29 Mars 2024

Krimet kundër njerëzimit dhe ekonomisë me statistika

Shkruar nga Isa Mulaj

Regjistrimi i popullsisë në Kosovë pas tri dekadave si ngjarje historike, po përcillet me kritika rreth numrit të përgjithshëm dhe profilit të tij. Regjistrimi ishte kusht sipas Planit të Ahtisaar-it, prandaj në terminologjinë e demografisë mund të futet emërtimi popullor, dhe të përdoret edhe në gjuhët tjera, “Censusi i Planit të Ahtisaar-it”.

Subjektet e ndryshme, zyrtarë, dhe ekspertë vënë në dyshim rezultatet. Në një njoftim për publikun, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK) e cilëson të pavlershëm këtë regjistrim dhe kërkon përsëritjen e tij. ASHAK nuk pajtohet se në Kosovë jetojnë vetëm 1.733.872 banorë, duke përjashtuar këtu katër komuna në pjesën veriore të Kosovës të kontrolluara nga serbët: Mitrovicën Veriore, Leposaviqin, Zveçanin, dhe Zubin Potokun. Po të merren parasysh vlerësimet e përafërta për këto komuna të cilat së bashku kanë afër 72.000 banorë, atëherë numri i përgjithshëm del mbi 1.815.000 banorë. Edhe me këtë numër plotësues (dallon nga numri plotësues i Lotos!), prapë diçka e paqartë.

Ish-ministrja e Shërbimeve Publike (tash e emërtuar Ministria Administratës Publike - MAP), Melihate Tërmkolli, e quan absurd numrin e përgjithshëm të popullsisë kur ai del gati sa numri i votuesve ku nuk përfshihen personat nën moshën 18 vjeçare, të cilët sipas vlerësimeve të Entit të Statistikave të Kosovës (ESK) në vitin 2010 përbënin 33 për qind të popullsisë. Një prej sqarimeve për absurdin e përafrimit ndërmjet numrit të përgjithshëm dhe atij të votuesve, i referohet prezencës së shumë personave që kanë vdekur në regjistrin e votuesve. Edhe këtu ka një defekt serioz. Numri i të vdekurve, po të merret si kumulativ për një periudhë 10 vjeçare, kurrë nuk i ofrohet as gjysmës së numrit të grupmoshës deri në 14 vjeç për të njëjtën periudhë.

Sqarimet rreth mospajtimeve për rezultatet e regjistrimit, i jep eksperti i demografisë dhe njëkohësisht edhe zëvendës ministër në MAP ose institucionin përgjegjës për realizimin e regjistrimit, Rifat Blaku. Sipas një interviste të tij në gazetën “Epoka e Re” në fillim të korrikut 2011,  rezultati i pasqyron gjendjen reale të asaj pjese dërmuese të popullsisë që jeton në Kosovë, e cila është regjistruar me metodologjinë e Eurostat-it, dhe se i njëjti regjistrim do të certifikohet nga ky institucion evropian. Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut (KMDLNJ) e ka quajtur të dështuar regjistrimin e popullsisë në Kosovë.

Ndryshe, sipas vlerësimeve në faqen zyrtare të ESK-së, popullsia e Kosovës më 2010 ishte 2.207.896 ose për 474.024 banorë më i madh se numri i regjistrimit zyrtar. Prishtina si qyteti më i madh, sipas regjistrimit të fundit, i ka 198.214 banorë. Në regjistrimin e vitit 1981, Vjetari Statistikor i KSAK-së tregon një popullsi të Prishtinës prej 210.040 banorë ose më të madhe se pas 30 vjetësh.

Me njerëz dhe ekonomi në Kosovë manipulohet më së shumti
 
Rezultatet e regjistrimit të fundit kanë nxjerrë çrregullime të mëdha në treguesit makroekonomik për Kosovën, kanë hedhur poshtë shumicën e vlerësimeve demografike dhe përllogaritjeve ekonomike që janë bërë sidomos prej vitit 2005 e këtej. Këto çrregullime kanë filluar të vërehen menjëherë në publikimet e organizatave ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Banka Botërore. Për shembull, raporti i vizitës së personelit të FMN-së në Kosovë gjatë muajit shkurt 2007, e llogaritë popullsinë në afër 2 milionë, ndërsa për vitin 2007 e parasheh në 2.067.000 banorë.

