24 Nëntor 2020

Lëreni Teatrin Kombëtar në Tiranë, arrestojeni Milazim Krasniqin

Shkruar nga Behxhet Sh. Shala - Bajgora

Nga një problem, Kosovës iu bënë dy: Duket se asnjë shtet në botë nuk e ka përballuar më lehtë problemin e pandemisë COVID -19 se Kosova.

Po flitet se numri i të prekurve është i papërfillshëm sikur edhe i viktimave krahasuar me Italinë, Spanjën, Anglinë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe se, përkah suksesi i menaxhimit të pandemisë mund të krahasohemi me Kinën e që, përveç që ky problem dhe suksesi na bashkon, kemi edhe përafri në qëndrime politike, si në aspektin lokal, rajonal, ashtu, që është me rëndësi të theksohet, në aspektin global.

Është fat i madh që nuk kemi bërë më shumë teste, ndryshe numri i të prekurve do të ishte dhjetfishi i deklaruar dhe, gjithashtu është fat që nuk shkojmë te mjeku për çdo pordhë që bëhet afër apo rreth nesh por se këto farë pandemishë i kalojmë në këmbë sikur që jam i bindur se shumë persona edhe e kanë kaluar.  

Në Kosovë këto as që i kemi konsideruar se meritojnë vëmendje po të mos dilte një problem që na brengosi të gjithëve dhe që na lë pa gjumë; çka do të bëhet me Teatrin Kombëtar në Tiranë?!

Si njerëz jashtëzakonisht të lexuar, si artsistë të përjetshëm, qoftë me role të para, si pëshpëritës e më shumë si marioneta (kukulla politike dhe të interesit) do të konsiderohej si shumë e pandershme po ta kalonim pa një kundërshtim rrënimin (ai objekt do të rrënohej edhe pa buldozherë për shkak të konstruktit të dobësuar) e Teatrit Kombëtar në Tiranë.

Si intelektualë që jemi (me një apo 2-3 libra të lexuara) do të turpëroheshim nëse nuk do të reagonim fuqishëm dhe vendosmërisht.

Si pjesë e pandashme e elitës kulturore ballkanike dhe botërore, duket se kemi reaguar shumë butë, mos të them se reagimi yni ishte i qullët!

Si patriotë jemi turpëruar krejtësisht ; nëse Isa Boletini, Hasan Prishtina dhe patriotët tjerë shqiptarë, përkundër aq shumë rreziqeve ia mësynë Shqipërisë dhe Vlorës për ta shpallur Pavarësinë dhe për ta mbrojtur Shqipërinë duke mos e kursyer as jetën, po ne ç’bëmë?!

Asgjë hiç! Nëse dikush ka dashur të sakrifikohet, ishte koha por: “nuk e provuan, prandaj edhe dështuan “.

Reagimet më të ashpra në mbrojtje të identitetit kulturor, intelektual, artistik, kombëtar dhe shtetërorë e bënë pikërisht një pjesë e tyre që, me gjyshër, baballarë, tesh dhe kotillë ishin kundër Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe të cilët si identitet arsimorë e kishin azbukën (në alfabetin cirilik) në vend të Abetares sikur që na përndoqën në ish – Jugosllavi, individualisht dhe familjarisht por, çfarë absurdi, më së shumti fituan në Kosovën e komandantëve të luftës dhe në Shqipërinë e demokratëve dhe europianëve.

Për herë të parë isha në Shqipëri pas daljes nga burgu ku më dërguan paraardhësitë e “ mbrojtësve të sotëm të çështjes kombëtare në përgjithësi dhe Teatrit në veçanti “, në vitin 1990 dhe as në imagjinatën më armiqësore dhe më të shëmtuar nuk kam mundur ta parashoh një Shqipëri siç e pashë në vitin 1990.  

Në vitin 1990 as që e kam ditur se ekziston Parku Rinia ( te Tajvani i sotëm ) kurse brigjet e lumit Lana ishin mbjellur me lokale e që përbërja e Lanës ishte 90 % ujëra të zeza dhe 10 ujë të ndotur.

