19 Mars 2024

Hajdar Maloku, kapiteni i vrarë me tradhti

Shkruar nga Gani Qarri

Hajdar Maloku-Planeja u lind në fshatin Planejë të Hasit, fshat piktoresk dhe mu buzë kufirit shqiptaro-shqiptar. Ai që në moshën fëmijërore do të kalonte në Shqipëri, ku mbaroi shkollimin fillor dhe atë të mesëm me shumë sukses, arsye e cila bëri që atij, ti ndahej edhe një bursë shtetërore nga qeveria e atëhershme e Shqipërisë, për mbarimin e Akademisë ushtarake në Itali.

Pas përfundimit me sukses të Akademisë, Hajdar Maloku  kthehet në Shqipëri dhe menjëherë vihet në shërbim të atdheut të shqiptarëve si oficer i ushtrisë kombëtare në shumë vende anë e mbanë shtetit amë.Ndërsa pas kapitullimit të ushtrisë jugosllave dhe dëbimit të saj nga trojet shqiptare nën pushtimin sllav, Hajdar Maloku në vitin 1941 do të vendosej në Kosovë.

Ai si ushtarak me gradën e togerit, fillimisht u dërgua për shërbim në Gostivar, dhe nga atje pas një pune të mirë e me përkushtim dhe besnikëri të lart, do të transferohej në Gjakovë, ku dhe mori gradën e kapitenit.  Gjatë shërbimit të tij në Gjakovë si kapiten i Xhandarmërisë kombëtare të shtetit "etnik" shqiptar, Hajdari pa kaluar shumë kohë, ra në kontakt edhe me komunistët vendor.

Madje i joshur nga propaganda e tyre maskuese, se kinse ata bënin luftën e “vërtetë” për çlirimin e trojeve shqiptare, ai do tu ndihmonte atyre pa kursim, në të gjitha vështirësitë, sa herë që kishin nevojë si dhe do të bashkëpunonte me ta gjerë në momentin e deklarimit publik të komunistëve shqipfolës, se lufta e tyre bëhej jo për çlirimin e Kosovës nga Serbia, por për mbetjen e saj dhe trojeve tjera shqiptare nën Serbi dhe Jugosllavi.

Në organizimin e madh politik dhe ushtarak që prof. Ymer Berisha do të ndërmerrte në vjeshtën e vitit 1943,për mbrojtjen e Kosovës dhe trojeve tjera shqiptare, nga Serbia dhe Jugosllavia tani komuniste, në mesin e kuadrove më aktiv, dhe bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë e besnik, kishte Kapiten Hajdar Malokun, nga Planeja e Hasit, të cilit do t`ia besonte detyrën e udhëheqësit kryesor për Prizren dhe rrethinë.

Këtij grupi të bashkëpunëtorëve përveç Kapiten Hajdar Malokut, atëbotë i takonin figurat më të njohura kombëtare dhe kryengritëse të kohës, si Ukë Sadiku, Ndue Përlleshi, Ajet Gërguri, Gjon Serreçi, Marie Shllaku, Luan Gashi, Ejup Binaku, Halim Spahia dhe shumë emra tjerë të njohur e të pa njohur për ne në kohën e sotme.

Ata ishin heronjtë, të cilët krijuan rrjetin e lëvizjes së famshme kryengritëse për liri dhe bashkim kombëtar, si dhe u angazhuan me pushkë në dorë për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga ripushtimi sllavo-komunist.

Lidhjet me komunistët shqipfolës, Hajdar Maloku, i ndërpreu tërësisht, menjëherë pas shkeljes së vendimeve të Konferencës së Bujanit, të mbajtur më 31 Dhjetor 1943 dhe 1 e 2 Janar 1944, në Bujan, nga i ashtuquajturi „Këshill Nacional Çlirimtar i Kosovës“ që megjithëse vet e kishte nënshkruar vendimin sipas të cilit, pas çlirimit Kosova do ti bashkohej Shqipërisë, pas tërheqjes së gjermanëve dhe ripushtimit të Kosovës nga sllavo-komunistët, ishin vet ata, që e shkelën të parët, me të dy këmbët vendimin e vet historik, dhe votuan për mbetjen e sërishme të Kosovës nën Serbi.

