29 Mars 2024

Kush është “atdheu” im

Shkruar nga Besnik Rama

Kam plot 23 vjet ikur larg… larg vatanit tim! Në detin e turbullt e plot tallaz, më dukej atëherë sikur unë marshoja përpara për të kërkuar diçka më të re, më të mirë. Sytë tanë nuk kishin shikuar dritë ndonjëherë, e kjo ikje sikur na i hapi sytë pakëz. Në atë kohë po, po sot?!

Këto 19 vite po vuaj shumë, vuaj, vuaj por gjithsesi unë mbijetoj me idenë se një ditë, do kthehem atje ku linda, në atdheun tim, në Shqipërine time, në Tironën e të parëve të mi.
Të kthehem?!Po, po të kthehem! Një ëndërr shumë e bukur. Unë e dua atdheun tim, investoj edhe këtu jashtë për të ardhmen e tij, me ato preoukupimet e mia në çdo fushë të jetës që të jetë e mundur.

Kam takuar shumë shqiptarë këto vite, kam qëndruar dhe punuar me ata. Kur rri me ata më duket sikur kam aromën e Shqipërisë, “erën” e shqiptarëve. Dhe e dini çfarë? Kjo “erë” më duket ndryshe nga “erërat” e tjera. Kjo është diçka e çuditshme, që na ndodh vetëm ne emigrantëve idealistë.

Idealet tona i ushqejmë me cdo kujtim të bukur nga vendlindja, që e ruajmë me fanatizëm. Një foto e vjetër, një letër e nënës ruajtur me kujdes, një statujë e Skënderbeut që më kujton Tiranën time. Eh Tirona ime…sa mall kam!

Po flisja një mbrëmje me një mikeshën time të huaj për këtë temë. Dhe ajo më tha: “Shqipëria jote, apo çdo vend tjetër, është atdheu i atyre që kanë pronë atje”. Interesi i përbashkët, prona i bashkon ata që bëjnë atdheun dhe ata që u dhimbset vërtet atdheu, sepse në fund të fundit, duhet të mbrojnë veten, gjakun e tyre, pronën e tyre, jetën e tyre. Njerëzit pa pronë e pa shtëpi, nuk ndjejnë të kenë atdhe. Për ta, “atdheu” mund të jetë një frazë nacionaliste, që të mençurit e nxorën për të çoroditur të varfrit, por pa përmbajtje reale.

Unë tani e kuptoj qartë fjalën atdhe. Ndaj e kam të qartë pse më shumë atdheu u dhemb biznesmenëve dhe pronarëve, sesa politikanëve dianakë, që kanë në xhep vetëm kartën e kreditit të bankës me miliona brenda dhe një pasaportë diplomatike për të fluturuar ku të duan.

I mërzitur në mëndjen time, thelloja dhe trokisja thellë në të duke gërmuar për të gjetur një përgjigje më të mirë për fjalën “AT dhe DHE”. Mbaj mend që mësuesja e klasës fillore na thoshte se janë dy fjalë të thjeshta, që po ti bashkojmë formojnë një fjalë të përbërë. Kjo fjalë na ka ngacmuar përherë zemrat tona, na ka lënduar dhe na ka bërë të vuajmë. Është pikërisht atdheu juaj e imi të dashur fëmijë.

Sot, që jam i martuar dhe me dy fëmijë medohem shumë për fjalët e mikeshës sime. Fëmijët po rriten, e unë mbeta rrugëve duke jetuar, larg prindërve të mi. Të vij? Të kthehem? T’i hip avionit e të marr edhe familjen e të shkoj në Saukun tim! Nuk e di, por atdheu na qënka ideali për të cilin luftojmë, e për të luftuar duhet të jesh i fortë. Mirë pra, “Jam i FORTË”, por ama për çfarë po luftoj? Për asgjë, pasi unë nuk kam as shtëpi, as pronë, asgjë. E ky na qenka “atdheu” ynë?!

Një copë qielli për të jetuar e gjejmë në cdo vend, por unë e dua atje, atje ku kam vendin tim, atje ku më pret nëna me krahëhapur e të më thotë.” Erdhe bir!…”

O Shqipëria ime e ndritur, të dua në jetë të jetëve. Pa ty nuk mund të rri, por ama arsye nuk gjej të vi tek ty. Familja do bukë, do ujë, do strehë ku të vendos koken, do… e çfarë nuk do?! E unë tek ty o e shtrenjta ime nuk mund t’i gjej. Më jep një zgjidhje pra! Hë de, fol! Po fol dreqi ta hajë, e mos hesht! Megjithatë mesa shikoj heshtja jote dëshpëruese më thotë që të rri edhe ca vite këndej që të siguroj një jetë më të mirë për familjen time, e pastaj të kthehem tek ti. Ama më premto se do më presësh si djalin tënd. Ma premto!… Të dua atdheu im…

(autori eshte botues & kryeredaktor i nacionalalbania.al)

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)