Po të largoheshe vetëm 100-200 metra nga sheshi Skenderbeu në Tiranë, do të shihnit rrugë dhe rrugica të përbaltura dhe me kanalizim të hapur apo kanalizim kabriolet.

Suvatë e ndërtimeve të trashiguara nga koha e shokut Enver ishin identiteti më i shëmtuar dhe vula turpëruese arkitektonike e Tiranës.

Pas disa viteve, me ardhjen e Edi Ramës, kryebashkiak i Tiranës, u ndriçua fytyra e Tiranës sikur që u lirua Parku i Rinisë dhe brigjet e Lanës për t’u shndërruar në mushkëri të Tiranës ( për qendrën e qytetit ), me Dajtin magjik sipër.

Për këtë Edi Rama e pagoi një çmim bukur të lartë për shëndetin e tij pasi u sulmua dhe u lëndua në kokë me shufra të banditëve që e donin Tiranën pa park dhe Lanën pa brigje dhe pa ujë fare.

Kushdo që në ato këhëra ka shkuar në Tiranë lehtësisht vëren ndryshimin, pozitiv, pa asnjë dyshim duke e formësuar Tiranën si qytet europian për dallim nga Prishtina, që më shumë i ngjanë fshatit Makondo të Markezit se një kryeqyteti të një vendi apo shteti që, së paku në harta gjeografike është në Europë.

Edhe Prishtina e ka një Teatër që më parë është quajtur Teatri i Qarkut, Teatri Krahinor i Krahinës Autonome të Kosovë dhe Metohisë por falë UÇK-së, Adem Jasharit, Komandantit Legjendar dhe të gjithë heronjve të rënë dhe të gjallë për liri sikur edhe të Komandantit Politik të Shqiptarëve, Bacë Adem Demaçi, sot quhet Teatri Kombëtar i Kosovës e që, jam i sigurt se për një numër që sot po protestojnë në mbrojtje të Teatrit Kombëtar të Tiranës, ky emërtim nuk është i pranueshëm por se e duan emërtimin e mëparshëm.

Nuk e di se ka pasur protesta për mbështetje të ndërtimit të një Teatri tjetër në Prishtinë përveç se ka pasur protesta për shkak të rrogave të papaguara dhe rrogave mizerie që i kanë marrë profesionistët e Tetarit Kombëtar në Prishtinë.

Të gjithë që e njohin ambientin e këtij teatri e kanë të qartë se ky objekt mund të jetë çdo gjë tjetër por jo teatër.

Nuk është teatër vetëm salla e shfaqjeve apo hyrja, që më shumë i ngjanë fshatit Potemkin por, nëse hyni në objektet shoqërues të këtij Teatri atëherë do të përballeni me një ambient horrori ku nuk ka ndriçim, ajrosje, ngrohje, freskim apo as edhe një vend të vetëm për artsistët dhe stafin.

Tash, pasi Edi Rama përmes Erion Veliajt, sikur Albin Kurti përmes Xhelal Sfeqlës, Arben Vitisë  dhe Rozeta Luksemburgut, e rrënoi Teatrin e dërrmuar për ta ndërtuar një Teatër modern e që është sipas standardeve të shteteve më të zhvilluara europiane dhe botërore, një pjesë e mendermethënë e shoqërisë civile në Kosovë që janë revolucionarë permanent por se jetojnë si kapitalistët e Beverlly Hillsit, puna e parë që e bënë ishte protesta në mbrojtje të këtij Tetari në Tiranë thuaja se Erioni i Edit e paska rrënuar Metropolitanin në New York apo Scalan në Milano, në aspektin e përmasave botërore apo kalanë e Rozafatit në Shkodrës, ate në Lëkuras të Sarandës, kalanë në Gjirokastër, Apollononë në Fier apo Lagjen Monumentale poshtë kalasë së Beratit.