Raporti i dy viteve më vonë ose ai i shkurtit 2009 e ka vlerësuar popullsinë më 2007 në 2.126.000 banorë ose më të madhe se që e kishte parashikuar për të njëjtin vit në raportin e vitin 2007. Për vitin 2010 FMN-ja në raportin e tij të vitit 2009 e parashihte numrin e popullsisë në 2.236.000 ose dukshëm më të lartë se shifra e regjistrimit të tanishëm.

Ende nuk janë analizuar sa duhet pasojat e këtyre statistikave jo konsistente të popullsisë në sferën ekonomike, por gjithsesi do të vërehen më vonë, duke filluar nga Bruto Produkti Vendor (GDP) për kokë banori, papunësia, e deri te konsumi individual dhe niveli i varfërisë. Raporti i fundit i Bankës Botërore për nivelin varfërisë në Kosovë, thekson se ka pasur një rënie të ndjeshme nga 46 në 35 për qind. Kjo nuk është fare e vërtetë, madje mund të jetë pikërisht e kundërta.

Këto vlerësime u bënë gjatë kohës së regjistrimit të fundit të popullsisë dhe Banka Botërore duket sikur e kishte idenë e rezultateve preliminare, dhe ka dalë më këto vlerësime. Ka dallim ndërmjet statistikave dhe realitetit në Kosovë. Nuk është vështirë ta shkruajmë numrin e popullsisë më të vogël apo më të madh dhe në bazë të tyre të themi se varfëria po shtohet apo ulet dukshëm. Të dhënat në letra mund të ndryshohen lehtë, por kjo nuk do të thotë se me to ndryshon edhe realiteti. Kjo logjikë manipuluese është e pakripë dhe nuk hahet në tregues real të botës që n rrethon. Në Kosovë më së shumti manipulohet me njerëz dhe ekonomi.

Po kthehemi edhe njëherë te popullsia e Prishtinës. Pavarësisht insistimit të institucioneve kompetente për regjistrim se ky është numri, ku dalin më pak se 200.000, në Prishtinë jetojnë së paku më shumë se dyfishi i kësaj shifre të popullsisë. Kjo ka domethënie tejet të madhe ekonomike, sepse këta njerëz e ushtrojnë veprimtarinë këtu, pavarësisht a janë të regjistruar në komunat tjera ku kontribuojnë më pak ose nuk janë më të lidhur me to praktikisht. Pasojat në planet dhe politikat ekonomike gjithsesi do të vërehen kur të bindemi se strategjitë e zhvillimit nuk mund të zbatohen sipas planeve kur gjendja në terren me pasuritë njerëzore dhe numrin e tyre është tjetër.

Vetëm pas luftës 1999 e këtej në Prishtinë janë ndërtuar lagje të tëra të reja me ndërtesa shumëkatëshe, si: Arbëria, Kalabria, Lagja e Spitalit, dhe shumica e tyre veç janë të banuara. Mos të flasim edhe ndërtimet pa leje e mbindërtimet më në brendi të qytetit dhe rrethinë, dhe mos ta krahasojmë Prishtinën e sotme me atë të para 30 viteve kur i kishte, sipas krahasimit me regjistrimin e tanishëm, më shumë banorë se sot!
 
A po e sfidon shoqëria civile Ligjin mbi Ruajtjen e Energjisë?!   

Ligjin mbi Ruajtjen e Energjisë e keni mësuar përmendësh në shkollën fillore dhe të mesme, me këtë përkufizim: “Energjia e një trupi as nuk humbet e as nuk shtohet, por kalon prej një forme në formën tjetër”. Mirëpo, shqiptarët në përgjithësi, pavarësisht se a janë shkencëtarë, akademikë, hulumtues, ku kanë studiuar, cilën lëndë e ligjërojnë, e tjera, janë ndër studiuesit më jo praktik në botë. Kjo vërtetohet shpesh kur iu qasen punëve konkrete.

Nga gjithsej 2,5 milionë banorë të Kosovës sa supozohet se ekzistojnë nëpër botë, diçka po mungon. Nëse janë në pyetje ngatërrimet me numrin e personave që kanë vdekur, atëherë edhe këtu vlen Ligji dhe për ta ka dëshmi. Ata ekzistojnë diku, janë bërë tokë ose kanë mbetur në sistemin e planetit.

