20 Prill 2024

Nepotizmi shqetësim që dëmton shoqërinë

Shkruar nga Ahmet Pllana

Shumica e qytetarëve të Kosovës konsiderojnë që nepotizmi, si dukuri negative e shoqërisë, është e shfaqur edhe sot e kësaj dite.

Nepotizmi nuk është luftuar sa duhet, ndërsa më tepër është i theksuar në sektorin publik, por edhe në sektorin privat.

Për nepotizmin në punësim janë të shqetësuara shoqëria civile dhe sindikatat, të cilat vazhdimisht e kritikojnë dhe e luftojnë nepotizmin, por nuk bëjnë edhe aq shumë në sensibilizimin e opinionit dhe institucioneve përkatëse për ta eliminuar këtë dukuri të dëmshme për shoqërinë.

Sipas fjalorit, fjala ‘nepotizëm’ rrjedh nga italishtja ‘nepote’ që do të thotë nip. Fjala nepotizëm ka hyrë në përdorim nga praktika e dhënies favore të veçanta nipërve ose të afërmve të tyre.

Pra,me nepotizëm kuptohet  favorizimi i të afërmve mbi bazën e lidhjeve familjare. Thënë më saktë me fjalën nepotizëm nënkuptohet punësimi i të afërmve apo miqve të ngushtë, pa marrë parasysh meritat dhe aftësitë e tyre.

Shumica e qytetarëve mendojnë se lidhjet farefisnore dhe bindjet politike luajnë një rol tejet të madh në gjetjen e një vendi të punës në Kosovë.

Ndërsa, kornizën ligjore qytetarët e vendit e shohin si të pafuqishme për t’a luftuar me efikasitet këtë dukuri negative dhe të dëmshme për shoqërinë.

Nepotizmi i godet direkt të papunët. Shoqëria civile, shoqatat dhe organizatat e ndryshme joqeveritare, por edhe sindikatat e punëtorëve janë tejet të shqetësuara për këtë dukuri të dëmshme të shoqërisë, për nepotizmin apo punësimin përmes lidhjeve farefisnore.

Sa i përket besimit që qytetarët kanë në institucionet e vendit për t’i adresuar shqetësimet e tyre në rast të paraqitjes së nepotizmit, pjesa dërmuese e qytetarëve mendojnë se institucioni i parë që do t’i drejtoheshin për ndihmë është policia, kurse më pastaj janë gjykatat.

Qytetarët mendojnë se mediat pak merren me temën e nepotizmit, ndërsa do të duhej shumë më tepër që të merreshin.

Duhet institucionet përkatëse, siç është sektori i drejtësisë, të merren me luftimin e nepotizmit, duke aplikuar politika më të rrepta, të cilat do të pamundësonin shfaqjen e nepotizmit.

Po ashtu është i domosdoshëm krijimi i mekanizmave, të cilat do t’i luftonin këto dukuri në praktikë, në mënyrë që të eliminohet nepotizmi.

Institucionet do të duhej që të hartonin plane adekuate për sensibilizimin e opinionit me legjislacionin, i cili ekziston për mbrojtjen e qytetarëve, përkatësisht të papunëve nga nepotizmi.

Po ashtu, gjykatat në Kosovë do të duhej të bënin më shumë punë në sjelljen para drejtësisë të atyre që kanë punësuar njerëz me lidhje farefisnore.

Ndërkaq, ata që kanë pësuar nga nepotizmi, gjithmonë hezitojnë të flasin, sepse nuk dijnë ku të ankohen dhe nuk besojnë se dikush do të merret me ankesat e tyre dhe se problemi i tyre i punësimit do të zgjidhet pozitivisht.

Viktimizimi i tyre nga nepotizmi është i kundërligjshëm. Prandaj, jo vetëm institucionet, të cilave iu takon primati në këtë problematikë, por edhe shoqëria civile, shoqatat, organizatat jo qeveritare, sindikatat dhe mediat, duhet të merren më shumë me nepotizmin dhe luftimin e kësaj dukurie të dëmshme për shoqërinë në përgjithësi, por konkretisht më tepër për të papunët, sepse ata shkaku i nepotizmit nuk mund të punësohen.

