29 Mars 2024

Mbrojtja institucionale e pasurisë së paligjshme

Shkruar nga Besnik Boletini


Zyrtarët e Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, kanë deklaruar se sipas Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, të dhënat e zyrtarëve të lartë publik duhet të hiqen nga formularët e deklarimit të pasurisë, pra të mos bëhen publike pasi që “ata janë të rrezikuar kur do të dalin jashtë vendit”. Kjo po tentohet të arsyetohet me faktin se këta janë të pasur dhe mund të rrezikohen

Perceptimi i shoqërisë kosovare për zyrtarët e lartë publik, konkretisht për ata që kanë pozita më të larta  është se ata janë njerëz shumë të pasur – milionerë, kanë biznese të shumta, ndikim të madh në kryerjen e çfarëdo pune, vozitën me vetura që kanë vlerën qindra-mijëra euro, me një fjalë janë personat më prestigjiozë në shoqëri, edhe pse shpesh flitet shumë se janë të korruptuar dhe nuk e kanë pasurinë me djersë.

Ky vlerësim superlativ nga ana e qytetarëve bazohet në realitet, pasi tipi ideal i një zyrtari të lartë publik me pozitë të lartë i ka këto karakteristika. Fatkeqësisht ky lloj i politikanëve me pozitë dhe perceptimi superlativ është bërë “vlerë” në sistemin tonë të brishtë të vlerave.

Perceptimi për zyrtarët e lartë ka filluar tashmë të bëhet edhe zyrtar, pasi që me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (që është krijuar nga pushtetarët për nevoja të tyre) do të hiqen edhe të dhënat nga formulari i deklarimi i pasurisë.

Zyrtarët e Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, kanë deklaruar se sipas ligjit në fjalë, të dhënat e zyrtarëve të lartë publik duhet të hiqen nga formularët e deklarimit të pasurisë, pra të mos bëhen publike pasi që “ata janë të rrezikuar kur do të dalin jashtë vendit”.

Kjo po tentohet të arsyetohet me faktin se këta janë të pasur dhe mund të rrezikohen. Ja deri ku ka arritur perceptimi për zyrtarët e lartë publik edhe nga ana e agjencioneve të shtetit, se për të qenë zyrtarë publik duhet të jesh i pasur, duhet të jesh milionerë dhe biznesmen i madh, e duke i marrë parasysh këto ai mund të “rrezikohet”.

Pse do të duhej që të perceptohej një zyrtar i lartë publik në këtë mënyrë, a na u dashka që si kusht primar dhe paraprak një individ të jetë milionerë për të qenë  zyrtarë i lartë publik apo në pozitë të lartë në qeverisje, dhe mandej të jetë i “rrezikuar”?

A do të ishin të rrezikuar zyrtarët e lartë që nuk kanë pasuri të madhe dhe e marrin atë rrogë vetëm nga puna që bëjnë? Si duket, kur është hartuar Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Publike dhe është trajtuar kjo çështje, nuk është menduar që një zyrtarë mund të mos jetë  edhe shumë i pasur.

Kjo metodologji që po bëhet, ka një qëllim të vetëm, maskimin e milionerëve politikanë, në mënyrë që askush të mos dijë për pasurinë e tyre dhe të mos mund të hulumtohet nga gazetaria hulumtuese. Pse nuk u rrezikua askush deri më sot, si rezultat i deklarimi i pasurisë?

Deklarim i cili në fakt është vetëm sa për sy e faqe, pasi që zyrtarët e lartë publik e deklarojnë pasurinë ashtu siç duan vetë, pasi Agjencioni Kundër Korrupsionit nuk bënë asnjë lloj verifikimi të saktësisë së këtij deklarimi, por vetëm e kryen një procedurë administrative në pranimin formularëve të deklarimit të pasurisë dhe aspektin teknik të plotësimit të tyre.