Komunistët shqipfolës pak kohë pas përfundimit të Konferencës së Bujanit, nën trysnin e sivëllezërve të tyre sllav, tradhtuan rëndë vendimet e Konferencës dhe idealet kombëtare të shqiptarëve, duke iu bashkuar hapur luftës së pushtuesve sllav, për aneksimin e Kosovës nga Serbia.

Oficeri kombëtar Hajdar Maloku-Planeja, përveç përgatitjes ushtarake, ai ishte edhe profesor i historisë dhe gjeografisë, i cili përveç gjimnazit të Prizrenit,bashkë me profesor Ymer Berishën edhe ai oficer me profesion, në mungesë të kuadrit për shkollat shqipe, pothuajse njëkohësisht kishin punuar edhe mësues e profesor gjithandej trojeve shqiptare në Shqipëri dhe Kosovë.

Ndërsa, duke parë rrezikun që po u kanosej sërish trojeve shqiptar nga ripushtimi sllav, me 12 shtator të vitit 1943 u formua organizata e njohur me karakter të pastër kombëtar-ONDSH,(Organizata Nacional Demokratike Shqiptare) e cila luftoi deri në fund për mbrojtjen dhe bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare, me shtetin amë Shqipërinë.

Hajdar Maloku jo vetëm se do tu bashkëngjitej që në fillim, forcave të kësaj lëvizje të mirënjohur kombëtare, por ai ishte edhe njëri nga themeluesit e lëvizjes, si dhe kryetar i Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare-ONDSH, për Prizren me rrethinë.

Ndaj ONDSH-s, Hajdar Maloku do ti mbetej përgjithmonë besnik në luftë dhe të gjitha përpjekjet për jetësimin e idealeve të saj, si dhe realizimin e aspiratave shekullore të kombit shqiptar për bashkim, deri në vrasjen e tij makabër.

Ai as pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, nuk kishte pranuar të ikte nga vendi, ndaj dhe ishte detyruar të hidhej në ilegalitet për rreth 18 muaj me radhë, kur më në fund u tradhtua nga komunistët shqipfolës, dhe në një pritë të zënë nga forcat serbe të OZNA, (Odjeljenje za zaštitu naroda- Departamenti për mbrojtjen popullore) kapiten Hajdar Maloku u vra më 1 nëntor të vitit 1946, në fshatin Gjonaj të Hasit.

Banorët hasjan kapiten Hajdar Malokun e përshkruajnë si Burrë të pashëm, i mbajtur mirë, serioz, i dashur dhe inteligjent, me një fjalë ai ishte atdhetar i vërtetë, njeri i ditur, udhëheqës besnik, i dinjitetshëm dhe me shumë autoritet në Popull, sidomos tek bashkëpunëtorët e vet, për të cilin edhe pas kaq vitesh të kaluara, ende flitet me shumë respekt nga banorët e trevës sonë, sidomos nga ata, që kishin pasur fatin ta njihnin personalisht këtë burrë me nam, për gjallje të tij.

Njëjtë me shumë troje tjera shqiptare edhe treva e Hasit në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar, si gjatë luftës ashtu edhe pas saj u shndërrua në arenë vuajtje dhe luftimi për çlirimin e vendit dhe mbrojtjes nga rreziku i përsëritjes së ndarjes dhe ripushtimit të serishëm të tij nga sllavët.

Me këtë rast, duhet theksuar se sidomos Mali i Pashtrikut, në ato kohë të vështira ishte kthyer në një ombrellë mbrojtëse për luftëtarët e lirisë si dhe vendstrehimin kryesor të kryengritësve kombëtar nga shumë pjesë të trojeve tona etnike.

Një kala më vete, nëse mund të quhet ashtu dhe mburojë e sigurt për strehimin dhe takimin e figurave kryesore udhëheqëse, ku merreshin vendime të mëdha dhe planifikoheshin aksione të veçanta luftarake kundër pushtuesve sllav dhe komunistëve shqipfolës në të dy anët e kufirit, të cilët luftonin kundër interesave të bashkimit kombëtar dhe sërish kishin bërë ndarjen e shqiptarëve.

