28 Mars 2024

Libër për jetën me nuanca filozofike

Shkruar nga Fatmir Halimi

Libri me poezi me titull domethënës dhe fiksional "Etja e Ujit" i autorit Ahmet Pllana ka poezi me tema e motive të larmishme.

Vetë titulli i librit "Etja e Ujit" nga diskursi teorik-letrar determinon dy rrafshe të mëdha, atë të rrafshit fiksional dhe atë konkret.

Nëse nisemi nga rrafshi apo aspekti diskursiv e letrar, etja e ujit është një metaforë e madhe në diskursin stilistik, pasi që ne e dimë se gjithçka mund të ketë etje dhe atë etje në shumicën e rasteve e shuajmë me ujë, por që të ketë etje edhe vetë uji këtë e gjejmë vetëm te autori Ahmet Pllana. Prandaj, në aspektin fiksional kjo bëhet një figurë e fuqishme stilistike.

Ndërsa, nga aspekti konkret, uji është një prej faktorëve kryesor i jetës së njeriut, se pa ujë vërtet nuk ka jetë. Për rëndësinë e ujit në tokë, autori ia kushton edhe një poemë të gjatë, siç është poezia "Këngë për tokën" (kushtuar planetit Tokë, me rastin e 22 Prillit - Ditës së Tokës).

Marrë si tërësi edhe uji mund të ketë etje, siç thotë poeti. Poeti Ahmet Pllana shkruan shkurt e qartë, ndaj poezitë e tij kanë një çiltërsi dhe qartësi, kanë një konkretësi dhe kuptueshmëri dhe janë të këndshme për t’u lexuar, sikurse poezia "Në Bogë të Rugovës" për mbrojtjen e ambientit.

Pllana nuk i ka poezitë me shumë fjalë, me vargje të gjata, por me vargje të shkurtëra, që kanë një fuqi dhe madhështi të enterierit poetik-estetik, në të shumtën e rasteve të ndara në strofa dhe me rima, që autori e ka shumë për qejf këtë stil të të shkruarit, sepse edhe te libri i parë i botuar me titull “Kujtoj Mollën e Kuqe”, por edhe te gjashtë librat e tjerë me poezi, i ka me të njëjtin stil.

Te Pllana realisht nuk mund të gjejmë një temë të vetme, pasi që poezitë e tij janë të thurura varësisht prej momentit, aktualitetit, gjendjes shpirtërore dhe situatave kohore nëpër të cilat kalon ai. Megjithatë, mund të veçohen disa poezi me tema ose motive të ndryshme, siç janë poezitë patriotike, shoqërore, filozofike, sociale, përkushtuese, të dashurisë, etj. Ndër poezitë patriotike do të veçoja poezinë për heroin dhe ideologun e madh te UÇK-së, Ukshin Hotin:

Diell që nuk shuhet

(Ukshin Hotit)
Diell që nuk shuhet kurrë    
 Yll që ndriçon çdoherë    
I urti Ukshin Hoti burrë             
I lartësuar në çdo pranverë!

Pllana përveç poezive për ujin, tokën e ambientin, në përgjithësi një numër të poezive i ka poezi përkushtuese, sidomos poezi për nënën. Pos këtyre vend me rëndësi në vëllimin poetik ‘Etja e ujit’ zënë edhe poezitë e dashurisë, të cilat shquhen për muzikalitet rimë e një ritëm të rrjedhshëm simbolik e artistik si:

Loti s’rrinte aty ku dilte
Lëvizte rridhte tej fytyrës

Binte në tokë si pika shiu.

Ose:

Duhet një lum lot  
Të të arrij deri te ti  
Duhet një det lot  
Ta kuptosh timen dashuri.

Arti dhe filozofia në poezitë e Pllanës nuk janë të ndara. Ai gjithmonë i ka në lidhshmëri këto dy elemente, meqë ai me poezitë e tij jep mesazhe dhe porosi, jep edukatë dhe kulturë për jetën dhe filozofinë e jetës, duke i kritikuar në mënyrën e vet dukuritë negative në shoqëri dhe duke plasuar të mirat që i duhen shoqërisë njerëzore në përgjithësi.

Njeriu vetëm me vepra të mira bëhet atdhetar i mirë, thotë poeti, dhe jo me fjalë të zbrazëta, por me punë.

Në një varg poeti thotë:
“Mos u besoni fjalëve
Por u besoni punëve!”

Poeti Pllana me këtë libër sjell një prurje të re në letërsinë tonë, sjell mesazhin, sidomos për gjeneratat e reja, se vetëm me punë mund të ecet përpara.

Autorit i dëshirojmë suksese dhe krijime të reja në letrat tona shqipe.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)