29 Mars 2024

Më në fund një deklaratë e sinqertë, qytetari nuk vendos kush do të qeverisë

Shkruar nga Ali Mehmeti

Kush do të thoshte se një “politikan i të gjitha sistemeve” me eksperiencë 40 vjeçare do të rrëshqiste kaq lehtë, pas një pyetje po aq të lehtë, duke zbuluar fytyrën e tij të vërtet prej një komunisti të regjur me prirje diktatoriale, duke u kthyer kështu në origjinën e vet, kur po ashtu kishte votime, por jo edhe ndryshim të pushtetit. Kur qytetari voton, por nuk vendos për qeverinë.

Për qeveri atëherë vendoste partia, kurse tani, sipas “politikanit e të gjitha sistemeve”, duhet të vendosin të gjitha partitë së bashku, që si të vetmin ideal dhe shkathtësi e kanë shmangien nga ligji për interesa personale, grupore, miqësore, klanore, partiake, krahinore ... të sintetizuara në një fjalë: korrupsion!  

Kujt duhet t’i falënderohemi për këtë sinqeritet: sëmundjes, senilitetit, moshës, pendimit për të gjitha gënjeshtrat e bëra gjer me tani, apo mungesës totale të respektit për votuesit të cilët i konsideron për një masë amorfe e cila jeton në botën e tij të perënduar, kur votohej por për qeveri vendoste partia. Këtë dilemë na e hoqi ai vet kur e përsëriti këtë deklaratë për të dytën herë.

Pra, na konsideron për bagëti, mungesa e reagimit ndaj kësaj deklarate i zbuloi edhe ata që mendojnë sikur ai, që iu bashkëngjitën në rrëzimin e qeverisë në kohë pandemie, të bashkuar në një tufë. 

Zbuloi edhe diçka tjetër. Që edhe ata politikan që posa e kanë mbërri gjysmën e karrierës politike të “politikanit e të gjitha sistemeve” janë treguar nxënës të zellshëm dhe janë duke ia kaluar edhe Profesorit.

Këta të fundit ma kujtojnë një tregim të dëgjuar nga gjyshi im: “Kishte dal njëri të blej një thi në Pazar.

Pyet njërin, pyet tjetrin dhe befasohet kur kupton se një thi që peshonte 80kg është më i lirë sesa një gic që peshonte 30kg?

Pasi kërkon sqarim, një plak i përgjigjet: Epo, ky i vocërri është thi i biri thiut; pra është më thi, prandaj është më i shtrenjtë!” Edhe unë kam frikë, se këta “gicat” tanë do na kushtojnë më shtrenjtë, se “thiu” vet.

Madje “gicat e gicave” do na kushtojnë sigurisht edhe më shtrenjtë nëse në ndërkohë, edhe “thiun” edhe “gicat” nuk i heqim qafe, me shpresë që do i zëvendësojmë me disa “kafshë” më fisnike që do e respektojnë votën tonë.

Ndoshta ky krahasim alegorik ka mundur të bëhet edhe me elitën udhëheqëse nga “Ferma e kafshëve” të Orvelit, por kisha frikë se do mbetesha i pa kuptuar nga “gicat” dhe shkrimi do më shkonte dëm.   
 
Dhe ndoshta më e rëndësishmja, ngjarjet dhe deklarata e fundit, do ndikojnë që në Kosovë të profilizohet skena politike.

Në njërën anë do e kemi PLAN-in (për vazhdimin e zhvatjes dhe korrupsionit) i cili do vazhdoj t’i shmanget ligjit me çdo kusht për t’i kthyer pasuritë e siguruara gjer me tani në rrjedha legale dhe nga ana tjetër Lëvizjen Vetëvendosje e cila gjer me tani është treguar e vendosur që Kosovën ta bëj shtet ku do të respektohet ligji dhe ku të gjithë do janë të barabartë para ligjit.

Lista serbe nuk do ndryshon; do mbetet element subversiv i dirigjuar nga Serbia, e interesuar që Kosova të mbetet nën kthetrat e politikanëve të korruptuar në mënyrë që edhe vetë të mund të përfitoj materialisht, të krijojë dosje komprometuese për shantazhim të mëvonshëm dhe për të thënë para ndërkombëtarëve se ka qenë gabim krijimi i shtetit të Kosovës.

Dëshmia më e fortë për këtë është fakti se Lista serbe gjer me tani, të vetmen qeveri që nuk e ka votuar, është ajo me në krye Albin Kurtin. Përkundrazi, u mobilizua e tëra për ta votuar rrëzimin e saj.       
      
Nëse në këtë prizëm i shikojmë zgjedhjet e ardhshme të cilat nuk mund të vonojnë, pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese, atëherë mund të themi se këto zgjedhje do janë “luftë për jetë a vdekje”.

Nëse fiton dikush nga PLAN-i, pavarësisht se çfarë koalicione mund të bëhen, ky do ishte fundi i shpresës se Kosova mund të bëhet shtet ligjor, respektivisht do ishte fitore e “vdekjes”, pas së cilës për rininë nuk do mbetej rrugë tjetër, përveç asaj të kurbetit. Pikërisht për këtë, nuk duhet lejuar këtë fitore.

Përkundrazi, duhet bërë çmos të fitojë “jeta”, që ta rikthejë shpresën e tradhtuar me 25 mars 2020 për riparim të shtetit të nëpërkëmbur, për menaxhim të financave shtetërore me nikoqirllëk që do hapnin rrugë për zhvillim ekonomik dhe për hapje të perspektivës për rininë.

Kjo fitore duhet të jetë e thellë, aq e thellë sa nuk do mundësoj kurrfarë diversioni brenda qeverisë së ardhshme.

 Një fitore e tillë do i fundoste shpresat e tufës së bërë bashkë, për rikthim të mëvonshëm në pushtet dhe do i çlironte forcat e mbetura, të shëndosha por të heshtura, brenda partive të PLAN-it.

Si rezultat do kishte reformimin deri në transformim të të gjitha partive, respektivisht demokratizimin e tyre si kusht i domosdoshëm dhe i nevojshëm për demokratizimin e mbarë shoqërisë.

Pra, e vetmja shpresë dhe zgjidhja për Kosovën e këtyre ditëve, janë zgjedhjet. 
 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)