19 Prill 2024

Haxhinasto i Berishë-Metës kundër ribashkimit të Shqipërisë

Shkruar nga Xhevat Bislimi

Kujt mund t’i shkonte ndërmend se në një ditë të bukur pranvere Qeveria e Tiranës (Berishës), nëpërmjet Ministrit të saj të jashtëm, Haxhinastos, do të deklarohejë publikisht, mu në mes të Prishtinës, kundër bashkimit të kombit shqiptar në një shtet të vetëm?!

Ideja e bashkimit të kombit shqiptar në një shtet të vetëm, në një Shqipëri të vetme, është vetë shpirti i këtij kombi.

Vrasjen e kësaj ideje, shpirtit të kombit, e kërkuan ndër shekuj pushtuesit e tokave të Shqipërisë, por nuk mundën ta vrasin asnjëherë.

Nuk do t’ia dalin dhe nuk do të mund ta vrasin kurrë as me ndihmën e disa bastardëve shqipfolës të Tiranës, Prishtinës a Shkupit.

Se Berisha (më vonë edhe Meta) nuk angazhohet për bashkimin e shqiptarëve në një shtet të vetëm, se ky njeri dhe soji i tij i kanë bërë shumë dëm çështjes shqiptare e kemi ditur që herët, me kohë.

Por, që Berisha dhe Meta do të arrinin deri këtu sa të deklaroheshin botërisht, në emër të Qeverisë, kundër bashkimit kombëtar ishte pak e vështirë të kuptohej.

Këtu në Shqipërinë Verilindore (Kosova me viset e saj) ka politikanë të tillë që për postet dhe privilegjet e tyre janë në gjendje ta shtynë bashkimin kombëtar të paktën deri sa të ikin vetë nga kjo botë, dhe, këta janë nga të dykrahët:

Edhe nga ata që betoheshin në kokën e Nënës Shqipëri dhe në idealin e bashkimit kombëtar, edhe nga ata që hanin dhe hanë në grazhdin e Serbisë, Jugosllavisë dhe përsëri Serbisë.

Por, të kuptohemi drejt, populli shqiptar i këtyre krahinave të Shqipërisë Verilindore është përpjekur dhe ka luftuar brez pas brezi për bashkimin e këtyre krahinave me shtetin shqiptar, për një Shqipëri të bashkuar dhe të vetme.

Idealet e këtij populli dhe dëshirat e tij u shprehën qartë edhe njëherë nga Organizata e Veteranëve të UÇK-së pas deklaratës kundërshqiptare dhe famëkeqe të Qeverisë Berisha-Meta të bërë me gojën e Haxhinastos.

Në themele të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të popullit shqiptar, deklaronin veteranët e UÇK-së, ishte çlirimi dhe bashkimi kombëtar në një shtet, me një atdhe dhe me një flamur. Ky ishte edhe ideali i Komandantit Legjendar, Adem Jashari.

Vizita dhe nderimi që ky Haxhinasto bëri në Prekaz nga veteranët u cilësua si fyerje për idealet e Komandantin Legjendar dhe për luftën e popullit shqiptar.

Unë nuk marrë përsipër t’i mësoj Jasharët Legjendar dhe asnjë familje tjetër dëshmorësh se kend duhet pritur e kend jo, por, shqiptarë të llojit Haxhinasto, Pacolli, Berisha... nuk meritojnë bujarin dhe respektin e këtyre familjeve, ashtu siç nuk e meritoi kurrë Rugova.

Të jetë rastësi ardhja dhe deklarata e Haxhinastos pikërisht në kohën që rifilluan bisedimet me Serbinë ? Nuk e beson njeri. Në të njëjtën kohë u bë edhe intervista me Kryetarin e Serbisë nga Baton Haxhiu në Beograd! Batoni e siguronte Tadiçin se ideja e bashkimit të shqiptarëve në një shtet nuk e ka përkrahjen e popullit shqiptar!

Madje, Batoni i shprehte keqardhjen Tadiçit që shqiptarët u detyruan nga Serbia të luftonin kundër saj dhe të shkëputeshin nga ajo pa dëshirën e tyre!! Edhe kur Tadiçi fliste për «zgjidhje krijuese» të çështjes së Kosovës sipas shembullit të dy Gjermanive, Batoni nuk e kundërshtonte.

Po të ishte shqiptar lojal ndaj vendit dhe kombit të tij do t’i thoshte  se ne nuk jemi dy Serbi, siç ishin gjermanët dy Gjermani por, jemi një Shqipëri Verilindore dhe një Serbi, pra shqiptarë e serbë. Kjo zgjidhje «krijuese» duhet të përdoret nga dy Shqipëritë apo tri Shqipëritë, sepse është edhe Shqipëria e Poshtme (Çamëria). Mirëpo, Batoni ishte lojal ndaj Serbisë, prandaj edhe pyetjet dhe komentet e tij ishin në pajtim me lojalitetin e tij.

Kurse miku im, H. S., thotë: “E frikshme! Në ditën e arrestimeve të çlirimtarëve, Batoni na e solli Tadiqin në ekran... Trashëgimtarin e vrasësit të tyre, për të na rikujtuar qëndrimin antiçlirimtar dhe mosnjohjen tonë... E trishtët! Komentet afirmative dominojnë këtu, medet!

Dhe e kundërta ndodhë gjithmonë për njerëzit tanë! Robruese! Diçka si nostalgji prej bashkëpunëtori dhe robi! Liria pa Serbinë, sikur nuk po mjafton, o zot! Batoni po bënë punën e vetë afirmative... si gjithmonë... Batoni dëshmoi edhe njëherë se është bashkëpunëtor i zellshëm në çdo kohë!

 Por, lexuesë të nderuar shqiptarë, kemi edhe disa politikanë në Prishtinë që na «sigurojnë» dhe «mashtrojnë» përditë se me shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe me «flamurin» e dasmave të synetisë amaneti i dëshmorëve u realizua, duke i siguruar pushtuesit e tokave të Shqipërisë se nuk kemi pretendime për bashkim të të gjithë shqiptarëve në një shtet, pastaj kemi Tiranën zyrtare (qeverinë e Berishë-Metës) që dërgoi në Prishtinë Haxhinaston dhe i dha të njëjtat garanci dhe, kemi Baton Haxhiun, të cilin e dërguan në Beograd për të qenë edhe më të besueshëm dhe për t’ia dhënë të njëjtat garanci vetë Tadiçit!!!

Rrugën dhe vullnetin e popullit shqiptar më së miri e përmblodhi sot me pak fjalë miku im i mirë H. S.: «Rruga e popullit shqiptar për liri dhe bashkim kombëtar nuk dihet kur ka nisur (filluar), nuk dihet as kur do të mbarojë kjo rrugë por, dihet që jemi shumë më afër fundit të kësaj rruge se fillimit të saj». 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)