20 Prill 2024

Interneti dhe Familja

Shkruar nga  Rahmil Limani


Në këtë kohë moderne të qenit prindër nuk është një detyrë e lehtë. Do të thosha edhe bashkëshort e koleg, arsimtar e profesor etj. Por, sot, nënat e prindërit ballafaqohen me probleme të reja dhe sjellje të ndryshme të fëmijëve, të cilët në kohën e tyre nuk i kanë pasur.

 

Në kohën e sotme fëmijët tanë kalojnë shumë kohë mbi kompjuterë, duke parë televizionin dhe duke shfletuar në internet. Me këtë mund të konkludohet se fëmijët mësojnë shumë gjëra, por nuk edukohen.

Fëmijët dhe lojërat e dhunshme kompjuterike

Në shumicën e kohës fëmijët ashtu edhe të rinjtë mbesin duke luajtur lojëra të ndryshme kompjuterike. Sa ndikojnë këto në zhvillimin e fëmijës dhe në ardhmërinë e tij? Në këtë kontekst ka lojëra argëtuese, por edhe nga ato logjike që më të vërtetë ndihmojnë në zhvillimin e talentit të fëmijës në disa drejtime të ndryshme, në kuptimin jetësor, dhe ato duhen të merren edhe si argëtuese për fëmijët dhe të rinjtë në përgjithësi, por ka lojëra që nuk ndikojnë fare në zhvillimin intelektual, fizik dhe shpirtëror të fëmijës, e këto lojëra janë shumë të dëmshme për fëmijët dhe të rinjtë.

 

Për këtë përdorimi i tepruar apo i pakontrolluar i kompjuterit është problemi më i madh për shumë prindër në kohën moderne, sepse fillimisht kompjuterin, e në veçanti lojërat kompjuterike në fillim i marrin si lodra të preferuara të tyre dhe më pas e humbasin qëllimin e tyre. Ne të gjithë e dimë se deri në moshën 2-vjeçare nuk mund të lëvizin mausin apo komandën e televizorit, ku një fëmijë vetëm duke parë, dëgjuar njihet me botën që e rrethon.

Fëmijët e moshës 3-5-vjeçare në ditët e sotme mund t’i hasim shpesh duke luajtur me telefonat e prindërve të tyre. Edhe pse ky nuk duket aspak veprim i dëmshëm, këtu fillojnë defektet në sjelljen e fëmijës. Nga mosha 6-11-vjeçare fëmijët mund të jenë të aftë të hyjnë në botën e internetit, t'i drejtohen kompjuterit për t’i zgjeruar njohuritë e tyre, por në çdo çast duhet të jenë të kontrolluar nga prindërit, sepse deri më tani fëmijët kanë qenë plot me ide abstrakte. Pas moshës 10-vjeçare disa fëmijë fillojnë të redaktojnë video dhe programe softueri si “M.I.T Scratch”, program pa pagesë në “Windows”. “Scratch” është një aplikacion që i ndihmon fëmijët të kërkojnë dhe të grumbullojnë disa rregulla edhe nga loja me bashkime pjesëzash të figurave të ndryshme.

 

Nga mosha 12-vjeçare e lartë, edhe pse bëhen më përtacë, ata pasurojnë ndjesinë e të qenit i rritur. Në këtë moshë adoleshentët dëshirojnë t’i bëjnë veprimet e një të rrituri dhe të sillen si të tillë. Ata hyjnë në atë moshë të aftë për të hyrë në botën e kompjuterit, internetit, telefonit, celularit, lojërat “MP3” dhe laptopin personal. Kjo ndikon fuqishëm në komunikimin e tyre në shoqëri. Është normale dhe e drejtë që fëmijët të informohen dhe të dinë çdo gjë që ndodh në botë. Kjo u ndihmon të jenë në dijeni të realitetit dhe shërben si material për zhvillimin e tyre.

 

Këtë gjë sot ua mundëson fëmijëve interneti, lirinë për të krijuar shoqëri, të luajnë lojëra dhe zgjedhin detyra shtëpie, por kjo edhe mund të sjellë edhe rrezik potencial. Të mos harrojmë së fëmijës i interesojnë më shume gjëra të këqija sesa të mira. Kështu që lind nevoja e disiplinimit të tij dhe duhet të vendosni te fëmija konceptet: “e drejta” dhe “e gabuara”. Ndonëse duhet një kohë e gjatë përpara se fëmija juaj të mund t’i kapë këto koncepte plotësisht, po që tani ju duhet të filloni t’i mësoni atij të drejtën nga e gabuara, duke ia shpjeguar, por edhe duke marrë shembuj konkretë.

 

Për prindërit interneti mund të jetë si ecja nëpër një fushë të minuar. Siç theksuam edhe më lartë, interneti ua mundëson fëmijëve lirinë për të krijuar shoqëri, të luajnë lojëra, por prindërit duhet të ndërmarrin masa parandaluese nga grabitqarët e internetit. Edhe pse e kuptoj se nuk ka zgjidhje të lehtë, disa masa mund ta zvogëlojnë dukshëm rrezikun që fëmija juaj të bëhet viktimë. Shumica e prindërve mendojnë se “kjo kurrë nuk mund t’i ndodhë fëmijës tim”, por kjo nuk është e vërtetë pasi që, në botën në të cilën jetojmë, viktimizohen sot shumë djem dhe vajza nga këta grabitqarë.

