17 Qershor 2019

Jo heqje të taksës

Shkruar nga Faik Krasniqi

Është e pabesueshme se si një kontinent i tërë është shndërruar në avokate dhe zëdhënëse të një shteti agresor si Serbia, duke i bërë presion Kosovës për heqjen e taksës së vendosur ndaj këtij shteti që me të gjitha mjetet dhe në mënyrë perverse po e lufton shtetin e Kosovës.

 Të një shteti që vrau dhe masakroi mbi 350 mijë njerëz në disa luftëra. Të një shteti që ushtroi gjenocid mbi shqiptarët, boshnjakët dhe kroatët.

Në vend se të bëjnë presion ndaj Serbisë që ta ndal ajo luftën e egër ndaj Kosovës, ata bëjnë presion ndaj nesh.

Sikur të bënin presion ndaj Serbisë për zbatimin e marrëveshjeve që janë nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, me ndërmjetësimin dhe si garantuese e këtyre marrëveshjeve Bashkimi Evropian, gjërat nuk do të shkonin deri aty që Kosova të aplikonte këtë taksë ndaj Serbisë dhe Bosnjës që Kosovën lëre që nuk e njohin si shtet, por e luftojnë dhe mohojnë çdo gjë nga shteti ynë.

Por, siç duket Kosova nuk është interesant për BE-në dhe as që ka qenë ndonjëherë. Nëse Kosova do të kishte qenë interesant për BE-në dhe në agjendën e tyre, zëdhënësi dhe avokati i Serbisë, Johannes Hahn, nuk do të vinte për të bërë presion për heqjen e taksës 100% ndaj Serbisë.

Pavarësisht presionit ndërkombëtar rreth taksës së vendosur Kosova nuk guxon të lëshojë pe, sepse kjo është karta jonë e vetme që të mbrohemi nga ky agresion i Serbisë.

Kjo është karta jonë që të jemi të barabartë edhe në bisedime me Serbinë, gjë që nuk ishim deri më tani.

Kosova për ta hequr taksën ndaj Serbisë dhe Bosnjës duhet t'i vë këto kushte ndaj BE-së dhe Serbisë.

1) Serbia t'i zbatojë në praktikë të gjitha marrëveshjet e nënshkruara me Kosovën.
2) Kosovën mos ta pengojë në anëtarësimet në organizatat ndërkombëtare.
3) Të zhbllokohet hapësira ajrore me Serbinë.
4) BE-ja menjëherë t'i heq vizat për qytetarët e Kosovës.
5) Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës.

Nëse pranohen këto kushte nga Serbia dhe BE-ja, atëherë ja vlen që të hiqet taksa, sepse Kosova përndryshe do të dilte fitimtare.

Përndryshe, me heqjen e taksës pa asnjë kusht siç jemi mësuar ne, edhe atëherë kur filluam dialogun me Serbinë pa asnjë kusht të vetëm, do të dalim humbës dhe na rrezikohet çdo gjë, madje edhe copëtimi i Kosovës.

Duhet të mësohemi një herë e mirë që për interesat shtetërore të vendosim kushte edhe ne, ashtu siç vendosin kushte çdo shtet për interesat e tyre.

Serbia me kushte gjithmonë ka fituar gjithçka. Kështu do ta vlerësojnë dhe respektojnë të gjithë, e jo si deri më tash duke na përbuzur dhe shkelur mbi dinjitetin tonë.

Të përbuzur se të përbuzur, të shkelur se të shkelur, të izoluar se të izoluar, të paktën të tregojmë respekt për veten tonë!
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 18 qershor 2019

- Mbahet mbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit të Komunës së Prizrenit me pikën e vetme të rendit të ditës në lidhje me kërkesën për pezullim të financimit të klubit të futbollit "KF Liria" dhe formimin e një komisioni prej 5-7 anëtarëve nga ana e Kuvendit. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit në Shtëpinë e Bardhë, ora 10:00)

- Drejtorja e USAID-it në Kosovë Lisa Magno viziton Ministrin e Shëndetësis dhe takohet me Ministrin Uran Ismailin. (Ndërtesa e Ministrisë së shëndetësisë, ora 10:00)

- Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, së bashku me Kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Skënder Çoçaj vizitojnë Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme. (Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme, ora 10:30)

- Kryeministri Ramush Haradinaj bën homazhe dhe merr pjesë në tubimin përkujtimor te lapidari i dëshmorit Basri Canolli - Shpendi në fshatin Marec të Komunës së Prishtinës. (Fshati Marec, ora 11:00)

- Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike mban dëgjim publik për Projektligjin për Diasporën. (Ndërtesa e Kuvendit,C-405, ora 11:00)

- Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës mban konferencën për media. (Ndërtesa e Kuvendit te Kosovës, kati III, para sallës C301, ora 12:30)

- Mbahet ushtrimi gjithëpërfshires, ku do të simulohet një aksident ajror dhe do të reagohet në perputhje me standardet e Agjencionit Evropian per Siguri ne Aviacion. (Terminali i Aeroportit  "Adem Jashari", ora 14:30)

- Mbahet mbledhja e rregullt e Qeverisë së Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 15:00)

- Ambassadori Kosnett do të flasë me rastin e përmbylljes së programit Lidershipi Transformues - Bursat dhe Partneritetet. (Hoteli Emerald, ora 17:30)