19 Prill 2024

Nderhyrja e z. Dell në fushatë

Shkruar nga Organizata ÇOHU!

Prej ardhjes së tij në Prishtinë, zoti Cristopher Dell, ka bërë ndërhyrje të ashpra në punën e institucioneve të Kosovës dhe ka përdorur një qasje patronizuese.

Ai e ka bërë këtë shpesh duke shkelur principin elementar në punën e institucioneve, atë të pa-anshmërisë politike. Së fundmi, zoti Dell, në një paraqitje para mediave ka bërë një tjetër ndërhyrje të papranueshme në integritetin e procesit zgjedhor në vend.

Pas një vizite të djeshme në zyrat e një subjekti të ri politik, Dell haptazi ka shprehur përkrahjen e tij për këtë subjekt, gjegjësisht liderëve që siç ka thënë edhe vetë Dell ka afërsi personale me ta, dhe është shprehur haptazi kundër tashmë subjektit tjetër të ri politik, Vetëvendosjes.

Kjo jo vetëm që nuk është fer, por është një cënim i hapur i barazisë së konkurrencës në mes të subjekteve politike dhe janë një ndërhyrje direkte në zgjedhje të lira dhe demokratike.

Dell ka bërë ndërhyrje tjera në punën e institucioneve të Kosovës, sidomos në punën e Kuvendit dhe të Qeverisë. Ai ka bërë ndërhyrjen vendimtare në kuvendin e Kosovës kur u diskutua Strategjia për privatizimin e PTK-së kur në thyerje të procedurave udhëheqësit e këtij institucioni u përpoqën ta procedojnë këtë dokument.

Dell ka komentuar më herët edhe hetimet e EULEX-it ndaj niveleve të larta qeverisëse duke marrë indirekt një qëndrim rreth aksioneve dhe hetimeve të EULEX-it.

Së fundmi, gjatë një ceremonije të nënshkrimit të kodit të mirësjelljes mbi fushatën e partive politike, i shfaqur vazhdimisht përkrah liderit të PDK-së, Hashim Thaçit, Dell ka konstatuar se zgjedhjet e ardshme do të jenë shembull për rajonin. Kështu pat deklaruar Dell edhe derisa mbaheshin zgjedhjet e vitit 2009, duke i nxjerrur në situatë të vështirë vëzhguesit, një pjesë e të cilëve qartazi janë nën ndikimin e tij për shkak të përkrahjes finansiare që iu bëhet atyre.

Duam të përkujtojmë se këto zgjedhje u vlerësuan si të rregullta edhe përkundër faktit se ato u anuluan në gati një të treten e Kosovës. Kështu, as sot e kësaj dite ne nuk kemi pasur një vlerësim të përgjithshëm objektiv të zgjedhjeve që për shkak të shkeljeve e vjedhjes së votave u përsëriten.

Sidomos në në kontekstin kosovar  prefertencat e shprehura në mënyre kaq të vrazhdë besojmë që e cënojnë barazinë e konkurrencës së subjekteve politike. Kjo para së gjithash duke pasur para sysh se mbi institucionet e Kosovës vazhdojnë të kenë pushtet ekzekutiv disa mekanizma ndërkombëtare si Zyra Ndërkombëtare Civile, Grupi Drejtues Ndërkombëtar,  por edhe EULEX-i, mbi të cilat ambasadat e kuintit kanë një rol vendimtar.

Ne mendojmë se ky konstitucion institucional e bën situatën në Kosovë shumë specifike dhe ndërhyrjet e tilla me preferenca politike të ambasadorëve mund të kenë ndikim në punën e institucioneve vendore e ndërkombëtare në Kosovë. Një ndërhyrje e tillë bëhet problematike sidomos në kohën kur praktikisht në Kosovë ka filluar fushata zgjedhore. 

Ndërhyrjet e tilla nga ambasadorë të cilido nga shtetet e huaja në Kosovë, nuk lejonë zhvillimin normal të proceseve zgjedhore demokratike si dhe minojnë maturimin e institucioneve vendore në arritjen e një faze të qendrueshmërise demokratike. Dell, dje ka përdorur standarde të dyfishta kur haprazi ka shprehur preferencat e tij politike.

Këtë vit zgjedhjet në Kosovë janë duke u mbajtur në rrethana shumë të rënda, praktikisht nën një pushtet një-partiak, me një situatë shumë fragjile brenda subjekteve politike opozitare, të gjendura përballë presioneve të mëdha për shkak të përdorimit të resurseve publike të partisë në pushtet. Prandaj ndërhyrjet e ndërkombëtarëve mund të jenë vendimtare dhe të ndikojnë në mënyrë jodemokratike në zhvillimin e zgjedhjeve në Kosovë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)