Komunistët ishin ata që kërkonin rivendosjen e ish kufijve të shtetit sllav, mes për mes Hasit dhe trojeve tjera etnike, për ti ndarë e copëtuar edhe një herë tokat shqiptare në shumë pjesë.

Ndaj, se sa e drejt ishte lufta e lëvizjes kombëtare për çlirim të shqiptarëve dhe përpjekjet e tyre për bashkimin e pjesëve të copëtuara të Shqipërisë Etnike ,e vërtetojnë edhe ngjarjet e hidhura të vrasjes së shqiptarëve gjithandej trojeve tona nën pushtimet e huaja, gjatë gjithë tragjikës së okupimit, vrasje të cilat për çudi si askund tjetër në evropë, deri në shekullin 21, ndodhnin vetëm në kufijtë shqiptaro-shqiptar.

Pra është shumë e drejtë dhe plotësisht e  kuptueshme për të gjithë, se sa rëndë ishte përjetuar atëbotë ndarja kombëtare e shqiptarëve dhe ripushtimi i trojeve të tyre etnike me dhunë.

Me dominimin e sllavo-komunizmit si ideologji dhe përdorimin e forcave ushtarake të të dy shteteve, si nga komunistët jugosllav, ashtu edhe ata të shteti amë Shqipërisë, u arrit të bëhej edhe një herë ricopëtimi përfundimtar i trojeve etnike shqiptare.

Ndërsa njëri nga rajonet më të prekurat nga fatkeqësia e këtij ricopëtimi ishte dhe mbeti rajoni i Hasit.

Atij iu bë ndarje e dyfishtë, së pari me vendosjen e vijës ndërshtetërore kufitare, me ç ‘rast erdhi deri te ndarja jo vetëm e tokave dhe pasurive, por pati edhe familje të ndara, duke ngelur njëra pjesë në Shqipëri, kurse pjesa tjetër në Kosovë.

Pjesa e Hasit në Kosovë do të ndahej edhe një herë për gjysmë në mes të Komunës së Gjakovës dhe asaj të Prizrenit për të vuajtur deri në qershorin e  vitit 1999, bashkë me shumë vise të tjera shqiptare edhe nën robërinë e gjatë serbo-sllave.

Pushtimi i tokave tona zgjati shumë, duke filluar që nga sundimi i mbretërisë serbo-kroato-sllovene, regjimi komunist i Titos e deri te gjenocidi serbo- Millosheviqian, i cili u përjetua si periudha më e errët e një robërie me brutalitet të paparë mbi lëkurën e regjur nga pushtimi i gjatë i shqiptarëve në okupimet e huaja.

Periudha millosheviqiane ishte perudha më e rëndë që kulmoi me shpërnguljet më masive dhe gjenocidin më antinjerëzorë, të parë ndonjëherë në këto troje, kundër popullsisë së pa mbrojtur civile, për të përfunduar me një luftë makabre dhe çlirimin fatlum të shqiptarëve të Kosovës, përgjitmonë nga robëria afro një shekullore sllave.

Rezistenca në Has

Përpjekjet kundër ndarjes dhe ripushtimit të tokave shqiptare kishin filluar që para përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, kurse gjendja edhe ashtu e acaruar do të arrinte shkallën  alarmante me marshimin e brigadave të ushtrisë komuniste shqiptare në Kosovë, edhe pse gjermanët kishte kohë që ishin larguar nga Kosova.

Për tu bërë fatkeqësia edhe më e madhe, udhëheqja komuniste e Shqipërisë me të vendosur trupat e saj në Kosovë, u deklarua hapur se mbante anën e pushtuesve sllavo-komunist dhe ishte për mbetjen e trojeve shqiptare nën Jugosllavi.

Pakënaqësia e Popullit Shqiptar do të arrinte kulmin pas shuarjes së Brigadës së Shaban Polluzhës dhe përfundimit të Luftës së Dytë Botërore kur Kosova do të mbetej edhe praktikisht nën pushtimin serbo-jugosllavë, dhe së shpejti do të imponohej edhe aneksimi juridik i Kosovës nga Serbia.

