20 Prill 2024

Hetimi dhe parandalimi i aksidenteve ajrore në Kosovë

Shkruar nga Kreshnik Gashi

Themelimi dhe funksionalizimi i të gjitha institucioneve të aviacionit civil, në pajtueshmëri me rregullat ndërkombëtare të aviacionit, raporti shumë pozitiv vlerësues i Komitetit Mbikëqyrës të Marrëveshjes për Hapësirën e Përbashkët Evropiane Ajrore dhe në fund vlerësimi në Raportin e Progresit të Bashkimit Evropian se në fushën e aviacionit civil është bërë përparim substancial, dëshmojnë kapacitetin dhe vullnetin për integrim të institucioneve të shtetit të Kosovës

Bota njeh rreth 100 vjet të fluturimeve të kontrolluara. Kjo periudhë është shoqëruar me faza të ndryshme të zhvillimit të hovshëm të aviacionit, por edhe me incidente dhe aksidente, lajmet për të cilat shumë shpejt mbulojnë botën.

Hetimet e aksidenteve dhe incidenteve, si dhe rekomandimet që dalin nga ato për sigurinë e aviacionit civil, kanë sjellë botën në nivelet më të ulta rekorde të aksidenteve ajrore, duke e bërë kështu aviacionin një nga format më të sigurta të transportit.

Sipas raportit statistikor të aksidenteve të aeroplanëve komericialë, që është prezantuar në korrik të vitit 2010 nga kompania Boeing, në dhjetë vitet e fundit, shkalla e aksidenteve në transportin ajror komercial është 0.79 për 1 000 000 (një milion) fluturime.

Hetimi i aksidenteve, nga autoritetet hetuese të aksidenteve, bëhet për të përcaktuar se çfarë ka ndodhur, pse ka ndodhur dhe çfarë duhet të bëhet që të mos përsëriten ndodhitë e tilla. Përcaktimi i shkaktarëve të ndodhive në aviacionin civil përfshinë një punë mjaft komplekse, ku kërkohet hetim gjithëpërfshirës i faktorëve njerëzor, pajisjeve dhe procedurave të përdorura, poashtu kërkohet një kapacitet i lartë profesional dhe teknologjik.

Republika e Kosovës, nënshkruese e Marrëveshjes për Hapësirën e Përbashkët Evropiane Ajrore, ka themeluar Komisionin për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike (KHAIA), si një autoritet i përhershëm pranë Zyrës së Kryeministrit, që merret me hetimin e aksidenteve dhe incidenteve ajrore. Vendimi për themelimin e këtij institucioni është marrë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, me datë 12 qershor 2009.

Republika e Kosovës, një nga shtetet prijëse në Ballkan në përmbushjen e obligimeve që dalin nga Marrëveshja për Hapësirën e Përbashkët Evropiane Ajrore.

KHAIA është themeluar në bazë të Ligjit për Aviacionin Civil dhe përbëhet nga tre hetues. Edhe pse institucion i ri, komisioni ynë ka arritur që në fazat e para të ekzistencës të krijojë raporte të mira bashkëpunimi me autoritete të përkatëse të shteteve shumë të zhvilluara perëndimore dhe të marrë pjesë, në cilësinë e vëzhguesit, në mbledhjet e institucionit më të lartë evropian që mbledh autoritetet hetuese të aksidenteve të Evropës - Këshillin Evropian të Autoriteteve Hetuese të Sigurisë Ajrore.

Gjatë kësaj periudhe, KHAIA ka arritur që të lidhë memorandume mirëkuptimi me autoritetet hetuese të aksidenteve ajrore të Mbretërisë së Bashkuar dhe të Gjermanisë. Këto memorandume i mundësojnë Kosovës dhe hetuesve tanë të përkrahen me ndihma në resurse humane dhe teknologjike në rast të ndonjë aksidenti aeronautik.

Për më tepër, Autoriteti i Mbretërisë së Bashkuar dhe Autoriteti Gjerman i hetimit të aksidenteve kanë shprehur përkushtimin e tyre, nëpërmjet nënshkrimit të memorandumeve, edhe për ndihmë në zhvillimin e kapaciteteve profesionale të KHAIA. Si pjesë e kësaj  ndihme, hetuesit e institucionit tonë kanë marrë pjesë në një vizitë studimore një mujore në Gjermani, ku kanë punuar së bashku me kolegët gjermanë në hetimin e rasteve të incidenteve dhe aksidenteve të ndryshme.

Aviacioni është një formë globale e transportit, avancimi i të cilit është i ndërlidhur edhe me zhvillimin e kapaciteteve të vendeve të veçanta. Në këtë aspekt, vendi ynë nuk përbën përjashtim, për më shumë Republika e Kosovës është një nga shtetet prijëse në Ballkan në përmbushjen e obligimeve që dalin nga Marrëveshja për Hapësirën e Përbashkët Evropiane Ajrore. Sigurisht se edhe puna e Komisionit për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike është shumë e ndërlidhur me punën e autoriteteve respektive të vendeve të tjera dhe me përmbushjen e kritereve dhe përgjegjësive ndërkombëtare dhe kombëtare.