 

Gjëja më e mençur dhe më e madhe është që të fillohet me masa konkrete sa më herët që është e mundur. Fëmijët sot, çdo ditë e në moshë më të re, po futen “online”. Sa më të rinj që janë dhe sa më herët që ju të filloni me masa parandaluese, është më mirë, duke folur për këto gjëra me ta, në mënyrë që kjo të ingranohet me rritjen e tyre. Gjëja e parë që duhet bërë është që, vetë prindërit të mësohen më shumë me punën e kompjuterit dhe ta analizojnë “uebin” si shembull porositë e çastit – “mesengjerat”. Prindërit duhet t’i mësojnë zhargonet që kam hasur në shkrime të ndryshme në internet, ku të rinjtë përdorin në komunikim në mes vete si p.sh : “MEKA” qëndron për "maminë e kam afër" edhe “HTTP” qëndron për "hajde të takohemi përnjëmend ”.

 

Duke u nisur nga ky fakt duhet që mos t’ia lejojmë fëmijës që të ketë kompjuter në dhomën e fjetjes. Sipas mendimit tim, po edhe ekspertëve të internetit, kjo është njëlloj si t’ia jepni fëmijën tuaj një të huaji dhe ju të largoheni nga aty. Përkundrazi, kompjuteri duhet të jetë në atë pjesë të shtëpisë ku frekuentohet më së shumti, si dhoma e ndejës apo edhe kuzhina. Monitoroni se çfarë është duke shikuar fëmija juaj në internet, sa herë kaloni pranë tij, po normal duhet të siguroheni se ata ta kuptojnë që ka një shkak pse janë duke u mbikëqyrur dhe se këtë gjë jeni duke e bërë për t’i mbrojtur ata nga ndonjë gjë e keqe që mund t’u ndodhë. Gjëja tjetër e radhës që duhet bërë është që të caktoni disa rregulla për përdorimin e internetit. Shkruani këto rregulla dhe vendosni një kopje të saj afër internetit që fëmija juaj të mund t’i referohet, përderisa shëtit nëpër rrjetin e internetit.

 

Rregullat mund të jenë: limitimi i kohës së shpenzuar online, faqet të cilët fëmijët nuk mund t’i vizitojnë dhe çfarë lloj komunikimi mund të bëjnë, edhe pse ato ka gjasë që të filtrojnë/bllokojnë edhe faqet që mund të kërkojnë për detyra të shkollës. Krijoni një marrëdhënie të besueshme me fëmijën tuaj kështu që, në rast të ndonjë problemi që mund ta ketë online, ai ta ndiejë veten të lirë t’ju drejtohet juve për ndihmë. Mos u nervozoni me atë çfarë do t’ju tregojë apo shfaq, sepse mund të mos vijë fare herën tjetër kur të hasë në ndonjë gjë të diskutueshme. Bllokoni disa faqe interneti për siguri.

 

Një metodë e efektshme për të luftuar kundër përmbajtjeve të padëshirueshme në internet është bllokimi i qasjes në disa faqe. Kjo metodë e shndërron kompjuterin në një mekanizëm të fuqishëm për mësim dhe, zvogëlon rreziqet nga gjërat e këqija “online” për fëmijën tuaj. Metoda dhe mënyra të mbrojtjes nga të gjitha sulmet ka me të vërtetë shumë, mirëpo më e efektshmja është thjesht evitimi i faqeve problematike. “Windows Vista” e ka të integruar mundësinë e bllokimit të qasjes në faqe dashakeqe të internetit, si dhe mundësinë e përcaktimit të kohës kur fëmija guxon ta shpalosë internetin, e kur jo. Mbrojtja aktivizohet lehtë në kuadër të “User Accounts”, të cilin mund ta gjeni në “Control Panel”. Zgjidhni "Set up parental Controls" dhe klikoni "On, enforce current settings". Në “uebfilter” gjithsesi vendosni nivelin e mbrojtjes në "High" nëse fëmija juaj shkon ende në shkollën fillore.

 

Nëse dëshironi që të siguroheni se fëmija do të shërbehet me kompjuterë vetëm për mësim, atëherë zgjidhni opsionin "Only allow websites which are on the allow list" dhe më pas definoni uebfaqet përkatëse në "Allowed list".

 

Me aq sa përmendëm më sipër këto janë disa nga metodat për ta ndaluar sadopak përdorimin e internetit, por edhe iniciativa të tjera nuk mungojnë si, për shembull, në treg mund të gjeni edhe lloje të ndryshme kompjuterësh nga ata për minoren, tek ata portale të përshtatshëm për nevojat e fëmijëve të prezantuar në kohën e fundit nga Komisioni Evropian, të cilët ofrojnë shumë informacione dhe kontakte të ndryshme, që janë shumë të rëndësishme për fëmijën tuaj, madje në disa vende të EU-së ka filluar një konsultim publik për t’i identifikuar mënyrat më efektive për ta bërë mjedisin online dhe në përgjithësi teknologjitë e komunikimit të sigurta për përdoruesit e në veçanti për fëmijët.


(Autori është ligjërues në Universitetin e Prishtinës)
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)