29 Mars 2024

Një ditë në Katar

Shkruar nga Shefqet Krasniqi

Javën e kaluar, gjegjësisht më 23 dhe 24 maj, u mbajt konferenca e radhës së Ligës së Dijetarëve Myslimanë në Doha të Katarit me temën “Risitë politike dhe dispozitat e tyre.” 

U mbajtën seanca të shumta dhe u trajtuan çështje nga më të ndryshmet që kanë të bëjnë me myslimanët bashkëkohorë ndërsa njërën nga këto seanca, në cilësinë e anëtarit të kryesisë së kësaj Lige, e udhëhoqa edhe unë.

Gjërave u munduam tua heqim vellon dhe t’i diskutojmë ashtu siç janë në të vërtetë. Diskutuam për gjendjen në Egjipt, respektivisht për zgjedhjet për President, e që gara ndërmjet taborit mysliman të udhëhequr nga Mursiu dhe atij laik të udhëhequr nga Shefiku, ish-kryeministri i regjimit të Mubarakut, ka tërhequr vëmendjen e opinionit ndërkombëtar.

Zgjedhjet po shihen si historike ngase me to do të vendoset drejtimi politik dhe shoqëror i Egjiptit, sikur që do të dihet nëse zgjedhjet do ta ruajnë Revolucionin apo do ta shkatërrojnë atë.

Më qartë, shihen si garë ndërmjet Islamit dhe laicizmit. E tërë bota është nën ethe se çfarë do të ndodhë dhe ç’drejtim do të merr Egjipti, për të mos thënë se të gjunjëzuar (lexo: përmbysur) po luten që prapë të kthehet Mubaraku, i cili fundja për ta është më i mirë se islamikët.

Vëllezërit mysliman të cilët me shumicë dërmuese  fituan në zgjedhjet parlamentare, po shpresojnë që ta fitojnë edhe garën për president dhe me këtë t’i japin fund një pushteti laik, antifetar, prej të cilit më së shumti kanë vuajtur vet ata si lëvizje.

Fitorja e mundshme e tyre është perceptuar si një shpresë drejt rikthimit të Egjiptit në vlerat islame mu ashtu siç ndodhë sot në Turqi nga partia në pushtet.

Perëndimi nuk e do ardhjen e islamistëve në pushtet dhe kjo për ta do të ishte një storie e pakëndshme, por, përkundër dëshirës së tyre, ata do të vijnë mos sot, nesër. Ardhja e tyre sigurisht se do ta dëshmojë të kundërtën para botës së civilizuar dhe para mendjeve të ndritura.

Do të dëshmojë se Islami dhe praktikuesit e tij janë dhurata më e mirë për njerëzimin ndërsa planprogrami i tij mbase është shpëtimi i vetëm i perëndimit nga kriza ekonomike, sociale, politike dhe shpirtërore. 

Si problem aktual, madje shumë shqetësues, e diskutuam edhe atë të Sirisë dhe krimeve makabre dhe masive që është duke i bërë regjimi i atjeshëm. Presidenti sirian dhe përkrahësit e tij janë duke ushtruar dhunën më brutale të parë në këtë fillim shekull prej ndonjë regjimi.

Ai vazhdon ta sfidojë botën ndërsa nuk mohohet fakti se prapa tij, për qëllime sektare dhe politike qëndrojnë Irani dhe Libani, respektivisht Kina dhe Rusia.

E bota e “moderuar” vazhdon të mjaftojë me deklarata të “vrazhda” kundër Besharit dhe forcave të tij militare dhe paramilitare, mu ashtu siç vepronin në rastin e kasapit të Ballkanit, Milloshit, në fundin e shekullit të kaluar. Realisht, ky kriminel nuk mori mësim vetëm se atëherë kur u godit “me shkop” në kokë, gjë të cilën mendojmë se Bashkësia Ndërkombëtare duhet ta bëjë edhe në raport me Besharin! Ndryshe, vetëm shtyrja e intervenimeve do të vënte pikëpyetje të shumta për rolin dhe qëllimet e saj.

