19 Mars 2024

Kryeministri ofendon popullin të cilën pretendon ta përfaqësoje

Shkruar nga Bajram Gecaj

Po dëgjojmë Kryeministrin Haradinaj si shpesh të na flasë me një gjuhë jashtëzakonisht denigruese për qytetarët e Kosovës, të cilët dhunshëm ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre, e disa prej të cilëve ishin detyruar të qëndronin për një kohë në tokën e askujt, mes Kosovës e Maqedonisë, në Bllacë, e më vonë edhe në kampe refugjatesh, siç ishte ai i Stankovecit.

Kryeministri duket të ketë harruar se kur ofendon këta njerëz, lëndon ndjenjat e shumë grave, fëmijëve e pleqve, që të gjithë qytetarë të ndershëm e të përvuajtur, plotësisht të pambrojtur nga ata që sot pretendojnë të kenë luftuar për ta e për vatan.

Ndoshta Kryeministri edhe ka gjasa të ketë qenë "ushtarak" i zoti, por sot nuk është as kryeministër e as politikan i mirë, ndërsa nuk e kam as një fije mëdyshjeje se edhe dhjetë jetë tjera po ti kishte nuk do të mund të bëhej kurrë as njeri e as personalitet më i mirë e më i dinjitetshëm se baba, nëna apo motra ime, që të tre viktima të asaj dhune e të atij regjimi fashist.

Ata, mes qindra-mijëra qytetarëve tjerë, ishin po ashtu të ngujuar mu në kampin e Bllacës, të trajtuar si të mos ishin qenie njerëzore, por edhe krejtësisht të pambrojtur nga ata që sot rrahin gjoksin e çlirimtarëve.

Shumë nga këta qytetarë të dëbuar e të ngujuar në Bllacë kishin djemtë e vajzat e tyre në radhët e UÇK-së, duke përfshirë edhe prindërit e mi, por nuk u kishte shkuar mendja kurrë se një ditë do të ofendoheshin kaq ulët mu nga "komandantët" e fëmijëve të tyre.

Luftëtarët e denjë të lirisë dhe çlirimtarët e vërtetë, zoti Haradinaj, nuk do t’i lejonte kurrë karakteri dhe modestia e një trimi të rrahin gjoks për një obligim kombëtar të cilin e kishin kryer ndaj popullit dhe vatanit të tyre, e mbi të gjitha atyre nuk u lejohet asnjëherë dhe në asnjë rrethanë të ofendojnë popullin e vet!

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)