19 Prill 2024

Grandi një tendencë kriminale për rrënimin e tij

Shkruar nga arch. Ylber Vokshi-Ylli

Është tërësisht e pa kuptueshme jo serioze, tendencioze dhe shumë e rrezikshme ideja apo propozimi i dikujt që të rrënohet hoteli Grand në Prishtinë, si një nga objektet ma reprezentative në kryeqytet i ndërtuare viteve të shtatëdhjeta të shekullit të kaluar i cili me pamjen impozante, kompozicionin dhe funksionalitetin e vetë edhe sot dominon në tërë industrinë hoteliere të ndërtuar më pas, e posaçërisht pas luftës së fundit.

Të thuhen kaq shumë të pa vërteta për mënyrën e ndërtimit dhe përdorimit të objektit aspak nuk iu shkon për nderë individëve jo kompetent, pasi në kohën kur është ndërtuar Grandi ka pasur rregulla ligjore dhe teknike, të cilat ke qenë i detyruar ti aplikon dhe ti respekton, duke filluar nga përpilimi i dokumentacionit urbanistik dhe arkitektonik,revidimit të projektit, ndërtimit, mbikëqyrjes shtetërore të punimeve dhe materialeve që janë përdorur në objekt, e deri te pranim dorëzimi i punimeve të cilit i ka parapri pranimi teknik, i cili me siguri nuk ka pasur ndonjë vërejtje serioze për mos me e lejuar funksionimin e hotelit i cili ende sot funksionon.

Punon i plandosur nga keqpërdoruesit e shumtë që e kanë pru në këtë gjendje, ku hapësirat hoteliere iu janë dhënë në shërbim të tjerëve që nuk kanë lidhje me hotelieri.

Nëse do të tërhiqej një paralele në mes të kritereve të ndërtimit para dhe pas luftë dallimet janë si nata me ditën, e kjo metodë punë në këto vite të shekullit të ri 21 do ti hakmerret kësaj shoqërie herë-do kurdo. Nuk ka nevojë askush të brengoset për stabilitetin e hotelit Grand sa të propozoi rrënimin e tij,për këtë me siguri ekziston dokumentacioni teknik që është mbajtur gjatë ndërtimit të tij. Koha e kaluar ka treguar ko-ekzistencën  tij me mjedisin që e rrethon. Rrënimin e tij  e kërkojnë ata që nuk kanë lidhje me traditën dhe mentalitetin tonë.

Të mos harrojmë se ai ishte vendi i ndodhive historike të viteve tetëdhjeta e ma vonë deri në ditët e sodit. Në vend që ta mbrojmë me argumente profesionale identitetin e tij gati katër-dhjetë vjeçar në bëjmë ndryshime strukturore në pamjen e jashtme të tij (fasadën).

Së fundit dalim me propozime absurde për ta rrënuar atë, thua se identiteti arkitektonik dhe urbanistik i krijuar me vite të mundimshme fare nuk ka rëndësi për ne.

Me aq lehtësi e harrojmë atë sa që befason edhe armiqtë tanë të cilët i “gëzohen” veprimeve të pa kontrolluara tona.

Nuk duhet anashkaluar të dhënën së ai është i mbrojtur nga shteti pasi gjendet në listën e trashëgimisë kulturore për mbrojtje të përkohshme të objekteve, nën numrin rendor 941,gjegjësisht me nr.unik 4235 në data-bazën e MKRS-së, dhe si i tillë nuk mundet të rrënohet,nëse dikush respekton këtë listë.

Kur në vitin 2010 kishte filluar ndryshimi i fasadës së mermerit të hotelit Grand isha shokuar, kisha një reagim të ashpër publikë, por për fat të keq isha i vetëm, askush tjetër nuk më përkrahu, nuk pati reagime nga qarqet intelektuale në kryeqytet e as nga profesionistët e fushës, e posaçërisht nga arkitektët e shumtë që vepronin në Kosovë, të cilët nga frika se po i humbin privilegjet,ose nga mosdija u shukatën thua se asgjë nuk kishte ndodhur mu në qendrën e Prishtinës.

