19 Shtator 2020

Kosova të ndjekë shembullin e Shqipërisë për investimet e huaja

Shkruar nga Arbër Berisha


Shqipëria dhe disa vende të rajonit do të duhej të ishin shembull i mirë xhelozie për Kosovën për tërheqjen e investitorëve të huaj, ndërkohë që klasa udhëheqëse e Kosovës do të duhej t’i përvilet punës pa vonesë për një pako gjithëpërfshirëse për stimulimin e prodhuesit vendor, tërheqjen e atyre të huaj e deri tek zgjerimi i sektorëve ku mund të investohet për prodhim e jo të përqendrohet vetëm në privatizimin e ndërmarrjeve publike/shtetërore madhore e në masa administrative dhe fiskale përbrenda Kosovës për mbyllje vrimash buxhetore.
 
Megjithëse ka patur në mënyrë të vazhdueshme investime të huaja në Kosovë që nga përfundimi i luftës,  ato mbetën në nivel shumë të ultë dhe janë në rënie e sipër, përkundër parashikimeve dhe premtimeve të autoriteteve qendrore për të kundërtën.

Rënia konstante e të hyrave në EURO e kapitalit të huaj në Kosovë është dominuar/shkaktuar nga faktorë të ndryshëm, prej klimës jo të mirë për të bërë biznes e deri tek ndodhitë politike të ndërlidhura me pavarësinë ende të kushtëzuar dhe të mbikëqyrur të vendit.

Niveli i ulët i investimeve në Kosovë mbi të gjitha është edhe rezultat/pasojë e një trashëgimie negative të dëmtimit të rënde të klimës se biznesit, për shkak të pengesave të konsiderueshme burokratike, korrupsionit tejet të përhapur nëpër institucione, mungesës së infrastrukturës energjetike e rrugore si dhe rreziqeve ekonomike e telasheve politike të vendit.  

Nuk bënë pa u përmendur edhe qasja e gabuar për tërheqjen e investimeve të huaja apo promovimi aspak i mjaftueshëm dhe mungesa e një strategjie afatgjate si dhe mungesa e koordinimit të mirëfilltë midis përgjegjësve institucional të sektorëve të ndryshëm ekonomik vendor.

E tërë kjo situatë  (niveli tejet i ulët i investimeve të huaja në Kosovë) mund të shihet së fundi edhe në raportin nga Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Tregtinë dhe Zhvillimin (UNCTAD) mbi  Raportin e Investimeve Botërore 2011 (përkatësisht investimet në vitin 2010).

Kosova, megjithëse nuk figuron në këtë raport, ajo gjendet në pozitë më të mirë vetëm në krahasim me Bosnjë e Hercegovinën e pak më keq se Maqedonia ( për 28 milion USD), por ndodhet larg vendeve të tjera të rajonit (Serbisë, Shqipërisë, Kroacisë e Malit të Zi) për nga niveli i investimeve të huaja.

Investimet e huaja direkte (ang. Foreign Direct Investments, FDI) në Shqipëri për herë të parë kaluan përtej 1 miliardë USD në vitin 2010,  duke u bërë kështu vendi i dyte në Evropën Jug-Lindore (pas Serbisë) për nga shuma e investimeve të huaja.

Bazuar nga trendi global negativ – kriza globale financiare dhe ekonomike e viteve të fundit - investimet e huaja direkte kanë pësuar rënie në të gjitha vendet me përjashtim në Shqipëri, e cila sikur në vitet 2008 dhe 2009 shënoi përsëri rritje ne vitin 2010, e gjitha kjo falë një politike tërheqëse ekonomike dhe investuese.

Deri në vitet e ’90-ta në Shqipëri ndaloheshin me kushtetutë investimet e huaja. Pas shembjes së periudhës së diktaturës komuniste dhe trazirave të vitit 1997 e deri tek viti që lamë pas, sidomos përgjatë pesë viteve të fundit, shihet që Shqipëria ka arritur të tërheqë shuma të konsideruara të kapitalit të huaj. Me fjalë të tjera ajo në vitin 2010 ka fluturuar apo sipas fjalorit sportiv ka thyer rekord personal.  Në vitin 2010 Shqipëria pati 1.097 miliardë USD përderisa  në 2009 pati 979 milion USD investime të huaja.

Për vitin e kaluar, Shqipëria ishte shembull jo vetëm për Kosovën, por edhe për të tjerat vende të rajonit se si duhet të punohet në rritje të investimeve të huaja.  

Çelësi i këtij rezultati ishte ndërtimi i një modeli tërheqës ekonomik, i bazuar mbi ngarkesën tatimore më të ulët në Evropë, me ngarkesën publike mbi sektorin privat më të ulët në Evropë, që bazohet mbi investime të mëdha dhe në eliminimin e burokracive të tepruara.
 
