16 Prill 2024

Hebrenjtë e Prishtinës dhe shqiptarët

Shkruar nga Faton Abdullahu

Hebrenj në Prishtinë, apo sikundër quheshin nga vendorët jahudi, më nuk ka. Ata në të vërtetë nuk kanë qenë të shumtë në numër, po kanë qenë prishtinas të mirë tregojnë prishtinalitë e vjetër.

Me shtëpia dhe me zanatet e tyre kanë qenë të përqendruar në qendër të qyteti, konkretisht në çarshinë e Prishtinës, aty ku sot gjendet Kuvendi i Kosovës, qendër kjo e vjetër atraktive me origjinalitet të theksuar në shumë çka, të cilën më vonë do ta shkatërrojnë komunistët e asaj kohe pa ‘dhimtë’, as pa më të voglën ndjesi se po prishin diçka që duhet ruajtur.

Të shpeshtën hebrenjtë ushtronin në këtë qytet zanatin e kallajxhinjve, prej të cilit përfitonin mirë dhe jetonin mirë. 

Mund ta marrim e ta analizojmë çështjen si mbeti Prishtina pa hebrenjtë  në aspektin historik e në aspekte të tjera, por fakti se sot nuk ka hebrenj në Prishtinë, nuk i bënë nderë askujt, as traditës sonë, as feve tona, as bujarisë shqiptare. 

Ne nuk mund të krenohemi si në Shqipëri, të cilat krenohen me të drejtë se, pas LDB, ky vend është i vetmi ku numri i hebrenjve është rritur, ndërkohë që në të gjitha vendet ku ata kanë jetuar është zvogëluar.

Ky dallim ndërmjet nesh dhe shqiptarëve të Shqipërisë, ndaj hebrenjve determinohet nga rrethanat e ndryshme në të cilat kemi qenë para dhe gjatë pushtimit të nazistëve dhe fashistëve. Ne ishim të pushtuar nga serbët dhe përjetonim diskriminime sistematike nga më të ndryshme.

Ardhja e gjermanëve në Kosovë nga shqiptarët do të përjetohet si një lloj çlirimi, në fakt kjo do të determinoj jo vetëm ndaljen e kësaj dhune, por në një mënyrë edhe njëfarë prosperiteti nacional, aq më shumë mund të konstatohet kështu kur të mendohet se ardhja e tyre determinoj dhe jetësoj një tjetër qëllim politik të shqiptarëve, bashkimin e pjesës më të madhe të territorit të Kosovës me Shqipërinë.

Për rrjedhojë perceptimi, raporti dhe qasja e shqiptarëve të Kosovës ndaj gjermanëve, në atë kohë, nuk ka qenë e njëjtë me qasjen normale ndaj politikës së tyre në gjithë vendet e tjera të Evropës që janë pushtuar. Duke u ndier më mirë në ato rrethana të reja, pas largimit të pushtuesve nga Serbia, edhe miqësia me atë pushtet të ri, pra me gjermanët,  ka qenë më e mirë edhe përkushtimi ndaj parimeve të asaj politike ka qenë më i theksuar. Dhe një nga parimet e pushtuesit të ri në ato vite ishte lufta ç’farosëse, kundër hebrenjve.

Na pëlqej apo jo, deshëm apo jo ta pranojmë, kjo është arsyeja kryesore, pse sot në kryeqytetin e Kosovës në Prishtinë, nuk ka hebrenj. Kjo ishte arsyeja pse disa shqiptarë në ato kohëra kanë qenë ekzekutues të kësaj politike, kundër hebrenjve. Unë e di edhe anën tjetër të medaljes ndaj hebrenjve të Prishtinës.

Por fakti se sot nuk ka hebrenj në këtë qytet pa lum, lë shumë për të dëshiruar, nga ajo që ne bëmë për ata. Qytetarët e Prishtinës gjithsesi se edhe i kanë ndihmuar hebrenjtë. Përmenden shumë raste nga më të ndryshme, kur hebrenjtë janë ndihmuar, janë strehuar, janë mbrojtur nga përndjekjet.

Ato gjera nuk harrohen. Unë besoj shumë se ato mbahen mend nga familjarët e ndryshëm të atyre që dikur vendosën të ikin nga Prishtina dhe u degdisën nëpër botë. Por fakti se sot nuk ka hebrenjtë në Prishtinë tregon se ato nuk ishin të mjaftueshme, ashtu sikundër tregon se mbase edhe dhuna gjermane ka qenë e fortë dhe sistematike.

Me këtë rast dua ta theksoj edhe një karakteristikë tjetër që më duket se ja vlen dhe është e rëndësishme. Për ndihmën që u kanë dhënë shqiptarët hebrenjve shpesh flitet si për çudinë më të madhe, sepse thuhet se kjo ndihmë është dhënë nga myslimanët. Kjo merret si shembull i mirë në botë, se si myslimani ndihmoj hebreun.

Aludohet në atë që ja se si mund të jetë dikush edhe mysliman i mirë edhe të ndihmoj hebrenjtë, çka për rrethana të sotme në botën lindore konfliktuoze, duket pak e çuditshme e pak edhe e ekzagjeruar.

E vërtetë është se strehimi i hebrenjve në Kosovë, por gjithsesi, larg  më shumë, për arsyet që i treguam, në Shqipëri, është bërë edhe nga myslimanët, pra nga shqiptarët me këtë përkatësi fetare. E kuptueshme se kjo është bërë edhe duke u bazuar në parimet e mira morale dhe etike e të tjera të kësaj feje. Ato parime i gjejmë edhe te cilado fe tjetër monoteiste.

Por e vërteta është se këtë strehim shqiptarët për hebrenjtë, këtë ndihmë dhe përkrahje si mbrojtje nga politika naziste, e kanë bërë të shtyrë në rend të parë nga kodet e tyre zakonore, nga e drejta dhe detyrimet me të cilat ata janë lidhur, jetuar dhe punuar, ku besa dhe miku i shtëpisë janë të lartësuara deri në nivelin e shenjtërisë.

Hebrenjtë e kanë ditë këtë, i kanë njohur këto kode, dhe kanë kërkuar nga shqiptarët besë dhe shqiptarët besë i kanë dhënë. Kjo është madhështore, për këtë duhet të flitet e shkruhet shumë më shumë.

Sikur ta dinin këtë ata që kryen ato veprime të turpshme mbi varret e jahudive në Prishtinë do të mendoheshin më gjatë për ato veprime apo së paku sot do të pendoheshin shumë, por policia dhe gjykatat nuk duhet të mendojnë shumë gjatë për të ndërmarr të gjitha masat e ti ndëshkojnë ata që kanë prekur varret, por edhe jetën e hebrenjve. Ne ju kemi borxh hebrenjve, Prishtina sidomos.   




 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)