29 Mars 2024

Mbi hapësirën mbarëkombëtare të zhvillimit

Shkruar nga Behgjet Pacolli

Idenë e hapësirës së përbashkët e hodha për herë të parë në parlamentin e Shqipërisë kur isha President, dhe ajo krijoi entuziazëm të madh tek shumë intelektualë të shquar të hapësirës sonë.

Dhe unë vendosa t’i bëj thirrje atyre që të më ndihmojnë me ide të tjera, përplotësuese, jetësuese të kësaj hapësire. Busulla intelektuale, e mendjes së kombit nuk të lë të gabosh si kur je duke udhëtuar fillikat në këtë horizont, si kur mban përgjegjësi publike, si një pjesë jona sot.

Mes intelektualësh ndihet atmosfera e lirisë thithen ide që vijnë prej lirisë akademike, që aq shumë na mungon ne politikanëve. Për mua që kam hyrë në politikë nga bota e biznesit ndërkombëtar, ajri i lirisë, është një rikthim në realitet.

Për mua është hapje e një horizonti ku nuk e sheh fundin, njëjtë me përfytyrimin që më krijonte në fëmijëri, fshati im i lindjes.

Në mes të këtij horizonti, idetë e ndritshme si ato të Arben Xhaferrit, të dy Presidentëve Moisiu dhe Meidani, të intelektualëve të tjerë që së bashku me mua themeluan Lëvizjen për Hapësirën Mbarëkombëtare të Zhvillimit të ofrojnë busullën, drejtimin

Busulla është: Ne duhet të punojmë për Mirëqenien e kombit tonë. Ne duhet të nxisim vetëiniciativën për të vënë në punë në funksion të këtij qëllimi të gjitha kapacitetet tona njerëzore, natyrore, etj.

Askush nuk mund të na pengojë për këtë. Askush s’ka të drejtë të na pengojë për këtë. Duke folur në frymë pozitive, më duhet të them se institucionet evropiane ku ne duam të hyjmë, na nxisin të punojmë për këtë mirëqenie.

Në përputhje me modelet evropiane, në mbrojtje të interesit tonë kombëtar ne mund të punojmë, pa trembur askënd..

Para disa muajsh falënderova Universitetin Europian për titullin honoris causa që më blatuan, dhe nënvizova: guri peshon më rëndë në vendin e vet.

Me këto fjalë doja të thoja, se pas udhëtimeve të shumta nëpër botë, si njeri i biznesit, kam kuptuar shumë sesa i rëndësishëm është Atdheu, por dhe kam kuptuar akoma më shumë sesi duhet të zhvillohet ai.

Atdheu për ne, është Kosova, është Shqipëria. Ne jemi një komb, ne kemi një Atdhe. Ne duhet të mendojmë së bashku për zhvillimin e tij.

Ashtu kështu veç e veç jemi të vegjël, edhe bashkë jemi gjithashtu të vegjël. Por më të fortë akoma!

Gjendja e dy vendeve tona

Janë disa fjalitë kyçe, që të çojnë tek ideja e Mbrothësisë siç i thonë në Jug të Shqipërisë, apo e Mirëqenies, siç i thonë kudo ku jetojnë shqiptarët, termi që përdor Mjeshtri i fjalës dhe i ideve, Arben Xhaferri.

Mbrothësia apo Mirëqenia kombëtare janë imperativ i kohës për klasën politike dhe intelektuale të dy vendeve.

-Ne sot jemi ndër shtetet më të varfra dhe të pazhvilluara të Evropës.Megjithë njëlloj diference pozitive të Shqipërisë sa i takon të ardhurave për frymë, përqindja e popullsisë që jeton nën dyshemenë e varfërisë, është thuajse e njëjtë.

Papunësia është njëlloj e lartë, duke u luhatur tek 30-50% nëse do i marrim për të sakta të dhënat e burimeve zyrtare statistikore.

Ne jemi vende që nuk prodhojmë, ose prodhojmë fare pak. Ne jemi vende që po e braktisim traditën tonë të punimit të tokës, ndryshe nga fqinjët tanë, që e punojnë tokën disa herë më shumë sesa ne që e lemë djerrë.

Ne jemi vende që blejmë më shumë sesa shesim, pra ne jemi vend që importojmë shumë më shumë sesa eksportojmë.