Si duhet të veproj Kosova?
 
Ndër shkaqet kryesore që kanë ndikuar në mos ardhjen e investitorëve të huaj në Kosovë por edhe ikjen e disave prej tyre nga Kosova, janë klima e papërshtatshme për investime; moszbatimi i ligjeve në fuqi; niveli i lartë i korrupsionit; ekonomia joformale... Po ashtu,  rënia e vazhdueshme e investimeve të huaja në Kosovë është edhe pasojë e mungesës së politikave investuese, tregtare dhe fiskale.

Investimet e pakta të huaja që kanë ndodhur në Kosovë kryesisht  janë përshkuar me një proces të gabueshëm të privatizimit të përcjellë me politikë të dëmshme në sektorin bankar  dhe ato si të tilla natyrisht se nuk sollën ndonjë rezultat të kënaqshëm.

Mirëpo rezultate të mira nuk ka patur as në investimet nga biznesi (ndërmarrjet) kosovare. Sektori bankar (bartës i të cilit kryesisht janë bankat e huaja) në vend se ta ndihmojë ekonominë vendore, përkundrazi e ka bllokuar biznesin vendor dhe potencialin investues të tij duke e vënë atë në një situatë shumë të vështirë përmes zbatimit të normave të larta të kamatave si dhe kushtëzimeve shumë të rënda kreditore në treg.

Në katër vitet e fundit, investimet e huaja kanë pësuar rënie të vazhdueshme, në Kosovë në vitin 2007, investimet e huaja direkte kanë qenë 421 milionë euro. Në vitin 2008, këto investime kanë qenë 355 milionë, në vitin 2009 vetëm 310 milionë euro, kurse në vitin 2010 investime kanë qenë afërsisht 270 milionë euro. Nga këto shifra shihet se në Kosovë ka ndodhur e kundërta me atë që ndodhi në Shqipëri. Në Kosovë investimet e huaja shënuan rënie të vazhdueshme, ndërsa në Shqipëri rritje.

Banka Botërore raporton se Kosova renditet në vendin 172 për nga mbrojtja e investimeve. Në të njëjtën kohë raporti i Bankës Botërore “Të bësh biznes në Evropën Juglindore 2011” (Doing Business in Southeast Europe 2011) dërgon sinjale negative tek investitorët që dëshirojnë të investojnë kapitalin e tyre në Kosovë. Në këtë raport, janë përfshirë dy qytetet më të mëdha të Kosovës, përkatësisht Prishtina e Prizreni, në të cilat janë vlerësuar katër fusha rregulluese si: hapja e biznesit, marrja e lejeve të ndërtimit, regjistrimi i pronës dhe zbatimi i kontratave.

Gjendje e njëjtë jo e mirë është edhe në qytetet tjera të Kosovës si në Mitrovicë, Pejë, Gjilan, Ferizaj.  Karakteristikë e përbashkët negative nga ky kënd është se për ta bërë një biznes funksional me dokumentacionin e nevojshëm duhet se paku një muaj kohë. Sipas po këtij raporti të Bankës Botërore  janë 20 qytetet nga shtetet e rajonit, të cilat qëndrojnë më mirë në shumë fusha e të bërit biznes krahasuar me qytetet e Kosovës.  

Kosova dhe politikë-bërësit që merren me hartimin e politikave afatgjate investuese, do të duhej ndjekur shembullin e Shqipërisë dhe të ndërmarrin një sërë veprimesh duke filluar me: krijimin e një ambienti tërheqës dhe miqësor; përmirësim të stabilitetit politik dhe ekonomik; vetëdijesimit të komunitetit të biznesit dhe opinionit publik për rëndësinë e sektorit privat në ekonominë e tregut; mbrojtjen prej konkurrencës jo-lojale; reduktimin e kontrabandës dhe evazionit fiskal; kompletimin e kornizës ligjore; krijimin e një sistemi bankar efikas duke ofruar norma atraktive të kamatave sidomos për kreditë në investime afatgjata.  

Këto masa patjetër se duhet që të shoqërohen edhe me hartimin e një strategjie dhe plani të punësimit dhe aftësimin e mëtejmë të kuadrit/potencialit njerëzor për përshtatje të nevojave të biznesit vendor e institucioneve dhe ekonomisë së tregut.

Punësimi dhe zhvillimi  ekonomik i vendit duhet të jetë pikënisja e çdo ideje.  Zhvillimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme; thithja e investimeve të huaja direkte; luftimi i burokracive; lufta ndaj krimit te organizuar dhe korrupsionit duhet të jetë në nivelet më të larta si instrumente shoqëruese të një politike për tërheqjen e kapitalit të huaj në vend.  

Në kuadër të kësaj, dialogu me komunitetin e biznesit vendor konsiderohet gjithashtu i domosdoshëm për zhvillimin e reformave në favor të një klime miqësore për investimet.