Ndaj patriotët më të njohur të kohës nga të gjitha trevat shqiptare si edhe ata që luftonin në Has, do të nguteshin që të bënin atë që ishte e mundur dhe organizoheshin për t'iu kundërvënë me luftë të armatosur ripushtimit serb të tokave shqiptare dhe ndarjes së Kosovës nga shteti amë Shqipëria.

Kështu që, rezistenca tani do të zhvillohej në dy fronte dhe kryengritja e filluar kombëtare kundër forcave pushtuese sllave që nga shkurti i vitit 1944, do të zgjerohej edhe kundër forcave komuniste shqiptare në të dy anët e kufirit, pra edhe në Hasin e ndarë për të vazhduar deri në vitin 1948 me të gjitha mundësit që ata kishin, përfshi organizimin politik dhe qëndresën e armatosur, për  çlirimin dhe bashkimin e trojeve të riokupuara nga sllavët me Shqipërinë.

Organizatori dhe bartësi kryesor i rezistencës në Has, ishte Kapiten Hajdar Maloku, i cili luftonte bashkë me të vëllain Miftarin, Sefë Sadik Durakun nga fshati Demjan, Ahmet Halitin nga fshati Kushnin, Tafë Përvizajn nga fshati Krajk i Hasit në Kosovë e shumë të tjerë.

Luftëtarët e Hasit bashkëpunonin ngushtë edhe me patriotin Halim Spahia , prof. Ymer Berishën, Ukë Sadikun dhe shumë kryengritës nga Shqipëria të cilët nuk pranonin kufijt ndërmjet shqiptarve, si Mehmet Bajraktari nga Hasi, bashkëluftëtar nga Luma e deri te luftëtarët e Çështjes Kombëtare nga Ilirida e Dibra dhe të gjitha trojet shqiptare nën pushtimin jugollav.

Siç tregohet nga banorët e vjetër, të afërmit e luftëtarëve dhe përjetuesit e atyre ngjarjeve historike, rezistenca kundër pushtetit komunist serbo-sllavë, në Has që nga pranvera e vitit 1944,kishte vënë kontakte edhe me udhëheqësin e misionit Anglez, për Kosovë dhe Shqipërinë e veriut sir Hends, i cili u kishte premtuar atyre përkrahjen.

Madje,ai do tu bënte thirrje kryengritësve në Kosovë e Shqipëri dhe të gjitha trojet tona etnike, që ata të dilnin me një program unik të veprimit dhe platformë të përbashkët politike për bashkimin kombëtar të shqiptarëve.

Kështu që në Prill të vitit 1944, udhëheqësit  kryesor të ONDSH-s dhe përfaqësuesit e lëvizjes kombëtare për çlirim, nën organizimin dhe përkujdesjen e oficerit të lart të ushtrisë shqiptare kolonel Qazim Komoni nga Gjakova,do të tuboheshin në fshatin Rogovë të Hasit, ku do të merrnin pjesë  edhe patrioti Halim Spahia, kapiten Hajdar Maloku, Ejup Binaku etj., si dhe vet misionari i forcave angleze për Kosovë dhe Shqipërinë e veriut, sir Hends.

Aty ata ishin dakorduar për nxjerrjen e një  platforme të përbashkët politike dhe formimin e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare, e cila do të luftonte për bashkimin e të gjitha trojeve etnike me Shqipërinë.

Historiani i mirënjohur Dr.Hakif Bajrami shkruan se pas lufte oficer i lart kombëtar Qazim Komoni, do të strehohej përkohësisht në Shqipëri, shtetas i të cilës edhe ishte që nga paralufta,por për turpin tonë kombëtar, ai do tu dorëzohej organeve të sigurimit serb OZN-a, nga regjimi komunist i Enver Hoxhës.

