03 Qershor 2020

Neoosmanizmi dhe shqiptarët në Turqi

Shkruar nga Bujar Abdullahu

Jashar Koshaner, ish gjenerali i ushtrisë turke para disa ditëve dha dorëheqje së bashku me komandantët më të rëndësishme të forcave tokësore, detare dhe ajrore dhe kjo ndodhi për shkak se 250 oficer, ndër të cilët 14 gjeneralë janë në burgjet turke, sipas qeverisë, për shkak të komplotit të përgatitur prej tyre.

Armata turke me kushtetutën e saj, ndër të tjera, dhe deri më tani, është shfaqur edhe si mbrojtëse e sekularizmit dhe njëkohësisht parandaluese e ndikimit të fesë në shtet. Historia moderne e saj, më saktë ajo prej liderit historik Ataturk e tutje, është dëshmitarja më e mirë e këtij konstatimi.

Ndërsa tash, kur Nexhet Jozel, njeri i besuar i kryeministrit Erdogan dhe presidentit Gyl, zgjidhet për shef të shtabit të përgjithshëm të armatës turke, dhe kur dihet se Partia e Drejtësisë dhe Zhvillimit ka politika pro-islamiste, atëherë kahet e këtij shteti me ndikim, jo vetëm në Ballkan, duket se kanë filluar trasimin e një shtegu të ri për ecje tutje, me ç’rast për herë të parë Turqia shfaqet si unike në aspekt të identitetit të saj qytetërues, ku drejtimi i udhëheqësve është i njëjtësuar dhe në harmoni të plotë me përkatësinë fetare të popullit të saj. Por a është kështu në të vërtetë, apo Turqia vazhdon të jetë shtet i përçarë me shumicë myslimane dhe me nomenklaturë politike e ushtarake sekulare?

Gjeostrategjia e re turke jo vetëm politiko-kulturore e zyrtarëve turq në shtetet e Ballkanit dhe në veçanti në Kosovë, që disa po e quajnë neoosmanizëm duket se ka kulmuar dhe është kuptuar më shpluar, me kërkesën e fillimisht ministrit të arsimit, z. Omer Dinçer dhe me pas të atij të punëve të jashtme, z. Ahmet Davutogllu, për një retush të historisë së periudhës së sundimit otoman.

I pari, pra z. Dinçer kërkoj që aty ku fyhet periudha e sundimit të sulltanëve të hiqen nga tekstet shkollore, ndërsa i dyti,  shefi i diplomacisë turke, tha se ne nuk kërkojmë që të ndryshohet historia por mënyra e interpretimit të saj.

Ai më pas shtoj se ‘në kohën e komunizmit të Titos  dhe të Enverit është shkruar historia juaj dhe për këtë arsye ajo ka qenë e ndikuar nga sistemet përkatëse dhe si e tillë duhet rishikuar’.

Shqiptarizma konturën e saj përfundimtare e ka marrë në kohën e rilindasve tanë, dhe ky besoj është një konstatim të cilën e kanë përsëritur në vazhdimësi dhe vënë në pah shumë historianë, intelektualë e akademikë.

Është periudha e Rilindjes Kombëtare Shqiptare ajo e cila mund të konsiderohet si një ndër periudhat më të ndritshme të historisë shqiptare. Por, pse është më e pasura dhe pse është periudhë kur shqiptarizma krijoj konturën e saj përfundimtare?

Thjesht për shkak se mu në këtë periudhë shqiptarët i kundërvihen Otomanëve dhe pos tjerash mbi bazën e kësaj kundërvënie u krijua kombi shqiptarë me atributet e saja unifikuese si gjuha, kultura, fetë etj..

Po, është e vërtetë se historia është e shkruar edhe përgjatë regjimeve komuniste titiste dhe enveriste dhe si e tillë mund të ketë ndikime në përshkrimin dhe konkluzionet për periudhën e sundimit otoman në tokat e shqiptarëve, por nuk kam ndonjë dyshim se historia është e shkruar edhe në periudhat parakomuniste dhe edhe në këta libra historik gjenden pjesë të cilat nuk kanë qenë të thurura me lavde për historinë otomane, në të vërtetë ka qenë dhe është mu e kundërta.

Ne jemi komb i vogël, si shtet i Kosovës edhe më të vegjël, dhe nuk besoj se kemi mundësi për ndikim në politikat rajonale e edhe më pak në atë globale, por pasi Turqia kërkoj nga institucionet tona ndryshimin e interpretimit të historisë, atëherë besoj se përgjithësisht shqiptarët, dhe në veçanti ata të Kosovës, për shkak se kjo kërkesë turke është drejtuar tek institucionet tona, kemi të drejt, dhe atë shumë legjitime, të kërkojmë nga Ankara zyrtare njohjen e shqiptarëve të Turqisë me statut të minoritetit.

Kjo besoj, është larg  më legjitime se sa kërkesa e zyrtarëve të Turqisë për ndryshim të historisë apo ndryshim, qoftë edhe të interpretimit të saj. Në veçanti tani kur kahja e zhvillimit historik e Turqisë ka marrë një dimension të ri, është e natyrshme që në vazhdën e ndryshimeve të saj të kërkohet trajtimi i shqiptarëve si minoritet me të drejta të njëjta me turqit në Kosovë dhe, kuptohet, me rikthimin e mbiemrave shqiptarë.

Duke pas parasysh gjeostrategjinë e re turke në rajon, duke pasur parasysh gjithashtu edhe kërkesën që përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës me shumë legjitimitet mund ta kërkojnë nga Ankara zyrtare, fuqishëm besoj se shqiptarët dhe turqit nuk kanë asnjë arsye që të ndryshojnë kursin e bashkëpunimin të deritanishëm, madje është me dobi dypalëshe që ky bashkëpunim të forcohet e thellohet edhe më, pavarësisht që historia jonë mund të mbetet e pandryshuar. 

 (Autori është Kryetarë i Partisë Nacionale Demokratike Shqiptare)  
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 3 Qershor 2020

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë ku raporton Drejtorit te AKI-së Kreshnik Gashi lidhur me gjendjen e sigurisë gjate periudhës se pandemisë dhe situatën aktuale. (Kuvendi i Kosovës, salla N10, ora 10:00) 

- Mbahet mbledhja e Qeverisë së Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e qeverisë, ora 10:00)

- Kuvendi i Kosovës mban seancë për votimin  për votimin e Qeverisë. (Kuvendi i Kosovës, ora 11:00)

- Në kuadër të Javës së Gjelbër, Komuna e Prishtinës do të vendos vazo dekorative gjelberuese në sheshin Bill Klinton. (Shshi Bill Klinton, ora 11:00)
  
- Komiteti Olimpik i Kosovës nënshkruan kontratën për Bursën Olimpike Tokyo 2020 me mundësin, Egzon Shala. (Zyret e KOK-ut në Shtëpinë e Sportit, 13:00)

- Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi mban konferencë për media. (Hapësira në hyrje të Presidencës, ora 16:00 )