03 Qershor 2020

Koha e bashkëpunimit ekonomik Kosova-Shqipëri

Shkruar nga Safet Gërxhaliu

Ka ardhur koha që bashkëpunimi ekonomik në mes të Kosovës dhe Shqipërisë të dal nga hija e marrëdhënieve politike dhe të bëhet në të ardhmen një nga shtyllat kryesore e marrëdhënieve të përgjithshme në mes të dy shteteve vëllazërore.

Më të drejtë të plotë politika ka dominuar në marrëdhëniet pas rënies së mini -Murit të Berlinit në mes Kosovës dhe Shqipërisë sepse ekzistonte nevoja që të  kompensohet në një farë mënyre mungesa gati gjysmëshekullore e komunikimit të mirëfilltë politik në mes të dy krahëve të një korpusi të njëjtë kombëtar.

Politika e ka përcaktuar në mënyrë vendimtare marrëdhëniet tona në 11 vjetët e fundit edhe për shkak të betejës së Kosovës për zgjidhjen përfundimtare të statusit të saj politik, ku Shqipëria ka dhënë kontribut të çmuar.

Por, pa i dëmtuar marrëdhëniet e shkëlqyera politike, ka ardhur koha që dy vende tash të shfrytëzojnë afërsinë e tyre që është unike për Evropën dhe të fillojnë të krijojnë modelin e bashkëpunimit ekonomik, ku këmbimi i thjesht tregtar që për një vit kap shumën modeste prej 65 milion eurosh në të dy drejtime të  zëvendësohet me një bashkëpunim të strukturuar dhe komplementar, dobiprurës për të dyja palët.

Kjo do të thotë se bashkëpunimi i ardhshëm ekonomik në mes të Kosovës dhe Shqipërisë nuk mund të ndërtohet sikur deri më tani mbi bazat e folklorizmit apo romantizmit që shpeshherë i karakterizojnë marrëdhëniet tona politike.

Nuk do të jemi as serioz para Evropës dhe nuk do të jemi as të përgjegjshëm para qytetarëve tanë nëse mendojmë se harmonia gati idilike politike në mes të Prishtinës dhe Tiranës vetvetiu mjafton për adresimin e sfidave në bashkëpunimin ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë apo vetvetiu mjafton në përcaktimin e modelit bashkëkohor për bashkëpunimin ekonomik në mes të dy vendeve në të ardhmën.

Ka ardhur koha që pragmatizmi ekonomik duhet të zë ulësen në rendin e parë pranë politikës, kulturës, edukimit e fushave tjera ku kemi shënuar progres marramendës në marrëdhënie tona bilaterale.

Ka ardhur koha që ekonomia tani t’i jap ritëm e të përcaktoj kualitet, të ndikoj në mënyrë të rëndësishme në imazhin e veçantë të marrëdhënieve tona të përgjithshme.

 Kjo është arsyeja përse Oda Ekonomike e Kosovës i propozon Odës simotër në Tiranë si dhe institucioneve tjera relevante krijimin e elaboratit, strategjisë apo platformës për ngritjen dhe avancimin e bashkëpunimit ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë për një afat të mesëm dhe të gjatë, me të cilin do të paraqitemi pranë qeverive dhe parlamenteve tona respektive.

Kosova ka interes që një strategji e tillë të bëhet sa më shpejtë e mundur.

Kosova ka interes që në një strategji të tillë të inkuadrojë së pari vendosjen e parimit të barazisë mes bizneseve, pra qasjen e papenguar e tyre nga një në vendin tjetër që do të thotë heqjen e pengesave administrative që favorizojnë njërin dhe e dekurajojnë biznesin tjetër.

Eliminimi i barrierave të tilla do të krijonte hapësirë për gërshetimin e ekonomive tona. Do të inkurajonte këmbimin e eksperiencave.

Do të krijonte kushte për bashkërenditjen e dy ekonomive komplementare duke u mundësuar plane të përbashkëta biznesi dhe prodhimi për paraqitje të përbashkët në tregun rajonal.

Do të mundësonte që Kosova dhe Shqipëria paraqiten jo veç e veç por me ofertat e përbashkëta për të ashtuquajturat punë “loon” që përbëjnë një nga mënyrat më të mira për tejkalimin e problemit të papunësisë në të dyja anët e kufirit.

Dhe në fund, një zhvillim më i hovshëm i bashkëpunimit tonë ekonomik do të hapte mundësinë që Kosova përmes Shqipërisë të krijoj qasje edhe në fonde të BE-së që u ofrohen secilit vend që e aspiron anëtarësimin në familjen evropiane.

Arritjen e një shkalle të tillë të lartë të bashkëpunimit ekonomik e mundëson tani edhe ndërtimi grandioz i autostradës Durrës – Morinë dhe fillimi i ndërtimit të autostradës Morinë – Prishtinë.

Nuk guxojmë të lejojmë që kjo derë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë -- gjerësisht e hapur për të parën herë në historinë e tyre -- të shfrytëzohet maksimalisht vetëm për tre muaj, gjatë sezonit turistik.

Ka ardhur koha tani që ekonomitë komplementare të të dy vendeve tona të njihen dhe përputhen mes vete, që secila prej tyre të gjejë interesin e mirëfilltë në anën tjetër të kufirit, që të dyja të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe të ndihmojnë njëra tjetrën në depërtimin në tregun e jashtëm dhe pozicionimin e ri strategjik në rajon. 

Autori është kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK)

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 3 Qershor 2020

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë ku raporton Drejtorit te AKI-së Kreshnik Gashi lidhur me gjendjen e sigurisë gjate periudhës se pandemisë dhe situatën aktuale. (Kuvendi i Kosovës, salla N10, ora 10:00) 

- Mbahet mbledhja e Qeverisë së Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e qeverisë, ora 10:00)

- Kuvendi i Kosovës mban seancë për votimin  për votimin e Qeverisë. (Kuvendi i Kosovës, ora 11:00)

- Në kuadër të Javës së Gjelbër, Komuna e Prishtinës do të vendos vazo dekorative gjelberuese në sheshin Bill Klinton. (Shshi Bill Klinton, ora 11:00)
  
- Komiteti Olimpik i Kosovës nënshkruan kontratën për Bursën Olimpike Tokyo 2020 me mundësin, Egzon Shala. (Zyret e KOK-ut në Shtëpinë e Sportit, 13:00)

- Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi mban konferencë për media. (Hapësira në hyrje të Presidencës, ora 16:00 )