01 Tetor 2020

Kthimi i së kaluarës

Shkurar nga Lëvizja Vetëvendosje!

Vizita e Princit anglez të Kentit, Michael, u raportua të ketë edhe një qëllim të fshehtë. Sipas gazeta Princi kishte ardhur në Kosovë për ta kërkuar Trepçën, bazuar në marrëveshjen për koncesion të cilën anglezët e kishin arritur në vitet 1920 me qeverinë e atëhershme të Nikolla Pashiqit, një prej antishqiptarëve të theksuar të establishmentit politik të Serbisë, apo më saktësisht me djalin e Nikolla Pashiqit.

Asgjë e çuditshme këtu: një pasuri që nuk dekolonizohet, është e pakuptimtë të mos kolonizohet. Dhe Trepça në shumë aspekte është shëmbëlltyrë e nevojës së madhe që ka Kosova për dekolonizim. Kosovës i nevojitet, si asgjë më shumë, kontrolli sovran mbi resurset natyrore dhe kapacitetet zhvillimore, në mënyrë që ta kemi të mundur zhvillimin. Pa këto e kemi të sigurt varfërimin. Se po qe se nuk përfitojmë ne nga pasuritë tona, do të përfitojë dikush tjetër. Qeveria e Kosovës, por edhe ato të kaluarat, nuk janë, e as që kanë qenë, të interesuara që pasuritë e Kosovës të vihen në shërbim të popullit. Dhe është e pritshme që, pasi filluan t’ia japin ato me koncesion, atëherë në tavolinë shumë lehtë do të vendosen kërkesa tjera për koncesione shtesë. Ndërkohë që mostrajtimi i çështjes së kolonizimit të Kosovës nga Serbia, dhe përmes saj, do të na kthejë në vazhdimin e zbatimit të vendimeve jo vetëm të Millosheviqit, por, tash po shihet, edhe Pashiqit.

Prej vitit 1999 e tutje në Kosovë ka filluar të trumbetohet një perceptim i ndryshëm për Trepçën. Prej se ekziston ajo si ndërmarrje dhe miniera, të gjithë në Kosovë e kanë ditur se Trepça ka pasuri dhe potencial të madh ekonomik. Mirëpo pas 1999 nga pushteti na paraqitej një tregim tjetër – na thuhej se Trepça megjithatë nuk është e pasur. Pra fshihej e vërteta për të, për të na e zbrapsur vullnetin që ta mbrojmë atë. Por ja që doli kjo kërkesë e Princit Michael që e ktheu të vërtetën në dritë. Po të mos kishte qenë e pasur dhe me potencial, pse do të interesoheshin anglezët për të, dhe për ta kthyer në vepër një marrëveshje të vitit 1926? A do t’i kishin hyrë këtij problemi anglezët pa pasur përfitime? Natyrisht se jo. Dhe kjo kërkesë nuk vjen nga qielli i hapur, ajo vjen pas shumë hulumtimeve gjeologjike të cilat i ka pikërisht një kompani angleze në Trepçpë. Kërkesa tash dhe në këtë kohë nuk është e rastësishme.

Përveç rëndësisë ekonomike, Trepça e ka edhe një rëndësi tjetër për Kosovën. Kjo është e natyrës politike dhe ndërlidhet me sovranitetin dhe integritetin territorial. Rëndësia e Trepçës në integrimi e veriut të Kosovës është e pazëvendësueshme. Prandaj, edhe për këtë arsye, Trepça duhet doemos të jetë në pronës publike në Kosovës. Çfarëdo tjetër aranzhimi në lidhje me pronësinë e saj na dëmton.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 1 Tetor 2020 - Me rastin e Ditës Botërore për të Moshuarit, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica do të bëjë një vizitë në Shtëpinë për Persona të Moshuar pa Përkujdesje Familjare në Prishtinë. (Shtëpia për Persona të Moshuar pa Përkujdesje Familjare, ora 9:00)

- Mbahet seanca gjyqësore kundër Faik Grainca për keqpërdorim të pozitës apo i autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 të KPRK. (Gjykata Themelore në Ferizaj, salla nr.3, ora 9:30)

- Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica do të bëjë një vizitë në zyrat e Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës në Prishtinë. (Zyrat e Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, ora 9:30)

- Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi do të ndajë çmimet vjetore për kinematografi. (Kabineti i ministres Dumoshi, ora 10:00)

- Komisioni Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë së virusit COVID-I9 nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës voton për ekspertin e shëndetit publik si dhe diskuton me ekspertët rreth angazhimit të tyre. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 11:00)

- Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan nis vitin e ri akademik 2020/2021. (Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan, ora 11:30)

- Nënkryetari i Komunës së Prizrenit, Visar Shehu do të merr pjesë në aktivitetin sensibilizues të organizuar nga Drejtoria e Shëndetisë dhe QKMF me rastin e shënimit të muajit të Kancerit të Gjirit. (Sheshi “Shatërvan” në Prizren, ora 11:30)

- Lëvizja Vetëvendosje mban konferencë për media. (Zyret e LV-së në Arbëri, ora 12:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, do të merr pjesë në përurimin e klasave parashkollore të SHFMU “Mati Logoreci”, të renovuara nga KFOR-it Turk në Kosovë. (Shkolla “Mati Logoreci” në Prizren, ora 12:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka do të merr pjesë edhe në fillimin e punimeve të rrugës Arbanë - Landovicë në Prizren. (Në afërsi të varrezave të dëshmorëve në Landovicë, ora 12:30)

- Kryeministri Avdullah Hoti merr pjesë në fillimin e punimeve të rrugës Arbanë-Landovicë. (Landovicë, Varrezat e Dëshmorëve, ora 12:30)  

- Kryeministri Avdullah Hoti viziton komunitetin boshnjak në Reçan. (Reçan, ora 13:30)

- Në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë do të mbahet paraqitja e parë e Hysni Gucatit. (https://www.scp-ks.org/sq/transmetim, ora 15:00)

- Kryeshefi Ekzekutiv i Korporates Financiare te Zhvillimit Ndërkombëtar të ShBA-ve, Adam Boehler mban një konferencë telefonike për shtyp në të cilën do të diskutojë sesi delegacioni i fundit i qeverisë amerikane në Greqi, Kosovë, Serbi, Izrael dhe Marok avancoi marrëveshjet ekonomike dhe investimet e sektorit privat për të mbështetur zhvillimin global dhe politikën e jashtme të SHBA. (https://www.eventbrite.com/e/telephonic-press-briefing-with-us-international-development-finance-tickets-123158497381, ora 17:00)