Regjistrimi i tanishëm ka përjashtuar diasporën në tërësi, pavarësisht statusit që mund ta kenë emigrantët, ku dihet se një pjesë e tyre për kah shtetësia ende janë “as me shehër as me Barilevë”. Një studim i vitit 2007 që është përgatitur nga instituti Riinvest për Forumin 2015 në bazë të anketave në staf mitingje (mbledhje të personelit) dhe anketave nëpër kafehane për të cilat studimi thotë se janë realizuar në Kosovë, Gjermani, Zvicër, Belgjikë, Mbretëri të Bashkuar, Suedi, Austri, dhe SHBA, diaspora e Kosovës vlerësohet 415.000, ku 315.000 janë shqiptarë dhe 100,000 serbë dhe kombësi të tjera. Nëse kësaj i shtohet i censusi i Kosovës për vitin 2011 me vlerësimet edhe për katër komunat në pjesën veriore, numri i përgjithshëm i kosovarëve kudo që janë, del 2.230.000 ose dukshëm më i vogël se 2,5 milionë. Ku mbeti diferenca? Këtë janë të interesuar ta dinë shumica.

Në intervistën dhënë “Epoka e Re”, Rifat Blakut kur thotë se kaq jemi brenda Kosovës, ai merr shembullin e diasporës në Zvicrës se atje i kemi 200.000 banorë. Pra, diku ekzistojnë të tjerët. Pse i referohet së pari diasporës në Zvicër, përgjigja duhet të kërkohet në raportin e Riinvestit ku Rifat Blaku ishte këshilltar. Pikërisht për Zvicrën, numri i diasporës në atë raport del afër 75.000, prej tyre 72.450 shqiptarë, ose për afër 2/3 më pak se numri i regjistrimit zyrtar të Zvicrës për emigrantët kosovarë atje. Për këtë kam shkruar diku një analizë para afër një viti, dhe më duket se e kam përdorur shprehjen “Rifat Blakut duhet me ia shky gojën” (në bazë të shprehjes që e përdorte shpesh në ligjërata kur ishim studentë). Me gjasë, për rastin e Zvicrës, Rifati e ka pasur mizën mas veshi.

Ky është një lloj gjenocidi me statistika kundër popullsisë. Sipas përkufizimit, gjenocidi është shfarosje sistematike ose pjesshme e një grupi etnik, kombëtar, racor ose religjioz. Raportet e tilla sikur këtë për diasporën, i financon Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile, Friedrich Ebert Stiftung, dhe Balkan Trust for Democracy (Besimi për Demokraci i Ballkanit). Mediet në Kosovë, thuajse në përgjithësi, pa fije turpi dhe përgjegjësie ia veshin këtyre organizatave dhe atyre që shkruajnë raporte tendencioze me financimin e tyre, epitetin e organizatave dhe përfaqësuesve ekskluziv të shoqërisë civile. Ky kualifikim i pa bazë i medieve kosovare duhet të gjykohet.

Ligji mbi Ruajtjen e Energjisë nganjëherë gjen zbatim analog praktik edhe te njohuria dhe mos njohuria nëse kjo nuk humbet e as nuk shtohet por kalon prej në forme në tjetrën! Ndonëse njohuria shtohet, pakësohet, dhe humbet, ka raste përjashtuese kur kjo i përshtatet parimeve të ngjashme me Ligjin për Energjinë. Kur Rifat Blaku këshillon për shoqërinë e shpifur civile që paguhet nga organizatat e huaja, pajtohet me zhdukjen sistematike të afër 2/3 të diasporës kosovare në Zvicër. Tash kur paguhet nga politika, pajtohet me zvogëlimin e numrit të popullsisë në Kosovë, dhe thotë se kaq jemi, sikur për rastin e Zvicrës që ka mundur të thotë më 2007 se kaq janë. Po ta hiqni nga politika, dikur do të thotë se nuk ishim kaq sa jemi sot. Kështu njohuria as nuk humbet e as nuk shtohet por kalon nga një formë në tjetrën!

Edhe njohuria ka një lloj ligji të vet. Kur jemi fjetur, ajo nuk është aktive dhe nuk vlen gjë për secilin, sepse njeriu është i “vdekur” dhe truri i tij nuk ka kontroll ndaj asnjë pjese të trupit, e as që mund t’i jep ose merr dikujt njohuri në atë gjendje. Pas gjumit vjen “ringjallja” në mëngjes (ose varësisht kur zgjoheni) dhe aktivizimi i njohurisë bëhet i dobishëm (në Kosovë më së shumti i dëmshëm!) për publikun. Në të dy rastet, ajo nuk humbet por vetëm kalon prej një forme në formën tjetër.

