20 Prill 2024

Leka Zogu i I, ikona e unitetit kombëtar

Shkruan Ramiz Bojaj
 
Vdekja e Mbretit Leka Zogu i I, është humbje e madhe për kombin shqiptar. Edhe pse nuk la pushtetin e fronit mbretëror, ai ishte dhe mbetet figura më emblematike e unitetit nacional. Koncepti politik mbretëror ishte mbipartiak, tipik kombëtar.

Simboli i Shqipërisë etnike, (Mbreti Leka Zogu 1), pasqyroi idealet e larta kombëtare, duke bartë mbi supet e mbretërisë tërë etninë shqiptare (Mbret i të shqiptarëve, jo vetëm i Shqipërisë). Leka Zogu 1, bashkëjetoi gjithmonë me fatin e kombit shqiptar, duke rrëfyer shumë qartë, ëndrrën e tij për bashkimin e kombit në një shtet të vetëm. Koncept ky bazuar në gjenezën, historinë dhe etnikumin nacional, pa cenuar interesat e të tjerëve.

Në kujtesën shqiptare, Mbreti Leka Zogu i Parë, mbetet figura emblematike e zgjimit nacional(forcimi i Shqipërisë, Pavarësia e Kosovës, dhe çlirimi i trojeve etnike shqiptare). Qysh në vitet e egzilit, shumë kohë para zbarkimit të tij në Shqipëri, Mbreti Leka Zogu, kishte publikuar hartën e trojeve etnike shqiptare, ku ishin të përfshirë: Shqipëria me Çamërinë, Kosova me viset e tjera të Kosovës Lindore, Shkupin dhe Ulqinin.

Kjo kompetencë e një mbreti në egzil, kishte trembur tej mase hienat serbosllave, të cilët projektonin plane për spastrime etnike në Ballkan dhe krijimin e Serbisë së madhe. Proklamimi i hartës etnike, i një mbreti unikat, bartës i imazhit për të gjithë shqiptarët, kishte ndezur zgjimin nacional në të gjitha viset shqiptare, (shqiptarët e mbetur jashtë shtetit amë të Shqipërisë londineze).

Një prezantim kaq i plotë i etnikumit shqiptar nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë. Të paktën në versionin legal. Bashkimi kombëtar, si program politik i Mbretërisë Shqiptare, mbetet edhe sot mjaft aktual, natyrisht duke u bazuar në konceptin modern të komunikimit ndër shqiptar.
 
Pavarësia e Kosovës-ëndrra e mbretit
 
Për Mbretin Leka Zogu, pavarësia e Kosovës ishte pjesë unike e Shqipërisë. Pavarësia e Kosovës ishte krahu tjetër i shqiponjës dykrenore, i cili i jep gjallëri e jetë trungut arbëror. Në këtë kontekst, Kosova dhe Shqipëria, tashmë dy shtete shqiptare në Ballkan, janë të bashkuara, përderisa kufiri shqiptaro-shqiptar, është vetëm një vijë e hollë në hartë.

“Kosova dhe Shqipëria janë të bashkuara, ndërsa kufiri në mes këtyre vendeve është vetëm një vij në hartë. Unë besoj se Kosova dhe Shqipëria janë të bashkuara. Janë si dy gishta në një dorë, të cilët lëvizin dhe jetojnë në një trup nga një gjak”.

Ai disa herë kishte thënë se “preferenca ime është populli i Kosovës, sepse vetë ideali im është për Shqipërinë Etnike”. Etnikumi shqiptar, mbetet proces duke ngërthyer në vete tërë çështjen shqiptare (bashkëkombësit tanë, të cilët jetojnë të shtypur dhe nëpërkëmbur, në trojet e veta etnike, si në Çamëri, Kosovë Lindore, Mal të Zi dhe në Maqedoni).

Anatemimi i çështjes çame nga politikat ditore, është ndezur dhe mbajtur gjallë gjithmonë nga mbreti shqiptar. Guximi i tij për të vërtetën e kombit, bëri qe të mbahet gjallë koncepti për zgjidhjen përfundimtare të çështjes sonë nacionale.