A nuk është qëllimi ndërhyrja në çfarëdo krize për t’i mbrojtur njerëzit, në veçanti civilët?! Vërtet çudi e madhe, apo ndoshta gjaku i myslimanëve –i arabëve- nuk është i shtrenjtë, e nuk ka shumë problem edhe pse vriten me dhjetëra e qindra në ditë.

Sigurisht se gjatë gjithë qëndrimit, sidomos pas marrjes së lajmeve të hidhura për masakrat e fundit të regjimit sirian mbi popullatën civile ne Hula, ishim të prekur dhe shumë të shqetësuar, por, për të përfituar nga rasti dhe mundësia pasi kjo ishte vizita ime e parë në Katar, pas përfundimit të konferencës, mbajtëm edhe disa takime me njerëz të ndryshëm, duke filluar nga shkollarë myslimanë, studentë, punëtorë e deri edhe sportistë. Dolëm ta shohim Katarin, më konkretisht Dohan, kryeqytetin e Katarit, që të njihemi nga afër me të.

Katari ka një sipërfaqe prej 11,586 km katrore. Kufizohet me Gjirin Persik dhe Arabinë Saudite. Sipas statistikave të vitit 2010, Katari ka 1,699,435 banorë, 83% e të cilëve banojnë në kryeqytet.

Nafta dhe gazi natyral, që janë dhe burim kryesor i të ardhurave të tij, i kanë mundësuar arritjen e të ardhurave më të larta për kokë banori në botë, që sipas Raportit të Fondit Monetar Ndërkombëtar të lëshuar më 2008, arrijnë shifrën prej 85.000 US$ për kokë banori në vit.

Rezervat e pavarura të naftës rreth 25 miliard fuçi mundësojnë Katarit një prodhim në një nivel aktual edhe për rreth 57 vite. Rezervat e dëshmuara të gazit natyrorë kalojnë 25 trilionë metër kub, më shumë se 13% e rezervës botërore dhe e treta më rezervën më të lartë në botë.

Kupa e botës që do të mbahet në Katar gjatë vitit 2022 do të përshpejtojë projekte të mëdha infrastrukturore si metro dhe ura lidhëse në mes të Katarit dhe Bahrejnit.

Imazhi ndërkombëtar i Katarit është ngritur në një masë të lartë nga ana e rrjetit informativ me bazë në Doha - Al Jazirah (Al Xhezira), i cili ka ofruar një mbulim të plotë të Lindjes së Afërt dhe Afrikës së Veriut.

Përveç kësaj Katari ka luajtur një rol mjaft të madh në revolucionin e Libisë duke i bërë presion Këshillit për Bashkëpunim të Gjirit dhe Ligës Arabe që të ndihmojnë lëvizjen Libaneze, ashtu siç është duke luajtur rol mjaft të madh në çështjen e Sirisë.

Shumë gjëra të bukura pamë dhe dëgjuam në Katar, por ndër më të mirat që më pëlqyen më së shumti ishte një Qendër Informative për jomyslimanët për tu njohur me Islamin, e në të cilën organizoheshin tribuna, fjalime dhe ligjërata të ndryshme.

Çdo ditë së paku një i huaj e pranonte Islamin. Ligjëruesit ishin nga të katër anët e botës ndërsa ekskluzivitet i kësaj Qendre ishte një kopje e Kur’anit, e vjetër mbi 1400 vite. D.t.th. datonte nga koha e sahabëve - shokëve të Pejgamberit a.s.  Më preku thellë në shpirt ajo kopje. Sa madhështore që ishte! Thashë më vete: Sa madhështor është ky Kur’an, sa i mirë  dhe origjinal që është, kanë kaluar 1400 vite ndërsa atij nuk i është ndryshuar asnjë shkronjë, asnjë fjalë, asnjë dispozitë. Kjo është karakteristikë vetëm e Kur’anit.

Sa shumë arsye kemi për tu mburrur dhe për të qenë krenar. Sa trashëgimi të madhe që kemi! Allahu na i ruajt këto të mira dhe na bëftë prej atyre që e falënderojnë shumë për to si dhe punojnë në përputhje me mësimet e Librit të Tij!
 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)