Nisur nga kjo, KHAIA përveç se respekton plotësisht aneksin 13 të Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil, i cili rregullon hetimin e aksidenteve në nivel ndërkombëtar, ajo ka krijuar gjithashtu raporte shumë të mira bashkëpunimi me shumicën e autoriteteve hetuese të shteteve evropiane dhe me autoritetin hetues të aksidenteve të SHBA-ve.

Viti 2010, ka shënuar një vit të investimit në ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe zhvillimore të KHAIA-s. Në këtë vit janë miratuar një numër rregulloresh, që rregullojnë fushën e hetimit të aksidenteve ajrore, është punuar në rregullimin e procedurave hetuese dhe i është dhënë rëndësi të veçantë zhvillimit të kapacitetit profesional të hetuesve të KHAIA-s.

Anëtarët e institucionit kosovar të hetimit të aksidenteve dhe incidenteve aeronautike, përveç trajnimeve të ndjekura gjatë vitit 2010, në janar të vitit 2011 do të marrin pjesë në programin studimor prestigjioz të Universitetit të Cranfield-it në Angli për hetimin e aksidenteve ajrore, që do të krijojë një kapacitet adekuat, për zhvillimin e hetimeve në Kosovë dhe eventualisht pjesëmarrjen në hetime në vende të tjera në pajtueshmëri me rregullat ndërkombëtare të aviacionit civil.

Vlen të theksohet se edukimi në fushën e hetimit të aksidenteve ajrore është posaçërisht i kushtueshëm dhe specifik. Në këtë kuadër, specializimi i hetuesve të KHAIA-s në Mbretërinë e Bashkuar, është mundësuar në saje të mbështetjes financiare të Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian  në Kosovë.

Kur flasim për hetimin e aksidenteve ajrore, sigurisht se lexuesve në rend të parë iu vijnë në mendje aksidentet e mëdha me fatalitet, të cilat mbulojnë mediat botërore kudo që ndodhin - mjafton të përmendim aksidentin e aeroplanit shtetëror polak Tupolev 154,  në Smolensk të Rusisë, apo humbjen e aeroplanit francez Airbus 330 mbi Oqeanin Atlantik. Këto aksidente tregojnë se megjithë faktin se transporti ajror është një nga transportet më të sigurta në rruzullin tokësor, aksidentet dhe incidentet ndodhin.

Evidenca e deritanishme, në fushën e hetimeve të aksidenteve dhe incidenteve dëshmojnë se përpara se të ndodhë një aksident i një lloji të veçantë, ndodhin shumë ngjarje të ngjashme (incidente më të vogla që nuk përfundojnë në aksidente) të niveleve më të ulta. Prandaj, për të mos ardhur deri tek aksidentet, këto incidente duhet të hetohen dhe të parandalohen, për sa është e mundshme para se të ndodhë ndonjë aksident i tillë. Në këtë formë, hetimi i incidenteve i kontribuon drejtpërdrejtë parandalimit të aksidenteve.

Raporti i Progresit i BE-së – dëshmi për përparimin substancial në fushën e aviacionit civil në Republikën e Kosovës.

Autoritetet kosovare të cilat kanë punuar në sigurinë e aviacionit civil duhet të përgëzohen për punën e tyre të deritanishme. Megjithë rritjen e madhe të numrit të udhëtarëve dhe numrit të kompanive që operojnë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, në 10 vitet e fundit nuk kemi pasur aksidente me fatalitet, ndërsa numri i incidenteve është relativisht i vogël. KHAIA, që nga marrja e kompetencave të saj, punon në hetimin e çdo incidenti në mënyrë që të parandalohet mundësia për ndonjë aksident të mundshëm.

Republika e Kosovës edhe pse e njohur ndërkombëtarisht nga 72 vende të botës, nuk është ende pjesë e Organizatës Ndërkombëtare për Aviacion Civil dhe nuk e ka ende të liberalizuar për fluturime komerciale hapësirën e lartë ajrore të saj.

Themelimi dhe funksionalizimi i të gjitha institucioneve të aviacionit civil, në pajtueshmëri me rregullat ndërkombëtare të aviacionit, raporti shumë pozitiv vlerësues i Komitetit Mbikëqyrës të Marrëveshjes për Hapësirën e Përbashkët Evropiane Ajrore dhe në fund vlerësimi në Raportin e Progresit të Bashkimit Evropian se në fushën e aviacionit civil është bërë përparim substancial, dëshmojnë kapacitetin dhe vullnetin për integrim të institucioneve të shtetit të Kosovës.

Misioni i hetuesve të aksidenteve dhe incidenteve ajrore, sikurse edhe misioni i të gjithë atyre që punojnë për sigurinë e aviacionit civil kudo në botë, është mbi të gjitha një mision human, i cili ka për qëllim ofrimin e mundësive për udhëtim të sigurt të njerëzve në të gjithë botën. Prandaj, edhe kosovarët që punojnë për këtë qëllim janë pjesë e atij grupi të madh në botë, të cilët mundësojnë që të gjithë qytetarët e botës të përfitojnë nga të mirat që sjellë mundësia për udhëtim të shpejt dhe të sigurt.

Autori është Kryesues i Komisionit për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike të Republikës së Kosovës

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)