Nepotizmi bën punësimin e të afërmve dhe emërimin e tyre në poste të larta. Pas mbarimit të luftës në Kosovë më 1999 ‘kriter’ kryesor dhe favorizues për punësimin e njerëzve u bë sipas lidhjeve familjare, kudo dhe në çdo mjedis. Me rastin e punësimit, nuk janë respektuar aktet ligjore dhe rregullat normative për punësim.

Të gjitha vendet e punës janë plotësuar kryesisht mbi bazat e lidhjeve familjare dhe farefisnore. Kosova ka dalë nga një gjendje e vështirë e luftës, e shkatërruar tërësisht në infrastrukturë dhe ligjshmëri, andaj punësimi filloi me nepotizëm dhe vazhdon edhe sot, edhe pas 21 vjetësh.

Kjo dukuri duhet të ndërpritet. Këtë ndërprerje e bën ligji, vetëm duhet të zbatohet në praktikë. Ligji parasheh shumë qartë kriteret dhe kushtet për themelimin e marrëdhënies së punës, me ç’rast shpallen konkurset dhe publikohen në media, ku pa plotësimin e kritereve nuk do duhej të bëhej asnjë pranim në punë.

Konkurset shpallen vetëm formalisht, sepse ka raste kur njeriu ia ka nisë punës ende pa u shpallë konkursi.

Me aktet ligjore për punësim, duhet bërë seleksionimi profesional i konkurruesve për t’u pranuar në punë.

Mirëpo, edhe sot e kësaj dite po vazhdon punësimi dhe emërimi i njerëzve, jo sipas normave juridike dhe profesionale, por mbi baza të nepotizmit familjar dhe farefisnor. Duke u shpërfillur profesionalizmi ka ardhur në shprehje nepotizmi, natyrisht i ndihmuar edhe nga interesi material.

Me një administratë profesionale dhe me njerëz me përvojë të duhur, do të bënte që të arriheshin suksese në çdo fushë zhvillimore ekonomike, si dhe në çdo lëmi të jetës.

Në çdo vend të Bashkimit Evropian, në organet shtetërore dhe qeveritare, punësimin dhe emërtimin e funksionarëve në pozita udhëheqëse politike dhe ekonomike e bëjnë me konkurse publike, përmes të cilave bëhet favorizimi real i kuadrove sipas përvojës dhe aftësive të tyre profesionale, dhe jo sipas lidhjeve familjare.

Ta marrim vetëm shembullin e emërimit të njerëzve në detyra të larta, ku gjejmë se personi i pranuar në punë nuk është zgjedhur në bazë të profesionalizmit dhe plotësimit të kushteve të parapara me ligj, përkatësisht me konkurs, por në bazë të lidhjeve farefisnore dhe miqësore.

Në këto detyra janë zgjedhur madje edhe njerëz të tillë të cilët asnjëherë nuk kanë punuar në fushat përkatëse.

Prandaj, duke marrë parasysh shkeljet ligjore që janë bërë në aspektin e punësimit të njerëzve pa merita dhe pa përmbushjen e kritereve konkurruese, nuk duhet habitur pse sot e kemi një ekonomi të pa zhvilluar dhe rini të papunësuar.

Nepotizmi ka ndikuar që të kemi administratë të dobët në institucionet tona, të kemi korrupsion, hajni, keqpërdorim të mjeteve dhe të mirave materiale.

Me këtë rast duhet theksuar edhe nepotizmin politik, i cili po ashtu është bërë pjesë e mentalitetit të shoqërisë sonë.

 Ky nepotizëm nuk është më pak i dëmshëm se nepotizmi familjar dhe është ngritur kryesisht mbi bazat e orientimit politik, pra sipas përkatësisë partiake, por mjerisht edhe përkatësisë farefisnore dhe rajonale.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)