29 Mars 2024

Identiteti Urban në Kosovë

Shkruar nga arch. Ylber Vokshi Ylli  

Në ketë vështrim të shkurtër,nuk do të analizojmë detal elementet kryesore të identitetit urban,si janë sheshet qendrore dhe sekondare,vendtubimet specifike si rrugët apo shëtitoret për këmbësor,mobiliari urban,përmendoret,skulpturat,pikturat apo mozaikët publike,objektet e rëndësishme arkitektonike si dhe tërësitë urbane,që identifikojnë një vendbanim apo një shtet.

Si shoqëri këtij fenomeni nuk i kemi dhënë rëndësi primare,e kjo gjithnjë na është hakmarrë gjatë shekujve të kaluara të ekzistencës tonë në këto hapësira.

Në Kosovë për të përcaktuar identitetin urban duhet hulumtuar të gjithë shkaktarët në periodat e kaluara historike,të cilët kanë ndikuar direkt apo indirekt në respektimin e këtij procesi,i cili përcakton ekzistencën e një populli në hapësira të caktuara territoriale me shekuj.

Për këtë duhet bërë hulumtime të veçanta për kryeqytetin dhe qytetet kryesore në Kosovë,se si ne vetë jemi në gjendje ta shkatërrojmë ardhmërinë e jetës urbane,për gjeneratat e reja qe do të jenë të detyruara të jetojnë në këto hapësira.

 Përse është i rëndësishëm identiteti urban shumë pak i trajtuar në tërë Kosovën. Sa lehtë e anashkalojmë e harrojmë ekzistencën tonë në këto hapësira.

Gjithnjë nuk e kemi vlerësuar të kaluarën e jonë,e cila ma së miri identifikohet me objektet,të cilat çdo shoqëri në mënyrë institucionale i ruan,për të treguar dhe dokumentuar lashtësinë e vet,e ne mu këto vlera historike dhe arkitektonike i kemi zhdukur përpara,e të njëjtën gjë jemi duke bërë edhe në njëmbëdhjetë vjetshin e parë të shekullit 21.

Vetëm ata të cilët nuk e njohin rëndësinë historike të ekzistimit të këtij populli në këto hapësira,e ndërlidhur ngushtë me identitetin urban të vendbanimeve tona munden me e minimizuar këtë proces. Në shikim të parë kjo duket e pa rëndësishme,shumë objekte kulturo historike edhe që ishin nën mbrojtjen e shtetit në mënyrë sistematike në dymbëdhjetë vjetshin e fundit janë rrënuar.

Se prapë që nga pas lufta do të trajtojmë këto monumente kulturo historike në këtë mënyrë nënqmuese,as që do komente profesionale,kjo është e pa tolerueshme,e pa falshme,pasi sot e kemi tërë infrastrukturën shtetërore që duhej të veproi.

Shtrohet pyetja logjike ku është identiteti urban i një territori me vendbanime të vjetra dhe të reja. Ruajtja e identitetit burimor,avancimi i tij si dhe harmonizimi me karakterin e përbashkët gjithnjë ka qenë imperativ i çdo shoqërie,e te ne po veprojmë në mënyrë vandale me rrënimin e tyre sistematik pa dhanë askush përgjegjësi.

Kjo mënyrë e veprimeve,në të njëjtën kohë shkatërron edhe trashëgimin e qyteteve tona,e cila rrënjësisht ndikon në identitetin e qytetit pasi gjeneratat e reja as që e dinë se nga i kanë rrënjët,nga kanë ardhur.

Pasi në të ardhmen sfida ma e madhe është se si me i plotësuar kërkesat e investitorëve të rinj,e në njëjtën kohë duhet me mbajtur nivelin e lart të praktikës planifikuese,në gjenerimin e hapësirave urbane në favor të gjithë banorëve të qytetit. Atëherë pyetje thelbësore e teorisë dhe praktikës së planifikimit duhej të ishte:në interesin e kujt planifikohet hapësira në qytete  ku bashkëpronar (hisetar) janë të gjithë banorët e tij.

Pyetja e identitetit  të hapësirës urbane është me rëndësi fondamentale për përjetimin e ndonjë qyteti në botën e re globale që po krijohet. Me zhvillimin e procesit të globalizimit identiteti urban është bërë faktor i rëndësishëm në procesin e planifikimit hapësinor.

Qytetet po ballafaqohen me kërcënimet e humbjes së identitetit,e në të njëjtën kohë me mundësin për ta ndryshuar atë. Këtë e mundëson ekonomia globale,e bazuar në ekonomin e tregut,me krijimin e mundësive të reja për tregje të reja dhe integrime politike.

Janë disa principe elementare që duhen me i respektuar si projektantët urban gjatë përpilimit të dokumenteve hapësinore,ashtu edhe zyrtarët e shumtë të dy niveleve shtetërore,ata i presin sfida të mëdha në jetësimin e këtyre kërkesave të kohës si:

·    Ruajtja e identitetit burimor të disa zonave të qyteteve tona,si dhe avancimi dhe inkorporimi e tyre sipas kërkesave të reja urbane.
·    Përparimi dhe ri-formulimi i të gjitha elementeve karakteristike të një vendbanimi.
·    Identifikimi i pikave karakteristike natyrore dhe të ndërtuara të zonave urbane dhe rurale të vendbanimeve tona.
·    Vënia me prioritet i pasurive të ndryshme arkitektonike dhe bërthamave urbane si trashëgimi e pa tjetërsueshme me shekuj.
·    Evidentimi dhe promovimi i arkitekturës dhe urbanizmit bashkëkohor në shekullin 21,si pjesë të pa ndara të identitetit urban.

Duhet të jemi të vetëdijshëm se është në pyetje humbja e identitetit urban,i gërshetuar me elemente të trashëgimisë historike,që shumë lehtë po e shkatërrojmë me veprimet tona,pa menduar në pasojat të rënda në kryeqytet dhe në tërë Kosovën. Kjo çështje nuk i përket vetëm rasteve individuale,është e ndërlidhur me filozofinë jetësore të mjedisit ku jetojmë e veprojmë. Harresa historike na u ka hakmarrë në të kaluarën e si jemi duke vepruar do të na hakmerret edhe në të ardhmen.

Qëllimi ishte të tregojmë se si njohja me fenomenin e identitetit urban të vendbanimeve tona mundet të shërbej dhe si udhëzues i zhvillimit të ardhshëm të tyre. Mbrojtja e të gjitha vlerave natyrore,historike dhe arkitektonike duhej të ishte obliguese, pasi ashtu e kërkojnë ligjet,normat dhe standardet ndërkombëtare,të cilave deshëm apo nuk deshëm jemi të obliguar të iu nënshtrohemi nëse nuk dëshirojmë të jemi të “izoluar”edhe në dhjeta vjetët e ardhshëm të shekullit 21.

Është koha e fundit që kokat e kthjellëta intelektuale të reagojnë në këto veprime për të mirën e të gjithë neve dhe gjeneratave të ardhme. Jam i vetëdijshëm se për të shpjeguar e pastaj zbatuar elementet kryesore të identitetit urban është shumë vështirë në Kosovë,për shumë këndë mision i pa mundur,por me sakrificën e profesionistëve të vërtetë,dhe me një punë konstante e të gjithë institucioneve relevante shtetërore,shpresoj se kjo do të filloi të jetësohet-arrihet!.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)