29 Mars 2024

Një bashkëpunim i sanksionuar me ligj, por…

Shkruar nga Redan Bushati

Të gjithë drejtuesit e universiteteve tona (publike e private) duhet të jenë përherë në koherencë të plotë me ndryshimet dhe reformat e herëpashershme që Ministria e Arsimit ndërmerr në kuadër të standartizimit, sipas saj, të jetës studentore në nivele europiane.

 

Kjo do të thotë që drejtuesit e universiteteve duhet të ndjekin në mënyrë subkoshiente dhe me një nivel të lartë përgjegjshmërie ndryshimet apo vendosjen e rregullave të reja të lojës, veçanërisht ato që janë me urdhër VKM-je dhe të bëra publike e të hedhura në Fletoren Zyrtare.

Shqetësimet më të mëdha vijnë nga rradhët e studentëve, veçanërisht atyre që janë në drejtim të strukturave studentore. Shqetësimet nuk vijnë si rezultat i shqetesimeve dhe problematikave që kanë studentët (pasi kjo është normale), porse shqetësimi më madhor është neglizhenca dhe injorimi i këtyre problematikave, duke bërë që këto të akumulohen dhe të mos gjejnë zgjidhje efikase në kohë nga organet kolegjiale përkatëse, të cilat në jo pak raste tregohen moskokëçarëse dhe fyese të personalitetit të drejtuesve të këtyre strukturave studentore.

Kështu që edhe problematikat e shumta të jetës universitare në vendin tonë kanë një shumësi argumentash, të cilat janë derivat i patjetërsueshëm i këtyre neglizhimeve deri në injorim.

Normalisht brenda jetës së një universiteti, çdo grup shoqëror ka të drejtën e grumbullimit, angazhimit dhe organizimit, por edhe të vetshpalljes së tyre mbrojtës të së drejtave të studentëve apo për qëllime të tjera që ato shikojnë me interes primar.

Gjithsesi, ajo çfarë është e legjitimuar edhe nga MASH është Këshilli Kombëtar Studentor (KKS), e cila ka në Asamblenë e Përgjithshme të saj çdo Kryetar nga Këshillat Studentore të universiteteve të vendit, ku këto të fundit kanë strukturat e tyre brenda kornizave juridike të universiteteve përkatëse, duke e dërguar këtë strukturë deri në bazë fakulteti dhe degë studimi.

Edhe pse një strukturë e re në moshë, ajo ka mbrojtur shumë të drejta që u takojnë studentëve, por edhe ka organizuar aktivitete me peshë të madhe, ku vlen të theksohet aktiviteti festiv me 17 Nëntor për Ditën Ndërkombëtare të Studentëve “Me Dinjitet në Europë”, aktivitet i cili mbështetej dhe ishte nën kujdesin e plotë të Kryeministrit të Rep. së Shqipërisë Prof. Dr. Sali Berisha.

Kjo do të thotë që pushteti ekzekutiv, por edhe ai legjislativ e gjyqësor e njohin mirëfilli këtë strukturë në nivele përfaqësimi studentore. Kështu që, lipset të tregohet ndaj kësaj strukture vëmendje e plotë edhe nga drejtuesit e Rektoratit të çdo Universiteti në Rep. e Shqipërisë.

Drejtuesit e universiteteve në vendin tonë duhet të kenë një bashkëpunim të frytshëm me drejtuesit e Këshillit Studentor të universitetit të tyre, madje të nënshkruhen marrëveshje dhe kontrata juridike për çështje e projekte të rëndësishme të propozuara dhe të rëna dakort nga të dyja palët, me qëllim bashkërendimin dhe efikasitetin e shërbimit të rritjes së nivelit të cilësisë së jetës universitare.

Në këtë kuadër do shprehja mendimin se sanksionimi ligjor parashikon krijimin e mjediseve dhe bazën financiare të ekzistimit të këtyre strukturave, ndërkohë praktika e përditshme na jep një panoramë të tillë që shumë Këshilla Studentore nëpër rrethe nuk kanë as minimumin e ekzistimit të tyre me zyra dhe vulë, ku sipas nenit 5 dhe 8 të statutit të Këshillit Studentor të miratuar nga MASH është e parashikuar një gjë e tillë. Gjithashtu është pikërisht neni 3 ku thotë tekstualisht si më poshtë: “Institucionet e arsimit të lartë mbështesin këshillat e studentëve dhe financojnë veprimtaritë e tyre”.

Tek kreu 5 mbi “Administrimin Financiar”, neni 24, pika 1 e tij, parashikon financimet e këshillave të studentëve nga buxheti i universitetit. Edhe sikur (neni 24, pika 1 e tij) të ishte e vetmja pikë e këtij statuti të miratuar nga Ministria e Arsimit do ishte e mjaftueshme që drejtuesit e universiteteve të nxitonin për të qenë në korrektësi të plotë me ligjet e këtij shteti dhe në koherencë të plotë juridike me linjën e tyre ministrore.

Gjithashtu, neni 25 parashikon që ky buxhet për Këshillin Studentor duhet të miratohet nga organet kolegjiale të universitetit jo më vonë se 2 (dy) javë nga miratimi i buxhetit të saj financiar. (të dhënat sipas statutit të KSUT)

Këshilli Kombëtar Studentor (KKS) dhe Këshilli Studentor i Universitetit të Shkodrës (K.S.U.SH) në bashkëpunim të plotë me këshillat studentore nëpër rrethe, po krijojnë një performancë të pëlqyeshme në publik me një seri aktivitetesh dhe nismash.

Ndër nismat që po jep gradualisht frytet e veta është edhe gazeta “Studenti Shqiptar” botuar nga KKS. Numri i saj i parë ka dalur në Ditën Ndërkombëtare të Studentëve dhe për çdo të hëne të javës do të jetë në duart e mbi 20000 studentëve në mbarë Shqipërinë.

Një gjë e tillë tregon se organet e këtyre këshillave studentore kanë jetë, porse jetesa dhe gjallëria e tyre më e mirë do të ishte funksionimi dhe respektimi maksimalisht nga ana e drejtuesve të institucioneve të arsimit të lartë, të rregullave ligjore të parashikuara.

Ndërtimi i çdo lloj bashkëpunimi, por veçanërisht me të rinjtë-studentë duhet të jetë rigoroz dhe shumë serioz, pasi është brezi që do pasojë ruajtjen dhe ekzistimin e shtyllave të forta të një shteti të së drejtës në vendin tonë. Pikërisht, më shumë se ç’ka tjetër për një gjë të tillë duhet të respektojmë: “Këtë Bashkëpunim të Sankionuar me Ligj”.

(Autori është Kryetar i Këshillit Studentor të Universitetit të Shkodrës (K.S.U.SH))

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)