Me të rënë në duart e OZNA-s jugosllave, Qazim Komoni do të akuzohej se në prill të vitit 1944, në fshatin Rogove të Hasit,kishte organizuar themelimin e Ushtrisë Shqiptare me dy sektor; atë të "Kreshnikëve“, në të cilin përfshiheshin të rinjtë prej 20 deri ne 35 vjeç, si dhe njësit e "Vullnetarve" ku bënin pjesë personat prej 35 deri në 70 vjeç.... (Dr.Hakif Bajrami,"Qazim Komoni figurë e ndritur e historisë kombëtare", www,forumishqiptar.com,17.06.2003)

Por për fatin e keq të popullit tonë dhe trojeve të tij, mu atëherë kur ishte nxjerr platforma unike shqiptare dhe kishte filluar lufta  e armatosur për bashkim kombëtar, Misioni Anglezë, nën presion e komunistëve nga Shqipëria dhe atyre  serbosllav  të Titos i cili edhe kishte ftuar brigadat komuniste shqiptare të Enver Hoxhës për intervenim në Kosovë, ishte detyruar të largohej nga Kosova dhe veriu i Shqipërisë, duke lënë të vetmuar, pa mbështetje dhe të rrethuar nga të gjitha anë kryengritësit shqiptar, të cilët luftonin me mish e me shpirt për çlirim e bashkim kombëtar dhe kundër komunistëve Shqiptaro-Jugosllav.

Megjithatë, aktivitetet çlirimtare për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë nuk kishin pushuar, edhe pse brigadat shqiptare nën ndikimin e udhëheqësve jugosllav dhe ideologjisë së tyre të përbashkët sllavo-komuniste, kishin filluar ndjekjen dhe likuidimin e luftëtarëve shqiptar për çlirim dhe bashkim kombëtare me arsyetimin se Shqiptarët e Kosovës ishin shumë anti- serb, nuk e pranonin me asnjë çmim pushtimin nga Serbia dhe kërkonin me këmbëngulje të bashkoheshin me Shqipërinë.

Madje të entuziazmuar se me ardhjen e ushtrisë së Enver Hoxhës në Kosovë, po realizohej edhe çlirimi përfundimtar i Kosovës nga Serbia,  duke mos e ditur se mu nga ato brigada do ti vinte Kosovës dhe viseve tjera shqiptare fatkeqësia e ripushtimit të sërishëm nga Serbia, atyre iu bashkuan numër i madh luftëtarësh nga Hasi, Gjakova dhe trojet tjera shqiptare nën pushtim.

Pas ripushtimit të Kosovës Serbia fillimisht vendosi Kosovën nën regjimin e rrept ushtarak dhe rrethim të hekurt policor, si dhe përjashtoi shumicën e delegatëve atdhetar nga përfaqësimi i popullit në Kuvendin e atëhershëm të Kosovës.

Megjithatë rezistenca e patriotëve shqiptare në Kosovë, dhe viset tjera shqiptare, nuk kishte të ndalur dhe vazhdonte e pareshtur duke mos e pranuar asnjëherë, në asnjë mënyrë dhe për asnjë moment ripushtimin nga Serbia.

Ndaj kryengritja në gjithë Kosovën, kishte marrë përmasa të atilla, sa që Serbia, vetëm me ndihmën e brigadave komuniste të Shqipërisë, mundi ta ripushtonte dhe mbante nën okupim edhe një herë Kosovën dhe shqiptarët.

Për vazhdimin sa më me sukses të luftës çlirimtare, në mars të vitit 1945,në qytetin historik të Prizrenit, do të formohej Organizatën Nacional Demokratike Shqiptare, (ONDSH),e cila kishte për detyrë riorganizimin dhe përshtatjen e luftës në rrethana të reja për, çlirimin e të gjitha trojeve të pushtuara shqiptare si dhe bashkimin e tyre me Shqipërinë.


Kapiten Hajdar Maloku, do të zgjidhej kryetar i ONDSH-s për Prizren dhe rrethinë.

Komiteti për Has, kishte formuar menjëherë radhët e para me luftëtarë, dhe vendosur ato në malet e Pashtrikut të cilat udhëhiqeshin nga Kapiten Hajdar Maloku, Sefë Sadik Duraku,Tafë Përvizaj, Miftar Maloku, Ahmet Haliti e të tjerë.