Nëse i shikojmë formularët e deklarimit të pasurisë, vërejmë mospërputhje të mëdha të deklarimit prej vitit në vit dhe deklarime që nuk kanë sens logjik e as praktik. Njëri nga zyrtarët e lartë në formularin deklarimit të pasurisë shkruan se “ka shitur veturën të tipit Golf 2 (që diku në treg kushtin 2 mijë euro dhe ka blerë veturën tjetër me vlerë 11 mijë euro”.

Sa Pazar i mençur! Ka raste tjera kur zyrtari i lartë ka 20 hektarë tokë, ndërsa e deklaron vetëm 1 hektar, apo rastet më qesharake kur i deklarojnë 50 mijë euro në posedim, por i shkruajnë se i kanë marrë borxh nga ndonjë mik!

Agjencia Kundër Korrupsionit nuk merret me këto çështje, për ta është me rëndësi të kryhet ana formale. Bile edhe në rastet kur dikush u raporton se disa nga zyrtarët kanë fshehur pasurinë, kjo agjenci nuk merr masa për t’i dërguar në kundërvajtje ashtu siç e ka obligim me Ligjin për Deklarimin e Pasurisë, por vetëm i kontakton zyrtarët në fjalë dhe i thotë se ke “Harruar” ta deklarosh biznesin që nuk e ke deklaruar me afatin e paraparë ligjor dhe asgjë më shumë. Sigurisht që kjo mbrojtje e zyrtarëve mund të ketë edhe interesa reciproke.

Në vend se të merren masa sanksionuese nga AKK ndaj rasteve të tilla, përkundrazi ka tendenca të vazhdueshme që të mbrohen këta zyrtarë të lartë, dhe të mos hulumtohet as të mos shkruhet asgjë për ta. Në këtë drejtim tashmë, duke u thirrur në Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale janë hequr edhe numrat e letërnjoftimeve të zyrtarëve të cilët e deklarojnë pasurinë. Kjo ka si qëllim kryesor mos mund të hulumtohet asgjë rreth pasurisë së tyre dhe përputhjes në mes të asaj që është deklaruar dhe bizneseve që janë deklaruar. Që do të thotë se diçka po fshihet.

Pas mbylljes së kësaj mundësie, kufizim tjetër i punës së gazetarisë hulumtuese është edhe heqja e mundësisë se gjetjes së numrave personal nga uebfaqja e Ministrisë së Brendshme, “Lista e Dokumenteve” me arsyetimin e mbrojtjes së të dhënave personale, ndërsa harrohet fakti se në prag të zgjedhjeve, KQZ-ja e ka obligim që t’u mundësojë qytetarëve që ta kërkojnë emrin dhe vendin se ku kanë për të votuar dhe databaza mund të gjendet edhe në mënyrë elektronike.

këto veprime po bëhen për të vështirësuar apo pamundësuar gjetjen  e autenticitetit të një  pronësie, marrëdhëniet biznesore, aksioneve, apo aseteve tjera, informata këto të  qenësishme për hulumtimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit.

Edhe pse ekziston Ligji për Qasje në Dokumente zyrtar, i cili u mundëson OJQ-ve, mediave apo çdo qytetari që  ligjërisht të ketë drejt që të ketë qasje në kontrata apo dokumente tjera që janë publike, kjo mundësi në fakt në të shumtën e rasteve nuk mundësohet. Kërkesat për qasje në dokumente zyrtare as që përfillen në shumicën e institucioneve, pasi që transparenca në këtë drejtim zbulon lidhjet eventuale mes pushtetarëve dhe bizneseve, zbulon dallaveret, favoret dhe kurdisjet e tenderëve.

Me këto veprime dhe masa që po merren nga njerëzit në pushtet, ata po i krijon komoditet të lartë vetes për të mos u hulumtuar asgjë për pasurinë e tyre e cila po shumëfishohet vazhdimisht dhe kjo krijon qartë dyshime

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)