18 Prill 2024

Jeta në margjina: përvoja e personave LGBTI në Evropën Juglindore

Shkruar nga Linda Van Gelder

Në Bankën Botërore, e dimë se përfshirja sociale nuk është vetëm gjëja e duhur, por edhe ekonomikisht gjëja më e mençur për ta bërë.

Shoqëritë më përfshirëse kanë më shumë gjasa që ta shfrytëzojnë më së miri kapitalin njerëzor.

Qytetet më të hapura dhe më përfshirëse kanë më shumë gjasa për ta tërhequr kapitalin dhe talentin ndërkombëtar. Shtetet më të hapura dhe më përfshirëse janë destinacione më tërheqëse për turistët ndërkombëtarë.

“Nuk mund të dal vetë, sepse në shtetin tonë njerëzit si unë përballen me ofendime, tallje e madje edhe dhunë nëse nuk janë ‘normal’.”

Kjo histori pikëlluese e një gruaje të re biseksuale nga Ish Republika Jugosllave (IRJ) e Maqedonisë është emblematike e mundimeve me të cilat ballafaqohen personat gej, lezbike, homoseksualë, biseksualë, transeksualë dhe interseksual (LGBTI) nëpër botë.

Ky përjashtim paraqet një sfidë madhore ndaj arritjes së qëllimeve të dyfishta të Bankës Botërore dhe të Synimeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm.

Gruaja e re nuk është e vetme! 2,300 persona LGBTI nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Kosova, Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë, Mali i Zi dhe Sllovenia i ndanë përvojat e tyre në anketën më të madh ndonjëherë të pakicave seksuale dhe gjinore në rajon.

 Raporti i hulumtimit “Jeta në margjina: Rezultatet e anketës lidhur me përvojat e personave LGBTI në Evropën Juglindore” ofron një përshkrim të hollësishëm të përgjigjeve dhe tregon një histori të diskriminimit, të përjashtimit dhe të dhunës.

Çdo i treti i anketuar raportoi se ka qenë viktimë e dhunës gjatë pesë viteve të fundit. Të anketuarit transgjinorë janë edhe më të cenueshëm, ku më shumë se gjysma e tyre kanë përjetuar dhunë. Efektet e tmerrshme të atyre përvojave mbi viktimat janë të dokumentuara mirë dhe dhuna e tillë ka një kosto më të gjerë shoqërore.

Përkundër legjislacionit që e ndalon diskriminimin në bazë të orientimit seksual dhe identitetit gjinor në shumicën e shteteve pjesëmarrëse, pothuajse gjysma (49%) e të anketuarve raportuan se janë diskriminuar ose janë ngacmuar në 12 muajt e mëparshëm. Personat transeksualë përsëri janë shumë më të cenueshëm, ku 80 për qind e të anketuarve i kanë raportuar ato përvoja. Diskriminimi është i përhapur në të gjithë sistemin arsimor dhe në vendin e punës, që i pengon personat LGBTI që të kontribuojnë plotësisht në zhvillimin e shoqërive të tyre.

“Jeta në margjina: Rezultatet e anketës lidhur me përvojat e personave LGBTI në Evropën Juglindore” ofron një pamje të zymtë të sfidave të përjetuara nga personat LGBTI në Evropën Juglindore. Adresimi i këtyre sfidave jo vetëm që do të sigurojë se të drejtat e të gjithë personave mbrohen dhe respektohen, por do të sjellë përfitime për shoqëritë, për ekonomitë dhe për rajonin në përgjithësi.

Së pari dhe më kryesorja, duhet të vazhdojmë të investojmë për ta mbushur boshllëkun e njohurive për LGBTI. Siç e tha një i anketuar gej nga Kosova, “ne duam të dalim në dritë”. Kjo anketë për herë të parë hedh dritë mbi përvojën e personave LGBTI në rajon. Agjencitë kombëtare të statistikave duhet të fillojnë të mbledhin rregullisht të dhëna të zbërthyera sipas LGBTI për të krijuar dëshmi të vazhdueshme të nevojshme për të ndërtuar politika dhe programe më përfshirëse. Fundja, politikat e bazuara në dëshmi do të nxjerrin fitime më të mëdha për individët, për ekonomitë dhe për shoqëritë.

Një nga gjetjet e rëndësishme të anketës është se duhet të ketë trajnim për autoritetet, zyrtarët e zbatimit të ligjit dhe punonjësit e kujdesit shëndetësor. Kornizat legjislative në tërë rajonin i sigurojnë mjetet e nevojshme për t’i mbrojtur personat LGBTI nga diskriminimi, nga përjashtimi dhe nga dhuna. Ajo çka po çalon, është zbatimi efektiv i këtyre ligjeve. Kjo bëhet veçanërisht e dukshme, pasi vetëm 17 për qind e viktimave të dhunës ndiheshin mjaft rehat sa për ta paraqitur rastin pranë policisë, dhe nga këto kallëzime u ndërmorën veprime kundër autorëve vetëm në 16 për qind të rasteve më të rënda.

Në Komunikimin më të fundit për Politikën e Zgjerimit të BE-së të Komisionit Evropian,” ... të drejtat themelore kryesisht janë të përfshira në legjislacion në Ballkanin Perëndimor, por kërkohen përpjekje serioze për të siguruar se ato zbatohen plotësisht në praktikë”. Qeveritë, partnerët zhvillimor dhe organizatat e shoqërisë civile për LGBTI duhet të punojnë së bashku në forcimin e zbatimit të ligjeve kombëtare.

Qeveritë në tërë rajonin duhet t’i sensibilizojnë nëpunësit publik, përfshirë mësimdhënësit, punonjësit social, ofruesit e kujdesit shëndetësor dhe zyrtarët e sektorit të drejtësisë, lidhur me diskriminimin e LGBTI dhe t’i trajnojnë ata për t’iu përgjigjur më mirë nevojave specifike të viktimave LGBTI të diskriminimit dhe të dhunës.

“Jeta në margjina: Rezultatet e anketës lidhur me përvojat e personave LGBTI në Evropën Juglindore” ofron të dhëna të mira për politikëbërësit dhe avokuesit për të ndërtuar programe dhe politika më përfshirëse.

Shpresojmë se do ta vazhdojmë punën me klientët tanë dhe me organizatat si ERA - Shoqata për të Drejtat e Barabarta të LGBTI për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, një partner kyç në hulumtim, për të krijuar ndryshime pozitive dhe për të siguruar se askush nuk mbetet prapa.

/Autorja eshte Drejtoreshë Rajonale e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor/
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)