë që këto vende pune të plotësohen me punëtorë të kualifikuar nga vendet në zhvillim.

Kompanitë transferojnë edhe shumë funksione/procese tjera të biznesit, si shërbime të prodhimit, IT-së, ligjore, të kontabilitetit, trajnimeve, qendrave të thirrjes apo shërbime në sektorin e resurseve njerëzore.


Që nga viti 1970, kur mendohet se India e mori për herë të parë një kontratë transferimi të funksioneve prodhuese të firmës, është bërë destinacioni më i preferuar I kompanive të mëdha me qëllim të zvogëlimit të kostove.

Tani ky sektor në Indi punëson rreth 3.5 milionë njerëz duke kontribuar në 9.5% të PBB-së së vendit. Me gjithë avantazhin e kostos së ulët që e ofron fuqia punëtore në Indi, në shumë sfera tjera bashkëpunimi me vendet si India ka treguar disavantazh.

Problemet kryesore fillojnë nga mospërputhja e zonës kohore me Evropën dhe Amerikën e deri te problemet në përshtatjen kulturore, mungesa e cilësisë së shërbimeve dhe lokacioni gjeografik i largët nga vendet e zhvilluara.

Duke konsideruar këta dhe faktorë të tjerë, bizneset e mëdha po i bartin shumë departamente të firmave tek vendet që nuk i kanë këto mangësi. Një nga rajonet më të përshtatshme fatmirësisht është edhe Ballkani.

Vetëm në Rumani janë gati 100 000 të punësuar në këtë sektor. Kohëve të fundit vërehet një orientim më i madh i kompanive skandinave dhe kompanitë tjera Evropiane drejt vendeve të Evropës Juglindore të cilat mund t’i konsiderojmë si konkurrent direkt në fushën e ‘outsource’ duke pasur parasysh çmimet e përafërta, afinitetin kulturor të përafërt dhe kualifikimet e përafërta të cilat kërkohen nga tregu Evropian.

Sektori i outsource vazhdon të jetë sektori më dinamik dhe me rritjen më të shpejtë si sektor në Bullgari, duke u rritur me 13.7% në vitin 2014 krahasuar me vitin 2013 dhe duke marrë pjesë në GDP e përgjithshme me 3%. Vitin e kaluar, ky sektor ka krijuar mundësi për aftësim profesional dhe avancim në karrierë për më shumë se 33 000 ekspertë të rinjë.

Sektori i shërbimeve është sektori me përqindjen më të madhe të pjesëmarrjes në PBB-në botërore dhe trendi i rritjes së këtij sektori në krahasim me sektorët tjerë ekonomik shkon duke u bërë edhe më i madh.

 Sipas të dhënave nga institucione të ndryshme globale ekonomike dhe financiare, rreth 65% e ekonomisë botërore është e bazuar në shërbime. Vendet e zhvilluara karakterizohen me përqindje më të madhe të pjesëmarrjes së sektorit të shërbimeve në Produktin e Brendshëm Bruto(PBB).

Edhe në Kosovë ka filluar një trend i rritjes së kësaj industrie. Kohët e fundit shumë gjigantë botëror kanë zgjedhur Kosovën si destinacion për të transferuar shumë funksione/procese të biznesit dhe të operimit.

Disa nga arsyet kryesore që e bëjnë Kosovën destinacion atraktiv për outsource janë: kostoja e lirë e punëtorëve të kualifikuar në Kosovë, afiniteti kulturor, lehtësirat në të bërit biznes, marrëveshjet tregtare mes Kosovës dhe BE-së e SHBA-së, pozicioni gjeografik, njohja e gjuhëve të huaja, aksenti i përshtatshëm etj.

Një nga shembujt konkret të suksesit në këtë sektor është kompania “Kosbit” e cila megjithëse është një kompani e re, ka arritur të tërheqë në vendin tonë një kompani gjigande si AT&T, kompani e cila në nivel botëror punëson rreth 300 000 mijë punëtorë, si partner për Ballkanin ka zgjedhur këtë kompani Kosovare. Përmes kësaj kompanie, Kosbit ofron shërbime edhe për korportat tjera të mëdha si IBM, Cisco, Coca Cola etj.

Për vendet si Kosova, investimi për t’u shndërruar në qendër të ofrimit të shërbimeve vendeve tjera më të zhvilluara është shumë më e lehtë dhe më e leverdishme sesa konkurrimi në industri të prodhimit, teknologji apo inovacion.

Të investosh në zhvillimin e kapitalit njerëzor e intelektual, apo siç njihet ndryshe ekonomi e bazuar në dituri, është më e lehtë dhe më arritshme sesa të konkurrosh me vendet e zhvilluara duke investuar në industri të prodhimit.

Niveli i lartë i automatizimit të proceseve të punës nga kompanitë e mëdha botërore, lehtësia për të transportuar produktet nga vendet tjera, marrëveshjet tregtare të cilat ndalojnë masat proteksioniste, janë disa nga faktorët të cilët e bëjnë edhe më të vështirë për firmat vendore konkurrimin në industritë prodhuese.

Kosova do të duhej që si prioritet nacional ta ketë zhvillimin e sektorit të shërbimeve me fokus ne ‘outsourcing’. Fakti që Kosova ka shumë përparësi konkurruese në krahasim me vendet tjera të rajonit, të cilat i përmendëm në paragrafët e mësipërm, duhet të shërbejnë si argumente të mjaftueshme për institucionet vendimmarrëse, që këtë sektor ta vendosin si prioritet të zhvillimit ekonomik.

Mund të arrijmë në përfundim se sektori i shërbimeve është sektori më i rëndësishëm në vendet e zhvilluara dhe katalizatori i rritjes ekonomike në vendet në zhvillim, si në Indi apo Kinë. Megjithatë, sfida e vërtetë është t’i jepet përgjigje pyetjes se çfarë masa duhet të ndërmarrë qeveria jonë për të ndihmuar rritjen e sektorit të shërbimeve.
 
Të ofrojë një ambient konkurrues mes bizneseve që ofrojnë shërbime, të ofrojë informatat e nevojshme që i duhen një biznesi të funksionojë në mjedisin e sotëm global, të ofrojë lehtësira tatimore për kompanitë e huaja që vendosin të transferojnë departamentet e tyre në Kosovë, të investohet në institucionet edukativo-arsimore me qëllim të përgatitjes së kuadrove për tregun e punës, duke shtuar ato me kualifikim në sektorin e IT-së.

Metodat për të ndihmuar sektorin e shërbimeve dhe të ‘outsource’ mund të jenë të ndryshme, por përfundimi është se joshja e firmave për të sjellë në Kosovë funksionet e firmës është rruga më e shpejtë dhe më e arritshme drejt zhvillimit ekonomik të vendit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)