Ne jemi të vetmet vende në Evropë, megjithëse me rezervat ujore dhe të thëngjillit më të mëdhatë për frymë popullsie, kemi vuajtur së bashku, nga kriza energjetike, megjithëse Shqipëria ka disa vite që është shkëputur prej saj.

Ne jemi që të dy vende pa modele të qarta zhvillimi siç pohojnë këtu dhe atje autoritete të rëndësishme profesionale, si Guvernatori i Bankës së Shqipërisë.

Ne nuk po identifikojmë dot prioritetet tona të zhvillimit. Ne nuk po mësojmë nga gabimet e të tjerëve. Kjo situatë është dramatike.

Ne e dimë siç e kanë afirmuar profesorë të shquar se pjesa më e madhe e problemeve të moszhvillimit janë për shkak të copëtimit nga fqinjët.

Viset shqiptare para 1912,përfaqësonin një unitet ekonomik dhe demografik të krahasueshëm me popujt e tjerë të rajonit, grekët, serbët, apo bullgarët.

Por nëse në 1912, Shqipëria copëtohej, ne sot 100 vjet më pas, duam të bëjmë diçka modeste për t’i bashkuar copat e mozaikut kombëtar. Në ekonomi, kulturë, arësim, etj.

Shikimi nga e ardhmja

Pra nuk do doja të merrem me të kaluarën dhe të shoh brenda saj të metat tona apo fatkeqësitë historike. Sot dua të shoh me ndihmën e intelektualëve, kah horizonti i të ardhmes.

Për fat të mirë, aspiratat tona kombëtare, ëndrrat e patriotëve tanë të mëdhenj, nuk shkojnë kundër proceseve evropiane në të cilët ne jemi kyçur.

Ne duke ecur në pista europiane mund të rikrijojmë realitete ekonomike kombëtare konkurenciale, prej të cilëve nuk do të fitonin vetëm shqiptarët, por dhe popullsitë që jetojnë bashkë me ta, apo pranë tyre.

Fjala kyçe është heqja e barrierave kufitare, administrative, thyerja e tyre dhe shfrytëzimi i të gjithë kapaciteteve tona njerëzore, natyrore, politike në funksion të mirëqenies sonë kombëtare.

Me fjalë të tjera krijimi i tregut të përbashkët kombëtar, por jo thjesht atij ekonomik. Krijimi i këtij tregu, në të gjithë elementët e tij, është parakusht i çdolloj integrimi kombëtar apo evropian të shqiptarëve.

Nga krijimi i këtij realiteti ekonomik të përbashkët, shqiptarët do të potenconin dhe epërsitë strategjike që kishin mbi popullsitë e tjera, për shkak të pozicionit gjeografik.

Si mund të arrihet kjo, pa vendosur kudo në hapësirën tonë kombëtare një sistem legjislativ evropian?

Si mund të arrihet kjo pa standardizuar dijen, kulturën, universitetet? A ka mundësi që ne të ngremë një sistem energjetik unik?

A e dini se nëse do të kishim ndërtuar prej kohësh një linjë interkonieksioni, dy sistemet tona energjetike do të krijonin mundësi që as Kosova, as Shqipëria të mos vuanin për energji, dhe madje të eksportonin?

A e dini se po sikur të kishim krijuar një sistem unik, të menaxhuar sipas standardeve të njëjta, duke shtuar burimet e prodhimit, do të kushtëzonim tregun rajonal të energjisë? Kush na ka penguar ne të ndërtojmë një sistem të tillë?

Jam shumë i lumtur që më në fund, qeveria e sotme e Shqipërisë vendosi ndërtimin e kësaj linje, ashtu si dhe vendosi që të heqë çmimet e referencës për produktet e dy vendeve, një barrierë mjaft problematike doganore. Më mirë vonë se kurrë.

Origjina e angazhimit tim per kete ide

Në këtë shkrim unë thjesht po mundohem të hap disa pista për diskutimet e ardhshme.

Ndërkohë dua të sqaroj diçka personale, për atë se ku i ka rrënjët ky përkushtim i imi për këtë ide.

Dua të qartësohet se ky përkushtim nuk është pasojë e ndonjë konvertimi tim politik në nacionalistin e orës së fundit.