Luanin apo elefentin e gjallë e respektojnë të gjithë, të shtrirë për toke apo të ngordhur i pështyjnë apo i përdhosin të gjithë. Pse Edi Ramën e sulmon një njohës aq i madh i teatrit dhe profesionist teatral siç është Lul Basha, e kam të qartë dhe është e kuptueshme dhe e lexueshme.

Lul Basha, si marionetë apo kukull e Sali Berishës po e mbronë vendin e tij të punës (Teatri i Tiranës) kurse, si politikan do ta rrëzojë Ramën dhe Qeverinë Rama.

Ndryshe, ç’kuptim ka organizimi i protestave pasi është rruzuar objekti i Tetarit përveç politizimit dhe përfitimit politik nga mbetjet mortore të këtij Teatri?!

Monika Kryemadhi është shembull eklatant se kanibalizmi ende nuk është zhdukur në Shqipëri ; për fillim do ta haje veshin e Ramës (është racion i mirë se Rama nuk ka vesh të vegjël) për të vazhduar pastaj me pjesët tjera të trupit.  

Nuk e besoj se gjendja ekonomike e Monika Kryemadhit është aq e rënduar që, në vend se të blejë mish keci apo barbuni të egër, detyrohet të hajë mishin e Edi Ramës që është në një moshë dhe se nuk tretet aq lehtë! Realisht, kam pritur që Monika Kryemadhi, si dikur Shkurte Pal Vata do të hynte në godinën e Teatrit Kombëtar dhe kur të shembej Teatri, me te do të shembej edhe Monika!

Po duket se jam një parashikues i dështuar! Kur Edi Rama nuk fliste për Kosovën, sulmohej nga kosovarët dhe të tjerët se është kundër interesit kombëtar.

Kërkonin që ai të ishte zëri i të gjithë shqiptarëve apo Piemonti i të gjithë shqiptarëve. Kur filloi të fliste e kur nuk fliste me telat e çiftelisë, po i njëjti Edi Rama akuzohej se po flet nga pozitat paternaliste dhe se Kosova ka dalzot dhe se nuk ka nevojë për Edi Ramën.

Unë gjithmonë kam thënë se Kosova dhe të gjithë shqiptarët, kudo që jetojnë kanë nevojë për paternalizmin e Shqipërisë dhe se ky paternalizëm, jo që është i nevojshëm por i domosdoshëm për mbijetesën e të gjithë shqiptarëve dhe Kosovës, ndryshe do të ishim si kurdët dhe palestinezët!

Unë jam përkrahës i madh i Teatrit Kombëtar që do të ndërtohet në Tiranë e që do të bëhet edhe shtëpia e dytë e të gjithë artistëve të Shqipërisë e që janë profesionistë të vërtetë dhe të mrekullueshëm sikur edhe për artistët nga Kosova, viset tjera shqiptare dhe artistëve të mbarë botës.

Tash, po bëhet shumë zhurmë për asgjë ku duan të përfitojnë politikisht politikanët që duan të vijnë në pushtet sikur edhe disa politikanë të shoqërisë civile të deklasuar dhe me shumë komplekse në Kosovë.

Edi Rama mund të sulmohet për shumë gjëra tjera por duhet të vlerësohet dhe trajtohet me respekt për ndryshimin e fytyrës së Tiranës dhe Shqipërisë.

Se sa poshtë ka rënë katundi është edhe rasti kur Patrioti i Madh i Çështjes Kombëtare dhe Makroi i dikurshëm i disa OJQ-ve, tash zkryeminstër i shkarkuar, Rock- Felleri i Kosovës, si toreador, pa asnjë ditë përvoje dhe me të gjitha betejat e humbura, merr guximin t’i dalë ballë një Demi sikur që është Edi Rama, gjithnjë i gatshëm për t’u sakrifikuar për Teatrin Kombëtar në Tiranë dhe aborixhinët e Australisë!

