20 Prill 2024

Një e drejtë e mohuar

Shkruar nga Besnik Rama


Në këtë analizë për rëndësinë e votës së emigrantëve, preferoj dhe zgjedh të flas shkurtër, por preciz duke u bazuar në tre komponentë substancial: numri i lartë, ndikimi në fatet e vendit dhe financat e tyre.

1. Një numër relativisht i madh i shqiptarëve gjendet sot jashtë Shqipërisë, pjesa dërrmuese në emigrim. Shteti shqiptar nuk ka sot asnjë shifër të saktë se sa % e popullatës shqiptare nuk ndodhet në tokën shqiptare, edhe pse figurojnë si të shkruar brenda saj. Shteti shqiptar nuk ka asnjë numër të saktë se sa shqiptarë janë me banim të përhershëm jashtë Shqipërisë, sa udhëtojnë për çështje pune dhe sa prej tyre janë me kohë të pjesshme.

Dhe në kohë zgjedhjesh, sikur veç 20% e popullatës të mos jenë prezent në Shqipëri, a nuk është një numër i konsiderueshëm votash për t’u marrë parasysh?! Leqë pastaj numri i shqiptarëve që janë në emigracion mund të kapin shifra edhe më të larta se sa edhe 3 milionshi. Sikur t’i jepet e drejta e votës me gjithsej këtyre, atëherë edhe % e votuesve do të rritej, edhe standarti i zgjedhjeve, por bashkë me këto edhe rëndësia dhe përgjegjësia e të zgjedhurve.

2. Emigrantët shqiptarë, e veçmas diaspora shqiptare ka luajtur dhe vazhdon të luajë një rol mjaft të rëndësishëm për fatet e vendit tonë, edhe pse veprimtaria e tyre zhvillohet jashtë shtetit amë. Sikur të kujtojmë veç thithjen e investimeve, lobimet pro liberalizimit të vizave, thithjen e turistëve të huaj drejt vendeve tona, ato të pakta të virgjëra që kanë mbetur etj., do të mjaftonte për të treguar ndikimin që kjo diasporë ka.

Shtoi faktin e ndikimit në bashkëbisedime të rëndësishme dhe negociata edhe në Departamentin e Shtetit për takime në nivele të larta me udhëheqjen shqiptare. Të gjitha këto janë realizuar me ndërhyrjen dhe ndërmjetësimin e shtetasve shqiptarë, që jetojnë dhe punojnë jashtë Shqipërisë.

3. Financat janë edhe pjesa apo komponenti më i rëndësishëm i kontributit të diasporës shqiptare. Ato shkojnë për familjen bërthamë, të afërm, dashamirës, miq dhe në investime në Shqipëri. Sikur të llogaritej veç shuma që shkon për familjet shqiptare, sot qeveria duhet të ”fërkojë” duart që mjaft nga këto familje nuk ndodhen në mjerim. Një mjerim i cili mund t’i mbërthente pa ndihmën e konsiderueshme që vjen nga jashtë.

Sidomos pleqtë nuk kanë asnjë lloj mundësie manovrimi për të kaluar muajin e tyre, pasi edhe ai pak pension që marrin nuk u del as për ilaçe, e jo më të llogaritet ushqimi e të tjera bashkë me to. Gjithashtu, investimet në biznese, korporata dhe ndërmarrje kanë punësuar shumë njerëz, të cilët pa ndihmën e investimeve tona sot mund të ishin duke rendur rrugëve të Shqipërisë në kërkim të punës, e cila kur nuk vjen bëhet edhe burim fatkeqësirash, të cilat në fakt tashmë po i dëgjojmë çdo ditë përmes medias.

Si përfundim, sikur veç këto komponentë të lartpërmendur, mjaftojnë krejtësisht dhe në mënyrë absolute që zgjedhjet e ardhshme të përfshijnë edhe votën e emigrantëve, votë e cila në shumë raste keqpërdoret, pa votimin tonë. Pra, njerëz të inkriminuar apo pinjollë dashakeqës shqiptarë të përfshirë kokë e këmbë në mjerimin intelektual të partive tona, rendin drejt kutive me karta identiteti fallso për të votuar për ne, emigrantët shqiptarë.

Ndaj, duhet të votojmë ne vetë për veten tonë. Duhet ta fitojmë këtë të drejtë, e cila na takon. Duhet të vendosim vetë për fatin e vendit tonë. Duhet të zgjedhim ne direkt përfaqësuesit tanë. Pse kanë frikë këto zotërinj nga vota jonë? Pse, përderisa ne paguajmë edhe taksa në vendin tonë?

(Autori është botues dhe kryeredaktor në Nacional Albania)

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)