Mirë  theksonte dikur një mendimtar se: “Sot kemi një klasë intelektuale që heshtë,nuk kanë dinjitet prandaj nuk indinjohen” për të vazhduar  se: “ Nëse fillon të kritikosh,nëse kundërshton,nëse ofron qoftë edhe refleksione të pa mirëpritura,të fshijnë menjëherë”.

 Për  çudi devastimi i hotelit Grand në atë kohë u ndërpre, jo se dikush nga përgjegjësit shtetëror reagoi, por si duket kishte mospajtime në mes aksionarëve.

Mos reagimi i ynë i rriti apetitet e tyre,i trimëroi ata sa që tani të kërkojnë edhe rrënimin e tij,pra ndër fajtorët kryesor jemi vet ne intelektualët dhe profesionistët që me indiferencë ekstreme sillemi ndaj këtyre dukurive negative, në një formë jemi bashkë-pjesëmarrës në krimet urbane që kanë ndodhur në Kosovën e pas luftës.

Askush nuk mundet të jetë kundër rehabilitimeve urbane, gjegjësisht rindërtimeve,renovimeve,rekonstruimeve arkitektonike dhe urbane,zhvillimi i shoqërisë e kërkon këtë,është ky proces i pandalshëm, nëse dëshirojmë të përcjellim dhe të aplikojmë të arriturat teknologjike në fushën e arkitekturës dhe urbanizmit në botë.     

Ri-freskimi i enterierëve të këtyre objekteve hoteliere bëhet minimum çdo pesë vjet, për shkak të konkurrencës, që në rastin konkret të hotelit Grand nuk ka ndodhur.

E tani trumbetohet se ky objekt nuk ka vlera artistike,arkitektonike apo urbanistike,dhe duhet rrënuar,kjo është mjerim ose si thonë francezë ”mizerable”,kurrsesi nuk duhet lejuar një veprim të tillë pa marr parasysh nga kush vjen.

Të propozohet të rrënohet apo të shembet një objekt i tillë nuk përket me logjikën e shëndoshë,këtë munden të propozojnë vetëm ata që janë të verbëruar nga interesat idioteske materiale, duke tentuar me ia zhdukur të kaluarën dhe të ardhmen e popullit të vetë.

Ka vende dhe hapësira të shumta në Prishtinë ku munden të ndërtohen kapacitete të reja hoteliere të nivelit të lartë botëror, por qëllimi i atyre me prapavija djallëzore është atakimi mu i qendrës së kryeqytetit si ndodhi me hotelin “Iliria”dhe zhdukjen e identitetit arkitektonik dhe urban të tij,me ndërtimin e hotelit ”Swiss Diamond”.  

Kjo formë e degradimit të objekteve dhe tërësive arkitektonike deri në kërkesat absurde për rrënimin e tyre nuk është e re as në qytetet tjera në Kosovë dhe regjion.

Si ishte rasti i rrënimit të hotelit të vjetër në Gjakovë, fasada e qelqit në objektin e Kuvendit të Kosovës e cila të jep përshtypjen e një”arne”të shëmtuar,degraduese nga aspekti arkitektonik,tjetërsimi  fasadës së objektit të ’’Rilindjes“,rrënimin e shumë objekteve sakrale (xhamit) e shumë shtëpia banimi karakteristike,të cilat ishin nën mbrojtjen e shtetit për vlerat e tyre të pa mohueshme arkitektonike,aq me lehtësi janë zhdukur nga faqja e dheut nga dora e jonë.

Këtyre ditëve kërkesa për rrënimin e Teatrit Kombëtar  në Tiranë ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin Shqiptarë dhe sigurish do ti detyroi zyrtarët shtetëror që të tërhiqen.

Një reagim të ngjashëm pres edhe nga ne në Kosovë, të iu thuhet stop këtyre tendencave të rrezikshme, që një grup i vogël i keqbërësve po tenton të na zhduk të kaluarën tonë të ndritshme, që ma së miri faktohet me objektet reprezentative, si është hoteli Grand në Prishtinë.

Është koha e fundit që kokat e kthjellëta intelektuale dhe profesionale,të reagojnë në këto veprime për të mirën e të gjithë neve dhe gjeneratave të ardhme,e jo të jenë indiferentë si deri me tani duke i lejuar këto veprime denigruese për të gjithë ne.  
 
/Autori është ish-Kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës (KPHK)/
 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)