Përkundrazi. Dua të kuptohet se pikërisht kozmopolitizmi im jetësor, profesional, ma ka forcuar dashurinë për atdheun, diçka që mund ta kuptojnë shumë mirë ata që jetojnë jashtë vendit.

Dua të jetë e qartë se pikërisht kjo lloj endje rrugëve të botës, tregjeve të saj, më bëri të shoh shumë më larg sesa miq të mi politikanë që nuk e kanë patur këtë shans.

Pra, eksperienca ime në biznesin ndërkombëtar më ka bindur prej kohësh për dobinë e ideve mbi Hapësirën Mbarëkombëtare të Zhvillimit.

- Shumë vite më parë në përpjekje për të ndihmuar Shqipërinë të kapërcente krizën energjetike të vitit 2005, i njoha potencialet e bashkimit të sistemeve tona energjetike dhe kundërshtarët e këtij bashkimi.

- Në vitin 2006, pikërisht duke identifikuar problemet ekonomike si moment i rëndësishëm përbashkues i popujve të Ballkanit, themelova Fondacionin SEED, për zhvillimin e Europës Juglindore.
- Në vitin 2007 rashë në kontakt me idenë e zotit Xhaferri për krijimin e një Komunuelthi shqiptar, një objektiv që ai e përsëriti dhe sot të rishikuar.

Ishte një forum akademik si ky i sotmi, ku zoti Xhaferri plasoi idenë e tij, një forum ku shumë akademikë artikuluan shumë ide të ngjashme, por që prej atëherë mbetën pa realizim.

- Kam reflektuar shumë për idenë e tregut të cilën e kam afishuar me forcë të madhe në zgjedhjet e 2010 anembanë Kosovës, dhe në parlamentin e Shqipërisë në mars 2011.

- Po punoj dhe sot në cilësinë e zëvendëskryeministrit, për jetësimin në praktikë të dy zonave të lira ekonomike në Mitrovicë, dhe në Gjakovë. Janë këto dy zona prej të cilave do të fitojnë dy vendet tona, do të fitojnë shqiptarët, por dhe serbët.

Ekonomia ofron të vetmet mundësi që të kapërcehet ndarja aktuale, që të thyhen kufijtë midis shqiptarëve, apo ata që janë vendosur në Mitrovicë.

Puna si zevendeskryeminister

- Po punoj sot në cilësinë e zëvendëskryeministrit, për jetësimin në praktikë të dy zonave të lira ekonomike në Mitrovicë, dhe në Gjakovë. Janë këto dy zona prej të cilave do të fitojnë dy vendet tona, do të fitojnë shqiptarët, por dhe serbët.

Ekonomia ofron të vetmet mundësi që të kapërcehet ndarja aktuale, që të thyhen kufijtë midis shqiptarëve, apo ata që janë vendosur në Mitrovicë.

Siç dihet unë kam pranuar ftesën e kryeministrit të Kosovës për të ndihmuar në nxitjen e investimeve të huaja dhe shtimin e njohjeve në cilësinë e zëvendëskryeministrit. Ajo që po bëj, është ajo që di shumë mirë ta bëj dhe s’do ndalem kurrë.

- Unë do të ndryshoj rrënjësisht mënyrën e promovimit të Kosovës, pse jo dhe të Shqipërisë për t’i bërë tërheqëse për investimet e huaja, nëpërmjet reformimit të Agjencisë së Investimeve, por dhe duke modifikuar rrënjësisht Agjencinë e Privatizimit.

- Pasojat e aktivitetit të kësaj Agjencie në vite kanë qenë përgjithësisht negative në ekonominë dhe financat e trojeve tona, duke prodhuar varfëri, papunësi dhe duke zhvendosur burime financiare nga tregu i Kosovës në një destinacion, prej ku Kosovës do t’i duhet një kohë e gjatë për t’i përdorur.

Ne flasim shumë për partneritetin publiko privat PPP. S’di si janë punët në Shqipëri, por në Kosovë s’ka asnjë shans që ky partneritet të funksionojë ashtu siç është menduar dhe tentohet nga dikush.

