20 Prill 2024

Kur do të votojnë mërgimtarët në Ambasada të Shtetit

Shkruar nga Gani Qarri

Të gjitha ambasadat dhe konsullatat e shteteve tjera demokratike evropiane e më gjerë, sa herë mbahen zgjedhje të lira në vendet e tyre, ato brenda ambienteve të objekteve që kanë, vendosin kutitë e votimit dhe mërgimtarët mund të votojnë aty, si në atdheun e vet. Organizime të tilla kaq praktike, për fat të keq ende nuk mundësohen edhe për mërgimtarët shqiptarë,ani pse në përfaqësitë e shteteve tjera, kanë pasur gjithmonë sukses dhe mbarëvajtje të veçantë të votimeve me këtë mënyrë.

Përkundrazi, sa u takon votave të diasporës, ato pothuajse asnjëherë nuk arrijnë si duhet në vend, nuk kalohen pa ankesa e kundërshtime sado të vogla, qoftë edhe për atë "grusht" votash dhe krejt ato pak sosh, që për momentin vijnë nga mërgimtarët, siç ndodh aktualisht edhe në Istog apo qytetin e Burimit.

Në fushatat paraelektorale, për mobilizimin e votuesve, kudo bëhen thirrje nga partitë politike që të votohet, aty këtu shpjegohen edhe mënyrat se si duhet votuar, madje përmenden shkaqe e jepen edhe arsyetime gjithandej se pse duhet të dilet sa më masovikisht në zgjedhje.

Por ajo që gjatë gjithë këtyre viteve i mungon mërgatës dhe nuk u tha as sqarua asnjëherë nga qeveritë e vendit, është fakti se pse edhe Ambasadat dhe Konsullatat e Kosovës, ende nuk hapin dyert për mërgimtarët, që edhe ata të mund të votojnë brenda ambienteve të përfaqësive të shtetit të vet, siç veprohet nga të gjitha shtetet tjera në rajon e më gjerë.

Madje, megjithëse po bëhen gati 10 vite, që jemi shtet i pavarur dhe kemi hapur përfaqësitë tona pothuajse në të gjitha vendet evropiane, e në shumë sosh kemi edhe nga disa përfaqësi diplomatike, megjithatë, ende asnjëra nga to, asnjëherë nuk hapi dyert për votuesit në diasporë.

Në fakt, mesa dimë ne, deri më tani, asnjëra nga qeveritë që ishin në pushtet, nuk bëri përpjekjen më të vogël që edhe diasporës shqiptare ti krijohen kushte të tilla për votim.

Kjo vërtetë është jo vetëm e dhembshme por disi edhe tragjikomike, kur dihet që me gjithë dëshirën e madhe dhe pritjet e arsyeshme të ëndërruara për vite e dekada me radhë nga mërgimtarët, shumica prej tyre, shkaku i pengesave të panumërta, procedurave të lodhshme e të stërzgjatura, si dhe mënyrave të komplikuara të votimit, gati deri në moskuptim, nuk mundën asnjëherë ta shprehin vullnetin e tyre, as patën mundësi të votojnë, në cilat do zgjedhje që tash e sa vite, mbahen në shtetin tonë të lirë.

Madje, edhe ato fletëvotime të cilat dërgohen nga diaspora dhe arrijnë ti mbijetojnë udhëtimit deri në Kosovë, shumica sosh ose shpallen të pavlefshme ose edhe keqpërdoren, qoftë gjatë rrugëtimit apo edhe vet procedimit në vend, duke ua ndërruar kahen e ndryshuar edhe vullnetin e votuesve jashtë vendit.

Ndaj është koha e fundit, që edhe Kosova ,njëjtë si vendet tjera evropiane dhe ato evro-juglindore, të përgatisë përfundimisht listat e votuesve nga mërgata dhe mundësojnë bashkëkombësve në diasporën kudo, që të votojnë në ambientet e përfaqësive tona diplomatike, si Ambasadat dhe Konsullatat e shtetit.

E po pati vullnet, mundësitë ekzistojnë,sot vetëm në Zvicër kemi mese tri përfaqësi të shtetit tonë, Ambasadën në kryeqytetin helvetik në Bernë dhe dy konsullata,një në Cyrih e një tjetër në Gjenevë, të cilat kur kihen parasysh edhe lidhjet e mira dhe transporti i përsosur publik që ekziston këtu, mund të mbulojnë fort mirë e lehtë dhe pa asnjë problem të gjithë hapësirën me mërgimtar që janë të interesuar të votojnë. 

Madje, pas vendimit që shteti të organizojë votimet për diasporën, nëpër objektet e ambasadave dhe konsullatave të veta edhe mundësia për manipulime do të bëhej tejet më e vogël,do të garantohej votimi i lirë për mërgimtarët, pamundësohet ndërrimi i kahes së votës, pengohet shitblerja e saj dhe evidentohet më lehtë e më saktë, ndryshimi  eventual i “dhunshëm” i vullnetit të qytetarit,siç pretendohet aktualisht në të gjitha përfundimet elektorale, do të rritej pjesëmarrja në zgjedhje dhe sigurohej një votim vërtetë i dinjitetëshëm edhe për qytetarët e Kosovës,jashtë vendit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)