20 Prill 2024

Më gënjeshtra s'behët historia, rrenat për Kotlinën

Shkruar nga Nexhmedin Loku
 
Është për çudi që edhe pas 20 viteve ne kujtojmë ditën e tmerrshme të fshatit Kotlinë me gënjeshtra.

Po na dalin disa njerëz si folës e si organizatorë të kësaj ngjarje çdo vit me gënjeshtra të njejta, kinse aty ka pasur betejë e dy-luftime, si pasojë edhe i kanë ndarë të vrarët, disa në fshat e disa te varrezat e dëshmorëve dhe mundohen të mbulojnë të bëmën e serbëve qe aty është bërë masakër mbi njerëz të pafajshëm.

Unë si 12 vjeçar i asaj kohe, kam bërë ato vite duke u rritur me ndjenjën e rezistencës për drejtësi dhe për pasojë sot nuk mund të mos reagoj mbi genjeshtrat që na thuhen nga njerëz që në kohë lufte kanë qëndruar në hambarë me ditë të tëra nga frika (është normale që janë frikësuar), por mos të na “shiten” patriota tani.

Unë nga viti shkollor 1993/1994 fillova klasën e parë dhe deri 1999 e mbaj mend (sikur sot) disa fshatarë të mi që dilnin në gjueti me serbët Oroshi dhe Mila (nuk di nëse janë emrat e saktë, por kështu i mbajë mend që i kanë quajtur) dhe askush deri më sot nuk tregoj se çfarë informacioni ju kanë dhanë këtyre agjentëve të BIA-së dhe pse bashkëpunuan me ta në gjueti te derrave (fatkeqësia është që disa bashkëpuntorë të tyre tani më janë veteran të UÇK-së). Si është e mundur të ndodhë kjo?

Në një libër të pasluftës, me Autor: Hajrush Kurtaj, janë publikuar disa emra si bashkëpunëtorë të UDB-së nga Kaçaniku, një numër të konsiderueshëm nga fshati Kotlinë.

A i mori në pyetje ndokush se çfarë
informacione u dhanë dhe çfarë i shërbyen UDB-së?

Pse disa gojëdhëna janë që Bashkim (Sulejman) Loku, ka qenë i maskuar dhe së bashku me Serbët morri pjesë në masakrimin e njerëzve tanë. Kush e tha këtë info?. A u mor në pyetje ndonjëherë? Nëse po, pse është I lirë sot?

Pse ka gojëdhëna që disa nga pleqtë e arrestuar në fshat, treguan ku janë fshehur të rinjtë. Kush e tha këtë? Kush ishte ai që tregoi? Si pasojë e frikës apo pasi ishte bashkëpunëtor i UDB-së?

Në fshatin Kotlinë ishte një batalion i UÇK-së, me komandant Selman Kuçi dhe zëvendës Adem Kuçi (Ky me vëllezër ka hapur puset ku janë masakruar njerëzit tanë). Kush i vendosi në krye të batalionit këta njerëz? Pse pikërisht ata që hapën puset? Kush mori vendim të shpërndahet batalioni (që ndryshe quhet dezertim)?!

Unë si 12 vjeçar i asaj kohe, në vend të largimit për Maqedoni nga Glloboçica, 30 minuta rrugë, u detyrova me nënë e motër të largohemi në Kaçanik, e pastaj të marrim rrugë për Bllacë, 36 orë. Ma thuani! Kujt ju kam detyruar unë e shumë tjerë të pafjshëm që të bëjmë rrugë 36 orë në vend të 30 minutave?

Pa më thuani ju komandantë e patriota të ditëve të pasluftës, si ka mundësi ta quani masakrën e 24 Marsit – “Betejë”, përderisa ka pasur aq shumë bashkëpunëtorë te UDB-së dhe dezertor. Por nëse ju vazhdoni ta quani betejë, a mund të na tregoni kush nga UÇK e udhëhoqi betejën? Sa ushtarë kishte, sa serb i vratë gjatë luftimeve?

Sa orë zgjati beteja, cila palë u dorëzua e para? Ku mbeti armatimi i dëshmorëve? Si ndodhi që civilët të jenë bashkë me ushtarët? Si ndodhi që disa arritën me ikë nga vendi i masakrës?

A më thuani kujt po i konvenon që kjo ngjarje të quhet betejë, që të shpëtojnë Serbët nga faji i masakrës që kanë bërë? A më thuani kush ju detyron ta quani betejë, pasiqë betejë NUK kishte. Këto pyetje i duhen historisë!!!