- Nga ky forum, po i bëj thirrje klasës politike, institucioneve në Kosovë dhe në Shqipëri që në menaxhimin e aseteve që kanë mbetur pa u privatizuar, të përdoret me efektivitet kjo formulë participimesh në biznese të përbashkëta.

Kjo mundëson që investitori të ndihet i sigurt, t’i ndihmohet atij në krijimin e biznesit, të ndikohet pozitivisht në mirëqenie dhe punësim. Kështu Kosovës do t’i mundësohet që paratë e privatizimit të mbesin në qarkullim në ekonominë e vendit dhe jo të ngurtësohen jashtë tij.

- Shteti do të tërhiqet nga partneriteti kur biznesi të fuqizohet, t’i shumëfishohet vlera dhe do të marrë mbrapsh më shumë para sesa ka harxhuar.

- Unë do të angazhohem fuqimisht që asetet tona minerare të mos trajtohen shkel e shko siç është deri më sot me burimet tona natyrore.

- Unë do mundohem së bashku me ekspertët e huaj këto asete minerare të vlerësohen dhe të jenë pjesë përbërëse e berzave, panaireve ndërkombëtare. Në këtë angazhim do të përfshihen vetëm ekspertët me eksperiencë.

- Nga një qasje krijuese si kjo, mineralet si të tilla kanë shansin më të mirë që vlera e tyre të shumëfishohet. Ndërkohë krijohen mundësitë që aksionarë të tyre të mos jenë vetëm një person apo një kompani, por ato të jenë të hapura për aksionariat publik.

- Krijimi i holdingjeve të përbashkëta ndërshtetërore që të ruhet vlera dhe interesi i kompanisë është një drejtim tjetër ku ne duhet të investohemi së bashku. Pra qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë. Asetet minerare janë pasuri e kombit tonë.

- Në vend se Trepça e Kosovës të shitet për dhjetra milionë për shkak të pamundësisë së buxhetit të vogël për ta funksionalizuar, ne do të ndërrojmë adresën e kompanisë menaxhuese duke e transferuar atë në qendrat më të rëndësishme financiare botërore. Atje ajo do të vendoset në kontakt me publikun.

Vlera e saj e shitjes nga dhjetra milionët aktualë do të jetë miliardëshe. Bëj apel që kjo mënyrë privatizimi apo trajtimi duhet të përdoret urgjentisht dhe në Shqipëri për ato minerale që janë të dobishëm jo vetëm për shqiptarët, por për mbarë botën.

- Jetësimi i parimit one stop shop në trajtimin e investimeve të huaja, do të jetë imediat në punën time dhe të stafit tim.

- Reformat në sistemin gjyqësor janë jetike për investimet e huaja. Jam i njohur me problemet në procese të ndryshme këtu në SHqipëri dhe tek ne, që zgjatin shumë dhjetra vite; njerëzit e biznesit shantazhohen, dhe dekurajohen.

Unë po e ndiej edhe vetë në Kosovë kohët e fundit këtë të keqe të madhe. Këto praktika të pranishme në vendet tona duhet të marrin fund sepse ato damkosin për keq vendet tona dhe mbyllin rrugët e zhvillimit.

Krijimi i sinergjive kombetare

Sot jam shumë i lumtur se ideja e krijimit të Hapësirës Mbarëkombëtare të Zhvillimit, ka gjetur përkrahje të madhe në mjediset politike, akademike, biznesore të kombit tonë në Prishtinë dhe në Tiranë.

Dua të falënderoj publikisht intelektualin e shquar, Akademikun Rexhep Qosja, i cili megjithë disa kritika për mua, kishte gjetur rastin të çmonte idetë e mia për bashkimin kombëtar që nis nga ekonomia.

Më tej akoma, shumë mjedise intelektuale, OJQ- kanë filluar të diskutojnë për idetë tona të intensifikimit të bashkëpunimit tonë kombëtar, të krijimit të tregut të përbashkët.

Makina kombëtare, tani është vënë në lëvizje prej energjive tona dhe askush nuk mund ta ndalë. Unë dua që idetë intelektuale puna ime, kontributi i miqve të mi të politikës dhe të biznesit të bashkohen në një fluks të përbashkët energjish, në një lëvizje qytetare, mbarëkombëtare që t’ja nisë që sot e të punojë për realizimin e ideve tona përbashkuese.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)