Problemi i dytë i madh i Kosovës: Milazim Krasniqi po na bënë probleme shumë kohëve të fundit ; po shkruan dhe nuk po pajtohet me politikën aktuale që është, sa e paimagjinueshme aq më shumë e dënueshme!

Komisari politik për Kosovë, aktualisht  kryepolici i Kosovës i veshur me rroba të zëvendësministrit për Punë të Brendshme, Administratë dhe Vrojtime, së bashku me Komisarin Politik të Bashkësisë Islame të Kosovës, i maskuar si kryemuftiu i Kosovës ngrenë alarmin se Milazim Krasniqi qëndron prapa organizimit të faljes së Namazit në Sheshin para Tetarit Kombëtar të Kosovës në vend se ta falin namazin në Xhaminë e Madhe të Madhërishme që është ndërtuar në oborrin e Postë Telekomit të Kosovës!

Xhela Sfeqla nuk shquhet se ka veshje elegante por askush nuk mund ta mohojë faktin se veshja e tij është në përputhje të plotë me punën që e bënë ; të vrojtuesit, vëzhguesit, hetuesit, denoncuesit dhe penguesit të të gjithë atyre që e rrezikojnë sistemin politik, juridik, social, ekonomik, kulturor të Kosovës së Pavarur dhe Sovrane hiç këtu Veriun e Kosovës dhe një pjese të lëkures së leopardit e quajtur Kosovë.

Ju kujtohet që me qiri dhe pishë e ndoqi Behgjet Pacollin, patriotin e Madh të Kazakistanit dhe Turkmenistanit dhe vetëm fati e shpëtoi Hashim Thaçin nga arrestimi.

Thuhet se Xhela ka shkuar ta arrestojë Hashimin në Çagllavicë kurse Hasha ishte në Burojë duke luajtur cic – mic me politikanët dhe politikën aktuale.  

Deshi ta shkarkojë Qalën, mbase për t’ia zënë vendin.  Xhelali i ka ngatërruar rolet, postin politik të zministrit e ka zëvendësuar me ate të kryepolicit.

Apo do t’i bashkëdyzojë. Duket se Xhelali ka lexuar shumë për inspektor Megre, Sherlok Holmsin apo Komisarin Memo!

Me këto paqartësi, Xhelali përveç se po e rrezikon mendimin dhe fjalën e lirë, duke  e rrezikuar me kërcënim Behgjet Pacollin, ka ngulur thellë thikën në palcën kombëtare e që nuk durohet e as nuk duhet të lejohet! Sa për Milazim Krasniqin, jam i habitur pse ende nuk është arrestuar.

Kush na qenka ky Milazim Krasniqi që në kohën e pandemisë po e rrezikon sigurinë duke tubuar njerëz përkundër faktit që i lëmuar ministër i Shëndetësisë, që me gjoks hapur dy herë e ka mbrojtur Kushtetutën e Kosovës duke e shkelur rëndë e rëndëka urdhëruar që nuk mund të bëhen bashkë dy persona, as në kohën kur janë burrë dhe grua e kur bëjnë dashuri nëse numri i parafundit i kartës së identitetit nuk përputhet me orarin e përcaktuar nga ky Shkelës i Kushtetutës.

E keni parë Xhelalin ; në kohën kur 500 persona, shumica e të cilëve po e mbrojnë edhe Tetarin Kombëtar në Tiranë, bënin ushtrime për protesta masive, po ky Xhelal, personalisht të gjithë 500 personave që u mblodhën në Sheshin Skënderbeu në Prishtinë ua ka kontrolluar numrin e parafundit të kartës së identitetit, nëse përputhen me kohën për aktivitete.

Dhe doli se 100% të protestuesve e kishin numrin e parafundit në përputhje me urdhëresën e Albinit, më falni Arbenit për dalje, sipas orarit të paraparë. Për të qenë më bindës, me vete kishin edhe dokumente tjera që iu dhanë të drejtën të protestojnë atë ditë, tjetër ditë dhe kur të dojnë sikur që ishte leja nga Policia e Kosovëa, libreza e anëtarësisë partiake dhe statusi joqeveritar apo i analistit krejtësisht të varur.