Investitorët vendas dhe të huaj duhet  trajtuar me të njëjtat parime në Kosovë si në çdo vend tjetër të rajonit.  

Të gjitha këto masa si dhe infrastruktura biznesore dhe garantimi i saj duhet të jenë prioritet në aksionin madhor që duhet ndërmarrë për politikën investuese për një ekonomi të suksesshme në Kosovë.

Reformat e deritashme

Në Janar të vitit 2009 në Kosovë janë bërë disa  ndryshime sa i përket politikave të favorshme për bizneset. Është bërë ulja e normës tatimore tek Tatimi në të Ardhura të Korporatave  (TAK) nga 20% në 10% dhe ngritja e normës (përqindjes) së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSh) nga 15% në 16%.

Synimi i këtyre ndryshimeve të normave tatimore (asaj kohe) ka qenë që t’iu lehtësohet puna investitorëve të huaj (të mundshëm) në mënyrë që ata të vijnë dhe të investojnë kapitalin e tyre në vendin tonë.  

Përkundër këtyre masave (uljes së TAK në 10%) deri më sot nuk kemi pasur ndonjë ndryshim pozitiv. Investitorët e huaj nuk erdhën përkundër prognozave dhe pritjeve.  

Shkaktar kryesor i kësaj ka qenë dhe mbetet burokracia e shumtë e cila hetohet lehtë tek ligjet tona aktuale për investime nga jashtë si dhe korrupsioni i nivelit tejet të lartë.

Imazhi korruptiv i Kosovës në botën perëndimore është tej mase negativ dhe ardhja e investitorëve të huaj edhe për shumë kohë do të varet sidomos edhe nga përmirësimet që autoritetet tona duhet bërë urgjentisht në këtë fushë.  

Masat e lehtësimeve tatimore për ndërmarrjet përkundër faktit se ato vlerësohen si pozitive, ato të vetme nuk sollën e as që pritet që në një të ardhme të afërt të sjellin valë të vërtetë investitorësh nga jashtë. Kosova vazhdon që të jetë vendi me shumat më të vogla për vit por edhe për kokë banori të investimeve direkte nga jashtë në rajon.

Mirëpo lehtësimet tatimore nuk janë aktor i vetëm në tërheqjen e investitorëve të vërtetë të jashtëm. Beteja duhet të nis kundër imazhit për korrupsion.  

Infrastruktura ligjore, energjetike e ajo rrugore janë faktorë të tjerë në të cilët vendi i ynë duhet që ende të bëjë dukshëm më shumë për të garantuar një ambient të mirë dhe të qëndrueshëm tërheqës biznesi për investitorët e jashtëm.

Sygjerimet e FMN-së për shtrëngim “rripi” dhe planet e qeverisë për 2012

Për shkak të telasheve financiare/ buxhetore kryesisht si pasojë e mungesë së prodhimit vendor dhe mos-hyrjes së parasë shtesë nga jashtë (mungesa e eksporteve, kredive për investime dhe donacioneve jo të mjaftueshme) Kosova muajve dhe viteve të ardhshme do të përballet me masa për një disiplinë shpenzuese.

Autoritetet qendrore të Kosovës do të përballen me një seri kombinimesh të sugjerimeve/rekomandimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për ulje inflacioni  në krahasim me vitin 2010; përparim në reformat në administratë tatimore dhe doganore; masa shtesë për rritjen e taksës në lojërat e fatit dhe rritjen e akcizës në automjete e përdorura; zvogëlimin e shpenzimeve nga institucionet publike dhe zvogëlimin e punësimit dhe kontrollin mbi Ministrinë e Financave mbi zbatimin e pagave duke përfshi këtu kursimin e madh që rekomandohet të bëhet nga institucionet publike në raport me shpenzimet publike. Rekomanduesi i këtyre masave llogaritë së ato do të ndikojnë në një stabilitet buxhetor dhe ekonomik.

Ndërkohë, qeveria aktuale-ministria e financave ka paralajmëruar një pako të re lehtësuese fiskale për një pjesë të sektorëve biznesor e paralel me këtë edhe masa shtesë në taksimin e qytetarëve/konsumatorëve.

Pakoja e  paralajmëruar (ajo lehtësuese për bizneset) përbëhet nga lirimi nga taksa doganore për lëndët e para që kanë të bëjnë direkt me prodhimin; lirimin nga taksa doganore të ambalazheve; lirimin e mjeteve kapitale nga TVSh-ja; tatimin në fitim të korporatave; zvogëlimin e kamatave bankare; lirimin e pagesave për studentë nga TVSh-ja; lirim doganor për teknologjinë informative;  përshkallëzim të TVSh-së sipas veprimtarisë.  