Edhe kur vdesim fizikisht përgjithmonë, trupi kalon në formë tjetër dhe nuk humbet, e njohuria po ashtu nuk humbet. Pjesa më e madhe e njohurisë shfrytëzohet nga të tjerët e kombit dhe njerëzimit, për të mirë apo për të keq, ndërkaq atë që e mbani në vete dhe nuk ia keni treguar kujt në këtë botë, po ashtu nuk humbet edhe kur bini në gjumë të përjetshëm (vdisni) por ruhet diku, aktivizohet dikur pas zgjimit shumë të vonë në formë tjetër, kush e di se kur, dhe nëse kjo është e mundur sikur me rastin e “vdekjes” afat-shkurt për çdo ditë dhe ringjalljes ditën tjetër. Ndryshon vetëm periudha kohore kur njohuria jonë nuk vlen gjë ose është e vdekur.   

A është e mundur përsëritja e regjistrimit?

Grupi i parë i kësaj kërkese janë ata që kritikojnë rezultatin e regjistrimit të sapo realizuar, e shohin atë si tendencioz dhe të manipuluar për shkaqe të ndryshme, disa prej të cilave ende nuk janë të njohura publikisht. Këta mendojnë se përsëritja e regjistrimit është domosdoshmëri kritike, jo aq për t’u pajisur me treguesit e nevojshëm shoqëror, por më tepër e shohin si mundësi për eliminimin e dyshimeve që i krijoj ky regjistrim dhe pasojave që mund t’i sjellë.

Grupi i dytë ose këta që ishin përgjegjës dhe e realizuan regjistrimin, për momentin janë kundër përsëritjes dhe ofrojnë argumentet e tyre për ta mbrojtur këtë që u realizua. Me një presion më të madh dhe zbulimin e defekteve tjera, këta do të pajtoheshin me përsëritjen e regjistrimit. Por me çfarë kushtesh? Këta do t’u thonë, dhe ashtu është, se regjistrimi kushton. “Vetëm na i jepni paret se u bëjmë regjistrime çfare të doni. Bëjmë dhe marrëzira çfare të doni, veç pare me na dhanë; s’na han palla për asgjë tjetër”. Sigurisht se do të pajtoheshin edhe më këtë: “Mund të bëni edhe me neve çudira e marrëzira – vetëm pare na jepni”. Këtë edhe e kanë vërtetuar kjo shoqëria e shpifur civile dhe përgjegjësit e tanishëm për regjistrimin e popullsisë. Atëherë, për çka shërben ky regjistrim?

Për shoqërinë civile dhe bartësit e regjistrimit, shërben me ba pare, ndërsa shumicës së popullsisë i bënë përshtypje të madhe qëndrimi i tyre nëpër debatet e përditshme private “ka ba pare njeri”, pavarësisht metodave kriminale. Megjithatë, këta qytetarë dhe gati e tërë inteligjenca e Kosovës nuk janë në dijeni për raportet që po arkivohen në Perëndim rreth këtij populli sui generis, dy prej të cilave m’i ka kontrabanduar dikush për kuriozitet. Arkivat mund të hapen pas 100 viteve siç po ndodhë tani për 100 vite më herët, ku tregohet për mbi 200.000 shqiptarë të vrarë e masakruar. Tash kemi kaluar në shfarosjet nëpërmjet lapsit, që janë më të rrezikshme se ato me armë, sepse tek këto të fundit, Ligji mbi Ruajtjen e Energjisë vlen për ata që e kuptojnë në praktikë dhe nuk u është shfarosur truri. “Shfarosja e trurit të një populli” është titulli i një dokumenti “strictly confidential” që më ka rënë në dorë. Kur i analizon një nga një pjesët e këtij dokumenti “konspirativ”, dhe kur i sheh institucionet, shkencëtarët, atdhetarët, dukuritë, dhe grupet e qytetarëve deri tek ata më të zakonshmit në Kosovë, vjen në përfundim te realiteti.

Përsëritja e regjistrimit nga grupi i dytë me “kushtet e tyre” dhe bindja e shumë qytetarëve “ka ba pare njeri”, ishte si një far baze e asaj teorie “konspirative”. Nëse u duket “konspirative”, fillo bashkëbisedimin me disa njerëz për ndonjë mafioz në Kosovë, dhe konstato nëse nga të gjitha ato bashkëbisedime do të mungoj shprehja “ka ba pare njeri”. Këta shfarosin njerëz edhe përnjëmend por jo me mençurinë dhe kapacitetet e tyre, e lërë më vetëm me statistika. A nuk po besoni, apo e mbani në vete dhe nuk doni ta pranoni duke menduar se humb diku kjo njohuri që e keni? Ligji mbi ruajtjen e (mos)njohurisë në rrethana të caktuara vlen dhe është ligj i natyrës sikur ai për ruajtjen e energjisë! 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)