ONDSH-s, përveç në Has,kishte arrit të krijonte Komitetet Nacional Demokratik në shumë pjesë të Kosovës.

Ndërsa ato mbanin lidhje të pandërprera me udhëheqësit e luftës në të gjitha viset  kryengritëse në Rrafsh të Dukagjinit si me Halim Spahiun,Prof. Ymer Berishën Ndue Përlleshin, Demë Ali Pozharin,Ukë Sadikun, e shumë udhëheqës tjerë Komitetesh gjithandej Kosovës duke i koordinuar aksionet edhe me Komitetet e Lumës dhe Dibrës bashkëluftëtarët në Iliridë, Shqipëri dhe të gjitha tokat shqiptare nën pushtim, gjithandej ku luftohej për liri dhe bashkim kombëtar.

Pas ripushtimit të Kosovës Serbia fillimisht vendosi Kosovën nën regjimin ushtarak dhe rrethim të hekurt policor, si dhe përjashtoi shumicën e delegatëve atdhetar nga përfaqësimi i popullit në Kuvendin e atëhershëm të Kosovës.

Ndërsa për ti dhënë edhe formën juridike pushtimit dhe aneksimit të Kosovës, Serbia në kuvendin e  mbajtur në Prizren nga 8 deri më 10 korrik të vitit 1945, improvizoi një votim të detyruar, me frikësim, shantazh dhe kërcënime për tortur e vrasje, duke detyruar deputetët shqipfolës, të caktuar nga vet ajo, që të votonin për aneksimin dhe futjen e Kosovës nën sundimin e Serbisë.

(Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha," Reagimet e forcave kombëtare në Kosovë, ndaj vendimeve të Kuvendit të Prizrenit më 1945" www.nasergashi.com,2 Maj 2010).


Madje forcat pushtuese serbe, në emër të komunizmit, tanimë kishin krijuar një rrjet të gjerë me kolaboracionistë shqiptar ,me ndihmën e të cilëve përpiqeshin për përçarjen e luftëtarëve, futjen e hasmërisë ndërmjet tyre dhe shuarjen e rezistencës në Has.

Por përkundër të gjithave p¨derpjekjeve serbo-komuniste, kryengritësit shqiptar në trevën e Hasit,do të qëndronin të pamposhtur deri në pranverën e vitit 1946, kohë kur me ndihmën e disa kolaboracionistëve shqipfolës, ata në një pritë të zënë natën, buzë malit të Pashtrikut, u gjendën të rrethuar dhe u sulmuan nga të gjitha anët, prej forcave kolaboracioniste dhe atyre pushtuese serbe.

Përpjekjet për daljen nga rrethimi i shumëfishtë që kishte përfshirë një hapësirë të madhe duke nisur nga vendi i quajtur Mulliri i Poshtëm e deri te Gurra e fshatit Demjan dhe fillimi i maleve të Pashtrikut, në të cilin luftëtarët trima edhe e kishin bazën e tyre të rezistencës në Has, në luftën për jetë a vdekje në mes të luftëtarëve për çlirim e bashkim kombëtar dhe ushtrisë e policisë serbo- jugosllave, pati të vdekur dhe të plagosur nga të dy palët.

Megjithatë, luftëtarët e rrethuar shqiptar, të udhëhequr nga Kapiten Hajdar Maloku, Sefë Sadik Duraku, Ahmet Haliti etj, jo vetëm që do tu bënin ballë me sukses të gjitha mësymjeve të pushtuesit, por në mëngjes ata do të arrinin që ta shpërthenin edhe rrethimin duke shpëtuar numri më i madh i tyre.

Në luftimet e zhvilluara përveç armiqve të vrarë e të plagosur, do të binin edhe disa luftëtar shqiptar në mesin e të cilëve edhe luftëtarja trimëreshë e cila nuk i`u kishte ndarë asnjëherë rezistencës kombëtare ("Shota" e anëve tona), Kade Përvizaj-Duraku.


