19 Prill 2024

Merkel në Kosovë - mikpritja politike dhe politika për mikpritjen

Shkruar nga Faton Abdullahu

Në një farë mënyre Kosova tash sa kohë është bërë një minierë politike dhe humanitare prej të cilës politikan, aktivistë e pushtetarë të ndryshëm të botës, sidomos asaj perëndimore herë pas herë nxjerrin poena politik për veten e tyre, qeveritë apo shoqatat që i prezantojnë, por edhe për krejt shtetin prej të cilit vijnë. Nuk ka asgjë të keqe në këtë. Përkundrazi, aq më shumë sepse jo rrallë përfitimi është i dyanshëm.

Kur në Kosovë vijnë zyrtarë të lartë si Bill Clinton, Tony Blair, Hilary Clinto, Taip Erdogan e të tjerë, kjo ardhje ishte (dhe vazhdon të ketë efekte të tilla) edhe një konfirmim se Kosova është vend që përkrahet, vend për të cilin përkujdesen, vend që ka peshë politike, por edhe rëndësi gjeostrategjike, sidomos për botën perëndimore. Por edhe Kosova ua kthente me të njëjtën monedhë.

Sepse për secilin prej tyre, duartrokitjet, ovacionet dhe mikpritja e jashtëzakonshme e qytetarëve të Kosovës, të cilët do të dalin në rrugë në numër shumë të madh, me gra e fëmijë, për ta pritur mysafirin, për të kërkuar që të jenë sa më afër mysafirit, që të fotografohen me të për kujtim, janë gjithsesi pritje jo fortë të zakonshme për Evropën dhe SHBA-të dhe politikanët e tyre.

Por janë pritje që do ta dëshironte  çdo politikan i cilitdo vend, në cilindo vend, në cilëndo kohë. Herë tërthorazi e herë drejtpërdrejtë, kjo pritje që ne u bëjmë këtyre përfaqësuesve për politikat dhe qasjet e tyre ndaj Kosovës, është gjithsesi edhe një aprovim, lëvdatë dhe miratim të cilën ata e shfrytëzojnë dhe e konsumojnë edhe brenda shteteve prej nga vijnë.

Të regjistruara nga mediet e vendeve prej nga na vijnë mysafirët ,mikpritja e jonë jo e zakonshme, përqafimet e forta dhe duartrokitjet frenetike konvertohet në një lloj aprovimi dhe lëvdatë për qasjen e politikave, sidomos ndërkombëtare, të qeverive që ata përfaqësojnë. Është krejt e kuptueshme për këtë kanë nevojë të gjithë pushtetarët dhe politikanët dhe vazhdimisht. Ne këtë e dimë dhe ua japim.

Pardje ne i duartrokitëm kancelares gjermane Merkel. Ajo nga ne këtë e meritoj pa pikë dyshimi. Kësaj radhe Gjermania bëri më shumë se të tjerët sa i përket ndëshkimit që ju bë Serbisë. Zonja Merkel është e vetëdijshme për këtë, për jehonën e veprimit të saj politik në Kosovë. Dikur më shumë bënte SHBA-ja, pastaj një kohë printe Britania, të shpeshtën të gjitha ishin së bashku, tani Gjermania me qasjen e saj të drejtpërdrejtë është në ballë të asaj që ne e quajmë politika euroatlantike në Ballkan.

Kjo e ka një përparësi të madhe për ne. Për dallim pre SHBA-ve e cila nuk është pjesë e BE-së, për dallim prej Britanisë së Madhe e cila edhe pse është pjesë e BE-së, nuk është pjesë e eurozonës dhe gjithnjë e më shumë po nguron të jetë aktive sa duhet aty dhe po shfaqë dyshime se mund të largohet përfundimisht, Gjermania është pjesë aktive e BE-së është pjesë aktive e eurozonës, në të vërtetë bashkë me Francën është forca  kryesore jo vetëm ekonomike e Bashkimit Evropian.

Ajo çfarë do të thotë sot zonja Merkel në Prishtinë, do të jetë shumë e rëndësishme për Kosovën, për Serbinë dhe për Ballkanin në përgjithësi. Ne do të dëshironim shumë që ajo ta zgjedhë ditën e vizitës së saj dhe këtë qytet, Prishtinën, prej nga do të dërgoj një mesazh të qartë për të gjithë e në rend të parë për Serbinë, se ajo, pra Serbia, nuk mund të bëhet anëtare e BE-së pa e njohur Kosovën shtet të pavarur. Nuk është se Gjermania dhe të tjerët nuk do ta thonë këtë qartë në një të ardhme të afërt, por duket se ata konsiderojnë se kjo është e hershme tani për tani.

Mbase mendojnë kështu sepse realisht Serbia ka ende punë për të bërë që të vije tek faza e pranimit në BE. Prandaj për të mos e dekurajuar atë e në rend të parë forcat pro-evropiane në pushtet e në anën tjetër për të mos i inkurajuar forcat nacionaliste anti-perëndimore në opozitë, kjo kërkesë e drejtpërdrejtë mund të shtyhet për një kohe tjetër.

Sado që kjo do të ishte ajo çfarë ne kërkojmë, ajo çka në të vërtetë Gjermania tani dhe jo më vonë, do të duhej ta thoshte qartë dhe drejtpërsëdrejti, ne edhe me kaq sa bëri Gjermania kohëve të fundit me kancelaren Merkel në krye, sidomos kur i tha Serbisë jo për punën e statusit, sepse ende nuk e meriton këtë.

Zyrtarët qeveritarë, nga qeveria gjermane, gjithsesi si gjënë kryesore, me rastin e kësaj vizite në Kosovë e kanë paralajmëruar takimin me ushtarët e KFOR-it që vijnë nga vendi i saj dhe shërbejnë tash sa kohë këtu. Krejt e kuptueshme, këtë e kanë bërë edhe të tjerët dhe kjo është e drejtë jo vetëm politike, por edhe moralisht e nevojshme.

Ata ushtarë në ballafaqim me ekstremistët serb në Veri, duke e rrezikuar jetën e tyre, po e mbrojnë paqen e cila po kërcënohet në Ballkan.  Në të vërtetë, ushtarët gjerman në Kosovë, duke bërë atë që bënë në Veri të vendit tonë, dëshmuan se janë duke e mbrojtur jo vetëm Kosovën dhe tërësinë territoriale të saj, por janë duke e mbrojtur Evropën dhe konceptet e saja bazike. Kjo gjithsesi është në vijë të njëjtë me atë që është duke bërë edhe vetë kancelarja e tyre në Evropë, konkretisht në Bruksel, tash sa kohë.

Ajo është duke e mbrojtur tërësinë e Evropës, konkretisht të BE-së. Me atë që ajo është duke bërë për rastin e ndërlikuar të Greqisë, me atë që është duke bërë për rastin gjithashtu jo të thjeshtë të Italisë, me bashkëpunimin e ngushtë që është duke  e bërë me Francën dhe me prirjen për të qenë kooperative dhe fleksibile edhe me Britaninë hezituese, ajo është duke e bërë të njëjtën, çfarë po bëjnë ushtarët e saj në Veri të Kosovës, është duke luftuar për unitetin e Evropës dhe për parimet bazë mbi të cilat ngrihet dhe funksionon ky unitet.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)