“Unë e quaj Pavarësinë Kosovës si hap të parë, edhe pse jo drejtpërdrejt, drejt bashkimit. Nuk e fsheh dot që Kosova ka qenë ëndrra e jetës sime. Hapi i parë është bërë - tani Kosova është e pavarur. Ndërsa për çamët shpresoj shumë te kompensimi për pronat që kanë pasur. Duhet të jemi të bindur se Greqia nuk dëshiron fuqizimin e shqiptarëve, ndaj ky hap do na marrë kohë.”

Ai kishte thënë se rruga Durrës-Morinë ka përshpejtuar komunikimet. Këto komunikime, do të çojnë kombin tonë drejt lidhjes së vazhdueshme të bashkimit. “Shqipëria dhe Kosova, duhet të vazhdojnë rrugën e tyre drejt fuqizimit, ngase duke qenë të fortë, mund të fuqizojë gjithë çështjen kombëtare.”
 
Mbretëria, traditë dhe kulturë shtet formuese
 
Mbreti i parë i shqiptarëve, Ahmet Zogu, gjithmonë kishte për synim krijimin e një ushtrie të fortë, në mënyrë që të krijojë shtetin real shqiptar, bazuar në realitetin historik e nacional. Jo rastësisht, Mbreti Ahmet, Zogu, kalonte kohë të tëra, duke drejtuar e forcuar ‘Ushtrinë Kombëtare për Çlirimin e Shqipërisë Etnike’. 

\"Për të forcuar popullin, ashtu siç i ka hije një kombi të fortë, duhet ngritur lart shkallën e tij kulturore, (për një të ardhme të shkëlqyeshme), duhet qe popullit t\'i japim kulturë shtet formuese - kulturë evropiane. Por nuk duhet harruar krijimin dhe mbajtjen e kulturës kombëtare.

Kultura kombëtare është veçoria e një kombi. Ajo e ngre lart vetëdijen kombëtare, duke i dhënë rëndësinë e meritueshme. Historia na jep mjaft shembuj se, shumë kombe të mëdha janë zhdukur nga faqja e dheut, vetëm për shkak të humbjes së kulturës kombëtare. Unë u rrita me Kombin tim, po e kaloj jetën me të, dhe e njoh mirë karakterin e tij\". Tradita e funksionimit të shtetit shqiptar, është ndërlidhur me fronin mbretëror.

Si monark dinamik, Mbreti Ahmet Zogu, qe burrështetasi i parë qe pajisi Shqipërinë, me një Ligj Kushtetues, me Kod Civil, Penal e Tregtar, qe edhe sot cilësohen nga me interesantët e kohës.

Duke ndërtuar shtet të fortë, të fortë do të jenë edhe ata qe jetojnë brenda këtyre kornizave. “Kjo është rruga për të shpëtuar Shqipërinë dhe popullin shqiptar, që ka shumë probleme dhe rreziqe të mëdha në të gjitha trojet etnike”.
 
Mbreti-personalitet i lartë politik
 
Bashkëkombësit shqiptarë nga tërë etnikumi nacional, e përkujtojnë mbretin e tyre, si kolosin e politikës, shtetësisë e diplomacisë shqiptare. Ai është cilësuar si mbështetësi kryesor i aspiratave gjithëshqiptare në të gjitha trojet e veta etnike, duke e vlerësuar, njëkohësisht edhe si humbje të madhe për kombin.

Mesazhe të tilla proklamohen pa reshtur nga Shqipëria, Kosova, Kosova Lindore, Maqedonia, Mali i Zi, SHBA-ja dhe tërë diaspora shqiptare. “Mbreti Leka, në të gjithë jetën e tij në mërgim, ishte mbështetës kryesor i luftës dhe përpjekjeve të shqiptarëve për liri dhe dinjitet në Shqipëri, më Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi e kudo që ndodheshin. Shqiptarët humbën një nga personalitetet më të mëdha të historisë së tyre politike.\", vlerësoi, Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha.