Po më thuani o komandantë e patriotë të lodhur në shpirt, a jeni të qetë shpirtërisht me këto rrena që na thuani në fjalime, pa më thuani ju a mendoni se e keni të lehtë të më gënjeni mua, kur unë vuaj qe 20 vite pasi Ibushin e Naserin nuk i kisha vetëm vëllezer, por ata i kisha edhe shokë, mësues e udhërrëfyes të jetës e punës.

O të mjerë, o matrapazë! Ju a përnjëmend mendoni se mund të ma shtrembëroni historinë me fjalime koti që ju flisni, o komandantë e patriotë të ligë! Juve ju mbeti që me dokumentarë të paguar në një medium të lodhur, të bëheni të famshëm, a?

Juve ju mbeti që me intervista nëpër TV e gazeta të jepni deklarata të rrejshme për tu dukur dikushi, a? Edhe sa do bëni kështu? Ju mund ta gënjeni vetveten e ndonje injorant, por jo mua.

Pa më thuani o Komandantë të mjerë, kush i dërgoi në Hagë për të dëshmuar kundër Milloshit dy njerëz injorantë e të papërgatitur për ngjarjen e Kotlinës? Apo dikujt i konvenoj që këta të mos e thonë të vërtetën?!

Pa ma thuani komandantë, patriotë e veteran të rremë, ku i zhdukët faktet e masakrës (si drunjë të përgjakur që u rrahën e u mbytën vëllezërit tanë, rroba të shqyera e të përgjakura, shenja të ndryshme, a i ruani ndokund apo i zhdukët. PSE???!!!

Pa ma thuani komandantë e patriotë të rremë, që udhëhiqni fshatin, komunën e organizata të dala nga lufta! Pse nuk i rregulloni një hyrje të veçantë varrezave të martirëve, që mos t’iu ndodhë vizitorëve të mos kenë mundësi t’i vizitojnë varrezat, pasi hyrja nga shkolla rri e mbyllur nga drejtori?!

Pa më thuani komandantë e patriot, edhe sa do bëni gjëra të tilla, aq sa po mundoheni me ndërru edhe identitetin e të rënëve si psh (në fjalim lexoni emrin Ibish Loku ne vend te IBUSH LOKU), dallimi është një shkronjë, por tendencë për të ndërruar identitet, apo nga gjërat e pavërteta që thuani ju ngatërrohen shkronjat, pastaj në dokumentar të “TV DIELLIT”, Naser Rexhep Loku i ndërrohet data e lindjes, si pasojë që ky medium për të kapur disa lekë sa më shpejtë, as nuk i ka filtruar edhe informacionet elementare, se leje më intervistat e njerëzve, që kanë mbledhur disa para për ta paguar këtë medium edhe sa për të dalë në TV, njerëz me dëshmi të dobëta të luftës. Çka ështe ky joseriozitet, kjo papergjegjesi, ky mosrespekt? A e mendoni që i lëndoni familjarët?

Apo nuk keni ndjenja?!!! Nuk mendoni fare se si ndihen familjarët e të rënëve në këtë masakër?!!!

Falemnderit per kontributin e vetëm që bëni në krejt këtë ngjarje, për këtë jeni mjeshtër të vërtetë: NA E SHTONI DHIMBJEN ÇDO VIT E MË SHUMË! Vëllezërit e mi nuk u vranë vetëm me 24 Mars 1999 nga serbët.

Ata dhe familja jonë vritemi çdo 24 Mars, që 20 vite rradhazi, nga ju, nga gënjeshtrat e nëpërkëmbjet tuaja që u bëhen më të shtrenjtve tanë, nga përrallat që na i tregoni në çdo pervjetor, thua se ne jemi aq naiv, aq budallenje, aq idiot. Ne vërtetë i humbëm vëllezërit e mi, por JO edhe kujtesën, JO edhe krenarinë!

Pa më thuani o komandantë e patriotë të rremë! Kur do bëheni njerëz, të flisni të vërtetën dhe të bëni ndonjë vepër të mire, për hatër të atyre që dhanë jetën? Nëse nuk mund të bëni ndonjë të mire, të paktën HESHTNI!

Heshtni përgjithmonë, se nuk do ju durojmë më! Heshtni përgjithmonë, se na turpëruat të gjithëve! Heshtni përgjithmonë, se pikëllimi po na kaplon çdo vit e më shumë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)