Prandaj, nëse nuk e keni arrestuar ende Milazim Krasniqin, arrestojeni menjëherë në mënyrë që namazin e Bajramit dhe drekën e Bajramit ta ketë të siguruar në Burgun për Siguri të Lartë në Dyz!

Mos e sulmoni Albinin, pa të drejtë: Kundërshtarët politikë të Albin Kurtit po i kapen Albinit për një fjalë goje, për gojëdhëna apo fjalë të urta të thënë në një kohë të caktuar dhe në një kontekst të gabuar. Po e sulmojnë se paska thënë: “ të ecën Lumezi e të kthehet Elezi .. “.

Dhe se, as nuk ka ecë Lumezi e as nuk qenka kthyer Elezi. Jam i sigurt se Albini nuk ka menduar për Elez Blakajn por për Gjergj ELEZ Alin që i ka në trup shtatë plagë.

Dhe, gjithashtu jam shumë i sigurt se do të kthehet Elezi, posa t’i ketë shëruar plagët. Prandaj, ju lusë për pak durim dhe mirësjellje! Mos u ngutni!

Kalendari

Ngjarjet e datës 24 Nëntor 2020

- Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes shqyrton të gjeturat e raportit për vendin të Komisionit Evropian për vitin 2020 në fushën e sigurisë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e katërt e Komitetit për Komunitete në komunën e Rahovecit. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit Komunal të Rahovecit, ora 10:00)

- Mbahet takimi i 190-të i Këshillit Prokurorial. (Nëpërmjet video konferencës, ora 10:00)  

- Komiteti Olimpik i Kosovës në bashkëpunim me organizatën jo qeveritare “Ta Pastrojmë Kosovën”, do të lansojnë “T’i japim vendit ngjyra”.  (Këndi Olimpik, në kampusin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ora 10:30)


- Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike shqyrton raportonin e auditimit për Pasqyrat Vjetore Financiare të vitit 2019, për Kompaninë Regjionale të Ujitjes Drini i Bardhë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 11:00)

- Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj, nënshkruajnë Memorandum të Bashkëpunimit për Atashetë Kulturorë. (Objekti i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ora 11:00)

- Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, shqyrton Ligjin për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave civile dhe familjareve të tyre. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 11:00)    

- Komiteti Olimpik i Kosovës organizon pritje për ekspeditën e xhudos, pas suksesit të arritur në kampionatin evropian të xhudos, të mbajtur javën e kaluar në Pragë të Republikës së Çekisë, ku Distria Krasniqi dhe Loriana Kuka u stolisën me medalje të bronztë. (Zyret e KOK-ut, ora 11:45)

- Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, pret në takim ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj. (Zyra e Kryetarit, ora 12:45 )

- Lëvizja Vetëvendosje mban konferencë për medie. (Zyret e LV-së në Arbëri, ora 13:00)

- Komisioni për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike, shqyrton Raportin e Panelit për zgjedhjen e “Kryesuesit të Komisionit Shqyrtues të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 13:00)

- Komisioni për Bujqësi, Pylltari, zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Mjedis, shqyrton rekomandimet nga BE-ja të planit për mbikëqyrjen e procesit integrues 2020-2021. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ors  13:00)

 - Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri dhe ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj vizitojnë  Spitalin e Përgjithshëm në Gjilan. (Gjilan, ora 13:45)

- Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Platforma ZOOM 5.0, ora 14:00)

- Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri dhe ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj mbajn Konferencë për media. (Qendra Rajonale e Shëndetit Publik në Gjilan, ora 14:30)

 

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, së bashku me drejtoreshën e Drejtorisë së Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik, Sevil Kazaz Limani, do bëjnë lansimin e projektit “Ndriçimi i Urës së Gurit”. (Pranë Urës së Gurit në Prizren, ora 18:00)