Këto masa të cilat priten që të zbatohen nga viti 2012 janë të mirëseardhura për biznesin vendor edhe pse sipas mendimit tim ato po bëhen së paku me dy vite vonesë. Me vonesë për shumë arsye, por së fundi- me kundërgoditjen tregtare që vendi i ynë ndërmori ndaj masave bllokuese Serbe- vërehet se sa të nevojshme/frytshme do të ishin këto masa lehtësuese për prodhuesin vendor sikur të ishin propozuar dhe zbatuar më herët. Sido që të jetë më mirë vonë se kurrë.

Sikur të kishin qenë në fuqi këto lehtësime që nga viti 2009 tani në situatën e krijuar pas reciprocitetit me Serbinë një pjesë e prodhuesve Kosovar do të mund të kishin qenë më konkurrentë me produktet e tyre të plasuara në treg dhe do të luanin një rol më të rëndësishëm si nga aspekti ekonomik ashtu dhe politik në tregun e Kosovës.

Pakoja e dytë, rreptësimi i masave të taksimit ndaj qytetarit, ka të bëjë me paralajmërimet e qeverisë aktuale për rritjen e taksës në pronë; faturimin e transportit të energjisë së importuar; rritjen e taksës (komunale) ndaj veturave e taksa të tjera fikse, po ashtu që nga viti i ardhshëm.

Të gjitha këto masa (të pëlqyera nga biznesi apo të papëlqyera nga qytetari/konsumatori) kanë për synim gjetjen e parasë (kryesisht) brenda Kosovës për një stabilitet buxhetor, mirëpo në horizont ende nuk kemi një qasje madhore nga klasa politike e tashme për investime serioze nga biznesi vendor e as nga ai i huaj.  

Nëse ky trend negativ do të vazhdojë edhe më tutje, Kosova do të vazhdojë të humbas një rast të madh ashtu siç e humbi edhe gjatë këtyre 12 viteve të pasluftës (apo sidomos gjatë 3 vjetëve nga shpallja e pavarësisë) për të tërhequr investitorët e huaj  (sidomos ata në sektorët prodhuese) të mos shfrytëzimit të faktit tejet të favorshëm të fuqisë së lirë punëtore e paralel me të edhe energjinë  e lartë për ndërmarrësi (ang. Entrepreneurship) të qytetarit të saj, ende më të varfrit në kontinent.

Një pjesë të përvojës për të mirë - për të tërhequr investitorët e huaj - Kosova, përkatësisht klasa udhëheqëse e saj, mund ta marrë tek Shqipëria e pse jo edhe nga vendet e tjera në rajon.
 
(Autori është master i Shkencave Juridiko-Financiare)

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 19 Shtator 2020

- Për nder të 100 vjetorit të shpalljes së Tiranës Kryeqytet, “Muzeu Lëvizës”, Komuna e Prishtines bashkë me Muzeun e mirëpresim edhe nënkryetaren e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani dhe drejtoreshën ekzekutive të Unioni i Bashkive Shqiptare të Rajonit, Andriola Kambo hapin 'Muzeu Lëvizës'. (Sheshi 'Ibrahim Rugova', ora 10:00)

- Let’s Do It Kosova në kuadër të Lëvizjes Globale “Let’s Do It World” sjell përsëri në Kosovë “Ditën e Pastrimit të Botës 2020” ku do të fillojë me aktiviteti te pastrimin e qytetit nga mbeturinat. (Në afërsi të stadiumit “Fadil Vokrri”, lokacioni te parkingu i autobusëve, ora 11:00)

- Udhëhqës të Komunës së Prishtinës bashkë me Unionin e Bashkive Shqiptare të Rajonit, Andriola Kambo zhvillojnë një vizitë në Muzeun e Kosovës. (Muzeu i Kosovës, ora 11:30)

- Let’s Do It Kosova vazhdon me aktivitetin e dytë qëndror për shënimin e “Ditës së Pastrimit të Botës 2020”. (Parku i Qytetit të Prishtinë, ora 13:00)

- Lëvizja Vetëvendosje mban konferencë për media në të cilën flasin Kryetari i LV-së, Albin Kurti dhe Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë, Kreshnik Ahmeti. (Zyret e LV-së në Arbëri, ora 14:00)

- Udhëhqës të Komunës së Prishtinës bashkë me Unionin e Bashkive Shqiptare të Rajonit, Andriola Kambo zhvillojnë një vizitë në Kopshtin me Bazë në Komunitet “Cicërimat”. (Kopshtin “Cicërimat”, ora 14:00)

- Udhëhqës të Komunës së Prishtinës bashkë me Unionin e Bashkive Shqiptare të Rajonit, Andriola Kambo zhvillojnë një vizitë në Parku Germia. (Parku Germia, ora 15:00)