Ndërkaq, presidenti Topi e cilëson si mbrojtësin dhe promovimin e çështjes shqiptare. “Mbreti Leka zogu i Parë, nuk reshti në asnjë çast duke punuar me përkushtim e dashuri në mbrojtjen dhe promovimin e çështjes shqiptare.” Ndërkaq, zyrtarët e shtetit të Kosovës, presidentja e kryeministri e vlerësojnë si bashkëjetues me sakrificën e popullit shqiptar të kësaj pjeseetnike.

“Populli i Kosovës do ta përkujtojë Leka Zogun e Parë, ngase ai gjithherë bashkëjetoi me sakrificën e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi. Vlerësojmë lart kontributin e familjes mbretërore në ndërtimin e shtetit dhe demokracisë shqiptare dhe punën, përherë. në të mirë të Kombit. Qytetarët e Kosovës e ruajnë kujtimin për Mbretin e Shqiptarëve N.M.T. Leka I Zogu, i cili gjithmonë dhe në çdo rast ishte me Kosovën.” Kombi shqiptar, po e përcjell në amshueshmëri, mbretin Leka i Parë, duke i dhënë nderimet më të larta shtetërore e nacionale.
 
Dinastia e Mbretërisë shqiptare vazhdon
 
Dinastia e Mbretërisë shqiptare, bartë pas vete imazhin e shtetësisë shqiptare. Mbreti Ahmet Zogu, qeverisi shqiptarët për 14 vjet. Rikthimi i Ahmet Zogut në pushtet(1925) u cilësua në atë kohë si shpëtim për Shqipërinë. Në vitin 1925 u bë President i Shqipërisë. Ndërkaq në vitin 1928, vë kurorën e mbretit shqiptar, ku nga 1 shtatori i vitit 1928 - Republika e Shqipërisë shndërrohet në Mbretëri Shqiptare.

Qeverisja e Shqipërisë nën petkun e Mbretërisë, zgjati gjer më 1939. Pas kësaj periudhe, oborri mbretëror kalon në egzil. Mbreti Zog u largua nga Shqipëria ashtu siç u larguan edhe të gjithë mbretërit e tjerë, nga të gjitha vendet e pushtuara nga forcat nazifashiste,  për tu kthyer sërish në vitet e nëntëdhjeta (pas vendosjes së pluralizmit politik në Shqipëri).

Por, edukata e lartë kombëtare, e mbajti gjithmonë të lidhur me atdheun dhe kombin e vet. Leka Zogu I, u lind më 5 Prill 1939 në Tiranë, dy ditë para pushtimit fashist të Shqipërisë. U rrit në emigrim pa pasur mundësi të vizitojë vendlindjen e tij për disa dekada.

Leka i Parë u kurorëzua Mbret në prill të vitit 1961, pas vdekjes së Mbretit Zogu i Parë. Pas një jete të gjatë në mërgim, i larguar nga vendi që kur kishte vetëm dy ditë jetë, në prill të 1939, ai erdhi për herë të parë në Tiranë në nëntor të 1993. Mbreti, Leka Zogu i Parë, ndërroi jetë me 30 nëntor, 2011.

Trashëgimtari i Fronit Mbretëror të Shqipërisë është Leka Zogu i Dytë, i cili është rritur dhe edukuar në atdhe, në frymën e lartë nacionale. Sipas Statutit Themelor të 1928-ës, Mbreti është i të gjithë shqiptarëve dhe jo i një apo disa partive.

Shqiptarët i mbesin gjithmonë besnik, parimit për kombin dhe atdheun. Amaneti i lënë nga heronjtë e burrështetasit tanë, si Skënderbeu e Ismail Qemaili, Adem Jashari, Ibrahim Rugova e Mbreti Leka Zogu I, mbesin gjithmonë, kurorat e filozofisë shtetërore, të lirisë dhe bashkimit kombëtar.
 
 
(Autori është publicist dhe drejtor për marrëdhënie me publikun në Institutin për Hulumtime dhe Analiza të Politikave Ekonomike).
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)