25 Prill 2024

Letër “mikut”

Shkruar nga Mentor Barani


Njëri nga presidentët amerikan, pat thënë me plot të drejtë “Mos na lashtë zoti pa revolucionin rinor” (Vilsoni). Kjo thënie, kaq kuptimplote, si duket pak ka kuptim dhe domethënie tek zullumqarët politik në partitë e Kosovës. Kjo thënie e mençur, më lejon të besoj dhe të jem i bindur se shtypja e vrullit rinor, është gjëja më e rrezikshme për një shoqëri. E pikërisht për këtë, shtypja e këtij vrulli rinor, është shtypje e aspiratave të shoqërisë, për një jetë më të prosperuar dhe më demokratike.

Është bërë tanimë klishe të thuhet se demokracia në Kosovë është e brishtë. Mbase kështu edhe është, sidomos për partitë e dala pas luftës, pa vizione politike, por për Lidhjen Demokratike të Kosovës, do të duhej të ishte ndryshe, sepse ajo ka qenë kreatore e proceseve demokratike në Kosovë. Mirëpo, edhe në këtë parti, zullumqarët kanë lëshua rrënjë dhe po bëhen pengues të proceseve demokratike.

Vdekja e presidentit të Kosovës dhe njeriut që bëri epikën e tij në proceset shqiptare dhe me gjerë, edhe LDK-në si parti e ka vu në pozita të vështira, e shpeshherë demokracia aty ka mbet si një flusk sapuni, në duart e disa grupeve oborrtare, që të yshtur për pushtet pa alternativë, kanë shtyp proceset demokratike.

Kohëve të fundit, janë ngrysur përsëri në këmbë, ca zullumqarë të palodhshëm, që po ndërhyjnë në proceset më se demokratike, të domosdoshme për LDK-në dhe Kosovën. Këto veprime, janë të turpshme dhe banditeske, sepse krijojnë celula të rrezikshme politike, pa zgjedhje demokratike dhe pa procese të mirëfillta demokratike.

E, këto veprime, në anën tjetër,  shkaktojnë avari në masat e gjëra, sidomos në këtë kohë kur LDK-ja duhet të akumulojë të gjitha potencialet e saja, duke promovuar frymën e vërtet demokratike, në funksion të një Kosovë më stabile.

Është me rëndësi të theksohet se njerëzit, pavarësisht apetiteve nuk duhet të bien preh e këtyre tendencave aspak të shëndosha për të ardhmen e partisë më të fuqishme në Kosovë për afro dy dekada, lëvizjes që u bë shtylla kryesore e shtetit të Kosovës, LDK-së. E hiq më pak, të “mikut” tim që po luan lojën e zullumqarit.

Na bie të dëgjojmë dhe lexojmë në shtypin sesi anëtar të partisë, ndërhyjnë keq në proceset demokratike dhe krijojnë klane të këqija, duke shtytë njerëz që të pranojnë detyra të pamerituara dhe çka është më e keqja, pa miratimin e shumicës.

Gjithë  këta zullumqarë, duhet të kuptojnë se këto procese janë jodemokratike dhe janë të destinuar të dështojnë.

Kështu që njerëzve plëngprishës, u duhet ndal tërbimi njëherë e përgjithmonë, sepse kështu krijohen kushte që rinia, kjo forcë kaq kreative dhe kaq e dobishme për Kosovën, të bëhet motor i lëvizjes së proceseve në Kosovë.

E, sot kur demokracia po kalon ditë të vështira, s’ka sesi t’i quajmë ndryshe këta, veçse monstra me fytyrë e njeriu e tru peshku-pretendimet e të cilëve, lirisht mund të thuhet se shkojnë nga tendencat e ajetollahzimit të Kosovës dhe partive politike në vend.

E them me plot bindje se me këto ndërhyrje bizare dhe të paprecedente për proceset demokratike, po perëndon koha e këtyre zullumqarëve, ngase elani dhe energjia e rinisë, mund të stopohet, por kurrë të ndalet. Kur gufon ajo, bëhet uragan që se ndal kush, e më së paku këto figura qesharake, që janë bë zullumqarë të LDK-së dhe kështu edhe Kosovës.

Duhet përmend edhe faktin se është në përvojën njerëzore, por edhe në atë fetare, se edhe Zoti zullumqarët i duron, por kur bëhet tepër, ua thyen qafen. Shtypja e vrullit rinor, po ju thyen qafën këtyre zullumqarëve politikë. Këtyre figurave që nuk ka sesi të emërohen ndryshe përveç se PËGËRA. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)