Një pjesë e luftëtarëve të shpëtuar gjatë luftimeve kishin arritur të futeshin në malet e Pashtrikut kurse pjesa tjetër në Lagjen e Sipërme të fshatit Demjan, duke u strehuar nëpër familje ku ata kishin besim, me ç ‘rast duhet përmendur familjen e Arif Sufajt, e cila më vonë nga kolaboracionistët shqiptar të lagjes ishte lajmëruar te organet e pushtuesve serb dhe përveç pasojave tjera, do të lëçitej për vite me radhë edhe nga fqinjët në lagje, si dhe bashkëfshatarët komunist.


Pas kësaj ngjarje, qëndrimi në vend po bëhej gjithnjë e më i vështirë. Askush nuk guxonte më, tu ofronte ndihmë as mbante kontakt me kryengritësit.

Ishin shpeshtuar sulmet dhe ndjekjet e pareshtura të luftëtarëve nga pushtuesi dhe bashkëpunëtorët e tyre në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar.


Numri i të strehuarve në malet e Pashtrikut, kohë pas kohe rritej në masë aq të madhe sa që nuk kishte mundësi as të sigurohej ushqimi i mjaftueshëm dhe garantohej strehimi për të gjithë, sidomos pas ardhjes së kryengritësve edhe nga viset tjera shqiptare të cilët kërkonin mburojë në këto male.

Ndaj në mungesë të municioneve, veshmbathjes dhe ushqimeve, të cilat nuk kishin më nga ti siguronin dhe për të mos rënë në duar të pushtuesve serb, dhe forcave komuniste të Enver Hoxhës, pjesa më e madhe e luftëtarve kombëtar, detyrohen të marrin rrugën e mërgimit për në Greqi dhe shtete tjera të huaja në Evropë e deri në Amerikë.

Por, gjatë kalimit nëpër viset shqiptare të Iliridës, megjithëse nuk kishin pranuar ta linin vendin të gjithë dhe vetëm 56 kryengritës kishin marrë atë rrugë të mundimshme nga Pashtriku, numri më i madh, apo 31 prej tyre do të vriteshin në pritat e organizuara nga ushtria dhe policia e pushtusve jugosllavë dhe vetëm 25 nga ata, shumica prej të cilëve me plagë të rënda në trup, do të arrinin të gjallë në Greqi.

Duhet përmendur se megjithë vrasjen e kapiten Hajdar Malokut, rezistenca në Has nuk përfundoi as më 1946. Ata të cilët nuk kishin pranuar të iknin me shpresën e çlirimit të Kosovës dhe bashkimit të trojeve shqiptare, do ta vijonin qëndresën dhe mbanin gjallë lëvizjen për çlirim kombëtar, deri në vitin 1948,kur edhe do të dekonspirohej numri më i madh i këtyre ushtarëve kaq besnik ndaj atdheut.

Vit kur do të fillonte arrestimi dhe dënimi i tyre me akuzat si; „reaksionar“ e „tradhtar“ të Jugosllavisë dhe Serbisë si dhe irredentist,kundërshtar e armiq të përbetuar të ideve sllavo-komuniste, duke i dënuar me shumë vite burg dhe mos arritur kurrë ta shohin e përjetojnë lirinë e ëndërruar të vendit të vet, me përjashtim të Tafë Përvizajt tashmë edhe ai i ndjerë, i cili pas emigracionit të gjatë në SHBA, me të rënë komunizmi, ishte kthyer për ti kaluar vitet e fundit të jetës, në vendlindjen e vet.


Ndaj megjithëse ata bënë krejt atë që mundën për vendin, ndërsa vendi edhe pas çlirimit,për krejt këto vite nuk arriti të bëjë pothuajse asgjë në shenjë nderimi për ta, kujtimet e mira dhe lavdia e veprës së tyre, u përcoll me pietet brez pas brezi, më tepër përmes tregimeve nga populli që ka parë dhe përjetuar bëmat e tyre të mëdha patriotike.

Ata ishin heronjtë dhe dëshmorët e një brezi të ndritur, cilët nuk u dorëzuan asnjëherë para armikut, luftuan deri në fund për vendin e të parëve dhe dhanë çdo gjë, përfshi edhe jetën e tyre të shtrenjtë për lirin e atdheut.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)